rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Si zhvillohen vendet e pasura prej vendeve të varfra

Jason Hickel

Për një kohë të gjatë kemi treguar një rrëfenjë tërheqëse, sa i përket marrëdhënies mes vendeve të pasura e atyre të varfëra. Sipas asaj rrëfenje, vendet e pasura të OECD (Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik) iu dhurojnë bujarisht prej pasurisë së tyre vendeve më të varfra nga jugu i globit, duke i ndihmuar kështu të çrrënjosin varfërinë dhe duke i ndihmuar të ngjiten më lart në shkallën e zhvillimit. Po, ndoshta gjatë kolonializmit fuqitë perëndimore mund të jenë pasuruar duke përdorur burimet natyrore dhe punën e skllevërve prej kolonive të tyre – ama gjithçka ka ndodhur në të shkuarën. Në ditët tona vendet e pasura japin si ndihmë më shumë se 125 mld.$ për secilin vit e kjo është një dëshmi e fortë për vullnetin e tyre të mirë.

Kjo rrëfenjë propagandohet aq gjerësisht prej industrisë së ndihmave dhe prej qeverive të vendeve të pasura, sa që kemi mbërritur në pikën që e marrim si të mirëqenë. Por çështja nuk është aq e thjeshtë sa ç’duket.

Organizata me bazë në ShBA, Global Financial Integrity (GFI) së bashku me Qendrën për Hulumtim të Aplikuar të Shkollës Norvegjezë të Ekonomisë kohët e fundit kanë publikuar ca të dhëna interesante. Ata kanë llogaritur gjithë burimet financiare që transferohen në çdo vit mes vendeve të pasura e atyre të varfra: jo thjesht ndihmën ekonomike, investimet e huaja dhe qarkullimin tregtar (siç kanë bërë hulumtimet e mëparshme), por edhe gjithë transferimet jofinanciare, siç është përshembull fshirja e borxhit, transferimet e njëanshme, siç janë remitancat e punëtorëve emigrantë, si edhe largimin e paregjistruar të kapitalit (capital flight).

Çka zbuluan këta hulumtues është se rrjedhja e parave prej vendeve të pasura tek vendet e varfra është tepër e vogël, krahasuar me rrjedhjen e parave në kahun e kundërt.

Në 2012, që është viti i fundit të cilit ia kanë llogaritur të dhënat, vendet në zhvillim kanë marrë në total 1.3 trilion $, ku përfshihen gjithë ndihmat, investimet dhe të ardhurat nga jashtë. Por në të njëjtin vit, rreth 3.3 trilion $ kanë dalë prej atyre vendeve. Me fjalë të tjera, vendet në zhvillim i dhanë pjesës tjetër të botës 2 trilion $ më shumë se sa ç’kanë marrë prej saj. Nëse i llogarisim gjithë vitet që prej 1980, kapitali i dalë prej vendeve në zhvillim arrin në shifrën tronditëse 16.3 trilion $ – pra kaq para janë thithur prej vendeve të jugut global në pak dekadat e fundit. Që të kuptohet më mirë përmasa e kësaj shifre, 16.3 trilion $ është pak a shumë GDP e SHBA.

Kjo do të thotë se rrëfenja e zakonshme i tregon gjërat pikërisht në të kundërt të asaj që është realiteti. Ndihma në fakt rrjedh në kahun e kundërt. Nuk janë vendet e pasura që po ndihmojnë vendet e varfra që të zhvillohen; por janë vendet e varfra që po i zhvillojnë vendet e pasura.

Por në çfarë konsiston gjithë kjo rrjedhje e kapitalit prej vendeve të varfra drejt vendeve të pasura? Një pjesë e saj është pagesë për borxhin. Vendet e varfra kanë paguar 4.2 trilion $ veç interesa, që prej 1980, e kjo është një trasferim direkt i parasë drejt Nju Jorkut apo Londrës, në një përmasë që e bën gjithë ndihmën ekonomike ndaj vendeve të varfra të duket e papërfillshme. Një tjetër kontributor tek kjo rrjedhje e kapitalit, është fitimi që të huajt nxjerrin prej investimeve të tyre në vendet e varfra, të cilin më pas e çojnë në vendin e pasur prej nga vijnë. Mendoni këtu për shembull gjithë fitimin që BP (British Petroleum) nxjerr prej rezervave të naftës në Nigeri, apo fitimet që shoqëria Anglo-American nxjerr prej minierave të arit në Afrikën e Jugut.

Por pjesa pakrahasimisht më e madhe e kapitalit që rrjedh prej vendeve të varfra në vendet e pasura përbëhet nga ikja e kapitalit të paregjistruar, që zakonisht është edhe i paligjshëm. GFI ka llogaritur se vendet e varfra kanë humbur në tital 13.4 trilion $ përmes ikjes së kapitalit të paregjistruar, që prej vitit 1980.

Shumica e këtyre ikjeve të paregjistruara ndodhin përmes sistemit ndërkombëtar të tregtisë. Për ta shpjeguar thjesht, korporatat, qofshin ato vendore apo të huaja, raportojnë çmime të rreme në faturat e tyre tregtare, në mënyrë që të nxjerrin kapitalin jashtë prej vendeve të varfra e për ta çuar atë direkt në vende që janë parajsa fiskale, apo në vende ku ka ligje për ruajtjen e fshehtësisë mbi zotërimin e kapitalit, praktikë kjo që njihet si “keqfaturim tregtar”. Zakonisht qëllimi i kësaj praktike është që t’i iket taksave, por ndonjëherë kjo praktikë përdoret edhe për të shpëlarë para apo për t’i shmangur kontrollet ndaj kapitalit. Në vitin 2012 vendet e varfra i humbën 700 mld. $ përmes keqfaturimit tregtar, shumë që është pesë herë më e madhe se ndihma ekonomike që ato vende kanë marrë gjatë atij viti.

Kompanitë ndërkombëtare mund të vjedhin para prej vendeve të varfra edhe përmes “mashtrimit mbi faturën e njëjtë”, që i lejon t’i kalojnë ilegalisht përfitimet tek filialet e tyre, dhe të dyja palët vendosin çmime faturash nga të dyja anët. Përshembull, një filial në Nigeri mund t’i shmangë taksat lokale duke i kaluar paratë tek një filial i ndërlidhur me të në Ishujt Virgjine Britanike, ku taksa është efektivisht zero dhe ku fondet e vjedhura nuk mund të gjurmohen.

GFI nuk e përfshin mashtrimin me faturën e njëjtë ne shifrat e veta kryesore, sepse është tepër e vështirë që të përllogaritet, megjithatë vlerësohet se paratë e përftuara në këtë mënyrë, janë po ashtu rreth 700 mld$ në vit. Dhe këto shifra raportojnë vetëm vjedhjen që ndodh gjatë tregtisë së të mirave. Nëse i shtojmë kësaj edhe vjedhjen që ndodh gjatë tregtisë së shërbimeve, atëherë totali neto i rrjedhjes së kapitalit prej vendeve të varfra në vendet e zhvilluara arrin rreth 3 trilion $ në vit.

Kjo shumë është 24 herë më e madhe se buxheti vjetor i ndihmës ekonomike. Me fjalë të tjera, për çdo 1 $ ndihmë që marrin vendet e varfra, humbasin 24 $ prej rrjedhjes neto të kapitalit. Këto rrjedhje ia heqin vendeve të varfra një burim të rëndësishëm të ardhurash dhe financash që mund të përdorej për zhvillim. Raporti i GFI-së zbulon se rrjedhjet gjithnjë e më të mëdha të kapitalit prej vendeve të varfra kanë shkaktuar rënie të rritjes ekonomike në këto vende, dhe janë drejtpërdrejt përgjegjëse për rënien e standardit të jetesës.

Kush duhet të fajësohet për këtë katastrofë? Meqenëse pjesa më e rëndësishme e problemit është ikja ilegale e kapitalit, është mirë të fillohet prej aty. Kompanitë që mashtrojnë në faturat e tyre tregtare qartësisht janë fajtore; por si ka mundësi që ato e kanë kaq të lehtë ta shmangin përgjegjësinë? Në të shkuarën zyrtarët e doganave mund t’i ndalnin transaksionet që dukeshin të dyshimta, gjë që e bënte thuajse të pamundur që dikush të mashtronte. Por Organizata Botërore e Tregtisë pretendoi se kjo gjë e bënte tregtinë joeficiente, dhe që prej 1994 është kërkuar që zyrtarët doganorë t’i pranojnë faturat e paraqitura me shumën që ato kanë të shkruar, përveç rasteve shumë të dyshimta, gjë që e vështirëson shumë sekuestrimin e daljeve të paligjshme.

E prapëseprapë, dalja ilegale e kapitalit nuk do të ishte e mundur pa parajsat fiskale. Dhe kur vjen puna tek parajsat fiskale, fajtorët nuk janë të vështirë për t’u identifikuar: ka më shumë se 60 parajsa fiskale në botë, dhe shumica e tyre janë të kontrolluara prej një grushti vendesh perëndimore. Ka parajsa fiskale evropiane si Luksemburgu apo Belgjika, ka parajsa fiskale amerikane si Delauer apo Manhatan. Por, rrjeti pakrahasimisht më i madh i parajsave fiskale graviton rreth qendrës së Londrës (City of London), prej nga kontrollohen vendet me jurisdiksione që garantojnë fshehtësinë e transaksioneve që ndodhen të shpërndarë nëpër territore të varura prej Kurorës Britanike, apo nëpër territore britanike tejdetare.

Me fjalë të tjera, ca nga vetë vendet që kanë kaq shumë dëshirë të mburren me kontributet e tyre për ndihmë ekonomike, janë vetë ato vende që mundësojnë vjedhjen masive të vendeve të varfra.

Rrëfenja e ndihmës ekonomike nis të duket paksa naive kur i marrim parasysh gjithë këto ikje të kapitalit në drejtim të kundërt me ndihmën. Bëhet e qartë se ndihma ekonomike nuk ka ndonjë rol të madh në zhvillim, por luan rol të madh në maskimin e keqshpërndarjes së burimeve nëpër botë. Ndihma ekonomike i bën marrësit të duken si dhënës, dhe iu dhuron atyre një lloj avantazhi moral, ndërkohë që ata të cilët vërtet shqetësohen për varfërinë globale, ndihma ekonomike i pengon të kuptojnë se si sistemi funksionon në të vërtetë.

Vendet e varfra nuk kanë nevojë për mëshirë. Ato kanë nevojë për drejtësi. Dhe drejtësia nuk është e vështirë për t’u vënë në vend. Mjaft të fshihej tepria e borxhit për vendet e varfra, gjë që do t’i lironte ata të shpenzonin paratë e tyre për zhvillimin e vetvetes në vend se të paguajnë interesa mbi borxhe të vjetra; pastaj mund të mbylleshin vendet me jurisdiksione që garantojnë fshehtësinë, si dhe të vendoseshin gjoba e dënime mbi bankierët e llogaritarët që lehtësojnë rrjedhjen e paligjshme të kapitalit; dhe mund të vendosej një taksë minimale globale mbi të ardhurat korporative që të eliminohej arsyeja që i nxit korporatat të transferojnë paratë fshehurazi në vende të ndryshme të botës.

Ne e dimë se si mund të zgjidhet ky problem. Mirëpo po të veprohej kështu do të bihej në konflikt me interesat e bankave e korporatave të fuqishme, të cilat thithin përfitime materiale shumë të mëdha prej sistemit ekzistues. Pra pyetja është, a kemi guxim?

 

Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 19, 2017 nga te Ekonomi, Përkthim, Publicistikë dhe etiketuar me , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: