rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Zhan Zhak Ruso: Pararendës i Kafkës, Celines dhe Pongut

livre_galerie_2707317616Gilles Deleuze

Ekzistojnë dy mënyra me të cilat mund ta vlerësojmë gabimisht një shkrimtar të mirë: 1) duke dështuar në njohjen e logjikës së thellë ose karakterit sistematik të punës së tij (me ç’rast ne flasim për “moskoherencat” e tij edhe pse ato na japin kënaqësi superiore); dhe nën 2) kur nuk arrijmë të shquajmë fuqinë dhe gjenialitetin komik, prej të cilave vepra përgjithësisht shkakton pjesën më të madhe të efikasitetit e saj anti-konformist (preferojmë të flasim për ankthin e tij dhe aspektin tragjik). Në fakt, kushdo që nuk qesh me zë të lartë teksa lexon Kafkën, nuk e admiron përnjëmend atë. Këto dy rregulla gishti* janë veçanërisht të pavlefshme për Rusonë. Në njërën prej tezave të tij më të famshme, Rusoja shpjegon se njerëzimi në gjendjen e tij natyrore është i mirë, ose të paktën nuk është i keq. Një propozim i tillë nuk është i çiltër e aq më pak manifestim i optimizmit; por është një manifest logjik, tejet i përpiktë. Çfarë Rusoja nënkupton është se: njerëzimi, i menduar në gjendjen e tij natyrore, nuk mund të jetë i keq, ngase kushtet objektive që fillimisht e mundësojnë të keqen dhe përdorimin e saj tek njeriu nuk ekzistojnë në vetë natyrën. Gjendja natyrore është gjendje në të cilën njerëzit kanë marrëdhënie me gjërat, jo me njëri-tjetrin (ose kanë pak).  “ Njerëzit, në qoftë se do të takoheshin, do të sulmonin njëri tjetrin, por ata takoheshin rrallë. Kështu mbizotëroi një gjendje lufte, dhe gjithë bota ishte në paqe”.  Gjendja natyrore e njeriut nuk është vetëm gjendje pavarësie, por edhe gjendje e izolimit. Një nga temat qendrore të Rusosë thotë se nevoja nuk është faktori që i bashkon njerëzit: ajo nuk bashkon, ajo izolon secilin nga ne. Duke qenë të limituara, nevojat tona në gjendjen e tyre bazike domosdoshmërisht arrijnë një lloj të ekuilibrit me fuqitë tona dhe sigurojnë një lloj të vetë-eficiencës. Edhe seksualiteti në gjendjen e tij natyrore shkakton vetëm takime të rrufeshme ose na lë në vetmi. (Ruso ka shumë për të na treguar dhe flet mjaft për këtë çështje,  e cila konsiderohet pjesë e parëndësishme, qesharake e një teorie të thellë.) Si mund të jenë njerëzit të këqinj kur kushtet për t’u bërë të tillë mungojnë? Kushtet që e mundësojnë të keqen, janë ato të çdo rendi të përcaktuar shoqëror. Pa marrë parasysh ç’thonë nganjëherë imbecilët dhe njerëzit e këqinj, nuk ka të keqe të paqëllimshme . E keqja është përfitim ose kompensim. Nuk ka vepra të liga njerëzore që nuk përshkruhen brenda marrëdhënieve të shtypjes, në përputhje me interesat shoqërore komplekse. Rusoja është një prej shkrimtarëve që dinte si të analizonte marrëdhëniet shtypëse dhe strukturat shoqërore që ato presupozojnë. Do na duhet të presim paraqitjen e Engelsit përpara se ky parim i një logjike ekstreme të ripërtërihet: dmth., dhuna apo shtypja nuk përbëjnë një fakt primitiv dhe fillestar, por supozojnë një gjendje civile, situata shoqërore dhe përcaktime ekonomike.
Nëse Robinsoni skllavëron Premtin kjo nuk nuk lidhet me predispozitat e tij natyrore e as me fuqinë e grushtit të tij; kjo arrihet me pak kapital dhe përmes mjeteve të prodhimit të cilat i ruajti, dhe këtë e bën për të futur Premtin tek detyrat shoqërore, ide të cilat Robinsoni nuk i ka humbur në fundosjen e anijes së tij.

Shoqëria vazhdimisht na vë në situata në të cilat na konvenon të bëhemi të këqinj. Kryelartësia jonë mund të na bëjë të besojmë që jemi të këqinj për nga natyra. Por e vërteta është shumëfish më e keqe: ne bëhemi të këqinj pa e ditur, madje pa e kuptuar. Është e vështirë të bëhesh trashëgimtar i dikujt e jo herë pas here, pavetëdijshmërisht të mos shpresosh në vdekjen e tyre. “Në situata të tilla, pa marrë parasysh sa të sinqertë e kemi virtytin ndaj tyre, herët a vonë ky virtyt ligësohet pa e kuptuar fare, dhe në fakt ne bëhemi të padrejtë dhe të këqinj, pa pushuar së qenuri të drejtë në shpirt”. Sidoqoftë, duket se, një shpirt i mirë vazhdimisht është i destinuar që në mënyrë të çuditshme të  përballet me situata të paqarta, prej të cilave ai çrrënjos vetën vetëm me dhimbje të madhe. Ne shohim këtë shpirt të mirë tek luan në druajtjen dhe butësinë e tij, për të nxjerrë nga situatat më të këqija ato elemente që megjithatë i’a lejojnë të mbajë virtytin e tij të paprekur. “ Nga ky kundërshtim i vazhdueshëm mes situatës sime dhe prirjeve të mia, ne do jemi dëshmitarë të lindjeve të gabimeve të mëdha, fatkeqësive të padëgjuara dhe çdo virtyti përveç atij të pushtetit, që mund të jetë atribuim i fatkeqësisë. Ta gjesh vetveten në situata të pamundshme është destinacioni i përhershëm i një shpirti të mirë. Kjo komedi e jashtëzakonshme e situatave paraqet burim kënaqësish për Rusonë. Nëse Rrëfimet e Rusosë përfundojnë duke ndërtuar një libër halucinativ dhe tragjik, ato kanë fillimin më të hareshëm në literaturë. Madje edhe veset arrijnë ta ruajnë Rusonë nga e keqja në të cilën ato do të  mund ta kishin çuar atë; dhe Ruso shquhet në analizën e këtyre mekanizmave ambivalentë dhe të dobishëm.

Shpirti i mirë nuk është i kënaqur me gjendjen natyrore; ai me dhembshuri ëndërron për marrëdhënie njerëzore. Këto marrëdhënie, sidoqoftë, janë të realizueshme vetëm në situatat më të ndjeshme. E dimë që ëndrra e Rusosë mbi dashurinë është të zbulojë figurat e trinisë së humbur; ose gruaja që ky do, dashuron një burrë tjetër që do jetë si baba ose vëlla; ose janë dy gra që ky dashuron, njëra prej tyre është një nënë e rreptë dhe ndëshkuese,  ndërsa tjetra një nënë e butë e cila sjell rilindjen. Rusoja veçse përmbush këtë kërkesë për dy nëna, (në njërën prej dashurive të tij fëmijërore.) Por situatat e tanishme që mishërojnë këtë ëndërrim janë përherë të paqarta. Ato përfundojnë keq: ose ne sillemi mjerueshëm, ose përfundojmë si njerëz të çuditshëm, ose të dyja bashkë. Rusoja s’do ta njohë këtë fantazi të dhimbshme në Terezën dhe nënën e Terezës, një grua, më shumë lakmitare dhe se sa e rreptë. E as nuk do ta njohë kur M. de Warens dëshiron që Rusoja të luajë rolin e vëllait të madh në pasionin e saj të fundit.

Rusoja shpesh dhe me kënaqësi shpjegon se idetë e tij janë të ngadalshme por ndjenjat e tij janë të shpejta. Por këto ide formohen ngadalë, lindin përnjëherë në jetën e tij, e orientojnë në drejtime të reja, dhe e inspirojnë në shpikjen e gjërave të çuditshme. Te poetët dhe filozofët, ne duhet t’i duam edhe ato mani dhe sjellje të çuditshme që u ndihmojnë në kombinimin e idesë dhe ndjenjës. Thomas de Quincey zhvilloi një metodë me qëllim që të na inspironte dashurinë për shkrimtarët e mëdhenj. Në një artikull mbi Kantin (“The Last Days of Emmanuel Kant” përkthyer nga Schwob),’ Quincey përshkruan pajisjen jashtëzakonisht komplekse që Kanti kishte shpikur për t’i shërbyer si një mbajtëse këpucësh. E njëjta gjë vlen edhe për veshjen armene të Rusosë, kur ai kishte jetuar në Motiers dhe gërshetave në verandën e tij përderisa bisedonte me gratë. — Çfarë mund të shohim në këta shembuj janë mënyra të vërteta të jetës; anekdota mendimtarësh.

Si mund t’i shmangim këto situata në të cilat është në interesin tonë të jemi të këqinj? Kuptohet, me një akt të vullnetit, me një shpirt të fuqishëm, vet mund ta ndikojmë dhe modifikojmë situatën. Për shembull, një trashëgimtar i ligjshëm mund të heqë dorë nga të drejtat e tij në mënyrë që të mos ndikojë në vdekjen e të afërmit të tij. Ngjashëm, Julie ose New Heloise, Julie zotohet që të mos martohet me Saint-Preuz, edhe nëse burri i saj mund të vdesë: kjo pra paraqet mënyrën se si ajo transformon interesin sekret që kishte në vdekjen e burrit të saj në një interes të ruajtjes së tij”. Por, Rusoja e pranon që ai nuk është një shpirt i fortë. Ai më shumë e do virtytin se sa që është i virtytshëm. Përveç çështjeve të trashëgimisë, ai ka shumë imagjinatë që paraprakisht  të heq dorë me dëshirë. Prandaj ai do kërkojë paisje të mprehta të një lloji tjetër në mënyrë që të shmangë situatat tunduese ose ta mbajë vetën larg prej tyre. Ai luan me çdo gjë, përfshirë edhe shëndetin e tij të keq vetëm për t’i mbajtur të paprekura aspiratat e tij të virtytshme. Ai vetë shpjegon se si problemet e tij të fshikëzës ishin një faktor kyç në reformën e tij morale; nga frika se ai mund të mos jetë në gjendje ta përmbajë vetën në prani të mbretit, ai preferon të heqë dorë nga pensioni i tij. Sëmundja e frymëzon atë, si një sens humori (Rusoja, shumë më vonë tregon për problemet me veshin e tij me të një gusto të ngjashmë me të Celines). Por humori është ana tjetër e moralit: ai më përpara do të ishte një kopist muzike se sa pensionist mbreti. Në Julie, ose New Heloise, Rusoja shtjellon një metodë të thellë e të përsosur për shmangien e situatave të rrezikshme. Një situatë nuk arrin të na tundojë si diçka unike në vetvete, por në saje të peshës së plotë të së kaluarës që e frymëzon atë. Është kërkimi për të kaluarën në situatat e tanishme, pra përsëritja e së kaluarës që frymëzon pasionet dhe tundimet tona më të dhunshme. Ne gjithmonë dashurojmë në të kaluarën, dhe pasionet, para së gjithash, janë një sëmundje e duhur për kujtesën. Për të shëruar Saint-Preux-in dhe për ta kthyer atë përsëri te virtyti, M. de Wolmar përdor një metodë me të cilën ai e largon prestigjin e së kaluarës. Ai detyron Julie-n dhe Saint-Preux-in të përqafohen në të njëjtin zabel ku ata përjetuan momentet e tyre të para të dashurisë: “Julie, nuk ka më arsye për tu frikësuar nga ky vend i shenjtë, sepse sapo u përlye, u përdhos. Është interesi i tanishëm i Saint-Preuxit që ai dëshiron ta bëjë të virtytshëm: “Nuk është Julie de Wolmar ajo që ai do, është Julie d’Etange; ai nuk më urren si posedues të gruas që ai dashuron, por si joshës të gruas që ai donte … Ai e do atë në të kaluarën; ja ku e keni çelësin e enigmës: merrjani kujtimin, dhe ai nuk do të dashurojë më.“ Vetëm në lidhje me objektet, vendet, p.sh. një zabel, ne mësojmë kalimin e kohës, dhe përfundimisht mësjmë si të duam në të ardhmen, në vend që të jemi të  pasionuar në të tashmen.

Dy polet e punës filozofike të Rusosë janë Emile dhe Kontrata Shoqërore. Rrënja e së keqes në shoqërinë moderne është se ne nuk jemi më as individë privatë as qytetarë publikë: secili prej nesh është bërë “homo economicus” me fjalë të tjera, “borgjezë” të motivuar nga fitimi. Këto situata të cilat na japin shtysë për të qenë të këqinj, gjithmonë nënkuptojnë marrëdhënie shtypëse, me ç’rast dikush hyn në një marrëdhënie me një tjetër: për të komanduar apo për tu bindur, pronar ose rob. Emile është rikrijimi i individit privat; Kontrata shoqërore, ajo e qytetarit. Rregulli i parë pedagogjik i Rusosë është si vijon: duke rivendosur marrëdhëniet tona të natyrshme me gjërat, ne do të arrijmë të riedukojmë veten si individë privatë, duke na ruajtur kështu,  nga ato marrëdhënie njerëzore tepër artificiale të cilat që nga fëmijëria e hershme kanë ngulitur tek ne një tendencë të rrezikshme për të komanduar mbi tjerët. (Dhe e njejta prirje që na bën tiranë na bën edhe skllevër.)” Fëmijët, kur fillojnë të binden, pothuajse që në lindje, lënë pas gjendjen e tyre natyrore.” Korrigjimi pedagogjik i vërtetë  përbëhet prej vartësisë së marrëdhënieve njerëzore në lidhjen e qenieve njerëzore prej gjërave. Shija për gjërat është konstante në punën e Rusosë (studimet e Francis Ponge kanë diçka të Rusosë në to). Kështu ne kemi rregullin e famshëm  nga Emile, i cili kërkon vetëm muskuj: Asnjëherë mos i sjell gjërat tek fëmija, sille fëmijën tek gjërat.

Individi privat, në bazë të marrëdhënies së tij me gjërat, tashmë ka asgjësuar gjendjen infantile që i jep atij një shtysë në të qenurit i ligë. Por qytetari është ai që hyn në marrëdhënie me të tjerët, e kjo shënon pikërisht interesin e tij që të jetë i virtytshëm. Për Rusonë detyra e duhur e politikës është krijimi i një situatë aktuale, objektive, ku drejtësia dhe interesi vetjak përputhen. Dhe virtyti këtu përsëri kthehet tek kuptimi i tij më i thellë, pra kthehet përsëri në përcaktimin publik të qytetarit. Kontrata Shoqërore është, sigurisht,  një nga librat më të rëndësishëm të filozofisë politike. Ditëlindja e Rusosë është vetëm një rast për ta lexuar apo rilexuar atë. Në të një qytetar mëson për mistifikimin e ndarjes së pushteteve, dhe se si Republika përcaktohet nga ekzistenca e një fuqie të vetme, legjislativit. Ashtu siç duket te Ruso, analiza e konceptit të ligjit do të dominojë reflektimin filozofik edhe për një kohë të gjatë, sepse tashmë veç e dominon.

_________________________________________________________________
*The rule of thumb-Një mendim është i mirë për aq sa ai korrespondon me drejtësinë dhe vullnetin e përgjithshëm; dhe është i keq për aq sa ai favorizon vullnetin privat (Kontrata Shoqërore)

Përktheu: Blerta Haziraj

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shkurt 7, 2017 nga te Përkthim, Filozofi dhe etiketuar me , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: