rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Balibar: Populizmi në pasqyrën amerikane

balibarÉtienne Balibar

Pyetja e parë që më bënin miqtë e mi amerikanë pas fitores Trumpit në zgjedhje, ishte pak a shumë e njëjta: “Kush e ka radhën tani? A mendon se Le Pen do t’i fitojë zgjedhjet franceze?” Ata siç duket parashikonin një farë efekti domino, ose fillimin e një epidemie të favorizuar prej shkretimit të politikave rishpërndarëse, të cilat neoliberalizmi i shkatërroi. Siç duket ata e interpretuan Brexit-in si një lloj paralajmërimi, si një pararendës. Rënia e Renzit, si dhe deklarimi i Hollandeit që nuk do të garonte përsëri për president ishin një farë jehone e humbjes së Clintones. Çështja se a do të “qëndronte” Merkel përballë ekstremit të djathtë gjerman, u bë variabël strategjik.

Tashmë po kuptoj se pyetje të njëjta po e shqetësojnë edhe shtypin e opinionin publik evropian. Dhe në të dyja anët e Atlantikut “populizmi” është bërë kategoria e cila polarizon vazhdimisht analizën dhe spekulimin. Është e vërtetë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara mbajnë nga një pasqyrë ku i tregojnë njëra-tjetrës fytyrën e tyre të vërtetë. Madje edhe nëse i marrim parasysh ashtu siç duhet të gjitha dallimet domethënëse, ndërveprimi mes dy situatave dhe drita që ato hedhin tek njëra-tjetra na lejon të kuptojmë se ajo çka po zhvillohet në të dyja anët e Atlantikut është një krizë e institucioneve politike. Dhe këtë mund ta themi duke i shmangur si përgjithësimet e zbrazëta, ashtu edhe provincializmin e cekët.

Kjo është sidomos e vërtetë për sa kohë që terreni vendimtar politik në Evropë është pikërisht niveli kontinental: paraliza që po i zë gradualisht gjithë sistemet e përfaqësimit dhe që po i ekspozon ato ndaj recetave demagogjike të nacionalizmit e të proteksionizmit, është pikërisht ana tjetër e degjenerimit të projektit evropian si projekt politik e kulturor. Dhe ngjashëm, në rastin amerikan, efekti i zvogëlimit të hegjemonisë perandorake ka nisur të ndihet jo vetëm mbi “kontratën sociale” të atij vendi – baza materiale e së cilës ishte pikërisht ajo hegjemoni perandorake – por edhe mbi ngrehinën kushtetuese, edhe pse ajo ngrehinë është një prej më të vjetrave e prej më mirë “të rregulluarave” në botë.

Episodi amerikan përmban së paku tre leksione për ne evropianët, të cilat duhet t’ia përshtasim historisë e praktikave tona.

Së pari – dhe kjo është ajo çka na tregon mposhtja e Hillary Clintones – është e kotë të përpiqesh të neutralizosh politikën (për të zgjatur kështu statusquo-në e qeverisjes post-demokratike), suke mohuar thellësitë e hendeqeve që ka prodhuar apo që ka riaktivizuar neoliberalizmi. Këtu përfshihen ndarjet klasore (të cilat janë njëherazi territoriale, ekonomike e kulturore), ndarjet etno-raciale (shpesh të përforcuara dhe prej diskriminimit religjioz), si dhe ndarjet morale (shpeshtimi i konflikteve mbi vlerat seksuale e familjare). Dhe këto s’duhet të na bëjnë të harrojmë kamuflazhin që institucionet ia bëjnë formave të shumta të dhunës strukturore të cilat Trumpi i vuri në përdorim të vet në emër të “mllefit”.

Por së dyti – dhe ky është leksioni që nxjerrim prej krahasimit të lëvizjes për Trumpin dhe asaj për Sandersin – na duhet të heqim dorë një herë e mirë prej kategorisë së “populizmit” që tret brenda vetes diskurset e së majtës e të së djathtës. Kriza e “sistemit” është krizë legjitimiteti, ashtu siç është edhe krizë përfaqësueshmërie, e ky është një fakt politik e jo një doktrinë. E megjithatë, sado që bëhet e mundur një farë përzierje e së majtës e të së djathtës, përfundimi që nxjerrim në këtë rast – edhe sa i përket çështjes së nacionalizmit ksenofob, edhe sa i përket çështjes së kërkimit të “njerëzve të pagjetur”, pra sa i përket një sinteze të re të aspiratave demokratike e të qëndresave – populizmi i majtë e ai i djathtë shtyjnë drejt drejtimeve krejt të kundërta.

Së treti, modelet e ndryshme institucionale të rrënjosura në histori, pa dyshim që sjellin kondita të ndryshme për politikën. Por ato nuk mund ta maskojnë lindjen e një problemi të përgjithshëm konstitucional në këto dy rajone të botës (rajonet e njëjta që shpikën modelin demokratik të epokës borgjeze, pastaj ia përshtatën atë lëvizjeve çlirimtare dhe betejave shoqërore të shek.XX). çka është në lojë në këtë rast është gara mes de-demokratizimit të pakthyeshëm dhe “demokratizimit të demokracisë”. Për ta demokratizuar demokracinë duhet të krijosh hapësira për kërkesat e shkëlqyera për pjesëmarrje popullore, qoftë edhe me rrezikun e përplasjes mes krahëve e partive (apo të koncepteve të ndryshme mbi botën). Pra duhet rishpikur një qytetari aktive, një “konflikt civil”. Kjo është e nevojshme për të kundërpeshuar pushtetin e parasë, të teknokracisë e të trashëgimisë (kulturore apo pasurore).

Zgjedhjet që na vihen përpara – zgjedhje shoqërore, zgjedhje vlerash – në të dy kontinentet janë me pasoja shumë të fuqishme jo vetëm “në mbarë botën”, por edhe “globalisht”. Globalisht në kuptimin se këto zgjedhje më pas gradualisht do të ndikojnë gjithçka tjetër dhe ndonjëherë duket se formojnë një lloj kondite të pamundësisë për çdo vlerësim racional të pohimeve mbi të cilat bazohen. I tillë është rasti me ngrohjen glibale, në nivele që rrezikojnë kushtet jetësore të popullatave të tëra. Kjo është po ashtu e vërtetë sa i përket derregullimit të kapitalizmit financiar, betejës për likuiditet financiar, ana tjetër e së cilës është shpërthimi i pasigurisë shoqërore. E vërtetë është edhe sa i përket “përplasjes së qytetërimeve”, kësaj fantazie vetëpërmbushëse e cila ka një bazë reale tek regjimi i ri i përzierjeve kulturore dhe i mërgimeve. Një dhunë ekstreme është e pranishme, si potencial, tek secila pjesë ku zgjedhjet tona puqen me këto që përmenda. Dhe ndonjëherë kjo dhunë lëshohet haptazi, e nxitur prej nostalgjisë imperiale, prej pretendimeve për universalizëm shekullarist apo religjioz, prej interesave të tregtarëve të armëve, apo prej frikërave prej cenimit të rendit e të sigurisë.

Ditë pas dite e shohim se si strukturat shtetërore që i quajmë “sovrane” janë të pafuqishme përballë këtyre sfidave. Dhe kjo “impotencë e të plotfuqishmëve” pjell panik kolektiv që mund të bëhet i pakontrollueshëm. Nga ana tjetër grumbullimet spontane që ringjallin idnë e një populli që flet e vepron (Occupy Wall Street, Sheshi Syntagma, Gezi Park, Nuit debout…) dëshmojnë se ende ka energji për ta ripërtërirë demokracinë. Megjithatë, ata janë të paarmatosur përballë grumbullimit dhe përqendrimit të pushtetit të monopolizuar prej demokracisë.

Na duhet diçka më shumë. Populizmi nacionalist nuk ka përgjigje as në nivelin e proteksionizmit dhe të rregullimit të tregjeve, as në nivelin e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit. Kjo ndodh për shkak se populizmi nacionalist e shtron me terma jo-realë dhe diskriminues çështjen e vendit; që është çështja e hapësirës ku jetojmë, punojmë, takohemi e ku bëjmë betejat tona. Në një botë të globalizuar do të duhet që këto hapësira të ishin të garantuara për cilindo, duke filluar prej atyre që punojnë për të mbështetur jetët e të tjerëve e që kujdesen për ta. Ajo çka unë kam kuturisur ta quaj “kundërpopulizëm” transnacional (e quajta kështu në kohën kur nisi kriza greke), nuk ofron ndonjë lloj zgjidhje apo as ndonjë plan. Megjithatë, unë mendoj se është emri i duhur nëse duam t’i bashkojmë forcat dhe të identifikojmë elementet e ndryshme të problemit. Synimet e këtij “kundërpopulizmi”? Të rilindet politika bërë prej popullit e për popullin.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 19, 2017 nga te Përkthim, Politikë, Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: