rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Eagleton: Çka vjen pas post-modernizmit?

eagletonPërktheu Doruntina Vinca

Teoricieni i letërsisë Terry Eagleton flet për teoritë letrare në raport me trendet e mëdha politike dhe historike, dhe vazhdimësinë e marksizmit. Çfarë shprehin kultura, arti dhe teoria në kontekstin e krizës së sotshme, luftës së re të klasave, dhe zmbrapsjes së postmoderinizmit – dhe cili është potencialisht roli i tyre?

Alejandra Ríos: Tek libri “Ngjarja e Letërsisë” (2012), ju argumentoni se teoria letrare është zbehur këto njëzet vitet e fundit dhe që, historikisht, ka ekzistuar një marrëdhënje e fortë mes zhvillimeve teorike dhe konflikteve sociale. A i arrin teoria majat më të larta në momente të krizës/rrëmujës?

Terry Eagleton: Teoria letrare ka arritur majat e saj pothuajse në të njëjtën kohë kur politika e majtë ishte në rritje. Një shpërthim i madh i kësaj teorie ka ndodhur në periudhën prej 1965 e deri në 1970, që përket pak a shumë me kohën kur e Majta ishte dukshëm më militante dhe më e sigurtë në vete, krahasuar me sot. Nga vitet 1980 e këndej, kur nisi të shtrëngohej grushti kapitalizmit të avancuar post-industrial, këto arritje teorike filluan të anonin kah postmodernizmi, i cili siç e thotë edhe Frederic Jameson, mes të tjerash, është ideologjia e kapitalizmit të vonë.

Teoria radikale sigurisht që nuk u venit, por u shty në margjina, dhe gradualisht u bë më pak e pranishme mes studentëve. Me përjashtim të feminizmit, që vazhdoi të tërhiqte mjaft vëmendje, dhe post-kolonializmit që në një formë u bë një industri e zhvillimit e që vazhdon ashtu edhe sot.

Thënë kjo, nuk duhet menduar që teoria është në vetvete radikale. Ekzistojnë forma të ndryshme jo-radikale të teorisë letrare dhe kulturore. Por teoria si e tillë ngre disa pyetje themelore – më themelore se një kritikë e zakonshme letrare. Përderisa kritika mund të shtrojë pyetjen “Çfarë domethënje ka novela?”, teoria pyet “Ç’është një novelë?”.

Teoria është po ashtu reflektim sistematik mbi supozimet, procedurat dhe konvencionet që sundojnë një praktikë shoqërore ose intelektuale. Është, si të thuash, pika ku kjo praktikë detyrohet të marrë drejtimin e një formë të re vetreflektuese, duke e marrë vetveten si një objekt studimi. Kjo jo domosdoshmërisht sjell efekte subversive; por ndoshta do të thotë se praktika është e detyruar ta tranformojë vetveten, duke qenë se i ka analizuar disa nga supozimet që qëndrojnë në themelet e saj, nëpërmjet një formë të re kritike.

Tek “Ideologjia e Estetikës” (1990), ju thoni se koncepti i letërsisë është një fenomen i ri, që është krijuar të shërbejë në kohë krizash si një vendstrehim për vlerat të qëndrueshme. Por ju gjithashtu thoni se estetika ka qenë një formë e internalizimit të vlerave shoqërore dhe një mënyrë për të vizualizuar utopitë dhe për marrëpyetje shoqërinë kapitaliste. A e luan arti edhe sot këtë rol kontradiktor?

Koncepti i letërsisë, ashtu si edhe ideja e estetikës janë në aspektin politik me dy teha. Ka kuptime të cilat ato konformohen me pushtetin sundues, por ka edhe mënyra në të cilat e sfidojnë atë – një ambiguitet që vlen edhe për shumicën e veprave individuale të artit. Koncepti i letërsisë ka lindur në një kohë kur u pa si e nevojshme që disa vlera krijuese dhe imagjinative të mbroheshin prej një shoqërie gjithnjë e më filistine e mekanike. Ka lindur pak a shumë në të njëjtën kohë me lindjen e kapitalizmit industrial. Lindja e konceptit të letërsisë mundësoi ekzistencën e vlerave të tilla që vepruan si një kritikë e fuqishme ndaj rendit shoqëror. Por në të njëjtën kohë, i ka distancuar këto vlera nga jeta e përditshme shoqërore dhe ndonjëherë ka ofruar kompensim imagjinar të tyre. Që do të thotë se ka vepruar ideologjikisht.

Një fat të ngjashëm pati edhe estetika. Në njërën anë, e ashtuquajtura autonomi e artifaktit estetik përfaqëson një imazh të vetëvendosjes dhe lirisë në një shoqëri autokratike, duke sfiduar edhe racionalitetin e vet abstrakt nëpërmjet natyrës së saj ndjesore. Në këtë sens, mund të jetë edhe utopike. Mirëpo, në të njejtën kohë, kjo vetvendosje ishte ndër të tjera një imazh i subjektit të klasës së mesme, që i nënshtrohej vetëm ligjit të vet.

Sigurisht që këto ambiguitete janë në mesin tonë edhe sot. Në shtetet e zhvilluara kapitaliste, ku vetë ideja e shkencave humane është në rrezik, është me rëndësi jetike të mbështetet studimi i artit dhe kulturës, pikërisht për arsyen se ky studim nuk ka ndonjë qëllim imediat e pragmatik. Në këtë aspekt, ai vë në pyetje racionalitetin utilitarian e instrumentalist të regjimeve të tilla. Kjo është arsyeja pse kapitalizimi nuk ka kohë të merret me të, dhe kjo është arsyeja pse universitetet tash po duan t’i ndalin këto studime.

Në anën tjeter, as mendimi socialist nuk e sheh artin dhe kulturën si një nga fushat kryesore të luftës. Kultura, në kuptimin e përditshëm të fjalës, është hapësira ku pushteti sedimenton vetveten, ku bie në shtratin e vet. Pa të, e ka shumë të vështirë dhe abstrakte të fitojë përkrahjen popullore. Megjithatë, kulturalizmi postmodern gabon kur beson se kultura është ajo çka është parake tek marrëdhëniet njerzore. Qenjet njerzore janë në radhë të parë kafshë natyrale, materiale. Janë një lloj kafshësh që ka nevojë për kulturë (në kuptimin e gjerë të fjalës) për të mbijetuar; por kjo për shkak të natyrës së tyre materiale si specie, asaj që Marksi e quan “qenie e species”.

Tek “Ngjarja e Letërsisë”, ju zhvilloni idenë e veprës letrare si një “strategji” – një strukturë që determinohet nga funksioni i vet si një lloj i veçantë i “përgjigjes” ndaj pyetjeve që shtrohen nga realiteti shoqëror. Si mund të përputhet ky definicion i veprës letrare me “autonominë” e punës, si një fenomen vetëqeverisës?

Nuk mendoj se deomos ka një kontradiktë mes strategjisë dhe autonomisë. Një strategji mund të jetë në vetvete autonome, në kuptimin se është një copëz aktiviteti i veçantë rregullat dhe procedurat e së cilës janë unike dhe të përbrendësura në të. Paradoksi i veprës së artit në këtë aspekt, është se vepron në fakt në një rrafsh jashtë vetes së saj, më saktë në probleme të realitetit shoqëror, por që e bën këtë në mënyrë “autonome”, duke i ripërpunuar ose ri-përkthyer këto probleme në termat e sajtërësisht të veçantë. Kështu, ajo që duket në fillim si një punë e jashtme dhe heteronome, përfundon e përbrendësuar në të. Një vepër realiste duhet të respektojë logjikën heteronome të materialit të vet (nuk mund ta vendosësh New York-un në Arktik, ashtu siç do të mundej të bënte një punë moderniste apo postmoderniste), por duke bërë kësisoj, menjëherë e thith këtë fakt brenda strukturës së vet vetërregulluese.

Ju thoni se teoritë post-moderne dhe post-strukturaliste kanë përfunduar si “fondamentalizma anti-esencialiste”, duke pasqyruar kështu pikërisht ato “fondamentalizma” që synojnë të çrrënjosnin. A vazhdojnë ta dominojnë edhe sot diskursin kulturor dhe ideologjik përkufizimet postmoderne, apo situata e krijuar me krizën kapitaliste dhe me ringjalljen e kufizuar të luftës së klasave po i hap rrugë teorive të reja që nuk janë shoqërisht apo teorikisht skeptike?

Postmodernizmi supozohet të jetë kundër-themelor (anti-foundational). Por dikush mund të pretendojë se në fakt vetëm sa po zëvendoson disa themele tradicionale me një të themel të ri: kulturën. Për postmodernizmin, kultura është ajo të cilën nuk mund të gërmosh më tutje, sepse për ta bërë këtë të duhet të marrësh nga kultura (koncepte, metoda e të tjera).

Në këtë aspekt, mund të thuhet se të qenit kundër-themelor është një gjepur. Në çdo rast, varet se çka nënkupton me themel. Jo të gjitha themelet janë metafizike. Për shembull, ekziston edhe themeli pragmatik siç mund ta gjejmë tek shkrimet e vona të Wittgenstein-it.

Se a dominon edhe sot diskursi postmodern, do të thoja se shumë më pak. Që nga 11 shtatori, në kohën kur mendohej se narrativat e mëdha kishin marrë fund, ne u bëmë dëshmitarë të shpalosjes së një grand-narrative të re dhe shqetësuese. Një narrativë e madhe – ajo e Luftës së Ftohtë – tashmë vërtet kishte marrë fund, por për arsye që lidhen me fitoret e Perendimit në atë luftë, sapo ajo mbaroi, filloi një tjetër. Postmodernizimi, që kishte gjykuar se historia tani ishte bërë post-metafizike, post-ideologjike e edhe post-historike, u kap pra komplet i papregatitur. Dhe mendoj se që nga ai moment nuk e ka marrë më veten.

Ju flisni për kontributet dhe mangësitë e teorive të ndryshme letrare që u shfaqën gjatë shekullit XX. Perspektiva marksiste me sa duket ka një peshë të veçantë për ju. A është kjo traditë akoma produktive në fushën e teorive letrare, siç është në fushat e tjera?

Përgjigja e shkurtër ndaj pyetjes se a ka ndonjë kontribut të ri marksist në fushën e teorisë së letërsisë është jo. Konteksti historik nuk është i duhuri për zhvillime të tillë. Vepra e Fredric Jameson-it, një njeri që sipas meje është kritiku më i ndritur në botë, vazhdon. Ai vazhdon të shkruajë libra brilantë, njërin pas tjetrit, në një epokë kur shumë kritikë të tjerë të mirënjohur kanë heshtur.

Por nuk kemi ndonjë korpus të ri të kritikës marksiste. Dhe duke marrë parasysh rrethanat e pafavorshme, vështirë se pritet një gjë e tillë. Megjithatë, marksizmi definitivisht nuk ka marrë fund, ndryshe nga çka ndodhur me post-strukturalizmin (në mënyrë misterioze), e mbase edhe me postmodernizmin.

Kjo kryesisht për faktin se marksizmi është më shumë se një metodë kritike. Është një praktikë politike dhe në rast se kemi një krizë të madhe të kapitalizmit, është e pashmangshme ridalja e saj në skenë. E njejta vlen edhe per feminizmin, e cila pikën më e lartë e kritikës e ka arritur para disa dekadave, por që ka mbijetur në forma të modifikuara sepse çështjet politike të cilat i adreson janë akoma të rëndësishme. Teoritë vijnë e shkojnë. Ajo që mbetet është padrejtësia. Dhe përderisa është kështu, gjithmonë do të ketë përgjigje/reagime intelektuale dhe artistike kundër padrejtësisë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 20, 2017 nga te Art, Intervistë, Përkthim dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: