rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

SYRIZA parë nga Shqipëria

6Arbër Zaimi

Kriza greke e borxhit pruri në pushtet në janar të vitit 2015 një koalicion të kryesuar nga aleanca e radikalëve të majtë, e njohur tashmë botërisht si SYRIZA. Vetë ardhja në pushtet përbën risi të dyfishtë. Së pari, është hera e parë që spektri politik i majtë (përtej qendrës) prodhon një vektor të aftë për të marrë qeverisjen, që nuk është i natyrës staliniste. Së dyti, është hera e parë që një forcë e majtë merr pushtetin në Greqi, dhe në masë të madhe kjo është e vërtetë edhe për Bashkimin Evropian (po të mos llogarisim një vend të vogël si Qipro).

Për lexuesin tonë, ndoshta do të ishin interesante katër këndvështrime për ta analizuar “efektin SYRIZA” në këto gjashtë muaj qeverisje. Këto këndvështrime, me radhë, janë: këndvështrimi i shqiptarit; këndvështrimi i brendshëm i banorit/shtetasit të Greqisë; këndvështrimi i BE-së dhe këndvështrimi i së majtës botërore e nuancave të saja të shumta.

Në këtë shkrim do të merremi me këndvështrimin që na vjen më së lehti, atë të shqiptarit. Parë nga ky pozicion, disa arritje të SYRIZA-s janë shumë të rëndësishme. Sipas raporteve të brendshme e ndërkombëtare, Greqia në kaq pak muaj ka mbërritur të ofrojë një trajtim tejet dinjitoz për emigrantët, e kjo është për t’u vlerësuar, sidomos në kohën kur kriza ka prodhuar politikë anti-emigrantë në shumë vende të BE-së. Një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve në Greqi janë shqiptarë, dhe politikat e Greqisë me emigrantët janë të parat që duhet të na interesojnë në këtë drejtim. Le të jetë e ditur, problemet e emigrantëve shqiptarë në Greqi nuk kanë mbaruar, dhe vështirë se do të mbarojnë duke e njohur varfërinë që ka kapluar Greqinë dhe solidaritetin nacional që shpesh bëhet përjashtues në raste të tilla.

Por, qeverisjet e mëparshme, qofshin ato të PASOK-ut apo të Nea Dimokratia-s e koalicione të ndryshme, jo rrallë i kanë përdorur emigrantët si “scapegoat”, pra i kanë bërë “kurban” për të zgjidhur probleme të tjera të brendshme, për të tërhequr vëmendjen e popullatës, për të kënaqur nacionalizmat, për të shfryrë komplekset e rrjedhura prej krizës etj. Ende në kujtesën tonë jehojnë lajmet për famëkëqijat operacione “fshesa”, ku dhjetëra mijëra emigrantë shqiptarë dhunshëm ktheheshin në Shqipëri, pas trajtimit çnjerëzor të policisë, por edhe trajtimi si njerëz së dorës së dytë, si të dyshuar të përhershëm, si thuajse armiq. E pra, kjo kohë e ky mentalitet duket se është ndërprerë. Dhe për këtë, e ka një meritë të konsiderueshme SYRIZA, e cila e ka pasur pjesë të rëndësishme të programit të vet luftën kundër diskriminimit të emigrantëve.

I dyti problem i madh që kanë shqiptarët me Greqinë, është çështja e Kosovës. Vizita e ministrit të jashtëm grek në Kosovë (ishte hera e parë që një ministër i jashtëm grek viziton Kosovën, paçka se nuk u quajt vizitë historike se historike quhen vetëm vizitat e të mëdhenjve), solli gjithashtu disa risi. Kryediplomati i kabinetit të udhëhequr nga SYRIZA u shfaq i hapur si askush prej paraardhësve të tij për përmirësimin e marrëdhënieve Greqi – Kosovë, dhe ftoi qeveritarët e Kosovës të hapin zyra përfaqësimi në Greqi. Opinioni publik në Serbi ka reaguar ashpër kundër hapjes së Greqisë ndaj Kosovës, sepse sigurisht që, për ata që dinë të lexojnë gjuhën e diplomacisë, sinjalet e lëshuara nga Kotzias në Prishtinë e më pas në Tiranë, lënë të kuptohet se Greqia po hedh disa hapa të rëndësishëm drejt pranimit të njohjes së sovranitetit për Kosovën.

Nuk duhet të gënjehemi, njohja e Kosovës prej Greqisë nuk ka për të ardhur si pasojë e dashamirësisë, vetëdijësimit, apo ndryshimit të “pikëpamjes morale”, diplomacia shtetërore nuk vepron kësisoj. Por ndërthurja e rrethanave ekonomike e gjeopolitike me prirjet e SYRIZA-s si forcë që nuk ushqehet prej shovinizmit dhe nacionalizmit ekspansionist në politikat e saj, e prodhon këtë momentum. Sigurisht që Greqia në krizë ka nevojë për sa më pak probleme në rajon, e po ashtu ka nevojë për tregje të produkteve të saj, të cilat nuk “çajnë dot” në Bashkimin Evropian. Për të dyja këto arsye, stabilizimi i marrëdhënieve me shqiptarët shfaqet si synim i vlefshëm për shtetin më jugor të Ballkanit. Sigurisht që ne do të dëshironim më shumë, më shpejt, dhe është detyrë e diplomatëve tanë ta kërkojnë njohjen e Kosovës vazhdimisht, gjersa ta mbërrijnë. Por konfiguracionet e brendshme e të jashtme politike, të cilat rrallëherë janë ideale, e bëjnë diplomacinë sport më të ngadaltë se ç’dëshiron shumica, dhe ne detyrohemi të konsiderojmë vazhdimisht edhe kahjen, e jo vetëm shpejtësinë.

Problemi i tretë, jo më pak i rëndësishëm, është problemi çam. Çamët janë një popullsi e spastruar prej pjesës së krahinës së Çamërisë që aktualisht ndodhet në perëndim të prefekturës greke të Epirit. Çamët myslimanë janë përzënë prej atje në disa valë spastrimesh gjatë gjysmës së parë të shekullit XX, duke u detyruar të strehohen në Shqipëri, Turqi e gjetiu. Vala e fundit e spastrimit ka qenë pas Luftës II Botërore, kur forcat e djathta nacionaliste e monarkiste greke të cilët pasi morën pushtetin i shpallën çamët gjerësisht kolaboracionistë të pushtuesve fashistë e nazistë, ua sekuestruan pronat, ua revokuan shtetësinë. Akuza për kolaboracion popullor me aksin fashist nuk qëndron, sidomos duke patur parasysh që çamët u angazhuan gjerësisht në batalione partizane që luftuan në koordinim me forcat partizane të Greqisë, ndër to më i njohuri ishte batalioni partizan çam “Ali Demi”. Partizanët dhe forcat e majta greke e dinin këtë gjë, por humbja e tyre në luftën civile që pasoi Luftën II Botërore në Greqi, solli imponimin e rregullës së më të fortit, të të djathtëve grekë pra, që kishin qenë vetë në shtrat me fashizmin por për arsye gjeopolitike u pranuan në shtrat edhe nga perëndimi demokratik, i cili mbylli sytë dhe i bëri një favor (siç di të bëjë shpesh) duke toleruar spastrimin e çamëve.

Ndarja e shoqërisë greke gjatë luftës civile ka qenë ekstreme dhe vetëm mbështetja e ardhur prej perëndimit e garantoi fitoren e djathtistëve. Këta djathtistë e kanë mbajtur pushtetin pa ndërprerje për dekada me radhë, duke investuar tek nacionalizmi shovinist si ideologji popullore, duke investuar në ushtri, në “krenari” (psh. në Lojëra Olimpike etj) e në institucione represive (gjë që rriti borxhin), si dhe duke shtypur politikisht pasuesit e të majtës, bijtë a nipërit (ideorë) të partizanëve e të rezistencës, të cilët e mbajtën gjallë vektorin politik në lëvizje sindikale e shoqërore e në parti radikale, por pa patur kurrë mundësi t’i afrohen pushtetit. SYRIZA është rasti i parë kur, sajë krizës, ky raport ndryshoi.

Në Tiranë, kur u pyet për çështjen çame, ministri grek Kotzias mund të kishte vazhduar traditën e paraardhësve të tij, dhe të thoshte se “çështja çame nuk ekziston”, se “kjo është produkt i politikave nacionaliste”, se “kjo cënon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve”, etj. Ndërsa ministri i qeverisë së SYRIZA-s foli për “gabime historike” dhe “gabime të së shkuarës”, e kjo nuk është pak. Por ndoshta kjo është e parëndësishme për ata që kanë pritur që ministri i një shteti sovran të vinte në Tiranë e të vetëkamzhikohej duke bërtitur mea (nostra) culpa.

Ministri grek gjithashtu i ftoi të gjithë ata që kanë pretendime pronësore e trashëgimie në Greqi ta ndjekin çështjen në gjyqësorin grek. Këtu ndoshta qëndron një kleçkë. Sepse në Greqi qëndron në fuqi një ligj lufte, në bazë të të cilit janë sekuestruar pronat e çamëve. E këtu vijmë te problemi i katërt i shqiptarëve me Greqinë, që është vetë ligji i luftës.

SYRIZA, përmes kryediplomatit të saj pranoi se ekziston ligji i luftës, dhe konfirmoi se mes vendeve tona nuk ka situatë lufte, pra ligji është i panevojshëm. Në vijim, premtoi ministri i jashtëm grek, do të merren masat për ta ndryshuar këtë situatë, me akte ligjore të tjera. Sigurisht që ky ligj ka implikime pronësore e shoqërore, për këtë arsye grekët do të maten mirë para se ta bëjnë ndryshimin, në mënyrë që populli, shteti dhe ekonomia e tyre të preket sa më pak prej ndryshimit. Por i takon Shqipërisë që të jetë aktive në këtë proces, dhe të monitorojë hap pas hapi, në mënyrë që të mos përfundojmë pa ligj lufte, por me një ligj tjetër që pengon rifitimin e të drejtave të çamëve në Greqi.

Problemi i pestë është çështja e detit. Edhe pse është krijuar bindja se “grekët na e kanë futur” dhe se duan të na “marrin detin”, është me rëndësi të pohohet vazhdimisht se marrëveshja për ndarjen e kufirit detar me Greqinë ka qenë marrëveshje e nënshkruar prej të dyja palëve. Pra nëse ka faj dikush – si shtet, faj ka Greqia dhe Shqipëria bashkë. E nëse fajin nuk e ka shteti, por ata që qeverisnin asokohe, atëherë fajin e ka Nea Dimokratia greke dhe Partia Demokratike e Shqipërisë. Qasja e SYRIZA-s ndaj çështjes së detit është shumë normale për një vend që dëshiron njëherazi sovranitetin e vet dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Neve ndoshta do të dëshironim që SYRIZA të na ofronte në tabaka edhe ndonjë ishull jonian bashkë me detin, por ja që edhe ajo qeveri e ka një popull para të cilit duhet të japë llogari. Por, duhet vlerësuar fakti se SYRIZA ndryshe nga qeveritë e mëparshme greke është e hapur në diskutimin e kësaj çështje, dhe nuk imponohet me përdorimin e forcës apo të vetos për anëtarësim në BE. “Nëse nuk arrijmë në një marrëveshje për çështjen e detit” – tha Kotzias – “atëherë le të vendosë për këtë punë arbitrazhi ndërkombëtar”. Megjithatë, opinioni im është se nuk duhet të sillemi me çdo çështje si me punën e futbollit, ku arbitrazhi ndërkombëtar “na buzëqeshi”. Duhet të ketë një negocim serioz mbi këtë çështje, përtej çdo amatorizmi politik siç qe ai i marrëveshjes që u nënshkrua pak vite më parë.

Problemi i gjashtë, për ta përfunduar, ka qenë problemi i “konvertimit” të shqiptarëve në grekë në shkëmbim të pensioneve e të dokumentave, si dhe ajo e instrumentalizimit të minoritetit grek në Shqipëri si levë politike. Kjo praktikë është zbehur në masë të madhe, edhe si pasojë e krizës ekonomike. Nuk e dimë nëse ka qenë synim i SYRIZA-s të ndalë këtë ndërhyrje në punët e brendshme, por së fundmi duket që edhe mbështetja ekonomike për parti e partiza “vorioepirotase” ka rënë ndjeshëm, gjë që është reflektuar edhe elektoralisht. Sigurisht që një faktor i rëndësishëm në këtë proces është edhe forcimi  relativ (sado i zbehtë) i shtetit shqiptar dhe i ndjenjës nacionaliste-qytetare tek shqiptarët, të shfaqura në ndryshimin e disa praktikave institucionale e në disa fenomene të kulturës së masës. Por, edhe fakti se në Greqi nuk qeveris një parti me traditë nacionaliste e shovene, por një parti sovraniste-solidare, luan rol në uljen e veshëve të flamurtarëve “separatistë”, që i epitomizon Bollanoja i Himarës.

Ka edhe probleme të tjera mes dy vendeve, dhe siç ndodh rëndom mes fqinjëve, gjithnjë do të ketë probleme. Asnjëra prej qeverive nuk është engjëllore, dhe nuk duhet parë si e tillë. Pastaj historia, sidomos ajo e shekullit të fundit, sjell një trashëgimi të rëndë emocionale, sidomos për shqiptarët. Nuk është lehtë të pretendohet një normalizim ideal, e as nuk ka për t’u ndërtuar shpejt ky normalizim, duke ditur se të dyja vendet nuk e kanë prioritet numër një njëri-tjetrin, pasi janë të mbushura cit me halle. Sidoqoftë, të bësh nihilistin e të thuash se asnjë ndryshim nuk e sjell SYRIZA, do të thotë të biesh në esencializma primitivë e të thuash se greku është doemos i lig, e kur nuk është duhet bërë, sepse përndryshe nuk kemi si të justifikojmë komplekset.

Shkruar për Revistën Shenja

25 korrik 2015

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 19, 2015 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: