rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Kur s’vlen për asgjë

mark_fisherMark Fisher

Kam vuajtur prej depresionit në periudha të ndryshme që prej kohës kur kam qene adoleshent. Një pjesë e këtyre episodeve kanë qenë shumë dërrmuese – duke rezultuar në lëndim të vetvetes, në tërheqje (kur do të kaloja muaj të tërë në dhomën time, duke dalë jashtë vetëm sa për t’u dukur ose sa për të blerë atë sasi minimale të ushqimit që konsumoja), apo edhe në kohë kur kam frekuentuar shërbime psikiatrike. Nuk mund të them se jam shëruar prej kësaj kondite, por me kënaqësi mund të them se edhe shpeshtësia por edhe ashpërsia e episodeve të depresionit janë zvogëluar shumë në vitet e fundit. Pjesërisht kjo vjen si pasojë e ndryshimeve në situatën time jetësore, dhe si pasojë e shkaqeve të këtyre ndryshimeve. Po ofroj këtu eksperiencat e mia të shqetësimeve mendore jo pse mendoj se ka ndonjë gjë të veçantë apo unike tek to, por në mënyrë që të mbështes tezën se shumë forma të depresionit kuptohen më mirë – dhe luftohen më mirë – përmes shpjegimeve jopersonale dhe politike, e jo shpjegimeve individuale dhe “psikologjike”.

Të shkruash për depresionin tënd është e vështirë. Depresioni pjesërisht është një lloj zëri “i brendshëm” tallës që të akuzon se po vetëkënaqesh – të thotë se nuk je në depresion, por thjesht po të vjen keq për vetveten, ndaj mblidhe veten – dhe ky zë nis të aktivizohet në rast se hapesh me të tjerët për gjendjen tënde. Sigurisht, ky zë nuk është aspak zë “i brendshëm”, është një shprehje e brendësuar e forcave sociale që ekzistojnë, një pjesë e të cilave kanë një interes tek mohimi i secilës lidhje mes depresionit dhe politikës.

Depresioni im ka qenë gjithnjë i lidhur me bindjen se unë fjalë për fjalë s’hyja në punë për asgjë. Pjesën më të madhe të jetës deri tek të tridhjetat e kalova duke besuar se unë nuk do të punoja kurrë. Të njëzetat i kalova mes studimeve post-doktorale, periudhave të papunësisë dhe punëve të përkohshme. Në secilin prej këtyre roleve ndjeja se nuk i përkisja – studimeve postdoktorale nuk i përkisja sepse ndihesha një diletant që disi kish arritur të shtirej derisa kishte mbërritur aty, pra jo një shkollar i mirëfilltë; papunësisë nuk i përkisja sepse nuk isha me të vërtetë i papunë, si ata që mirëfilli kanë nevojë për punë, pra dhe aty ndjehesha që shtiresha; e në punët e përkohshme nuk përkisja sepse e ndjeja sikur po performoja në mënyrë jo-kompetente, dhe sidoqoftë ndihesha se nuk i përkisja këtyre punëve në fabrikë jo për faktin se isha tepër “i mirë” për to, por – përkundrazi – sepse isha i arsimuar më shumë se ç’duhet dhe i panevojshëm, duke ia zënë vendin e punës dikujt që kish nevojë dhe e meritonte atë vend më shumë se unë. Edhe kur isha në klinikat psikiatrike ndihesha sikur nuk përkisja aty, sepse nuk isha me të vërtetë depresiv – por ndihesha sikur thjesht po e shtirja atë konditë për të shmangur punën, ose sipas logjikës paradoksalisht skëterrore të depresionit, po shtiresha si depresiv në mënyrë që të maskoja faktin se nuk isha i aftë për të punuar e se shoqëria nuk kishte vend për mua.

Pasi që gjeta eventualisht një vend pune si lektor në një institucion të arsimit pasuniversitar, për një kohë u ndjeva i lumtur – megjithatë prej vetë natyrës së saj, kjo lumturi kallëzonte se nuk e kisha shkundur dot tej ndjesinë e pavlefshmërisë që shumë shpejt do të më çonte në periudha të tjera depresioni. Më mungonte ai vetëbesimi i qetë i atij që është i lindur për një rol të caktuar. Në një nivel jo dhe aq të thellë, me sa duket unë ende nuk besoja se isha ai lloj personi që mund të bëjë një punë siç është mësimdhënia. Por nga vinte ky besim? Shkolla sunduese e mendimit në psikiatri e lokalizon origjinën e këtyre “besimeve” në keqfunksionime të kimisë së trurit, të cilat mund të korrigjohen me barna; psikanaliza dhe format e terapisë që influencohen prej saj sic dihet kërkojnë për rrënjët e shqetësimeve mendore në trungun familjar, ndërsa terapia bihejvioriste kognitive nuk merret shumë me gjetjen e origjinës të besimeve negative, por thjesht përpiqet t’i zëvendësojë ato me besime pozitive. S’është puna se këto modele janë tërësisht të rreme, por atyre u mungon – dhe duhet medoemos t’u mungojë – arsyeja më e mundshme për të tilla ndjenja inferioriteti: pushteti brenda shoqërisë. Forma e pushtetit shoqëror e cila ka pasur më së shumti efekt tek unë është pushteti klasor, edhe pse sigurisht që gjinia, raca e të tjera forma të shtypjes funksionojnë duke prodhuar të njëjtën ndjenjë të inferioritetit ontologjik, i cili më së mirë gjen shprehje pikërisht tek mendimi që artikulova më sipër: që dikush, kushdo, nuk është ai lloj personi që mund të përmbushë ato role që janë të paracaktuara për anëtarët e grupit sundues.

Pas këshillës së njërit prej lexuesve të librit tim “Capitalist Realism”, fillova të hulumtoj veprat e David Smail. Smail – një terapist i cili e vendos çështjen e pushtetit në shoqëri në qendër të praktikës së tij – e konfirmon hipotezën mbi depresionin tek e cila përfundova edhe unë. Në librin e tij të rëndësishëm “The Origins of Unhappiness” Smail përshkruan se si shenjat e përkatësisë klasore janë të tilla që nuk mund të fshihen kurrë. Tek ata të cilët që prej lindjes janë mësuar që ta mendojnë veten si vegjëli, grumbullimi i pasurisë apo i kualifikimeve rrallë do të mjaftojë për të fshirë – qoftë në mendjet e tyre e qoftë në ato të të tjerëve – atë ndjenjën parake të të mos qenit i vlefshëm për asgjë, e cila i shënon ata shumë herët në jetë. Dikush që lëviz prej sferës sociale në të cilën “supozohet” se duhet të bëjë pjesë, gjithnjë rrezikon ta kaplojë ndjenja e marramendjes prej lartësisë (vertigo), panikut dhe horrorit: “… i izoluar, i shkëputur prej të tjerëve, gjendesh befasisht pa lidhje shoqërore, i rrethuar prej një hapësire jo mikpritëse, pa stabilitet, pa asgjë që mund të të mbajë në këmbë apo asgjë ku të mbahesh; një jorealitet pështjellues, marramendës, të kaplon; gjendesh i kërcënuar prej një ndjenje totale të humbjes së identitetit, nis ta ndjesh veten si shtiracak; të duket se s’ke të drejtë të jesh aty ku je, të banosh në atë trup, të vishesh me ato tesha; të duket se je një hiç, dhe “hiç” është fjalë për fjalë ajo që ndjen se je duke u bërë”.

Tash e sa kohë, një nga taktikat më të suksesshme të klasës sunduese është shpërndarja e përgjegjësisë. Secili anëtar individual i klasës së nënshtruar nxitet të mendojë se varfëria e vet, mungesa e shanseve, papunësia, është faj i tyre dhe vetëm i tyre. Individët gjithnjë fajësojnë vetveten e jo strukturat shoqërore, për të cilat gjithsesi janë mësuar të mendojnë se nuk ekzistojnë me të vërtetë (se ato janë thjesht justifikime që përdoren prej të dobtëve). Ajo çka Smail e quan “vullnetarizëm magjik” – besimi se është brenda mundësive individuale të gjithsecilit që të bëjë me veten atë çka do – është ideologjia dominuese dhe feja jozyrtare e shoqërisë kapitaliste bashkëkohore, e cila propagandohet si prej “ekspertëve” të televizionëve, ashtu edhe prej guruve të biznesit, apo prej politikanëve. Vullnetarizmi magjik është edhe pasojë edhe shkak i nivelit aktual, historikisht të ulët, të vetëdijes klasore. Kjo është ana tjetër e monedhës së depresionit – bindja themelore e të cilit është se ne të gjithë jemi veç e veç përgjegjës për mjerimin tonë, ndaj dhe e meritojmë atë. Një sulm i tillë me dy teha i imponohet sot të papunësuarve afatgjatë në Britaninë e Madhe: një popullate së cilës gjithë jetën i është dhënë mesazhi se s’vlen për bërë asgjë, e njëherazi i thuhet se mund të bëjë gjithçka që do.

Duhet ta kuptojmë dorëzimin fatalist të popullatës së Mbretërisë së Bashkuar ndaj masave shtrënguese (austeritetit) si rrjedhojë e një depresioni të kultivuar qëllimisht. Ky depresion manifestohet në pranimin e faktit se gjërat doemos do të bëhen më keq (për të gjithë përveç një elite të vogël), dhe që jemi me fat nëse e kemi ndonjë punë çfarëdoqoftë ajo (kështu që s’duhet të presim rritje të pagave me ritmin e inflacionit), dhe që s’e kemi luksin të mbajmë shërbimet publike të shtetit të mirëqenies. Depresioni kolektiv është rezultat i projektit të klasës sunduese për një rinënshtrim. Tash për sa kohë ne jemi duke e pranuar idenë se ne nuk jemi ai lloj populli që mund të veprojë. Ky fenomen është dështim vullneti po aq sa çdo rast i një individi depresiv që nuk mund “ta nxjerrë vetveten prej depresionit” duke “përveshur mëngët”. Rindërtimi i vetëdijes klasore është vërtet qëllim i mirë, por nuk mund të arrihet përmes zgjidhjeve klishe e shabllon – megjithatë, ndryshe nga ç’na sugjeron depresioni ynë kolektiv, mund të bëhet. Të shpikësh mënyra të reja të përfshirjes politike, të ringjallësh institucione që kanë rënë në harresë, të kthesh palumturinë private në mllef publik: të gjitha këto mund të ndodhin, e kur të ndodhin, ku i dihet se çfarë do të bëhet e mundur?

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 25, 2017 nga te Përkthim, Shoqëri dhe etiketuar me , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: