rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Bota kokëposhtë e Donald Trumpit

trump_sanders_splitSlavoj Zizek

Aspekti më dëshpërues i periudhës paszgjedhore në SHBA nuk janë masat e shpallura prej presidentit të sapozgjedhur, por mënyra se si shumica e Partisë Demokratike po reagon ndaj kësaj humbjeje historike që pësoi. Mbi të gjitha vërehet një lëkundje e mbështetësve të kësaj partie mes dy ekstremesh: nga njëra anë tmerri prej Ujkut të Madh të Zi që quhet Trump, si dhe e përkundërta e këtij paniku dhe fiksimi – që është rinormalizimi i situatës, ideja se s’ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme, se është veç një kundërpërgjigje e radhës, siç ndodh zakonisht kur presidentët republikanë kanë zëvendësuar ata demokratë: Reagan, Bush, Trump… Në këto linja Nancy Pelosi “vazhdimisht po i rikujton ngjarjet e një dekade më parë. Për të gjërat janë të qarta – e shkuara është parathënie. çka ka funksionuar më parë, do të funksionojë sërish. Trumpi dhe republikanët do ta teprojnë, dhe demokratët si zakonisht do të jenë gati të shfrytëzojnë rastin, kur rasti të paraqitet”1. Një qëndrim i tillë as që e merr vesh kuptimin e vërtetë të fitores së Trump-it, dobësitë e Partisë Demokratike që e mundësuan këtë gjë, si dhe ristrukturimin radikal të gjithë hapësirës politike, që shpall kjo fitore.

Ristrukturimi për të cilin po flas shfaqet qartë edhe prej një tjetër inkonsistence që ka të bëjë me qëndrimin e tij ndaj Rusisë: ndërsa republikanët e linjës së ashpër vazhdimisht e kanë kritikuar Obamën se e kishte qasjen shumë të butë ndaj Putinit, duke lejuar agresionet ushtarake ruse (Gjeorgji, Krime…) dhe duke i vënë kështu në rrezik aleatët e Perëndimit në Europën Perëndimore, ndërkohë që mbështetësit e Trumpit propagandojnë një qasje shumë më të butë ndaj Rusisë. Problemi fshihet pikërisht këtu. Si mund t’i bashkojmë këto dy kundërshti ideologjike – kundërvendosjen e tradicionalizmit ndaj relativizmit shekullar dhe kundërshtinë tjetër të madhe ideologjike, mbi të cilën mbështetet gjithë legjitimimi i Perëndimit dhe i “Luftës kundër Terrorit”, që është kundërvendosja mes të drejtave liberal-demokratike individuale dhe fondamentalizmit religjioz që trupëzohet kryesisht në “islamo-fashizëm”? Këtu qëndron mungesa simptomatike e konsistencës tek neokonservativët amerikanë: kur vjen puna tek politika e brendshme ata privilegjojnë luftën kundër shekullarizmit liberal (abortit, martesave gay etj.) – pra lufta e tyre është luftë e së ashtuquajturës “kulturë e jetës” kundër “kulturës së vdekjes” – ndërsa në politikën e jashtme ata mbështesin pikërisht vlerat e kundërta, pra liberalen “kulturë të vdekjes”.

Një mënyrë për ta zgjidhur këtë dilemë është qasja fondamentaliste kristiane, e artikuluar në veprat e Tim LaHaye dhe bashkëshortes së tij: ata qartazi i japin prioritet kundërshtisë së parë dhe të dytën ia nënvendosin asaj. Pra, në një nivel më të thellë e shpesh më të mjegullt, neokonservatorët amerikanë e perceptojnë Bashkimin Europian si armik. Ky perceptim, i cili mbahet në kontroll gjatë diskursit publik, shpërthen tek kopja e vet e nëndheshme dhe obsene, që është vizioni politik i së Djathtës Kristiane fondamentaliste, me frikën e saj obsesive prej Rendit të Ri Botëror. Sipas këtij këndvështrimi Obama fshehurazi ka punuar në marrëveshje me Kombet e Bashkuara; forcat ndërkombëtare do të ndërhyjnë në SHBA dhe do t’i mbajnë të gjithë patriotët e vërtetë amerikanë në kampe përqendrimi. Ca vite më parë madje filloi të flitej se kishte trupa nga Amerika Latine në pllajat e Midwest-it, që po ndërtonin kampet e përqendrimit…

Titulli i njërës prej novelave të LaHaye-s tregon në po këtë drejtim: The Europa Conspiracy. Pra armiku i vërtetë i ShBA nuk janë terroristët muslimanë; ata janë thjesht marioneta që fshehurazi manipulohen prej shekullaristëve europianë, që janë forcat e vërteta të anti-krishtit, të cilat duan ta dobësojnë ShBA dhe të etablojnë një Rend të Ri Botëror nën sundimin e Kombeve të Bashkuara. Në një farë mënyre ata kanë të drejtë në këtë perceptim: Europa nuk është thjesht një bllok pushteti siç janë të tjerët, por një vizion global i cili në analizë të fundit është i papërputhshëm me shtetet-kombe. Ky dimension i Bashkimit Europian është shkaku kyç për të ashtuquajturën “dobësi” të Europës, sepse ekziston një korrelacion habitës mes shkallës së bashkimit në Europë dhe humbjes së pushtetit të saj politik-ushtarak në glob. Nëse, sidoqoftë, Bashkimi Europian është gjithnjë e më shumë një trans-shtet i pafuqishëm që ka nevojë për mbrojtjen amerikane, atëherë si shpjegohet që për SHBA-në ky shqetësim përkthehet edhe në investim financiar? Le të kujtojmë këtu të dhënat se SHBA ka mbështetur financiarisht ato forca në Irlandë që organizuan fushatën për t’i thënë JO traktatit të ri europian… E kundërta e këtij opinioni minoritar është këndvështrimi i shumicës liberal-demokratike, i cili e sheh armikun te të gjitha llojet e fondamentalizmave, dhe e percepton fondamentalizmin kristian amerikan si një lloj shtëpiak i “islamo-fashizmit”. Megjithatë, kjo shumicë nuk e ka më dominimin e sigurt. Ajo çka deri tash ka qenë një qëndrim margjinal, i kufizuar në disa teori konspirative që lulëzonin vetëm fshehurazi, tani po bëhet qëndrim hegjemonik në hapësirën publike.

Si përfunduam këtu? Duhet përsëritur vazhdimisht e pa u lodhur se mposhtja e H. Clinton ishte çmimi që ajo duhet të paguante meqë neutralizoi B. Sanders. Ajo nuk humbi për shkak se kaloi shumë majtas, por pikërisht për faktin që ishte tepër centriste, dhe kësisoj dështoi të kapte revoltën anti-establishment mbi të cilën u mbështetën si Trump ashtu edhe Sanders. Trumpi ua kujtoi një pjese të votuesve të tij realitetin gjysmë të harruar të luftës klasore, edhe pse, sigurisht, ai e bëri këtë në një mënyrë të shtrembëruar e populiste. Mllefi anti-establishment i Trumpit ishte një farë rikthimi i asaj çka mbahej e heshtur prej politikës të së majtës të moderuar liberale, që u fokusua në çështje kulturore e të korrektesës politike. Ky lloj i së majtës mori prej Trumpit si përgjigje mesazhin e vet, por të përmbysur, në formën e vet të vërtetë. Kjo është arsyeja pse e vetmja mënyrë për t’iu përgjigjur Trumpit do të kishte qenë pikërisht të përvetësohej plotësisht mllefi anti-establishment, e jo të përbuzej ky mllef si primitivizëm i të varfërve të bardhë (white trash).

Kujtoni sa e sa herë media liberale ka dhënë lajmin se Trumpi është kapur me presh në dorë dhe e ka shkatërruar personalitetin e vet publik (psh. duke u tallur me prindërit e ndonjë dëshmori të luftës, duke u mburrur për gratë që i kap prej pidhi, etj.) Komentatorët arrogantë liberalë kanë mbetur të befasuar prej faktit se si ka mundësi që kritikat e tyre të rrepta ndaj pallavrave vulgare raciste e seksiste të Trumpit, ndaj pasaktësive faktuale, ndaj pakuptimësisë ekonomike etj. nuk e kanë dëmtuar fare popullaritetin e tij, përkundrazi, mund ta kenë rritur atë. Këta komentatorë nuk e kanë kuptuar se si funksionon identifikimi: si rregull ne identifikohemi me pikat e dobëta të tjetrit, e jo, ose jo kryesisht me pikat e forta, prandaj sa më shumë që ata talleshin me kufizimet e Trumpit, aq më shumë njerëzit e zakonshëm identifikoheshin me të dhe i perceptonin sulmet ndaj tij në esencë si sulme ndaj vetes. Për njerëzit e zakonshëm, mesazhi subliminal i vulgariteteve të Trumpit ishte: “unë jam një prej jush”. Mbështetësit e thjeshtë të Trumpit në mënyrë të vazhdueshme e ndjenin veten të poshtëruar prej sjelljes patronizuese të elitës liberale ndaj tyre. Siç e ka thënë në mënyrë të thukët Alenka Zupancic “më të varfrit luftojnë luftën për më të pasurit, siç u bë e qartë gjatë zgjedhjes së Trumpit. Dhe e majta s’bën gjë tjetër, përveçse i fyen e i qorton”.2 Ndoshta kësaj mund t’i shtojmë se e majta bën edhe më keq se kaq: ajo në mënyrë patronizuese “e kupton” konfuzionin dhe verbërinë e të varfërve… Kjo lloj arrogance e së majtës liberale shpërthen në mënyrën e saj më esenciale në zhanrin e ri mediatik të satirës politike-komentuese (Jon Steëart, John Oliver…) e cila më së shumti e vë në jetë arrogancën e elitës liberale intelektuale:

“Të parodizosh Trumpin është, në rastin më të mirë, ta heqësh vëmendjen prej atyre që janë me të vërtetë politikat e tij; ndërsa në rastin më të keq e kthen gjithë politikën në një skeç komik. Procesi nuk ka të bëjë fare me performuesit e këtyre komedive, me skenaristët apo me zgjedhjet e tyre. Trumpi e ka ndërtuar gjithë kandidiimn e vet mbi performimin si një aktor komik – ky ka qenë edhe imazhi i tij në pop-kulturë gjatë disa dekadave. Thjesht nuk është e mundur të parodizosh një njeri që është me vetëdije të plotë një vetë-parodi, i cili madje arriti të bëhej president i SHBA duke u bazuar në atë lloj performance”.3

Populizmi dhe korrektesa politike pra janë dy forma përplotësuese të rrenës të cilat ndjekin atë dallimin klasik mes histerisë dhe neurozës obsesive: një histerik e tregon të vërtetën të maskuar si rrenë (çka ai thotë nuk është në fakt e vërtetë, por rrena shpreh në formë false një ankesë autentike), ndërsa ajo që thotë një neurotik obsesiv është e vërtetë, por është një e vërtetë që i shërben një rrene. Si homologji, korrektesa politike është “të mashtrosh duke përdorur të vërtetën. Thotë gjërat e duhura, por megjithatë ia del të jetë megjithatë gabim. Populizmi nga ana tjetër thotë të vërtetën përmes një rrene. I thotë gjithë gjërat e gabuara, megjithatë ne e ndjejmë se ka diçka në të që në analizë të fundit është e saktë”.4 Protesta populiste vendos gabimisht tek armiku i jashtëm një frustrim autentik dhe një ndjenjë të diçkaje që është humbur, ndërsa e majta e korrektesës politike i përdor argumentet e saja të vërteta (duke evidentuar psh. seksizmin dhe racizmin në gjuhë etj.) për të konfirmuar avantazhin e saj moral, pra për të parandaluar ndryshimet e vërteta social-ekonomike.

Dhe kështu vazhdon historia e Donaldit dhe e Hillarysë: në pjesën e dytë emrat e çiftit këmbehen në ato të Marine le Pen dhe të François Fillon. Tani që Fillon u zgjodh për të qenë kandidati i së djathtës në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në Francë, me sigurinë (thuajse të plotë) se në balotazh zgjedhja do të jetë mes Fillonit dhe Marine Le Pen, demokracia jonë ka arritur pikën e saj më të ulët (deri më tash). Natalie Nougayrede shkroi në kolumnën e saj në Guardian se “François Fillon është një kërcënim po aq i madh për vlerat liberale, sa ç’është edhe Marine Le Pen”:

“Nuk është koincidencë që Fillon u lavdërua publikisht prej Putinit. Kjo nuk ndodhi thjesht për shkak se Kremlini shpreson të ndërtojë aleancë me ndonjë president të ardhshëm francez sa i përket politikës së jashtme. Kjo ndodh edhe për shkak se Putini dallon tek Filloni disa elemente të ideologjisë së tij ultra-konservative. Dëshmi për këtë është mënyra se si e ka etiketuar Europën propaganda ruse, duke e quajtur ‘Gayropa’.”5

Nëse dallimi mes Clinton dhe Trump ka qenë dallimi mes establishmentit liberal dhe mllefit populist djathtist, ky dallim është bërë edhe më i vogël në rastin e Le Pen dhe Fillon. Edhe pse të dy janë kulturalisht konservatorë, në çështje ekonomike Fillon është puro neoliberal, ndërsa Le Pen është më e orientuar kah mbrojtja e të drejtave të punëtorëve. Shkur, meqenëse Fillon qëndron për kombinimin më të keq që mund të gjendet sot – pra neoliberalizëm ekonomik dhe konservatizëm social – mes të dyve ndodh që të ndihesh seriozisht i tunduar për të votuar Le Pen. I vetmi argument për Fillonin është tërësisht formal: ai formalisht është për një Europë të bashkuar dhe mban një distancë sado të vogël prej së djathtës populiste, edhe pse, sa i përket përmbajtjes së politikave të tij, ai duket se është edhe më keq se Le Pen. Kështu pra, ai përfaqëson dekadencën imanente të vetë establishmentit, derexhenë ku kemi përfunduar pas një procesi të gjatë thyerjesh e tërheqjesh.

Fillimisht u desh të sakrifikohej e majta radikale, e cila nuk na qenkësh në një hap me kohët tona të reja postmoderne dhe me “paradigmat” e reja. Më pas e majta socialdemokratike u desh të sakrifikohej sepse edhe ajo nuk na qenkësh në një hap me nevojat e kapitalizmit të ri global. Tani, në epokën e fundit të këtij rrëfimi fatkeq, edhe vetë e djathta liberale e moderuar (Juppe), përfundoi e sakrifikuar, sepse edhe kjo doli se s’kishte lidhje me ato vlerat konservative që duhen përqafuar në mënyrë që të mposhtet Le Pen. çdo ngjashmëri me atë rrëfimin e vjetër anti-nazist që tregon se si fillimisht vëzhguam pasivisht se si nazistët i hoqën qafe komunistët, pastaj si i hoqën qafe çifutët, pastaj të majtën e moderuar, pastaj qendrën liberale, pastaj edhe vetë konservatorët e ndershëm… është tërësisht i rastësishëm. Reagimi i propozuar nga Saramago – të mos votohet fare – në këtë rast është qartësisht E VETMJA gjë që duhet bërë. Situata e Polonisë së sotme na jep edhe një shembull tjetër për këtë punë, si një rast i fortë empirik që e hedh poshtë qëndrimin dominant tek e majta liberale, sipas të cilit populizmi autoritar është një politikë kontradiktore e destinuar të dështojë. Edhe pse në parim kjo është e vërtetë – në afatgjatë të gjithë do të vdesim, thënë me fjalët e J.M. Keynes – megjithatë mund të ketë shumë surpriza në afat (jo dhe aq) të shkurtër:

“Këndvështrimi më i përhapur mbi atë çka e pret SHBA (dhe Francën e Holandën) në 2017 parashikon një qeveritar të çuditshëm i cili do të zbatojë politika kundërthënëse që do të favorizojnë të pasurit. Të varfërit do të humbasin, sepse populistët nuk kanë asnjë shpresë për rikthimin e punëve në prodhim, pavarësisht premtimeve të tyre. Dhe ardhjet e flukseve masive të imigrantëve e refugjatëve do të vazhdojnë, sepse populistët nuk kanë ndonjë plan për t’u marrë me problemet rrënjësore që i shkaktojnë këto. Në fund fare qeveritë populiste, të paafta për qeverisje efektive, do të rrëzohen dhe udhëheqësit e tyre ose do të përballen me hedhje në gjyq, ose nuk do të arrijnë të fitojnë mandat të dytë. Por liberalët e patën gabim me këtë parashikim. Partia polake për Ligj dhe Drejtësi, partia e djathtë populiste që qeveris në Poloni, e ka shndërruar vetveten prej një hiçmosgjëje ideologjike, në një parti që ka arritur të sjellë ndryshime të forta, me shpejtësi rekord e me një efikasitet të madh. /…/ ajo ka sjellë ndryshimin më të madh shoqëror në historinë bashkëkohore të Polonisë. Prindërit përfitojnë nga 500 zloty (120 dollarë amerikanë) për secilin fëmijë pas të parit, ose për secilin fëmijë në rastet e familjeve të varfra (të ardhurat mesatare mujore neto janë rreth 2900 zloty, edhe pse më shumë se dy të tretat e polakëve kanë të ardhura më të ulëta se mesatarja. Si rezultat, shkalla e varfërisë është ulur me 20-40%, dhe me 70-90% sa i përket fëmijëve. Lista vijon: në 2016 qeveria garantoi mjekimin falas për gjithë njerëzit mbi 75 vjet. Rroga minimale tashmë është më e lartë se sa ajo që kërkonin sindikatat. Mosha e pensionimit është zvogëluar prej 67 për të dyja gjinitë, në 65 për burrat dhe 60 për gratë. Qeveria po ashtu planifikon të lehtësojë taksimin për taksapaguesit me të ardhura të ulëta”6.

Partia për Ligj dhe Drejtësi po bën në Poloni atë që Marine Le Pen premton të bëjë në Francë: një kombinim masash anti-austeritet – transformime sociale që asnjë parti majtiste nuk guxon as t’i mendojë, plus sigurimin e rendit dhe të sigurisë që konfirmon identitetin kombëtar dhe që premton të merret me kërcënimin që paraqet imigracioni. Kush mundet pra ta mposhtë këtë kombinim, i cili i prek në mënyrë të drejtpërdrejtë dy shqetësimet më të mëdha të njerëzve të zakonshëm? Pra, mund të parashohim në horizont një situatë perverse ku “e majta” zyrtare forcon politikat e austeritetit (edhe pse mbron të drejtat multikulturore etj.) në të njëjtën kohë që e djathta populiste zbaton masa anti-austeritare që të ndihmojë të varfërit (edhe pse propozon një agjendë nacionalizmi ksenofob). Ky është ilustrimi i fundit i asaj që Hegeli e përshkruante si die verkehrte welt, botë kokëposhtë.

E çka pra nëse Trumpi ecën në të njëjtin drejtim? çka nëse projekti i tij për proteksionizëm të moderuar e për vepra të mëdha publike i kombinuar me masa sigurie anti-imigracion dhe me një paqe të re perverse me Rusinë, funksionon diqysh?

Gjuha franceze përdor atë që quhet ne expletif pas disa foljeve e disa lidhëzave; e cila quhet po ashtu një “ne jo-negative” pasi nuk ka ndonjë vlerë mohuese në vetvete dhe për vetvete, por përdoret në situata kur klauza kryesore ka një kuptim negativ (qoftë ky negativ – i keq apo negativ – mohues), siç janë shprehjet e frikës, kërcënimit, dyshimit apo mohimit7. Psh. : Elle a peur qu’il ne soit malade (Ajo ka frikë mos ai është sëmurë). Lacan ka vënë re se si kjo pjesëz mohuese sipërfaqësore e bën të dukshëm hendekun që ndan dëshirën tonë të vërtetë e të pavetëdijshme prej dëshirës së vetëdijshme: kur një grua ka frikë se mos burri i saj është sëmurë, ka mundësi që ajo të jetë e shqetësuar se mos ai nuk është i sëmurë (duke dëshiruar që ai të jetë i sëmurë). Dhe a s’mund të themi të njëjtën gjë për liberalët e majtë të pështirosur nga Trump? Ils ont peur qu’il ne soit une catastrophe. çka vërtet i tremb ata, është se mos ai del të mos jetë katastrofë.

Duhet hequr qafe ky panik i rrejshëm, kjo frikë prej fitores së Trumpit si tmerri më i madh i mundshëm, sepse ky lloj paniku i bëri njerëzit të mbështesin Hillarynë pavarësisht gjithë ceneve e mangësive që i kishte e që i shfaqte haptazi. Fitorja e Trumpit krijoi një situatë tërësisht të re politike, me shanse për një të majtë më radikale. E majta liberale e sotme, bashkë me të djathtën populiste, të dyjat janë të ngecura në politikën e frikës: frikë prej imigrantëve, frikë prej feministëve etj. ose frikë prej populistëve fondamentalistë etj. Gjëja e parë që duhet bërë këtu është të kryhet lëvizja prej frikës tek Angst-i: frika është frikë prej një objekti të jashtëm, që perceptohet si kërcënues ndaj identitetit tonë, ndërkohë që ankthi ngjet kur vetëdijësohemi se ka diçka gabim tek vetë identiteti ynë, tek vetë ajo që duam të mbrojmë prej kërcënimit të jashtëm prej të cilit kemi frikë. Frika na shtyn drejt asgjësimit të objektit të jashtëm; ndërsa mënyra për të trajtuar ankthin është transformimi i vetvetes.

Zgjedhjet e 2016 ishin mposhtja përfundimtare e demokracisë liberale, apo më saktësisht e asaj që mund të quhet ëndrra majtiste-fukuyamiste, dhe e vetmja mënyrë për të fituar me të vërtetë ndaj Trumpit dhe për të ruajtur atë çka vlen të ruhet prej demokracisë liberale është që të bëhet një shkëputje sektare prej kufomës kryesore të demokracisë liberale – me fjalë të tjera, ta kalojmë vëmendjen prej Clintones, tek Sandersi. Zgjedhjet e tjera do të duhet të jenë ato mes Trumpit dhe Sandersit. Elementet e programit të kësaj të majte të re janë relativisht të lehta për t’u imagjinuar. Trumpi premton asgjësimin e marrëveshjeve të mëdha të tregtisë së lirë që mbështeste Clinton, dhe alternativa e së majtës ndaj të dyve atyre duhet të jetë një projekt marrëveshjesh të reja ndërkombëtare, thelbësisht të ndryshme – marrëveshje që do të vendosnin kontrill mbi bankat, marrëveshje për standarde ekologjike, për të drejta të punëtorëve, shëndetësi, mbrojtje të minoriteteve seksuale e etnike, etj. Mësimi i madh që na jep kapitalizmi global është se shtetet-kombe nuk arrijnë dot t’i bëjnë të vetmuara këto punë, ndaj vetëm një internacionale e re politike do të mundej, ndoshta, të vinte nën kontroll kapitalin global.

Një i majtë anti-komunist i moçëm më ka treguar dikur se e vetmja gjë e mirë që kishte Stalini ishte fakti se ai u fuste me të vërtetë frikën fuqive perëndimore. Dhe mund të thuhet e njëjta gjë për Trumpin, e vetmja gjë e mirë e tij është se ai me të vërtetë ua fut frikën liberalëve. Pas Luftës II Botërore fuqitë perëndimore e mësuan mësimin dhe nisën të përqendrohen tek difektet e tyre, që gjë i çoi tek ndërtimi i shteteve të mirëqenies ekonomike. Por a do ta bëjnë një gjë të tillë edhe të majtët tanë liberalë?

2Alenka Zupančič, “Back to the Future of Europe” (dorëshkrim i pabotuar)

4Alenka Zupančič, “Back to the Future of Europe” (dorëshkrim i pabotuar)

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 11, 2017 nga te Përkthim, Polemikë, Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: