rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Ku po shkon Partia Demokratike e Shqipërisë?

Arbër Zaimi

(ky shkrim është botuar së pari në Revistën Shenja, korrik 2017)

Zgjedhjet në Shqipëri nuk sollën ndonjë rezultat të papandehur. Të gjithë ata që e përcjellin me vëmendje politikën e Tiranës e dinin këtë gjë, madje pa patur nevojën e sondazheve që e konfirmonin përsëritjen e fitores së Partisë Socialiste të kryeministrit Rama që shumë kohë përpara se të ndodhte fushata elektorale e vetë zgjedhjet. Madje këtë gjë e dinte edhe vetë partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha, ish-kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe bartës disa herë i portofoleve të rëndësishme ministrore gjatë qeverive të Sali Berishës në periudhën 2005-2013.

Pikërisht pse e dinte këtë gjë, mendohet se Lulzim Basha prodhoi një ngjarje artificiale, deri diku të sforcuar, siç ishte protesta e pandërprerë në bulevardin para kryeministrisë (bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”), e pagëzuar mediatikisht me emrin ”çadra e lirisë”. Artifici i prodhuar nga Basha fillimisht u duk absurd, një protestë pa kërkesa të qarta, që ngjante e keqkonceptuar organizativisht, pasi siç dihet protestat e pandalshme kërkojnë një stërmundim të pjesëmarrësve, që duhet të tregojnë disiplinë e vetëmohim të madh. Megjithatë, kokëfortësia pagoi, dhe ”çadra e lirisë” prodhoi disa fitore jo vetëm simbolike për Lulzim Bashën, siç ishte shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme lokale për Bashkinë e Kavajës, shtyrja e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, si dhe plotësimin e kërkesës për qeveri teknike.

Megjithatë, pavarësisht këtyre fitoreve të arritura përkundër pritshmërive të shumëkujt, rezultati elektoral i PD-së nuk ia doli të prodhonte të papriturën e vërtetë, përkundrazi, PS-ja dhe Edi Rama mbërritën të fitojnë një fitore të pastër, pa pasur nevojë të rithërrasin në koalicion LSI-në e Ilir Metës e cila në tetë vitet e fundit ka qenë e pashmangshme për të krijuar shumicë qeverisëse, si për PD-në ashtu edhe për PS-në.

Sigurisht, pas zgjedhjeve në media e në tryeza partiake, si dhe në rrjete sociale e në tavolina kafenesh menjëherë ka filluar të diskutohet mbi arsyen e humbjes së PD-së. Është ngjarje e rrallë për Shqipërinë që të bjerë kaq poshtë një parti e cila ka shënuar politikën tiranase që prej fillimit të pluralizmit politik e deri më sot, në 27 vite, 13 nga të cilat ka qenë forcë qeverisëse e të tjerat si opozitë e madhe dhe e patejkalueshme.

Një pjesë të analizave mbi këtë rezultat të PD-së i dimë prej mediave që e përcjellin debatin e brendshëm në këtë subjekt si dhe garën për kryetar që u zhvillua mes kryetarit aktual, Bashës, dhe një themeluesi të kthyer nga ekzili (dikush mund të thoshte nga internimi) siç është Eduard Selami.

Ca thonë se arsyeja e rënies së PD-së është paaftësia e Bashës për të krijuar sinergji brenda partisë, mungesa e karizmës që bie edhe më shumë në sy po ta krahasosh me paraardhësin e tij, Berishën. Dhe vërtet karizma është element i rëndësishëm në përllogaritje, kur kemi parasysh një parti si PD-ja e cila është disa hapa pas në strukturimin e saj organizativ krahasuar me PS-në që trashëgon (të zbrazura prej ideologjisë) strukturat e partisë-shtet të dikurshme. Jo vetëm PD-ja, por çdo parti tjetër që është krijuar ose që do të mund të krijohej në Shqipëri, do ta kishte të vështirë të përballej me një nga organizimet më të mëdha të bazës sipas modelit korporativ të ish-partive staliniste, organizim që PS-ja e ka trashëguar pa u tatuar kurrë mbi trashëgiminë (sepse Shqipëria nuk ka kaluar në ndonjë proces të mirëfilltë lustrimi, dhe faj për këtë ka direkt edhe PD-ja, e cila ka patur mundësi ta bëjë këtë gjë kur ka qenë në qeverisje). Kur nuk e ke strukturën e mirë, prezenca e liderit karizmatik bëhet e domosdoshme. Po të bëhej një krahasim nga garat automobilistike, mangësitë në motorrin e në shasinë e PD-së, krahasuar me atë të PS-së, do të duhej të kompensoheshin me një shofer të shkathët, që di kur të jetë agresiv e provokativ, që di të luajë në teh të së lejueshmes e ndonjëherë edhe përtej saj. ”Virtuoz” i tillë Basha nuk duket të jetë.

Ca të tjerë thonë se Basha është fajtor për humbjen e zgjedhjeve, për shkak se në PD nuk ka demokraci të brendshme. Ky argument është tejet qesharak dhe i ronitur nga përdorimi i tepërt në Shqipëri e në vendet si ajo. Dmth. nuk i paska frymëzuar njerëzit qeverisja jodemokratike që i ka bërë PD-së Basha? Po pse vallë, kur ka fituar PD-ja më përpara, votuesit e saj i paska emocionuar niveli i demokracisë së brendshme në kohën e bacës Sali? Apo mos vallë këta që dolën e ia dhanë Ramës votën dhe mandatin e dytë (edhe më të fortë se të parin), dolën të frymëzuar nga historia e demokracisë së brendshme në PS-në e Ramës, dhe trajtimin dinjitoz që i ka bërë ai Maqo Lakrorit edhe Ben Blushit… Në ka diçka që shqiptarët tashmë e kanë mësuar, ajo është se fjala demokraci është fjalë tërësisht bosh dhe e pakuptimtë. E për ta kuptuar këtë shqiptarit të thjeshtë nuk i është dashur as të dijë se gjithë vendet e botës, pos katërve, e pretendojnë vetveten zyrtarisht si demokraci – aq e zbrazur dhe e keqpërdorur është kjo enë. Për të kuptuar hipokrizinë ideologjike, s´ka nevojë as të analizohet se tek shqiptarët e Ballkanit aq shumë është keqpërdorur kjo fjalë fatkeqe, sa që disa nga partitë më jodemokratike në historinë dhe në aktualitetin e tyre, e mbajnë në emër këtë mbiemër. Bashkimi Demokratik për Integrim në Maqedoni, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ashtu si dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, të gjitha këto subjekte nuk mbërritën të kapitalizojnë shumë në zgjedhjet e 2017. Ka mundësi që vetëm analistët të mos e kenë kuptuar zhgënjimin e publikut me zbrazëtinë që gjetën pas atij premtimi të madh që ishte ”demokracia”. Sot, shumica votuesve e dinë se PD-ja pra, është po aq demokratike sa ç´është PS-ja socialiste, megjithatë kjo ”dije” as ngre peshë e as nuk ua gudulis ndonjë nerv.

Ca të tjerë, më të paktë por më autoritarë, rreken ta gjejnë arsyen e humbjes së PD-së tek programi i saj. Kështu pra, disa pronarë universitetesh private (me emra të lagur), apo disa profesorë-analistë universitetesh private me këmisha të bardha e me orë të shtrenjta, pretendojnë se programi i PD-së nuk ishte mjaftueshëm i djathtë (lexo gjithnjë neoliberal), e se PD-ja paska humbur sepse në fushatë premtoi politika sociale, mensa për të varfrit, ngritjen e rrogës minimale, rritjen e pensionit e të tjera si këto. Po ashtu, thonë, PD-ja e ka humbur lidhjen me grupet tradicionale që e mbështesin, siç janë ish-të përndjekurit apo ish-pronarët (pretendim naiv apo thuajse-naiv, sepse këto grupe-interesi nuk janë klasa a shtresa shoqërore, dhe përqindja e pesha e tyre elektorale nuk mund të garantojë jo fitoren por as paraqitjen dinjitoze në zgjedhje).

Pa patur autoritetin e as këmishat a orët e zotërinjve në fjalë, mua pikërisht këto analiza mbi ”djathtësinë” e PD-së më duken më absurdet, më të gabuarat, e më injorantet (sepse unë nuk dyshoj mbi ndershmërinë e zotërinjve, ndaj nuk pandeh se ata e fshehin perfiditetin vetjak në injorancën e shtirur duke supozuar se publiku nuk është në gjendje t´i kuptojë).

A nuk ju duket absurde dhe juve, lexues i nderuar lexues, pretendimi se një prej popujve më të varfër të Evropës, i cili sipas statistikave është në masë të madhe i kequshqyer, i paveshur, i keqshkolluar, gjithnjë e më i pastrehë, i papunë ose i keqtrajtuar në punë, paska votuar kundër premtimeve për mensa publike dhe kundër premtimeve për rritje të pagës minimale e për rritje të pensionit? Më e besueshme do të dukej po të dilte dikush e të thoshte se populli ka nevojë për këto e për politika të tjera sociale në gjendjen e mjerimit ku është, mirëpo nuk i janë dukur të besueshme premtimet e Bashës pasi ai njëherazi me to premtonte dhe ulje të taksave. Shqipëria (edhe kjo e Ramës) është një nga vendet me ngarkesë të ulët fiskale e tatimore, krahasuar me mesataren e rajonit dhe të kontinentit, e politikat sociale kërkojnë grumbullim të mjeteve përmes taksave. Ndaj është edhe një nga vendet ku shteti është më së paku social. Njerëzit kudo e dinë se një shtet i fortë, me krah të fortë social, mbështetet në taksa. Psh. banorët e Norvegjisë, njërit prej shteteve më të pasur e më socialë të botës, të pyetur në referendum për çështjen e taksave, votuan që të mos ia ulin ato vetvetes…

Megjithatë i gjithë ky digresion është i kotë, vëmendja e shqiptarëve ndaj politikës nuk është e krahasueshme me atë të norvegjezëve, jo pse janë shqiptarët injorantë, por sepse politika shqiptarët i ka trajtuar si të parëndësishëm dhe i ka bërë të parëndësishëm. I ka trajtuar si të pafuqishëm e i ka bërë të pafuqishëm. Ndaj ata janë indiferentë ndaj detajeve siç është puna e premtimeve elektorale, të cilat gjithnjë e vazhdimisht pranohet prej vetë shpallësve se kanë qenë rrena, në kazanin e politikës pa etikë që gatuhet në Tiranë.

Nëse gjithnjë premtimet kanë qenë rrena, dhe tashmë kjo madje njerëzve u ka krijuar bindjen e fortë (paçka se të rrejshme) se rrena është natyrë e dytë e politikës, atëherë pse duhet të shqetësohen votuesit se çfarë premton Basha apo çfarë premton Rama? Në fakt as që shqetësohen. Edhe kur i shohin në tv, në konferenca apo debate televizive, i shohin pa zë. Thjesht si aktorë të filmave të qëmotit, por pa talentin e pa imazhin kandid të Sharlotit. Situata pra, është cinike, një cinizëm i përbotshëm sipërfaqësor, i prodhuar nga meskiniteti i pandërprerë i politikës dhe nga shkelja e refuzimi i çdo ëndrre.

Por megjithatë, mendoj unë, ka një arsye programore se pse PD nuk ia doli të përfaqësohej më mirë në garën përballë PS, përveç asaj organizative e përveç mungesës së liderit karizmatik të përmendur në fillim të shkrimit. Ajo ka të bëjë vërtet me djathtësinë e subjektit, por jo ashtu siç shtjellohet në tymnajën e studiove televizive.

PD-ja nuk është se nuk ka qenë e djathtë, përkundrazi. Por ”e djathta” është spektër i gjerë, që përfshin shumë nocione të politikave ekonomike, shoqërore, kombëtare e të së drejtës. PD-ja prej krijimit të vet e deri më sot djathtësinë e vet e ka pasur të natyrës neoliberale. Problemi i PD-së është se vitet e fundit, ka nisur të ketë konkurrencë.

Jo pse Edi Rama e ka bërë PS-në neoliberale, pasi PS-ja neoliberale ka qenë që prej kohës së Fatos Nanos. Por për shkak se Edi Rama është performuesi më i mirë i agjendës neoliberale në Shqipëri.

Agjenda neoliberale bazohet në përshpejtim të deterritorializimit dhe shpronësimit të masave, paralel me rritjen e përshpejtuar të përqendrimit të pasurisë në fare pak duar. Në terma të ”sociologut” të preferuar të Ramës, A. Gidensit, detyrë e politikës së tij është ”shpërndarja e riskut”. Ndryshe nga pretendimet e politikës klasike për ”shpërndarje të mirëqenies”. Shpërndarja e riskut shkon dorë për dorë me privatizimin e fitimeve. Madje edhe kompanitë publike që kanë perspektivë fitimprurëse jepen në formulën e partneritetit publik-privat, në mënyrë që të hapet mundësia e kapjes së fitimit nga privati.

Këtë gjë e ka bërë në Shqipëri secila parti që ka qenë në pushtet, që prej 1992 e deri më sot, përmes politikave si puna e ”terapisë së shock-ut” dhe privatizimeve të gjithçkaje publike, shpesh përmes procedurave tejet korruptive.

Por çështje kyç në zbatimin e agjendës neoliberale është se si ta zbatosh atë pa pasur kundërshtim popullor, e në arritjen e konsensusit dy janë mjetet që përdoren. I pari, që mbahet mend qysh prej kohës së Gramoz Pashkos së ndjerë i cili pafytyrësisht i premtonte popullit ”çekun e bardhë” si melhelm ndaj vuajtjeve që do sillte shkatërrimi shock-doktrinor – është rrena. E i dyti është popullarizimi i një miti të rëndësishëm, që shfaqet me tre anë, nga njëra anë ”mundësitë e barabarta”, së dyti ”meritokracia” e nga ana tjetër ”anti-korrupsioni”. Pse mit? Sepse në një sistem të ndërtuar mbi shpronësimin e masave, shkatërrimin e shërbimeve publike si arsimi e shëndetësia, fëmijët që trashëgojnë varfërinë e prindërve të shpronësuar nuk munden ta kenë startin e barabartë me fëmijët e magnatëve që me ose pa aftësi, mund të shkollohen në shkollat më të mira të botës, e që trashëgojnë rrjete influence të cilat u gjenden në ndihmë në çdo rast. Sigurisht, të tillët edhe pa pasur nevojë të korruptojnë kurrkënd, janë më meritorë se sa fëmijët me diploma të dyshimta nga universitetet publike a private të dorës së fundit, të vetmet që mund të sigurojnë kushtet e brishta ekonomike të familjeve nga masat të gjera. E sa i përket anti-korrupsionit, përveçse si i tillë nënkupton thjesht ngurtësimin e pabarazisë e përjetësimin e saj, anti-korrupsioni shërben edhe për të hequr vëmendjen nga difektet strukturore të neoliberalizmit. Justifikimi ndërtohet në këtë formë: nuk e ka fajin teoria neoliberale, apo sistemi politik që rrjedh prej saj, por disa politikanë e punonjës të korruptuar që s´e bëjnë punën mirë. Një justifikim të ngjashëm kanë përdorur dhe ish-stalinistët në kur partive të tyre dukej se po u vinte fundi. Nuk e ka fajin sistemi dhe teoria ”marksist-leniniste”, por punonjësit po vjedhin e s´po punojnë siç duhet. Rrena të tilla duket sikur s´do t´i besojë kurrë njeri, megjithatë me ndihmën e medias dhe të studiove të propagandës, gjithnjë ecin.

Në këtë çështje kyç, të krijimit të konsensusit neoliberal, Rama është performuesi më i mirë që njeh skena politike shqiptare. Ai di të duket sikur po lufton korrupsionin duke u marrë me disa punonjës të nivelit të tretë e duke mbuluar kështu elefantët milionerë që i ka brenda apo përreth PS-së. Me rekrutimin e disa të rinjve të pashëm e afluentë (the rich and the beautiful), Rama krijon imazhin e rinovimit dhe shkëputjes prej brengave e barrave të së vjetrës. E në të njëjtën kohë, përdor dhe mashtrimin e ”çekut të bardhë”, edhe pse në formë tjetër, duke vazhduar të këmbëngulë se është i majtë e se do ta ndihmojë shtresën e ulët e të mesme të shoqërisë.

Në secilin debat që do të bëhej sa i përket politikave neoliberale, stafi i Ramës do të fitonte përballë stafeve të partive të tjera. E meqenëse Rama është shërbëtor më i mirë i agjendës neoliberale, bizneset e mëdha të Shqipërisë janë rreshtuar rreth tij dhe nuk shkojnë te Basha sado të premtojë ky ulje taksash. E meqenëse bizneset në Shqipëri janë përgjithësisht korporata skllavërie, ato e dirigjojnë votën e punonjësve madje dhe të familjeve të tyre tek partia që dëshiron pronari, në këtë rast tek PS-ja. Po ashtu, këto biznese janë të njëjtat që kontrollojnë edhe sektorin e medias, e edhe atë të filantropisë, duke kontrolluar kështu edhe opinionin publik, shoqërinë civile, por edhe lëmoshën. E rreshtimi i bizneseve krah Ramës, për shkak se te Rama shohin shërbëtorin më të mirë neoliberal, kjo është ajo çka e godet rëndë PD-në, sipas mendimit tim modest.

Po ç´mund të bëjë pra PD-ja, në këtë situatë? Garën se kush është më neoliberal PD-ja nuk e fiton dot përballë një Usain Bolti të neoliberalizmit, siç është Rama me të tijtë. Për mendimin tim, PD-ja i ka vetëm dy rrugë (sigurisht duke përjashtuar kalimin e PD-së majtas, që do të ishte diçka e pagjasë). Njëra rrugë është konservatorizmi, rruga tjetër është neofashizmi. Po të ishte për mua, do të zgjidhte të parën. Por djathtizmi konservator është shumë ndryshe nga ai neoliberal. Konservatorët janë të vëmendshëm politikisht e ekonomikisht për kategori si shoqëria e kombi, dhe nuk heqin dorë nga zbatimi i politikave të forta sociale e kombëtare. Shembuj të tillë të suksesshëm në këtë aspekt janë disa, prej Polonisë (ku qeveria konservatore ofron paga mujore për çdo fëmijë, rritje e rrogës minimale, ulje e moshës së pensionit e shëndetësi falas për pleqtë) e deri në Turqi (ku konservatorët e Erdoganit bazën e kanë pikërisht te masat e varfra, të cilat kanë mundësi të shkollohen e të mjekohen falas, si dhe të përfitojnë prej programeve të punësimit e të subvencionimit shtetëror). Një PD konservatore nuk do ta bënte politikën e brendshme politikë të jashtme, dhe nuk do të vinte në diskutim agjendën kombëtare për arsye pazaresh të brendshme a të jashtme. Po ashtu konservatorët do të qëndronin për moral të fortë publik e politik e jo për supermarketizimin e shoqërisë, apo sharlatanizma e pazare nga ato që bëjnë neoliberalët dhe mediat e universitetet e tyre të dyshimta. Në të njëjtën kohë, etika e politika konservatore është e lidhur fort me një estetikë që është në antipod të postmodernes, e cila psh. në urbanizëm do të përkthehej në një kundërshtim e kritikë të paepur ndaj transformimit që etja e ndërtuesve për para po ia bën qyteteve të Shqipërisë. A do ta bënte dot PD-ja një vetëtransformim të tillë?

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 7, 2017 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: