rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Farkëtimi i subjektit neoliberal

Rama-Cili-CiviciArlind Qori

Sundimi nuk kërkon vetëm uniforma kaki a blu që ruajnë rendin (renditjen hierarkike) shoqëror. Ai lyp penetrimin e ideve që u shërbejnë sunduesve në përfytyrimet dhe imagjinatat individuale dhe kolektive të të sunduarve. Edhe më shumë, hegjemonia e të parëve ka nevojë për gdhendjen e të menduarit, sjelljes, ritualeve dhe reagimeve në dukje spontane të klasave e grupeve shoqërore të përjashtuara nga të mirat e prodhuara bashkërisht. Qëllimi është që këto klasa/grupe ta përshtatin veten me kërkesat e mekanizmave të ushtrimit të pushtetit dhe të rrjedhjes së privilegjeve, duke i konsideruar këto të fundit në mos si të drejta, së paku si të pranueshme apo të pashmangshme. Me një fjalë, ka nevojë për atë që në fjalorin e kritikës së ideologjisë quhet farkëtim i subjekteve.

Reforma në arsimin e lartë, e miratuar muajt e fundit nga qeveria shqiptare, përbën kulmimin e ristrukturimit shoqëror neoliberal të këtij çerekshekulli. Në faqet e gazetës “Universitari” nuk kalon asnjë numër pa përmendur efektet e këtij ristrukturimi në arsimin e lartë, ku më të rëndësishmet janë mallifikimi e tregtarizimi substancial dhe autoritarizmi i ushtrimit të pushtetit. Mirëpo që kjo reformë të kalojë i duhet më shumë sesa imponimi ligjor. Ajo ka nevojë të përkulë e të përshtatë rezistuesit potencialë, trupën universitare të pedagogëve dhe studentëve. Enkas janë lënë jashtë këtij trajtimi burokracia universitare apo nëpunësit administrativë meqenëse edhe prej përvojës së deritashme (dallavere paramoderne të të parëve dhe nënshtrim nëpunësor të të dytëve), edhe prej potencialeve politike, këta nuk përbëjnë trupa rezistues ndaj privatizimit të jetës universitare.

Që t’i përgjigjemi pyetjes se ç’pedagog duhet të farkëtojë ristrukturimi neoliberal i universiteteve publike, më së pari duhet theksuar se farkëtimi nuk është krijim i subjektit nga hiçi, por evidentimi i tipareve latente të përshtatshme brenda subjekteve aktuale, nxjerrja në pah dhe hegjemonizimi i këtyre tipareve derisa të ngopin tërësisht përmbajtjen subjektore. Pra pedagogu i nesërm nuk është gjë tjetër veçse gjysmëpedagogu i sotëm, i gjendur rëndom në ato që meritojnë të quhen diplomore të larta private, por në aspekte të caktuara i hasur edhe brenda universiteteve publike aktuale.

Ajo çka e bashkon tërësinë e pedagogëve të diplomoreve të larta private dhe pjesën më të madhe të kolegëve të tyre në universitetet publike është nënshtrimi pa kushte ndaj autoritetit – pronar në rastin e parë, zotërues ofiqi në të dytin. Dominimi i burokracisë qeveritare në trupën më të rëndësishme administrative të universiteteve publike (Bordin e Administrimit) dhe reduktimi në papërfillje i të drejtave studentore, të shoqëruara me fiktivitetin e demokracisë zgjedhëse brenda trupës pedagogjike, do ta përforcojë autoritarizmin dhe hierarkinë brenda universiteteve publike. Ajo që pritet të ndodhë është zhdukja progresive e atyre pak vatrave të rezistencës individuale apo grupore që deri më tash kanë qenë karakteristike në disa fakultete të universiteteve publike. Pedagogë nëpunës, të frikësuar nga kërbaçi burokratik – edhe më i fortë si rezultat i reduktimit të fondeve dhe pakësimit potencial të vendeve të punës – do të fytyrën e parë të subjektit të farkëtuar prej kësaj reforme.

Pasiguria në punë dhe paparashikueshmëria e shpunësimit si rezultat i tekave burokratike dhe luhatjeve të tregut do të farkëtojnë një subjekt pedagogjik në gjendje prekariati (klase punëtore me punë të pjesshme). Kjo pasiguri kërkon farkëtim të mëtejshëm të trupës pedagogjike, tanimë në terma të reduktimit të veprimtarisë kërkimore dhe pedagogjike në dukje. Në treg nuk kanë rëndësi nocionet “e ngurta” si e vërteta, përmbajtja etj., por karakteri efemer i opinioneve dhe paragjykimeve, çka i japin rëndësi parësore dukjes. E vërteta, kësisoj, do të jetë dukja më shëmbëllyese, në mos u reduktoftë teorikisht në mbeturinë metafizike të zëvendësueshme nga dukja si produkt dhe procedurat e prodhimit të saj. Pra duhet të dukesh sikur di, të dukesh sikur bën, të dukesh se mundohesh, përderisa puna nuk do të jetë më e vlerësueshme prej kritereve të paanshme dhe demokratike të komunitetit shkencor, por prej namit të komercializueshëm që fiton gjithsecili në tollovinë mbarëshoqërore të efekteve të reklamimit. Kështu, pedagog i mirë do të konsiderohet ai që tërheq numrin më të madh të studentëve për të paguar tarifën e kripur studimore, çka mund të lypë përveç cektisë përmbajtësore apo faljes së notave, edhe shndërrimin e pedagogëve në yje televizivë të aftësuar në retorikë më shumë sesa në hulumtim, në propagandë më tepër sesa në mendim kritik.

Po ashtu, meqenëse reforma në fjalë do t’i lërë gjithnjë e më shumë universitetet publike në mëshirën e nxjerrjes vetë të fondeve – ato shtetërore do të orientohen progresivisht kah diplomoret e larta private – atyre do t’u dalë nevoja të përdorin strategji marketingu në rekrutimin e studentëve në një situatë kur hendeku i deritanishëm midis tarifave të publikut dhe privatit do të ngushtohet ndjeshëm. Kësisoj, ngjashëm me kolegët e tyre privatë, pedagogëve të universiteteve publike do t’u kërkohet të specializohen edhe në marketing, pra të fitojnë zotësi në të gënjyerit në dobi të vetes dhe institucionit ku punojnë dhe në kurriz të shoqërisë. Pra shumëpërmasia pedagogjike do të kërkojë edhe pedagogun agjent marketingu.

Edhe në veprimtarinë e mirëfilltë hulumtuese, ristrukturimi neoliberal ka nevojë për një subjekt studiues të karakterizuar nga njëparmasia e cektia e qasjeve teorike dhe shpeshtësia dhe shpejtësia e prodhimtarisë hulumtuese. Meqenëse shoqëria e tregut, si zgjatje e ekonomisë së tregut, ka nevojë për gjithnjë e më pak fusha studimi, larmia e disiplinave pritet të reduktohet. Madje edhe brenda fushave të tregtueshme do të nxiten vetëm ato qasje që prodhojnë më shumë të ardhura nga porositësit dhe konsumatorët e tyre, që zor se do të jenë shoqëria e gjerë, por institucionet oligarkike shtetërore dhe korporative private. Me një fjalë, edhe brenda një disipline si shkenca politike hegjemoninë, në mos sovranitetin e plotë, do ta kenë qasje që ndihmojnë bizneset dhe partitë në reklamim apo fitim zgjedhjesh sesa ato me natyrë kritike që e pasurojnë shoqërinë me kontekstin hapësinor, historik dhe strukturor të fenomeneve biznesore dhe partiake, duke parashtruar edhe mundësitë e transformimit të tyre. Ata që paguajnë nuk e bëjnë këtë për t’u sharruar degën mbi të cilën u varin këmbët në qafë masave të gjera shoqërore. Nga ana tjetër, në disiplinat e mbijetueshme në treg do të farkëtohet një subjekt pedagogjik mendja e të cilit duhet t’i përshtatet mekanizmave të prodhimit intelektual në masë, mu si punëtorët e fabrikave fordiste të fillimshekullit XX. Po nëse trupat e punëtorëve të atëbotshëm, në bashkëveprim me makineritë, prodhonin cilësisht duke u vetëshkatërruar progresivisht, mendjet e vëna në punë nga rentierët e universiteteve do të prodhojnë veç kalbësi pasi mendja, ndryshe nga trupi, nuk krijon në asnjë rast ndoçka produktive në kushte të mungesës së lirisë apo “padisiplinimit”.

Po subjekti studentor? Më së pari atij do t’i duhet ta ndryshojë vetëpërfytyrimin nga subjekt kushtetimor i universitetit në klient që do të futet në supermarketin universitar për të zgjedhur produktin me çmim më të lirë në raport me cilësinë e reklamuar. Ai do të ketë vetëm të drejtat e klientit dhe jo ato të bashëkushtetuesit. Ai mund të ankohet për pedagogët apo sekretaret, por s’mund të kërkojë uljen e tarifave, mu si në supermarket ku mund të shash shitësen, por s’ke ç’i bën pronarit që s’ta shet më lirë furçën e dhëmbëve. Si klient do të jetë i llastuar dhe i mikluar, madje do të nxitet karakteri i tij tekanjoz, çka është reflektuar për vite në pretendimet e tyre stratosferike për nota në diplomoret e larta private të cilat me gjasë kanë thyer rekorde botërore diplomimi analfabetësh edhe funksionalë. Mirëpo edhe si të tillë do të jenë klientë paradoksalë sepse, ndryshe nga klientët e zakonshëm, ata nuk do të kenë të drejtën për t’u ankuar me vërtetësi. Skema aktuale e financimit të universiteteve parashikon që një nga kriteret e shpërndarjes së fondeve drejt universiteteve të jetë vlerësimi studentor (i klientëve), çka do të thotë se për të fituar universiteti më shumë fonde dhe për t’i lejuar vetes tarifa më të ulëta studentët do të duhej ta vlerësonin sa më mirë cilësinë e mësimdhënies. Interesante duket ardhmëria e garës ndërstudentore në vlerësimin e universiteteve ku nota më e ulët do të jetë 9.9, kurse më e larta do të kalojë edhe 10 si në anekdotën  për zgjedhjet në Bashkimin Sovjetik të viteve ’30 të shekullit të shkuar.

Paradoksit klientor brendauniversitar do t’i ndajshtohet edhe më shumë se sot klientelizmi partiak. Prej vitesh dhe me ritëm rritës rinia universitare dhe parauniversitare është integruar brenda forumeve rinore partiake jo për ndonjë ideal politik sesa si e vetmja mënyrë për të ushqyer shpresën e punësimit profesional pas universitetit. Jo se të gjithë, madje as numri më i madh, gjejnë punë, por me thellimin e ekonomisë joproduktive dhe spekulative e vetmja shpresë mbetet punësimi në administratën e kalbur shtetërore ose në bizneset e lidhura po klientelisht me qeverinë.

Në këto kushte ardhmërie shpunësimi dhe tëhuajsimi universitar, subjekti studentor lypet të shndërrohet në anomik ose ciniko-individualist. Si në rastin e anomisë, ku subjekti i dorëzohet fatit të zymtë, ashtu edhe në atë të cinizmit individualist, ku paskrupulltësinë e përfitimit vetjak e justifikon me mënyrën se si shkojnë natyralisht punët në shoqëri – pra në të dyja këto raste subjekti studentor është i vetmuar dhe pa potenciale organizimi që do të shërbenin si rezistuese ndaj privatizimit të hapësirës universitare.

Sidoqoftë, elementi më i fortë i farkëtimit studentor do të jetë mbrujtja e këtij të fundit me cilësitë e punëtorit të pakualifikuar ose të pakkualifikuar që gjatë viteve studentore. Me rritjen e pritshme dhe të papërballueshme të tarifave, mundësia e studentëve nga shtresat e mesme të ulëta dhe të varfrit për të hyrë në universitet do të varet vetëm nga kapacitetet e tyre për të punuar para dhe gjatë kohës së studimeve. Në rast se dikur shqetësimi publik ishte se si të përgatiteshin studentë të mirë, që sot e tutje përparësi do të ketë parapërgatitja ekonomike e përgatitjes së tyre studimore. Siç i përgjigjej zv.ministrja e Arsimit dhe Sporteve një studenteje që i ankohej se nuk e përballonte dot tarifën e masterit pavarësisht se ishte shpallur fituese me meritë akademike: “Epo vajzë, shkollën duhet ta meritosh edhe ekonomikisht!”

Për studentët që s’do të munden t’i përballojnë studimet as nëpërmjet punësimit – i cili ndër të rinjtë është i rrallë edhe sot, lere më nesër kur sa e sa studentë do të vërshojnë në tregun e punës ende pa u diplomuar – qeveria ofron kredi studentore efekti ideologjik i të cilave do të jetë farkëtimi i një subjekti studentor borxhli. Ky i fundit jo vetëm do të jetë i bindur ndaj çdo autoriteti shkollor apo familjaro-fisnor sot, por nesër, nëse ka fatin të punësohet gjëkundi, do të jetë edhe më i bindur ndaj pronarit apo shefit të cilët me pushtetin për ta përzënë nga puna e kapin për fyti jo vetëm me zhdukjen e të ardhurave të përmuajshme, por edhe me kërcënimin e moskthimit të borxhit ndaj shtetit apo bankave.

Të gjitha këto karakteristika të ardhshme të subjektit studentor do ta shndërrojnë universitetin nga banesë të qenies studentore – analogjikisht me ç’e konsideronte Martin Heidegger-i gjuhën si banesën e qenies – në ndërmjetësues instrumental të studentit me diplomën. Nëse në rastin e parë universiteti nuk është instrument, por hapësirë e kushtetimit të studentëve dhe të kushtetuarit nga studentët, ku asnjëri s’bën pa tjetrin dhe të dy bashkë ndikojnë emancipueshëm shoqërinë, në universitetin e privatizuar ky i fundit është godinë a dyqan që shet kredenciale tregu, hamendësisht të vyera për mbijetesën ekonomike të studentit të hutuar në pashpresë.

Si përfundim, subjektet universitare (pedagogë e studentë) të farkëtuara sipas logjikës neoliberale në njërën anë do të reduktojnë rezistencën, ndërsa në tjetrën do të përshtaten intelektualisht, ndjenjësisht dhe fizikisht për të prodhuar efektet tregtarizuese dhe mallifikuese të një universiteti të tjetërsuar.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 10, 2015 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: