rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Para Ligjit

kafkaFranz Kafka

Para Ligjit rri bën roje një portier. Te ky portier na vjen një burrë nga fshati, i cili lyp të hyjë në Ligj. Por portieri i thotë se për momentin nuk mund ta lejojë të hyjë. Burri mendohet pak dhe e pyet se a do mund t’i lejohet hyrja më vonë. “Është e mundur” i thotë portieri, “por jo tash për tash”. Meqenëse dera është e hapur, si zakonisht, e meqë portieri bën një hap pas, burri rreket të shohë tej derës se çfarë ka brenda. Duke e vënë re këtë roja i derës qesh e thotë: “Nëse të tundon kaq shumë, provoje një herë t’ia mësysh edhe pa lejen time. Veç mbaje mend: unë jam i fuqishëm. E unë s’jam veçse më i dobëti prej rojtarëve. Nga paradhoma në paradhomë, rojet e dyerve janë njëri pas tjetrit, secili më i fuqishëm se pararendësi. Rojtari i tretë është aq i tmerrshëm sa as unë s’guxoj ta shoh me sy”. Këto vështirësi burri nga fshati nuk i kishte pritur; te Ligji, sipas tij, do duhej me siguri të kishte qasje kushdoqoftë, në çdo kohë, mirëpo tani që e sheh pak më me vëmendje rojtarin me pallto prej lëkure, me hundë të mprehtë e të gjatë e me mjekër të zezë si të tartarëve, vendos se është më mirë të presë derisa t’i japi leje të hyjë. Rojtari ia jep një stol dhe e lë të ulet e të presë në njërën anë të derës. E aty burri ulet e pret për ditë me radhë, për vite me radhë. Bën përpjekje të shumta për të marrë leje për të hyrë dhe e lodh rojtarin me këmbënguljen e tij. E rojtari shumë shpesh e merr në pyetje me intervista të shkurtra, e pyet për shtëpinë e tij e për çkamos, por pyetjet shtrohen me indiferencë, siç dinë t’i shtrojnë zotërinjtë, dhe gjithnjë përfundojnë me konstatimin se burri ende nuk mund të lejohet të hyjë. Burri, i cili ka marrë me vete shumë gjëra që t’i ketë gjatë rrugës, sakrifikon gjithçka që ka, sado e çmueshme, që ta joshë në ryshfet rojtarin. Rojtari e pranon çdo gjë, por gjithnjë me vërejtjen se “po i pranoj këto që më jep vetëm që të mos mendosh se ke lënë ndonjë gjë pa bërë”. Gjatë atyre shumë viteve burri e fikson vëmendjen tek rojtari, pa ndërprerje. I harron gjithë rojtarët e tjerë dhe ky i pari i duket si pengesa e vetme që s’e lë t’i avitet Ligjit. E kështu burri nis të mallkojë fatin e tij të keq, në vitet e para ashpërsisht e me zë të lartë; ama duke u plakur, ia nis të shkrofëtijë vetmevete. Bëhet si foshnjë, dhe meqë gjatë viteve të meditimeve mbi rojtarin tashmë ia njeh dhe pleshtat që rrinë në jakën e tij, fillon t’u lutet dhe pleshtave që t’ia ndërrojnë mendjen rojtarit. Pas një kohe të gjatë sytë nisin ta lënë, dhe ai më nuk e di se a është bërë bota më e errët apo thjesht po e mashtrojnë sytë. Megjithatë, në terrin e vet, ai bëhet i vetëdijshëm për rrezatimin që del pandërprerë prej derës së Ligjit. Tash nuk i ka mbetur më edhe shumë për të jetuar. Para se të vdesë, gjithë përvojat e tij në gjithë ato vjet i mblidhen në kokën e tij në një pikë të vetme, në një pyetje që ende nuk ia ka bërë rojtarit. I kërkon rojtarit të afrohet, se tashmë nuk mund të ngrihet më në këmbë me trupin e tij të kërrusur. Rojtari duhet të përkulet shumë që t’i afrohet, sepse dallimi në lartësi mes të dyve ka ndryshuar shumë, në disavantazh të burrit. “E tash çka dëshiron të dish?” e pyet rojtari; ” se ti nuk u lodhke kurrë”. “Gjithkush rreket të arrijë Ligjin” thotë burri, “po si ka mundësi që gjithë këto vjet askush veç meje nuk ka ardhur ndonjëherë të kërkojë të hyjë këtu?”. Rojtari e kupton se burrit i ka ardhur fundi dhe që të arrijë të jetë i kuptueshëm për shqisat e tij të lodhura, i bërtet në vesh. “Askush tjetër s’mund të pranohet ndonjëherë këtu sepse kjo derë është bërë vetëm për ty. Dhe tash do e mbyll”.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 19, 2017 nga te Përkthim, Prozë dhe etiketuar me , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: