rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

A po shkojmë drejt post-demokracisë?

Arbër Zaimi

I

Funksioni shoqëror i opinionistëve nuk është ai i të paturit opinion. Opinion ka shumëkush, thuajse të gjithë. Por nuk ftohen të gjithë që ta shpërndajnë opinionin e tyre nëpër masmedia, as nuk marrin të gjithë honorare e pagesa për të botuar opinionin e tyre.

Po ashtu mund të themi se nuk është roli i opinionistëve të thonë “të vërtetën”. Të vërtetën e thotë ai që është i angazhuar në të, psh. të vërtetën shkencore e thotë vetëm studiuesi, shkencëtari; të vërtetën artistike e thotë vetëm studiuesi (kritiku) apo artisti (vetë arti është një trajektore hulumtuese, edhe pse sot mbizotëron koncepti komercial i artit si performancë); të vërtetën politike mund ta thonë vetëm qytetarët e angazhuar (e kurrsesi spektatorët apo profiterët); e të vërtetën dashurore mund ta thotë vetëm dashnori. Në këtë kuptim opinionisti mund të flasë e të shkruajë për të gjitha këto, por meqenëse agjenda nuk ia lejon thellimin (sepse duhet të shkruajë çdo javë mbi një temë të ndryshme, sipas aktualitetit), nuk thotë të vërteta. Noton në sipërfaqjen e klisheve. Meqë një nga klishetë më të shitshme në këto momente ekzibicionizmi masiv është “shkatërrimi i miteve”, jo rrallë opinionisti krijon vetë “mite”, ia mvesh ato të tjerëve, dhe pastaj fillon t’i “shkatërrojë”.

Në fakt, opinionistët janë ata që në momente të caktuara konfeksionojnë opinione të caktuara dhe ia servirin ato masave, si ushqim të gatshëm. Ata nuk paguhen për faktin se kanë opinion, por për faktin se përcjellin opinionin e duhur tek shtresat e gjera të shoqërisë.

Në shoqëritë e moçme (jo dhe aq të moçme sidoqoftë), këtë rol e bënin priftërinjtë. Ata përcillnin te masat atë që duhet të ishte “opinioni i duhur” apo “qëndrimi korrekt”. Këtë opinion priftërinjtë pretendonin se e merrnin përmes frymëzimit tërësisht hyjnor, edhe pse dihet prej studimeve të avancuara të antropologjisë kulturore, se jo rrallë frymëzimi vinte prej prijësit, mbretit a sundimtarit të kohës. “Opinionet e duhura” i përcilleshin njerëzve për t’i mbajtur ata më të qetë, më të bindur, më të shtruar, për t’i bërë të aplikueshme urdhrat e rendit primitiv (por jo vetëm primitiv). Për këtë bindje, jo rrallë njerëzve u premtohej një shpërblim real e material, ama jo në këtë botë por në botën tjetër. E ata që nuk bindeshin, jo rrallë shpalleshin heretikë, apostatë, blasfemues etj. Pra opozitarët, disidentët apo ata që kundërshtonin jo rrallë shpalleshin sektarë e sektet e tyre jo rrallë përndiqeshin gjersa shuheshin ose gjersa merrnin pushtetin.

Një prej tipareve tipike të këtyre priftërinjve-opinionistë ka qenë se vetëshpalleshin apolitikë, të paanshëm sa i përket çështjeve tokësore. Përmes kësaj përpiqeshin t’i largonin masat nga politika, e kësisoj t’ua bënin pushtetin më të lehtë sundimtarëve. E pikërisht për këtë konsiderohet se pozicioni i tyre, pavarësisht pretendimit për “paanësi politike” ka qenë thelbësisht politik madje i pushtetshëm. Ata ishin shërbëtorë të mbretërve, por, për të mbajtur mantelin apolitik, shpesh detyroheshin t’i kritikonin edhe vetë mbretërit. Ama kritika e tyre nuk jepte alternativa dhe në fund qe topitëse. Sepse propagandonin se secila politikë është e poshtër, secili politikan është gënjeshtar, secili regjim është shtypës. Kështu që nuk ia vlen të rrëzohet mbreti, as të angazhohesh kundër tij.

Me përfundimin e feudalizmit dhe me shfaqjen e kombeve në skenën e historisë, koncepti i pushtetit që vinte nga lart, pra nga zoti, te perandori e te mbreti, e më pas zbatohej në hierarki të ngurtë gjer tek shtresat e gjera që ishin tërësisht të papushtetshme dhe pa akses në politikë, u sfidua. Revolucionet kombëtare, që nisën në vende tepër të ndryshme sa i përket rrethanave, siç janë ShBA-të, Franca apo Haiti, sollën një koncept tjetër të pushtetit, ku sovran nuk ishte më mbreti e perandori, por pikërisht kolektivi i masave të gjera, i cili përbëhej nga qytetarët apo individët (të pandashmit). Pikërisht të qenët e tyre të pandashëm garantonte fuqinë e shtetit të ri, që u frymëzua nga republika e vjetër romake e nga polisi i vjetër grek. Në këtë moment historik u shfaqën në politikën njerëzore ideale të harruara prej kohësh, ato të demokracisë, të lirisë, të barazisë e të vëllazërisë. Bashkë me revolucionet kombëtare nisi përndritja (iluminizmi), arsimi publik e programet e shëndetësisë për masat, shkenca zu t’i marrë territor religjionit, e feudalizmi mori fund.

II

Dy shekuj më vonë, kur kapitali nisi të bëhet abstrakt e spekullativ, e kur bankat nisën të fuqizohen shumë më shumë se kolektivët njerëzorë, pra se shtetet e se kombet, mund të vihet re një proces regresi sa i përket vlerave të lindura në shekullin XIX.

Duke qenë vetë bankat, sistemet e kredive dhe vetë rregullimi i virtual i kapitalit në financa gjerësisht të bazuar tek besimi (gr. – pistis, lat. – credo), siç e ka analizuar edhe filozofi italian Giorgio Agamben, pushteti politik që rrjedh prej tyre de facto lyp një ndërrim të konceptit të sovranitetit popullor, që nis me zbutjen e tij (soft sovereignty) dhe përfundon me suprimimin real të organeve që e përfaqësonin atë, psh. mosrespektimin e parlamenteve kombëtare, ndalimin e referendumeve ose mosrespektimin e tyre, si dhe mosrespektimin e së drejtës së protestës etj. Kufijtë pra duhen shuar, taksat duhen ulur ose anuluar, shteti duhet të jetë sa më inekzistent, dhe normat me të cilat kolektivët specifikë rregullojnë jetesën e tyre duhen njësuar (globalizmi kulturor), pasi kjo ul kostot e qarkullimit të kapitalit dhe ia lë pushtetin absolut “tregut”, i cili punon si një prej hyjnive të moçëm. Prej “tregut” vazhdimisht marrim sinjale që duhen interpretuar, dhe nga interpretimi i saktë i atyre sinjaleve e nga zbatimi më pas i urdhëresave, varet shpëtimi i njërit apo tjetrit komunitet. Kuptohet, për të intepretuar këto sinjale ka nevojë për aftësi të veçanta, e ata që i kanë këto aftësi jo rrallë quhen ekspertë të ekonomisë (pra të “tregut”) . Ekspertët pretendojnë të jenë njohës, dhe refuzojnë ta quajnë religjion fushën e tyre. Ata këmbëngulin ta quajnë shkencë, edhe pse çuditërisht këta “shkencëtarë” të stërpaguar nuk mbërrijnë as të parashikojnë krizat, as të parashikojnë përfundimin e tyre. Dështimet e tyre i justifikojnë duke fajësuar popujt të cilët “nuk i kanë interpretuar si duhet sinjalet e “tregjeve”, apo shtetet që “nuk i kanë lënë tregjet të veprojnë të papenguar”.

Janë pikërisht këta “ekspertë” që veshin rrobën e opinionistit, apo të priftit modern. Njësoj si priftërinjtë e moçëm, shiten si të paanshëm e si apolitikë. Ndodh që i kritikojnë pushtetet, ama i kritikojnë veç për t’ua zgjatur jetën, sepse janë cinikë e nuk mendojnë se mund të ketë ndonjëherë ndonjë pushtet më të mirë se aktuali. Shpërndajnë mesazhe qortuese për popujt e për shtetet. Edhe në rastin e Kosovës sonë, jo rrallë e trajtojnë Kosovën (pra popullin e saj) si të ishte ndonjë fëmijë i vogël, madje ndonjë rrugaç. I thonë “Kosova bën gabime, Kosova edhe një herë nuk i bindet fuqive (prindërve, mësuesve), Kosova nuk duhet të sillet kështu e ashtu”. Paternalizim tipik prej prifti, jo më kot priftit i thërrasin shpesh edhe “atë”.

III

Vijmë në rastin konkret, në rastin e Gjykatës Speciale. Një prift i dikurshëm do të qe me perëndinë, pastaj me perandorin që merr pushtetin absolut prej perëndisë, pastaj me mbretin që merr kurorë nga perandori, e pastaj me baronët që janë vasalë të mbretit. E do të moralizonte mbi popullin apo kundër lëvizjeve që nuk e pranojnë këtë skemë të pushtetit. Një opinionist i sotshëm është fillimisht me “tregun e lirë”, pastaj me institucionet ndërkombëtare (të cilat sot pretendojnë më shumë se kurrë t’iu mbivendosen shteteve në emër të kapitalit), pastaj me qeverinë lokale që e merr pushtetin pikërisht sajë bindjes ndaj institucioneve ndërkombëtarë, e në fund, ndoshta edhe me ndonjë partizë nga ato që marrin pjesë në hierarkinë e bindjes. Dhe do të moralizonte kundër çdo lëvizje që e kundërshton skemën e bindjes.

Së fundmi psh. Lumir Abdixhiku duke operuar në të njëjtën skemë (me a padashje këtë nuk kemi mundësi ta dimë), fillon të ngrejë mite që pastaj i rrëzon lehtësisht. Ai thotë se kundërshtuesit paskan pretenduar se “… shqiptarët qenkan popull engjëllor, tërësisht i pastër”. Sigurisht që askush nuk e ka pretenduar këtë. Por zotit Abdixhiku i duhet ky pretendim, që të mund të bëjë dekonstruksionin e vet, ku thotë se “jemi si të gjithë njerëzit e tjerë…”. Përndritëse!

Por ky lloj gjykimi ka disa probleme. Së pari, ngre premisën (që është tipike për mendimin neoliberal), se të gjithë popujt janë njësoj. Kjo premisë është ahistorike. Sepse pavarësisht faktit që të gjithë popujt kanë brenda njerëz të ligj e të mirë, janë bëmat e tyre ato që përcaktojnë nëse në një moment të caktuar të historisë janë fajtorë apo jo. Sa për të marrë një shembull ekstrem, që ta bëj të qartë mendimin, edhe pse dihet se ka pasur njerëz të këqij sa të duash brenda popullit hebre, dhe njerëz të mirë gjer në dhimbje brenda popullit gjerman, pas Luftës II Botërore populli gjerman u shpall fajtor. Nuk mund të bëheshin gjithë ato mizori pa patur së paku konsensusin e heshtjes ose të mosrezistencës popullore. Edhe sot e kësaj dite, po të provosh të thuash se populli hebre e populli gjerman ishin të njëjtë por vetëm liderët dhe disa grupe politike e patën fajin, do të kesh probleme të mëdha së pari me Izraelin, e së dyti me një sërë shtetesh perëndimore, madje edhe me vetë Gjermaninë.

Së dyti, ky lloj gjykimi na lë të kuptojmë që përderisa nuk ka popull që nuk ka brenda fajtorë, atëherë nuk ka popull të pafajshëm, që nuk duhet gjykuar. Problemi këtu është i natyrës logjike. Nevojën për të gjykuar individin, grupin apo strukturën, në një moment historik, zoti Abdixhiku e ngatërron (besoj jo qëllimisht) me nevojën për të gjykuar një popull.

IV

Karl Jaspers, duke filozofuar mbi Luftën e Dytë Botërore dhe mbi fajin, evidentoi katër lloje të fajit. Së pari, faji kriminal, thyerja e ligjit e cila vërtetohet prej provave e dëshmive. Së dyti është faji politik, i një lideri që duke gabuar implikon në faj edhe popullin e vet. Së treti është faji moral, psh. ai i vartësit që merr një urdhër të gabuar prej eprorit. Nëse e zbaton do të jetë ligjërisht i pafajshëm por moralisht i fajshëm, nëse nuk e zbaton do të jetë ligjërisht fajtor por moralisht i pastër. Së katërti, është faji metafizik. Ky i fundit nënkupton se ekziston një frymë e respektit dhe solidaritetit ndaj qenies njerëzore, përtej çdo dallimi. Përdhosja masive e kësaj fryme, në rastet e spastrimeve e krimeve të përmasave të atyre që prodhon nazizmi, e bën fajin faj të një populli të tërë.

Vetëm faji i fundit pra, mund të konsiderohet që e bën një popull fajtor. Për këtë lloj faji u gjykua dhe u dënua Gjermania. Për këtë lloj faji ne kërkojmë që sot të gjykohet Serbia. E për këtë lloj faji, rusët e serbët duan që të gjykohet edhe Kosova, në mënyrë që të bëhet një barazim i padrejtë.

Për tre fajet e para, sigurisht që mund të ketë fajtorë në radhët e shqiptarëve. Por këta fajtorë, siç thotë edhe zoti Abdixhiku, nuk mund të barazohen as me një popull, as me një lëvizje siç ka qenë UÇK-ja. Këta janë individë ose grupe, e si të tillë janë gjykuar në gjykata të brendshme e ndërkombëtare dhe kanë marrë dënime apo pafajësi. Nuk ka nevojë për Gjykatë Speciale për krimet e tyre.

Por, Abdixhiku thotë me të drejtë se, drejtësia e brendshme nuk po funksionon, prandaj duhet Gjykata Speciale. Megjithatë, në shkrimin “Mitet rreth anti-Speciales” ai nuk ndalet të analizojë se pse nuk funksionon drejtësia e brendshme, pse nuk ka funksionuar deri më tani (siç thamë, shqetësimi i çdo prifti është që, ndërkohë që kritikon sadokudo edhe mbretin, të qortojë dhjetë herë më shumë çdo mosbindje, pasi ç’vlerë ka për priftin ndryshimi i një mbreti…).

Po të analizonte pak më shumë se pse nuk ka funksionuar drejtësia e brendshme në Kosovë, zoti Abdixhiku ndoshta do të vinte re se kjo drejtësi është e krimbur me korrupsion prej të njëjtës “elitë” vendore e ndërkombëtare që po propozon me vrull Gjykatën Speciale. Vetë gazeta “Koha Ditore” ka raportuar për korruptimin dhe keqfunksionimin e një tjetër arnimi ndërkombëtar të drejtësisë së brendshme, që është EULEX. Jemi po ashtu dëshmitarë të dështimit të drejtësisë ndërkombëtare apo “mbikombëtare” në rastin e UNMIK-ut. Si ka mundësi pra, që një zgjidhje të dështuar disa herë zoti Abdixhiku na e paraqet si “alternativë” të vetme?

Zoti Abdixhiku madje e mohon ekzistencën e çdo alternative duke përsëritur haptazi të famshmen formulë TINA të Thatcher-it (There Is No Alternative). Ai e quan besimin se Kosova mund të ketë drejtësi të brendshme funksionale një mit, pasi pushtetin e kanë uzurpatorët që nuk do të dënojnë kurrë vetveten. Ai nuk arrin të shohë se po këta uzurpatorë po mbështesin “fuqimisht” krijimin e Speciales, pasi janë të bindur se siç nuk u hyri gjemb në këmbë nga UNMIK e nga EULEX, nuk ka për t’u hyrë gjemb në këmbë as nga Specialja. Ose, në një variant që nuk e besoj, ndoshta Abdixhiku ka informacion mbi ndonjë epidemi të impulsit vetëvrasës që paska kapluar strukturat e SHIK-ut, të cilat janë sot me mish e me shpirt duke u përpjekur për Specialen që do t’u jepka fund krimit, pra vetë atyre.

maxresdefaultV

Do të ishte shumë vështirë për një historian perëndimor që t’i shpjegojë dikujt se ekziston një popull evropian që e ka traditë që të mos e kuptojë dot se si mund t’i thotë dikush “jo” të fortit. Apo të konceptojë se në shekullin XIX ka në Evropë popull që shpreson me gjithë fuqinë e elitës së vet që për veten e vet t’i thotë gjithnjë “po” të fortëve dhe “jo” të dobëtve. Popull që gjithnjë e sheh perandorinë e tashme si “vëlla të madh”, gjithnjë e sheh perandorinë e shkuar si “të keqe të madhe”.

Megjithatë, kjo nuk qenka aspak e vështirë për një ekspert.

Sigurisht që alternativa ndaj Speciales së propozuar ekziston, pasi ç’demokraci do të ishte po të mos kishte alternativë. Nëse e vetmja punë që mund të bëjë politika është të rregullojë velat e anijes, kjo i bie se duhet të shkojë “nga fryn era”. Por ky qëndrim është mistik e mitologjik, e jo racional apo politik.

Lëvizja VETËVENDOSJE! psh. e ka ofruar një alternativë për çështjen në fjalë. Pavarësisht “miteve” që ngrenë opinionistët mbi të, kjo Lëvizje nuk është kundër gjykimit të krimeve gjatë apo pas luftës, dhe as kundër drejtësisë për viktimat. VETËVENDOSJE! kërkon vetëm dy gjëra: a) që Gjykata për krime gjatë luftës të jetë pjesë e sistemit të gjyqësisë së Kosovës dhe jo ndërkombëtare, b) që gjykimi e drejtësia të mos jepën për një etni, por për të gjitha krimet, pavarësisht etnisë.

Është e vërtetë që kjo drejtësi nuk do të jepej kurrë me qeverinë e SHIK-ut. Por as drejtësi ndërkombëtare nuk do të ketë kurrë me qeverinë e SHIK-ut, sepse SHIK-u tani e ka provuar veten po aq të aftë për të korruptuar ndërkombëtarët. Kështu që nëse opinionistët e ndershëm do të interesoheshin me gjithë mend për drejtësi dhe kanë besim se ndërkombëtarët janë partnerë në këtë drejtës, atëherë në vend që t’i bëjnë moral popullit, le t’i bëjnë pak moral ndërkombëtarëve e le të kërkojnë prej tyre që ta heqin mbështetjen e vazhdueshme që ua japin dy partive të kapura nga SHIK-u, PDK-së dhe LDK-së.

Nëse vërtet duan drejtësi, gjykim të krimit dhe shpagim për viktimat, atëherë duhet këmbëngulur në heqjen e kriminelëve nga pushteti. Përndryshe, flasim vetëm për demagogji, dhe bëjmë propagandë vetëm për të justifikuar një Gjykatë Speciale e cila deri më tani kurrë nuk ka gjetur argumentim logjik, përpos rrejshmërive.

VI

Njëra nga rrejshmëritë e përdorura për të justifikuar Specialen është ajo e përdorur nga zoti Enver Robelli, i cili e akuzon VETËVENDOSJEN! si mbrojtëse të krimit, meqë duke iu kundërvënë Speciales na shpëtojnë pa dënuar kriminelët. Po të përdorësh të njëjtën logjikë të paqëndrueshme, i bie që zoti Robelli e disa shokë të tij na qenkan mbrojtës të drejtësisë sepse janë për Specialen. Po ashtu na qenkan mbrojtës të drejtësisë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Shaip Muja, Adem Grabovci e Isa Mustafa. Si mund t’i përgjigjesh një logjike të tillë?

Sigurisht që zoti Robelli, zoti Abdixhiku e kushdo tjetër ka të drejtë të ketë mendimin e vet, ashtu siç ka dhe favorin që ta botojë këtë mendim pa u penguar e pa u kërcënuar prej kujt. Ama, në demokraci kjo e drejtë i përket edhe të tjerëve. Përse u dashka sharë e poshtëruar VETËVENDOSJE! e cila nuk është se po mban ndonjë qëndrim të çuditshëm e të paparashikueshëm, por po mban të njëjtin qëndrim që e ka edhe në programin e saj?

Të njëjtin qëndrim VETËVENDOSJE! e ka patur edhe karshi EULEX-it, dhe asokohe opinionistët e vaktit e kanë sharë Lëvizjen po njësoj. Ja ku jemi, 7 vjet më vonë, ja ku janë edhe rezultatet e EULEX-it, të publikuara nga e njëjta gazetë që publikon edhe shkrimet e opinionistëve të nderuar. A nuk është e ndershme të pranohet se VETËVENDOSJE! ka patur të drejtë, dhe opinionistët jo? A nuk e shpjegon ky shembull se si “humbet koha” në Kosovë, meqë një nga shqetësimet kryesore të opinionistëve është se “po humbasim kohë”. Në të vërtetë do të kishte qenë shumë më efikase dhe do të kishim humbur shumë më pak kohë nëse Kosova do të kishte investuar energjitë e saj në një ekzekutiv të drejtë e në një gjyqësor të drejtë, duke i përjashtuar kombëtarët dhe ndërkombëtarët e korruptuar.

Kjo nuk bëhet brenda ditës. Hapi i parë për të ndërtuar institucione të forta në një republikë është respektimi i sovranitetit popullor. Ky sovranitet shfaqet te Kuvendi, ashtu siç ai është. Kuvendi u shpreh për Gjykatën Speciale duke mos e votuar atë. E tani opinionistët dalin kundër vendimit të Kuvendit. A nuk është kjo një lëvizje direkte kundër sovranitetit republikan (të cilin një opinionist e quajti “pallavër), pra atij demokratik i cili siç thamë në fillim, ushtrohet nga poshtë, pra nga populli, përmes zgjedhjeve? A nuk është kjo një reminishencë e sovraniteteve të moçme, atyre që vinin nga lart, përmes frymëzimit “hyjnor”, dhe që nuk kishin “alternativa”.

Për ekonominë tonë nuk paska mundësi të vendosim, për privatizimet jo, për qeverinë jo, për drejtësinë jo. Vetëm mund të punojmë (ata që kanë fat), të konsumojmë (pa dert) dhe të paguajmë taksa (ata që s’kanë kushërinj “të fortë”). Kjo është e ardhmja jonë? Megjithatë, nuk e besoj të jetë ky regjimi post-demokratik ku duan të na çojnë disa opinionistë.

 

Botuar me shkurtime në Koha Ditore, dt. 04.05.2015

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 7, 2015 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: