rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Gjykata Speciale dhe shqiptarët “borxhlinj”

Arbër Zaimi

Historiani e antropologu David Graeber në veprën e tij kushtuar historisë së borxhit prej një qytetërimi tek tjetri në 5000 vitet e fundit, e paraqet borxhin ndër të tjera si një instrument jo thjesht ekonomik, por edhe politik. Borxhi, sipas Graeber, prej së moçmi është konceptuar si mjet për të disiplinuar e për të mbajtur nën kontroll “borxhlinjtë”, pra një mjet për të lehtësuar qeverimin (governance) dhe qeverisshmërinë (governability), dy koncepte të hyra në modë në politologji bashkë me korporatizimin e qeverisjes, sidomos pas viteve ’90 të shekullit të kaluar. Teorinë e borxhit si instrument qeverisës, pra si instrument pushteti, e mbështesin edhe një sërë teoricienësh të tjerë, ndër të fundit edhe Maurizio Lazzarato, i cili tek libri i tij “Mbrujtja e Njeriut-Borxhli” rrëfen se si jo rrallë pushtetet janë të interesuara që ta shtien në borxh një komunitet të caktuar, një grup, një shtresë, një popullatë a një popullsi, pikërisht sepse përmes borxhit e desubjektivojnë, ia bëjnë më të vështirë pavarësinë politike, e kontrollojnë më lehtë.

Nëse e pranojmë përfytyrimin e borxhit si instrument qeverisës, e nëse e nënkuptojmë se pushtetet shpeshherë krijojnë “borxhlinj” pikërisht që të mund t’i qeverisin më lehtë, mund të shtrohet teza se ky mjet është përdorur edhe aktualisht po përdoret në Kosovë, prej pushtetit, për të stepur popullin e Kosovës në procesin për arritjen e synimeve të veta politike (ose së paku të shumicës së vet), synime siç janë pavarësia, reciprociteti me fqinjët, demokracia, ekonomia zhvillimore dhe solidare, apo, ç’është më e dëshiruara, bashkimi me Shqipërinë.

Krijimi i një populli-borxhli në Kosovë, që nënkupton edhe krijimin e qytetarit-borxhli që është pjesë e atij populli, që të argumentohet, nënkupton fillimisht t’i jepet përgjigje disa pyetjeve sa i përket të interesuarve që dëshirojnë ta përdorin këtë mjet, synimeve të tyre, dhe mënyrave që përdorin për ta ndërtuar mjetin në fjalë.

Pushteti që është i interesuar ta përdorë këtë mjet për të legjitimuar vetveten, pra për të lehtësuar qeverimin e vet, siç kemi argumentuar tashmë në tekste të tjera, në rastin e Kosovës është trepalësh. Ai është i përbërë nga: ndërkombëtarët, prezentë në Kosovë përmes institucioneve sovrane jodemokratike e jorepublikane, të cilat qeverisin sfera të ndryshme publike e politike të Kosovës me mandat prej Brukselit apo prej Nju Jorkut; strukturat paralele të Serbisë të cilët operojnë në Kosovë me urdhra direkte prej Beogradit; dhe oligarkët vendorë, të cilët operojnë në kontroll të ekonomisë importuese, administratës publike, medias e shoqërisë civile. Këto tre palë të pushtetit funksionojnë në bashkëpunim, edhe pse janë tepër heterogjene. Ato e shantazhojnë popullin pikërisht përmes njëra-tjetrës, për të zgjatur bashkekzistencën e tyre në pushtet. Kur qytetarët ngrihen në protestë kundër njërës palë, kërëcënohen e tremben prej tjetrës (psh. prej largimit të ndërkombëtarëve, apo prej rikthimit të Serbisë) e kështu me radhë.

Të treja palët e këtij pushteti kanë nevojë të ndërtojnë një borxh tek qytetarët.

Borxhet janë të dy llojeve, materiale (ekonomike) dhe morale. Në rastin e ndërkombëtarëve, ata janë kujdesur të ndërtojnë të dyja llojet e borxheve, duke e betonuar mirë prezencën e tyre në pushtetin që qeveris popullin e Kosovës. Është e qartë se ky popull ndihet në borxh ndaj ndërkombëtarëve, sidomos për ndërhyrjen në ndihmë të luftës çlirimtare të UÇK-së, por jo vetëm.

Sa i përket luftës, ndërkohë që faktorë të rëndësishëm ndërkombëtarë e perëndimorë u bënë aleatë vendimtarë të shqiptarëve, duke përcaktuar kështu edhe fatin e luftës, rrallëherë flitet për faktorët perëndimorë që ishin kundër luftës, apo që ishin asokohe aleatë të Serbisë, apo që pas lufte ndihmuan serbët në spastrimin e shqiptarëve prej veriut të Kosovës, e kështu me radhë. Përkundrazi, edhe ata ndërkombëtarë e perëndimorë që nuk kanë qenë ndihmës të luftës, përfitojnë po njëlloj prej aureolës së “çlirimtarit”, tash që kjo çështje është shndërruar në instrument të borxhit moral. Aq shumë është investuar në këtë ideologji të borxhit, sa që 15 vite pas luftës jo rrallë haset publikisht teza se “vetë shqiptarët” nuk kanë qenë aspak faktor në luftën për çlirim, e se UÇK-ja nuk ka ndonjë meritë. Ky është desubjektivimi për të cilin flasim.

Përveç megaborxhit moral të çlirimit, ndërkombëtarët kanë krijuar edhe borxhin material, ekonomik në Kosovë. Përmes akordimit të ndihmave për Kosovën është e vërtetë që është bërë diçka, megjithatë po të shqyrtosh raportet financiare të misioneve ndërkombëtare, vihet re se shumica e parave dhe e materialeve të akorduara si “ndihmë për Kosovën” në fakt shkojnë për të paguar stafin e shtrenjtë ndërkombëtar, ushtarë e policë, burokratë etj, dhe vetëm një pjesë e vogël shkon të investohet në terrenin apo popullin e Kosovës. Edhe tek ajo pjesë e vogël, një sasi të caktuar e marrin pushtetarët vendorë, oligarkët dhe bosët e shoqërisë civile e medias, ndërsa populli vijon të mbetet i stërvarfëruar. Por, përmes ideologjisë së borxhit, populli i stërvarfëruar nuk mund të mos ndihet në pozitë të borxhliut karshi “bamirësisë” së ndërkombëtarëve. Dhe falënderimet kurrë nuk reshtin.

Sa i përket pjesës tjetër të pushtetit, apo bosëve vendorë, këta kanë një mënyrë tjetër për të krijuar borxhin si instrument vetëlegjitimues. Përgjithësisht këta “shefa” funksionojnë përmes klientelave dhe klaneve. Pasuesit e tyre janë borxhlinj në sensin direkt, sepse të kesh një punë, apo një të ardhur sot në Kosovë, në shumicën e rasteve nënkupton që dikush të ka ndihmuar. Dhe atij që të ka ndihmuar i detyrohesh diçka, apo jo? Ky detyrim kthehet me gjithë kamatë në ditën e zgjedhjeve, kur një i punësuar është i detyruar të paraqesë 10 e më shumë vota për subjektin që e ka shtënë në punë.

Kur vjen puna tek keqfunksionimi i shtetit e i administratës, i drejtësisë apo i ekonomisë, këta e kanë shfajësimin të lehtë. Vendorët thonë: s’mundemi ta mbrojmë produktin vendor se s’na lënë ndërkombëtarët; ndërkombëtarët thonë: s’po mundemi me EULEX-in të sjellim drejtësi sepse shqiptarët këtu janë shumë të korruptuar dhe nuk e durojnë drejtësinë, e kështu me radhë. Faji mbetet jetim, ndërkohë që borxhi i popullit ndaj tyre nuk cënohet, përkundrazi shtohet.

I vetmi element i pushtetit që nuk e gëzon privilegjin e përdorimit të borxhit si instrument, janë strukturat paralele të Serbisë. Deri më tash ky popull është ndjerë e vazhdon të ndihet në borxh deri në fyt ndaj ndërkombëtarëve e ndaj bosave e oligarkëve shqiptarë, por ende askush nuk ndihet në borxh ndaj Serbisë e ndaj strukturave paralele serbe. Dhe ky është problem, pasi prish ekuilibrat e pushtetit trepalësh. Serbia nuk mund të pajtohet që, si pjesëmarrëse e pushtetit në Kosovë, të ketë më pak legjitimitet se dy pjesët e tjera. Kështu që, duhet krijuar edhe një borxh i ri, një shpikje ideologjike, që të bëjë që populli i Kosovës të ndihet fajtor edhe ndaj Serbisë, e kësisoj të pranojë edhe “zajednicën”, edhe bosnjëzimin, edhe Listën Srpska, e çmos tjetër.

Strategjia që populli i Kosovës të bëhet borxhli edhe ndaj Serbisë ka nisur të funksionojë në mënyrë banale, përmes mashtrimeve të disa “figurave” ndërkombëtare, si prokurori zvicerian Dick Marty, që hodhi publikisht tezën se shqiptarët në luftë paskan trafikuar organe, apo si ndonjë tjetër që ka patur pretendime të ngjashme. Edhe pse hetimet kanë qenë të shumta, gjer më tash nuk ka patur prova të këtyre pretendimeve. Por, një fjalë thotë “shpif shpif, se diçka do të mbetet”. Tashmë këtë parim e njohim mirë si shqiptarë, meqenëse edhe mediat dhe diskursi politik i brendshëm na është mbushur me shpifësa, të cilët tentojnë të barazojnë të bardhën me të zezën, Albin Kurtin me Hashim Thaçin apo me Edi Ramën, e kështu me radhë, duke e paraqitur politikën si burim infeksioni dhe jopolitikën (lexo individualizmin) si shpëtim.

Meqenëse shpifjet e Dick Marty-t nuk prodhuan ndonjë gjë të madhe, atëherë duhet një përpjekje më serioze për ta bërë popullin e Kosovës të ndihet në borxh ndaj Serbisë dhe strukturave të saja paralele. Kjo përpjekje është Gjykata Speciale, një trupë “ad hoc” dhe pa precedent sa i përket të drejtës ndërkombëtare. Kjo Gjykatë jo vetëm që është anti-kushtetuese, por edhe antidemokratike në Kosovë, pasi askush nuk e dëshiron një të tillë. Mirëpo, angazhimi total i diplomatëve ndërkombëtarë shumë lehtë arrin ta “amendojë” kushtetutën, sidomos duke patur parasysh servilizmin e pushtetarëve vendorë ndaj tyre. Për t’u përmendur ishte presioni i lëshuar nga ambasadorja e SHBA-ve në Prishtinë, T.A.Jacobson, e cila tha se nëse Kuvendi nuk i miraton amendimet që lejojnë krijimin e Gjykatës Speciale, atëherë SHBA-të nuk do ta ndihmojnë Kosovën në Këshill të Sigurisë në OKB, përballë pretendimeve ruse. Ky është kërcënim direkt që një vend shumë i fuqishëm ia bën një vendi shumë të dobët. Në SHBA termi për këtë fenomen është “bullying”. Organizata e Kombeve të Bashkuara, e themeluar për të harmonizuar interesat e kombeve të mëdha e të vogla përdoret kështu skandalozisht si kërcënim.

Instalimi i Gjykatës Speciale është në kundërshtim të plotë me karakterin dhe subjektivitetin e Republikës së Kosovës, dhe e zhvesh shtetin e Kosovës edhe në aspekt formal sa i përket shtetësisë dhe karakterit republikan. Në paragrafin 1 të draft-amendamentit të Kushtetutës, përmendet pikërisht borxhi, sepse është shprehur nevoja për përmbushjen e të ashtuquajturit “obligimit ndërkombëtar” të Republikës së Kosovës në lidhje me Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Si rrjedhojë e këtij obligimi Republika e Kosovës po e krijon bazën kushtetuese për të themeluar një organizëm paralel të gjyqësisë i cili do të organizohet në Dhomat e specializuara dhe të një Zyre të Prokurorit të specializuar. Ndonëse në pasuesin e këtij paragrafi është theksuar se ky organizëm gjyqësor do të veprojë në kuadër të sistemit të drejtësisë së Kosovës, sipas përmbajtjes së draft-amendamentit askund nuk specifikohen elementet e varësisë së këtij organizmi në raport me organet kushtetuese. Pra, emërimi, përzgjedhja dhe përgjegjësia e bartësve të këtij organizmi nuk është sanksionuar fare, madje i janë njohur kompetencat e veçanta në aspektin lëndor ekzekutimit të sanksioneve penale të shqiptuara nga trupat gjykues të këtij organizimi paralel.

Kjo Gjykatë Speciale përveçse do të jetë tërësisht sui-generis dhe do të themelojë dystandardësinë në gjyqësorin në Kosovë, sjell me vete edhe probleme të lidhura me të drejtën e luftës. Duke i gjykuar shqiptarët e UÇK-së për krime lufte, gjithnjë e më shumë do të forcohet koncepti tashmë i propozuar për 1999 si konflikt, e jo si luftë çlirimtare. Duke gjykuar individë të UÇK-së për krime lufte, do të forcohet pretendimi ideologjik se “shqiptarët janë në borxh ndaj serbëve, pasi i kanë masakruar ata”. Sigurisht, ndërkombëtarët dhe propozuesit e Gjykatës Speciale nuk e pranojnë këtë. Ata thonë se Gjykata Speciale nuk do ta ndotë UÇK-në dhe se ajo është diçka e parrezikshme. Por po të ishte vërtet kështu, a do të kishte nevojë të angazhoheshin të gjitha ambasadat e të gjithë diplomatët që vizitojnë Kosovën, duke lëshuar edhe kërcënime si ato që përmenda më sipër, që nuk kanë të bëjnë me gjuhën diplomatike? Pastaj, pse krijohet kjo Gjykatë vetëm për shqiptarë? Në atë luftë ka pasur edhe serbë, apo e harruan vallë këtë fakt? Si ka mundësi që Serbia, e cila me ushtri e politika qeveritare sistematizoi dhunën më brutale në Ballkanin e viteve ’90 nuk detyrohet të themelojë një gjykatë të tillë, e Kosova po? Disa thonë se kjo vjen për shkak të dështimit të drejtësisë vendore në Kosovë. Por për këtë a nuk mbajnë përgjegjësi po ashtu ndërkombëtarët, pa lejen e miratimin e të cilëve nuk ka ndodhur asgjë në Kosovën e 15 viteve të fundit?

E sa për ata që mendojnë se Gjykata Speciale do të ndihmojë për të “vënë drejtësi” në Kosovë, edhe pse në tekste të tjera e kemi argumentuar tashmë dështimin e idesë së “importit” të drejtësisë, mjafton të kujtojmë dy gjëra. Së pari, se sa drejtësi mund të sjellë Gjykata Speciale e trupa të ngjashme, e dëshmon më së miri EULEX-i. Së dyti, po të qe për të dënuar kriminelë e abuzues, atëherë pse nuk ndërtojnë një trupë gjyqësore vendore, brenda kornizës ligjore të Kosovës, e cila nuk merret me luftën si të tillë, por me individët, para, gjatë e pas luftës, dhe që nuk gjykon vetëm shqiptarët, por edhe serbët?

Argumentat në kritikë të Gjykatës Speciale janë të shumtë e të natyrave të ndryshme, ato janë dërguar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në Kuvend, janë publikuar nëpër media e janë bërë prezentë tek faktorët ndërkombëtarë. Por gjer më tash askush nuk i është përgjigjur seriozisht këtyre argumenteve. Për shkak se vetë ideatorët e saj nuk munden të përgjigjen seriozisht, pasi Gjykatën Speciale nuk e kanë menduar si institucion të drejtësisë, por pikërisht si mjet të ndërtimit të borxhit. Që shqiptarët të mos jenë borxhlinj veç ndaj ndërkombëtarëve dhe oligarkëve vendorë, por edhe ndaj serbëve.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Maj 19, 2015 nga te Drejtësi, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: