rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Neoliberalizmi autoritar dhe miti i tregut të lirë

ian_bruffIan Bruff

Përktheu Lisjan Perolli

Qysh prej zbatimit të ashtuquajturës “Luftë ndaj Terrorit” në vitin 2001, por sidomos prej shpërthimit të krizës globale financiare të vitit 2008, është biseduar gjatë për “rikthimin e shtetit.” Në fillim ky nocion ndërlidhej me rritjen e pranisë të temave të sigurisë, që u bënë të kudondodhura pas vitit 2001, dhe më pas me analizat mbi dorëzaninë masive që shtetet ndërmorrën për të shpëtuar institucionet financiare. Edhe pse është e qartë aktivitetet e shtetit janë bërë më të dukshme qysh prej fillimit të shekullit, përfundime të pasakta janë nxjerrë mbi atë se qysh mendojmë për shoqëritë bashkëkohore.

“Rikthimi i shtetit”, më qartazi, është përdorur për të shpallur krizën e neoliberalizmit, ku analistë të ndryshëm argumentojnë sesi neoliberalizmi është ideologji e thyer, e diskredituar intelektualisht nga shumë vite krizash dhe nga një sasi e madhe “përjashtimesh” kur dhe janë bërë intervenime shtetërore. Ky argument është përhapur edhe më tepër në vitet e fundit, me ardhjen në pushtet të një numri liderësh e partish të cilët i kundërshtojnë haptazi ato që quhen aksioma të neoliberalizmit, si tregtia e lirë globalisht dhe tregu i lirë brenda një shteti. Me fjalë të tjera, a është çështje kohe derisa neoliberalizmi të zhduket nga presioni i opozitës politike?

NË EMËR TË TREGUT

Pyetja është bërë edhe më e rëndësishme prej momentit kur Donald Trump fitoi zgjedhjet presidenciale. Trumpi shihet si antiteza e neoliberalizmit, duke premtuar që të zhbëjë marrëveshje si NAFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë për Amerikën Veriore), duke thirrur për mbrojtje të industrisë amerikane dhe punëtorëve të saj, dhe duke u futur në retorikë nacionaliste e shpeshherë edhe raciste. Për më tepër, ky është veç më i fundit, e ai me profil më të lartë prej sërës së atyre që mund të merren si shembull i popullizmit të djathtë, partitë e të cilëve kanë fituar me këso platforme – psh. Putini në Rusi, Modi në Indi, Abe në Japoni dhe Erdogani në Turqi.

Megjithatë, është e mundur t’i konsiderosh këta liderë si kundërshtarë të neoliberalizmit vetëm nëse e përkufizon neoliberalizmin në një mënyrë papranueshmërisht të cekët e mashtruese – si ideologji dhe program politik që karakterizohet nga mbivlerësimi i tregjeve të lira. Aura që e rrethon neoliberalizmin na shtyn që të hamendësojmë në këtë mënyrë, por është e rrezikshme dhe jo fort e mençur që të mendojmë kështu. Përndryshe, veç sa e përjetësojmë një mangësi kyçe dhe gjymtuese të mënyrës sesi e majta mendon për neoliberalizmin. Aktualisht supozimi i nënkuptuar është se lufta ndaj neoliberalizmit është sinonim me luftën ndaj tregut të lirë. Kjo do të thotë që sa herë që politikanë të së djathtës – qoftë Trumpi, Putini, apo dikush tjetër – kritikojnë tregun e lirë, mbështetësit e politikave radikale dhe progresive u rrinë pas. E si mund të ishte ndryshe, nëse të gjithë duket se pajtohen për nevojën që të kufizohen dhe të kontrollohen tregjet? Ku qëndron qëllimi i të majtës në këtë rast, pos që të kërkoj forma më të “këndshme” të kontrollimit të tregut?

Ka një rrugë veçanërisht të thjeshtë dhe çliruese që të nxjerr nga kjo situatë. Në vend se të bëhemi lëmsh për mënyrën sesi duhet të kundërshtojmë tregjet e lira, edhe pse qeveritë e çdo forme shihet se po bëjnë veç këtë gjë, ne mund të bëjmë diçka ndryshe. Ajo është që t’ua nxjerrim në pah trillimin neoliberalëve, si intelektualëve ashtu dhe propaganduesve politikë e mediatik. Retorika e tregjeve të lira është veç kaq: retorikë.

Kjo mund t’i befasojë ca njerëz, por gjithë çka nevojitet të bësh është të zgjedhësh një grup të intelektualëve neoliberalë – Friedman, Hayek, Muller-Armack e të tjerë – dhe të lexosh me të vërtetë se çfarë kanë shkruar, pa paragjykime. Dhe aty mund të shohim, vazhdimisht, thirrjen për tregun e lirë si një princip abstrakt që ndiqet nga një parapëlqim për disa tipe të tregut që do të kishin sukses në praktikë. Prandaj, neoliberalizmi thotë që duhet të krijohen dhe të mirëmbahen ato lloje të tregjeve që dëshiron t’i shohë, dhe rolin qendror për arritjen e kësaj, ta ketë qeveria. E qeveria nuk duhet të veprojë në mënyrë demokratike, por në atë mënyrë që është konsistente me ato lloje të tregjeve.

Ky është vetëm fillimi i kritikës, por fatkeqësisht këto vlerësime – që janë të zakonshme në sferat e akademikëve dhe aktivistëve kritikë – shihen sikur dëshirojnë të thonë që neoliberalizmi thjesht e ka humbur rrugën gjatë ecjes. Me të vërtetë, disa nga e djathta pajtohen, me institutin e mirënjohur “Adam Smith Institute”, i cili kohët e fundit zgjodhi të vetëquhet “neoliberal” e jo “liberal”, në përpjekjen për ta forcuar lidhjen në mes të asaj që quhet libertarianizëm i tregut të lirë dhe neoliberalizmit. Problemi qëndron te fakti se kjo gjë e shfajëson neoliberalizmin, pikërisht sepse nuk mund të lëmë anash hamendësimin se, edhe nëse gjithçka shkon keq në praktikë, neoliberalizmi në princip është thellësisht i përkushtuar ndaj tregjeve të lira.

Që ta themi troç: neoliberalizmi nuk ka asnjë lidhje me tregjet në atë mënyrë që i kuptojmë ato përgjithësisht, por ka të bëjë shumë me orkestrimin e marrëdhënieve sociale në emër të tregjeve. Si rezultat, neoliberalizmi në princip dhe praktikë e përmban organizmin e shoqërisë së kontrolluar, jo-demokratike dhe të pabarabartë sipas disa vijave të caktuara. Dhe cilat janë ato vija? Shtimi dhe zgjerimi i dallimeve, parabarazive, hierarkive dhe ndarjeve që përshkrojnë një shoqëri kapitaliste, siç bëjnë shtetet autoritare dhe korporatat globale. Prandaj, duhet ta mbajmë në mend gjithnjë se neoliberalizmi si ideologji dhe bashkësi e praktikave jetësore, është të shikuarit e botës së gdhendur prej fjalëve boshe “liri” dhe “tregje.”

LINDJA E NEOLIBERALIZMIT AUTORITAR

Çfarë do të thotë pra, ajo që ia kam vënë emrin si lindja e neoliberalizmit autoritar? Sigurisht, të shtosh prefiksin “autoritar” para një gjëje që e kam definuar si kontrolluese, jo-demokratike dhe të pabarabartë në orientim, kërkon një spjegim. Termi neoliberalizëm ishte shpikur nga ordoliberali gjerman Alexander Rustow në vitin 1938, në Kolokiumin Valter Lippmann, që u organizua për të planifikuar e për të propaganduar ripërtëritjen e principeve të liberalizmit klasik si “sipërmarrja e lirë”. Pjesa “neo” i njihte kushtet e ndryshme të shekullit të 20 në krahasim me ato të shekullit 19, me 3 faktorë që sidomos ishin bërë më të rëndësishëm gjatë periudhës së intervencionizmit shtetëror: sindikatat tregtare, partitë politike të majta dhe shërbimet publike shtetërore si programet e mirëqenies sociale. Prandaj, gjeneza e neoliberalizmit në këto kushte socio-historike do të thoshte që ky projekt ishte, sidomos në demokracitë kapitaliste pas luftës së dytë botërore, i fokusuar në gërryerjen e të drejtave përmbajtësore të prodhuara prej tre faktorëve të mësipërm.

Dua të them se u synua përmbysja e arritjeve shoqërore dhe ekonomike të fituara gjatë shekullit XX, përmes prezantimit të neoliberalëve si alternativë në zgjedhje dhe formave të tjera të pjesëmarrjes politike, me fokusimin në tema si liritë individuale, “liberalizimi” i ekonomisë nga dora e vdekur e shtetit, dhe nevoja për të ulur fuqinë e të ashtuquajturave grupeve të interesit siç janë sindakatat.

Kur hymë në shekullin XXI, synimi i neoliberalizmit u zgjerua, për të përfshirë të drejtat formale, me rotacionin e qeverive të ndryshme neoliberale si oferta e vetme e mundshme. Duke u mbështetur mbi sukseset në jugun global, ku kishte më shumë hapësirë për manipulime, tek ndryshimet e paparashikuara në shtetet si Kili, Indonezia dhe Uganda (nëpërmjet grusht shtetit dhe imponimit të programeve të rregullimit strukturor), dhe pjesërisht tek grupi post-socialist i shteteve (si Polonia dhe Rusia), ku “shok terapia” ishte përdorur në vitet e 90-a, u rrit kërkesa që këto praktika të përdoreshin edhe në të ashtuquajturat demokraci të pjekura kapitaliste.

 

NEOLIBERALIZMIT AUTORITAR U BË PASHMANGSHMËRI POLITIKE

Sulmet e 11 shtatorit 2001 dhe kolapsi i “Lehman Brothers” me 15 shtator 2008 ishin katalizatorët kryesorë për gërryerjen e të drejtave formale dhe përmbajtësore, dhe këto ngjarje nuk ranë ndesh me principet e neoliberalizmit, paçka se u duk sikur u desh të rritej rolit i shtetit me ndërhyrjet e veta. Ky citat i famshëm i Milton Friedman, i thënë në vitin 1982, e shpjegon më së mirë atë që ndodhi:

Vetëm një krizë – reale apo e perceptuar – mund ta prodhojë ndryshimin e vërtetë. Kur ajo krizë ndodh, veprimet që do të merren varen prej ideve të cilat gjenden të përhapura në atë moment. Kjo, besoj, është funksioni ynë rrënjësor: të zhvillojmë alternativa ndaj politikave ekzistuese, t’i mbajmë gjallë dhe në dispozicion ato kritika derisa e pamundura politikisht të bëhet e pamundur për t’u shmangur.

Pas sulmeve më 11 shtator 2001, zhvillimi i “të pashmangshmeve politike” u bë më i dukshëm dhe më gjithëpërfshirës, duke gërshetuar format pushteti tregtar e siguritar, gjë që çoi në mundësi më të mëdhaja të kontrollit të shtetit mbi popullatën. Dy aspekte kryesore mund të theksohen: Promovimi i vazhdueshëm I partneritetit publiko-privat brenda prerogativave shtetërore siç janë mbrojtja dhe policia, të cilat normalisht shiheshin si të paarritshme prej neoliberalizmit, të paktën sa i përket rolit të kompanive private; dhe e dyta ishte korporatizimi i jetës së përditshme prej këtyre PPP-ve, në emër të sigurisë.

PPP-të u shfaqën gjatë viteve ‘80 e sidomos edhe gjatë viteve ‘90 si zgjidhje me potencial “fitim-fitim” për problemet e investimit apo rinovimit të kontratave për investime në infrastrukturën publike. Në thelb, qeveritë lokale dhe qendrore duhet t’ia kontraktonin këto detyra sektorit privat, i cili do të mbulonte shpenzimet fillestare (për shembull, ndërtimin e ndërtesave dhe rrugëve) për të cilat do të merrte pagesa vjetore nga shteti për një periudhë kohore të caktuar. Në kontekstin e niveleve të ulëta të rritjes ekonomike dhe niveleve të larta të papunësisë, është argumentuar se PPP-të do t’i sillnin dobi popullatës përmes një bashkësie detyrimesh ligjore që e lironin infrastrukturën prej varësisë nga buxheti i shtetit. Në anën tjetër, kompanitë private përfitonin kthim të garantuar të investimeve kapitale si dhe kredibilitet për sigurimin e shërbimeve publike.

Tashmë dihet që këto projekte të idealizuara rrallëherë ndodhin në realitet. Ajo çka ndodh zakonisht është që kompanitë kanë fitim të konsiderueshëm dhe stabil për shkak të hendekut të madh në mes të çmimit të investimeve të tyre dhe pagesave që ua bën shteti, dhe shpesh prodhojnë infrastrukturë të nivelit të dobët. Për më tepër, nëse hendeku mes kostos e fitimit është më i vogël se zakonisht, PPP-të përgjithësisht bëjnë të mundur që firma private të largohet nga obligimet ligjore, duke ia lënë faturën shtetit. Një tjetër problem kyç është mungesa e mbikqyrjes demokratike për shkak të klauzolave të “konfidencialitetit komercial” – të cilat vështirë se janë për interesin publik.

Edhe pse ka një mal dëshmi për të kundërtën, PPP-të janë bërë pjesë normale e veprimtarisë shtetërore në gjithë botën, për shkak të insistimit në mundësinë e rezultatit “fitim-fitim”. Në këtë fazë, komentuesit nga e majta shpesh qortojnë rrënimin e të mirave “publike” prej aktorëve “privatë”, duke kërkuar dëbimin e të dytëve prej mundësisë së shfrytëzimit të të parave. Por kjo lë të nënkuptohet se mjafton që qeveritë të kuptojnë gabimet e veprimeve të tyre të deritanishme, dhe t’ia kthejnë shpinën marketizimit meqë rezulton jo-efikas. Ajo çfarë iu mungon këtyre kritikave është marrja parasysh e mundësisë se po krijohet një formë e re e shtetit, pavarësisht prej efikasitetit apo faktorëve të ngjashëm.

Kjo po ashtu do të thotë se promovimi i PPP-ve në fushat e mbrojtjes dhe policimit ka filluar të ndodhë qysh para sulmeve të 11 shtatorit 2001. Siç e ka dokumentuar Naomi Klein, projekti transformues i Donald Rumsfeldit ka nisur menjëherë pasi ai u zgjodh Sekretar i Sigurisë i SHBA-ve, në janar të vitit 2001. Polemikat e brendshme që zgjoi projekti i tij u heshtën krejt në emër të Luftës ndaj Terrorit, e kërcënimi me luftë do të bëhej pjesë e pandashme dhe e nevojshme e jetës – që do të thotë ballafaqim me konflikte jashtë vendit e me sigurimin shtetëror nga brenda. Sipas parimit se qeveritë (pra dhe publiku në përgjithësi) do të përfitonin prej efikasitetit dhe krijimtarisë që sjell sektori privat, intervenimet në shtetet tjera dhe intervenimet në jetët e qytetarëve u bënë gjithnjë e më shumë çështje e PPP-ve: kujtoni këtu kompanitë si “Bechtel” apo “Booz Allen Hamilton”.

Klein e quante këtë treg për terrorizmin, por tashmë është e qartë se, edhe pse mund të dukej ashtu, ky lloj i tregut nuk ekzistonte – të paktën jo sipas kuptimit të përgjithshëm të tregjeve. Në fakt ishte veç intensifikim e zgjerim i projekteve të nisura për riorganizimin e shoqërive në forma detyruese, jo-demokratike dhe të pabarabarta. Intensifikim për shkak të depërtimit të këtij projekti tek aparatet represive të shtetit: zgjerim për shkak të rritjes së dukshme të gjendjeve të kontrollit që ky depërtim mundësonte.

Një pasojë kryesore e kësaj ka qenë mjegullimi i vijës ndarëse mes funksioneve të sigurimit dhe ushtrisë, në formën e rritjes së befasishme të Kompanive Private Ushtarake dhe të Sigurimit (KPUS), të cilat operojnë në të gjithë botën, prej ndërhyrjes aktive në luftë, deri tek ndalesat e qasjes së publikut në hapësira publike të qyteteve. Sigurisht, administrata e Obamës nuk ka bërë asgjë që të vërë në kontroll këto zhvillime, e lëre më t’i ndalojë, e rritja e përdorimit të dronëve për luftë e për mbikqyrje qytetare është shembulli më i mirë i saj. Prandaj, nuk është e habitshme të shihet sesi shtete të ndryshme nëpër botë kanë ndjekur hapat e SHBA-së, me KPUS që u bënë organizata masive globale gjatë këtij procesi.

SULMOHET DEMOKRACIA PËR TA “MBROJTUR” ATË

Pika e fundit, që pati të bëjë me ndalimin e qasjes së publikut në hapësirat publike e ndërlidh gërshetimin në mes formave të pushtetit tregtar dhe siguritar me forma të tjera të kontrollit. Larg prej të qenit i mposhtur nga shpërthimi i krizës globale në vitin 2008, neoliberalizmi në disa aspekte është bërë edhe më i ngulitur – dhe në një formë më intensivisht e më shprehimisht jo-demokratike. Përpos këtyre më lart, jemi dëshmitarë se në gjithë botën ka filluar përpjekja për të gërryer të drejtat formale në emër të “kapitalizmit të mirë”.

Prej momentit kur rreziku nga kolapsi global filloj të zbehej kah fundi i vitit 2008 intelektualët dhe propaganduesit neoliberalë me shpejtësi filluan ta zhvendosnin fajin për krizën prej institucioneve financiare, që do të thotë që sfida kryesore për ta nuk ishte reformimi i kapitalizmit apo i financave, por i shteteve. Paaftësia për të rregulluar si duhet institucionet financiare apo konsumatorët solli një “imoralizim” të financave dhe si pasojë edhe deficitet e buxheteve shtetërore për shkak të nxjerrjes nga borxhi që iu ishte bërë bankave.

Ndaj shtetet u shpallën fajtore për shkak se lejuan tejkalime masive në sektorin financiar, e kjo linte për të kuptuar se, në mënyrë që një gjë e tillë të mos ndodhte prapë, do të duhej të imponoheshin shtrëngesa vetëkufizuese ndaj shteteve në emër të “nevojës” ekonomike. Që nga viti 2008, një mal me ndryshime ligjore dhe kushtetuese janë prezantuar, të cilat shprehimisht kanë për qëllim nënshtrimin e shtetit ndaj rregullave dhe procedurave që kushtëzojnë austeritetin dhe normalizojnë degradimin e vazhdueshëm të dispozitave publike si objektiv “neutral”. Shembujt më të mirë gjenden në Bashkimin Evropian, ku ngutia për vetë-ndëshkim ia ka hapur rrugën imponimit të formave drastike të ristrukturimit, sidomos në Greqi – e gjitha në emër të modelit social Evropian. Por, këso veprime, po ndërmerren anekënd globit.

E gjithë kjo çon në përfundimin se popullatat e kanë të vështirë t’i ndalin këto mekanizma ligjorë e kushtetues, për shkak të super- shumicave parlamentare që nevojiten për një gjë të tillë. Ndërkohë që kushtetutat shpesh lidhen me të drejtat sociale dhe politike, duhet të shtrohet pyetja se “çfarë lloj kushtetutash dëshirojmë?”, sepse përndryshe këto veprime vetë-shfuqizuese e krijojnë bazën për vazhdimësinë e mëtejshme të de-demokratizimit. Kjo mund të shihet qartazi në protestat që ngriten për t’ju kundërshtuar, për shembull, kushtetuetshmërisë së ashpërsisë ekonomike, të cilat më pastaj priten me taktika politike të dhunshme në emër të demokracisë.

Të merren si shembull, ligjet “e mbylljes së gojës” që u miratuan në Spanjë në verën e vitit 2015, të cilat në mënyrë të konsiderueshme i kufizojnë dhe në një masë i kriminalizojnë liritë për grumbullim e protestë. Aty përfshihet të qenit i pasjellshëm ndaj policëve apo t’i rezistosh dëbimit policor të protestuesve – gjëra që larg me nocionet tradicionale të “prishjes së rendit”. Për kufizime të njëjta ligjore, mund të shihet edhe projektligji C51 i Kanadasë, që kaloi në vitin 2015.

Mund të reflektojmë edhe mbi praktikat e dhunës policore dhe mobilizimit ilegal të fuqisë juridike në gjithë globin, si për shembull në shtypjen e lëvizjes Occupy në SH.B.A në vitin 2011, masakrat e minatorëve që protestonin në Afrikën e Jugut në vitin 2012, thyerja e dhunshme e protestave në Gezi park të Turqisë në vitin 2013, apo rrëmbimi dhe vrasja masive e studentëve në Meksikë në vitin 2014. Duhet të reflektohet gjithashtu sesi protestat, grevat e lëvizjet e rezistencës janë emërtuar: si sulme “ekstremiste” ndaj “demokracisë”, në mënyrë që të justifikohen ose së paku të spjegohen reagimet e dhunshme policore.

MASKA BIE

E gjitha kjo ndërton një imazh të zymtë: një ideologji e cila promovon riorganizim tëdhunshëm, jodemokratik e të pabarabartë të shoqërisë, e cila ka pasur sukses të vazhdueshëm në zbehjen dhe gërryerjen e të drejtave formale politike dhe atyre përmbajtësore universale. Prej vitit 2001, ky proces është shtyrë para nga gërshetimi më i dukshëm dhe më i zgjeruar i formave të pushtetit tregtar e atij siguritar. Që nga viti 2008, këto zhvillime janë mbështetur me ndryshime kushtetuese dhe ligjore të cilat haptazi kërkojnë që të kufizojnë të drejtat demokratike për hir të nevojës ekonomike, që do të thotë se protestat kundër këtyre kufizimeve mund të emërtohen si “ekstreme” ndaj për hir të mbrojtjes së demokracisë, ndodh reagimi i dhunshëm por i “justifikuar”. Në qendër të këtyre zhvillimeve ka qenë shtrirja e vazhdueshme e PPP-ve edhe në pjesë që deri më tash kanë qenë ekskluzivisht shtetërore, si dhe korporatizimi i vazhdueshëm i jetës së përditshme në emër të sigurisë, prej KPUS.

Sido që të jetë, këto zhvillime janë shumë kontradiktore. Sulmi i zhveshur ndaj të drejtave përmbajtësore dhe formale; kuptimi gjithnjë e më i qartë i faktit se retorika për sigurinë dhe lirinë çon tek korporatizimi i jetës; rritja e njohurisë për mënyrën se si diskutimi për “tregun e lirë” nuk mundet më ta maskojë rolin qendror që ka qeveria në (ri)prodhimin pabarazisë masive – të gjitha të çojnë në përfundimin që shteti – i cili për një kohë të gjatë është hamendësuar të jetë mishërim i vullnetit të popullit si tek shoqërite demokratike dhe te ato jo-demokratike – është pjesë e problemit dhe duhet të vihet në pyetje e jo të besohet se do të sjellë herëdokurtë mirat publike dhe sociale.

Neoliberalizmi qysh prej krijimit ka kërkuar rikonceptualizim të shtetit e jo gjymtim të tij, duke i dhënë shtetit rol qendor në prodhimin e asaj shoqërie që synojnë neoliberalët. Megjithatë është më pak e mundur sot që kjo të maskohet me fjalët boshe si “treg” e “liri”, sepse përderisa shteti po bëhet dukshëm më i fortë dhe më autoritar, në të njëjtën kohë shndërrohet në një entitet të brishtë e të delegjitimuar.

Forcim/dobësimi i shteteve kapitaliste në këto kohë të neoliberalizmit autoritar i vë ato në shënjestër të pakënaqësive popullore në rritje, kërkesave e shprehjeve të mllefit që rrjedhin prej dhunës që prodhon ky proces kontradiktor. Problemi për politikat e së majtës është se këto zhvillime kanë forma të shumta, e mund të vijnë si nga radikalët populistë djathtistë e deri tek ata që kërkojnë rikthimin e socialdemokracisë klasike e bile deri tek lëvizjet autonomiste që kërkojnë përfytyrimin e një bote më të mirë.

E para nga këto forma, populizmi i djathtë, është i aftë që të bëjë aleancë më lehtë me format më të zkonshme të neoliberalizmit autoritar (shih Trump në SHBA dhe shumë koalicione qeveritare në Evropë); e dyta, social-demokracia klasike është diskredituar në sytë e shumëkujt për shkak të kompromiseve të bëra qysh prej viteve ‘80; ndërsa e treta, lëvizjet e pavarura, ende duhet të ballafaqohen me format e llojllojshme e gjithnjë e më të dukshme të kontrollit që diskutohen në këtë artikull (shembuj shtesë mund të jenë Genoa në vitin 2001, Zuccotti Park në vitin 2011 dhe grushti i shtetit në Brazil i vitit 2016)

Sidoqoftë, ka mundësi të reja për rezistencë, aleanca dhe vetë-organizime të reja, dhe ka ende shembuj të mjaftueshëm që e tregojnë qartazi se çfarë loje po luhet. Kjo na tregon rrugën drejt një bote më të drejtë ku shtetet dhe shoqëritë transformohen në emër të vlerave si barazia, drejtësia, dinjiteti dhe solidariteti. Por, siç u cek më parë, një pengesë e pashoq qëndron në rrugë: barazimi i vazhdueshëm dhe instinktiv në mes të neoliberalizmit dhe tregut të lirë. Duke parë që shumë analistë e shohin neoliberalizmin si një pikëpamje të “vdekur” e cila tashmë është diskredituar intelektualisht por është ende dominante, pyetja që duhet të bëhet është: si të ndalojmë së menduari që neoliberalizmi dhe “tregu i lirë” janë sinonime?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, është e domosdoshme që të heqim çdo paragjykim dhe t’i demaskojmë intelektualët e propaganduesit neoliberalë për atë se çfarë janë: prodhues përrallash për lirinë dhe tregun, të cilët në fakt vlerësojnë mbi të gjitha fuqinë e dhunës, de-demokratizimin dhe pabarazinë groteske, qendra e të cilave janë korporatat globale dhe shtetet autoritare. Në vend se t’i lejojmë të tjerët të nxjerrin ide nga fjalë boshe, më mirë do të ishte që të ecim në një rrugë që e krijojmë vetë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Këtë e pëlqejnë %d blogues: