rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

16 vjet pas luftës: Pushteti, krimi dhe tre lloje intelektualësh

 

Arbër Zaimi

Menjëherë pas Luftës II, në 1945, regjizori italian Roberto Rossellini nxori filmin “Roma, qytet i hapur”. Në film përshkruhej Roma nën pushtuesit gjermanë, jeta në gjendje shtetrrethimi, dhuna dhe paparashikueshmëria, por njëkohësisht solidariteti mes italianëve, organizimi i rezistencës, lufta për çlirim. Mes kohëve më të errëta një popull e gjeti fuqinë të bashkohej dhe të mos lejonte të mbetej përfundimisht përdhe. Në filmin e famshëm të Rossellinit jepet tejkalimi i vetvetes në emër të kolektivit, partizanë komunistë, nacionalistë italianë, klerikë fetarë e njerëz të bindjeve të ndryshme bëhen bashkë për të luftuar pushtuesin. Por ndoshta, skena ku vetësakrifikimi kap kulmin është ajo ku aktorja kryesore (e luajtur nga Anna Magnani), rend pas makinës së gjermanëve që kanë arrestuar burrin me të cilin do martohet. Ajo nuk ndahet dot nga ai, dhe rend drejt kamerës, apo drejt publikut të kinemasë, që e sheh siç do ta kishin parë edhe gjermanët të cilët i japin fund vajit të saj dhe e vrasin në mes të rrugës. Duket trishtuese, por edhe në gjëmën e mbledhur rreth trupit pa jetë të aktores kryesore gjenden farat e shpresës. Populli mblidhet ta vajtojë. Fëmija i saj shpëton, dhe fëmija, siç dihet, simbolifikon të ardhmen. E ç’është më e rëndësishmja, ajo vdes për dashuri, e aty ku vdiset për dashurinë, aty ku dashuria (për burrin a gruan, fëmijën a prindin, bashkëluftëtarin, mësuesin a nxënësin, për njeriun a komunitetin, për qytetin a për atdheun, për idenë a idealin) mund të jetë aq e fortë dhe e plotë sa të çojë në vetësakrifikim, aty ka ende shpresë.

Magnani tek "Roma Citta Aperta"

Magnani tek “Roma Citta Aperta”

Shtatëmbëdhjetë vjet më pas, një tjetër regjizor i madh italian, Pierpaolo Pasolini nxori një film të titulluar “Nëna Romë” (Mamma Roma). Si aktore kryesore Pasolini mori të njëjtën Anna Magnani, duke dashur të ndërtojë një lidhje simbolike me filmin e Rossellinit. Magnani tek “Nëna Romë” luan rolin e një gruaje të varfër, e cila e ka lënë djalin e saj të rritet në fshat, ndërkohë që vetë ka punuar për 16 vite si prostitutë, për të mbledhur ca para e për të ndërtuar një jetë të mirë për djalin e saj. Kur i biri i mbush 16 vjeç, Nëna Romë (kjo është nofka e saj), heq dorë nga zanati i vjetër i të pafatëve, blen një shtëpi të re, e merr djalin nga fshati, dhe nis një punë “për së mbari”, si tregtare perimesh në tregun e qytetit. Gjatë gjithë filmit ajo shqetësohet vetëm për të birin, mishërohet tek ai, përpiqet ta mësojë të mbijetojë suksesshëm, t’ia heqë nga koka idetë revolucionare, t’i gjejë një punë, por kjo nuk është e lehtë. Të gjesh punë, duhet mik. Ajo i lutet priftit që të hyjë mik për ta punësuar si kamarier te ndonjë restorant i ndonjë besimtari të pasur, por prifti refuzon, duke i thënë se për këto punë duhet shkollë. Pa shkollë – i thotë prifti – vetëm në punë krahu, në ndërtim mund ta dërgojë të birin. Por Nëna Romë nuk dorëzohet. Meqë nuk e ndihmoi prifti, ajo kërkon ndihmë tek ish-koleget e saja prostituta, që gatuajnë një kurth për besimtarin pronar restoranti, dhe e bindin ta punësojë djalin e Nënës Romë. Kështu zhvillohet historia, deri sa, në një moment djali e merr vesh se ç’punë kish bërë e ëma në të shkuarën. Ai e lë punën, dhe fillon të vjedhë bashkë me ca shokë të lagjes. Por e kapin shpejt, e lidhin, dhe e lënë në qeli, ku vdes nga ethet. Nëna Romë merr vesh për vdekjen e dritës së saj, së cilit i kishte kushtuar gjithçka. Tenton të vetëvritet, por nuk e lënë.

Magnani tek "Mamma Roma"

Magnani tek “Mamma Roma”

Filmi i dytë është shuarësi i çdo shprese që mund të kishte mbetur gjallë nga filmi i parë. Aktorja kryesore (vetë Italia?) vdes tek i pari e rron tek i dyti, por si rron? Fëmija dhe shpresa mbeten gjallë tek i pari, e tek i dyti vdesin. Dashuria, solidariteti, rezistenca, të gjitha këto janë harruar dhe vendin e ka zënë pabarazia, servilizmi, individualizmi, mediokriteti, banaliteti…

Ndonjëherë duket sikur Kosova ka ecur në të njëjtin shteg në 16 vitet e pasluftës. Prej një shoqërie optimiste, solidare, vetësakrifikuese e bartëse e vlerave të domosdoshme për të themeluar qytetërim, Kosova ka përfunduar 16 vjet më vonë në një pesimizëm të thellë. Territori, trupi i vendit shitet pa pikë turpi prej zotërve të saj, që e konsiderojnë veten kodoshë absolutistë, dhe Kosovën e trajtojnë si robinën e tyre, për ta prostituuar. Populli i zhveshur prej vlerave të solidaritetit është reduktuar në individë, të cilët të gjithë garojnë me njëri-tjetrin për të gjetur ndonjë vend pune në strukturat klienteliste, në krye të së cilave rrinë kodoshët në fjalë. Arsimi është zero, analfabetizmi real dhe ai funksional sundojnë gjer edhe në katedra universitetesh, zyra ministrash e redaksi mediash. Kultura përndiqet dhe artistët e vërtetë poshtërohen prej banalitetit servil të promovuar nga politikat zyrtare kulturore. Vetë trupi i rrëgjuar i popullit nuk ka ku të marrë melhem, në vendin me shërbimin më të keq shëndetësor në të gjithë Europën, ndërkohë që jeton i kequshqyer, me miellin për kafshë e me qumështin toksik që importohet nga Serbia, me mish të cilësisë së tretë nga Brazili, me perime nga India, e kështu me radhë. Punë s’ka, edhe pse non-stop punojnë Ferronikeli dhe Centralet e Obiliqit, që nxijnë qiellin me ndotjet e pakontrolluara prej askujt.

Në këtë situatë, të cilën asnjë luftëtar çlirimtar nuk do ta kish parashikuar 16 vite më parë, nuk mund të mungojë krimi. Aty ku mbijetesa jetësore është çështje konkurrence, krimi sundon sovran. E gjejmë aty të gjithë spektrin e krimit, prej atij në familje e në rrugë, të ashtuquajtur krim “ordiner”, apo “i vogël”, e deri tek krimi i organizuar, kontrabanda, trafiqet. Por më i rrezikshmi prej të gjithëve është krimi në pushtet, kapja e shtetit, mbytja e çdo perspektive për zhvillim normal e demokratizim të këtij populli.

Sipas intelektualit-gazetar, këto akuza që unë po lëshoj, mjafton të vërtetohen dhe drejtësia do të funksiononte. E nëse s’funksionon drejtësia, mendon intelektuali-gazetar, mjafton të publikohen të dhënat për vërtetimin e akuzave, dhe populli do të vërshojë në rrugë, do ta detyrojë drejtësinë të funksionojë. Kështu pra, në optikën e intelektualit-gazetar, mjafton të hulumtohet seriozisht dhe të publikohet pa u trembur, dhe do të bëhet e mundur “sh-kapja” e shtetit, pse jo edhe ndërrimi i elitave. Sipas slloganit “truth will set you free”. Sepse fajin e kanë elitat, nuk mund ta ketë populli, e kështu me radhë përsëriten një sërë klishesh korrekte.

Por, kjo premisë është demonstruar tashmë e pavërtetë. Janë publikuar regjistrime telefonike mes “liderëve”, janë publikuar abuzimet e tyre me pushtetin që kanë mbërritur gjer edhe në rrahje të policëve, janë publikuar vazhdimisht rrenat e tyre, abuzimet me tendera, pasurimet galopante, ryshfetet etj. Janë publikuar edhe dihen botërisht kapjet e kërcënimet e gjyqësisë dhe prokurorisë, siç dihet tashmë edhe korruptimi i EULEX-it, që erdhi nga “perëndimi” pikërisht për të na ndihmuar në vendosjen e drejtësisë. Ku është pra reagimi popullor? I mpirë!

Mpirja nuk duket se ka zënë vetëm shqiptarët në Kosovë. Shihni psh. në Maqedoni, pas gjithë publikimit të përgjimeve, ku rezulton se Ali Ahmeti e Menduh Thaçi qenkan kontrolluar gjithë kohës nga shërbimi sekret maqedonas, dhe se janë përdorur për të shtypur popullin e vet, për të delegjitimuar luftën, për të dënuar në procese të montuara shqiptarët, për të lënë në varfëri ndërkohë që vetë stërpasurohet, për të mashtruar e për të dhunuar këdo që nuk është pjesë e lojës.

E njëjta mpirje dhe në Shqipëri, ku Ilir Meta vijon të jetë në pushtet edhe pas përgjimit të famshëm, i cili nxori në protestë qindra mijëra njerëz në 2011, por kjo protestë në vend të drejtësisë prodhoi shtim të shtypjes. Dhe tash, në Shqipëri, Ilir Meta kërkon dekriminalizim duke u përballur me Tom Doshin, në një situatë që po zbulon gjithnjë e më shumë atë që të gjithë e dinin, kriminalizimin kapilar të skenës së pushtetit në Shqipëri, si në pozitë ashtu edhe në opozitë.

Po të shohësh ç’ndodh në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, përnjëmend dëshpërohesh. Intelektuali-cinik do t’i shtonte pezm këtij hidhërimi duke thënë se është e kotë të protestosh, secila protestë prodhon sërish pushtet, dhe pushteti sidoqoftë prodhon të njëjtën gjë që e kemi tani. Le të përqendrohemi tek mbijetesa, do të thoshte intelektuali-cinik, pasi politika është domosdoshmërisht kurvë e nuk mund të pretendojë askush ta rregullojë, sidomos në këtë botë kur autoriteti etik është i pamundur të rithemelohet, sepse na kujton të shkuara të pakëndshme… Me nihilizmin, skepticizmin e pashërueshëm, ndonjëherë solipsizmin e vet, intelektuali-cinik shndërrohet kështu në një mjet të leverdisshëm për pushtetin, në një instrument për të ruajtur statusquonë, pikërisht duke vrarë shpresën përmes përgjithësimeve të pasakta dhe mistifikuese.

Ndërkohë, qytetari i zakonshëm shpeshherë shpreson që kriminelët në pushtet do t’ia hanë kokën njëri-tjetrit. Por, siç tregon studimi i historisë dyshekullore të organizatave të cilat përziejnë bashkë pushtet edhe krim, siç janë mafia e kamorra në Itali, supozimi se “ata do të heqin qafe njëri-tjetrin” është vazhdimisht i gabuar. Edhe nëse aktorët e këtij spektakli politiko-kriminal kanë interesa të përkundërta apo konkurrente, siç kanë qenë përplasjet e kohëve të fundit në Kosovë mes Baton Haxhiut dhe Margarita Kadriut, apo mes Devollëve dhe Berat Buzhalës etj., ata kurrë nuk “ia hanë kokën” njëri-tjetrit. Jo se duan ta ruajnë njëri-tjetrin, por sepse skena e krimit funksionon kështu, me përplasje që kanë si qëllim krijimin e iluzionit të pluralizmit në krim, ndërkohë që prej përlasjeve krijohet shansi për përbaltjen e kujtdo tjetër, dhe publiku mbahet pezull para ekraneve për të mësuar se “kush do të fitojë” në luftën mes bandave.

Na duhet ta ndërpresim rrugën që çon prej intelektualit-gazetar tek intelektuali-cinik. Është tashmë e qartë, nuk mjafton publikimi i provave dhe vërtetimi i atyre që të gjithë i dinë për të sjellë drejtësi. Por, nuk mund të dorëzohemi e të themi se drejtësia është e pamundur, e të kridhemi në errësirën e relativizmit absolutist.

Arsyet pse njerëzit rrinë të mpirë dhe nuk revoltohen edhe kur mësojnë se ka prova që vërtetojnë atë çka të gjithë e dinin pa patur nevojë për prova i ka shpjeguar 80 vite më parë Antonio Gramsci, kur hulumtonte konceptin e hegjemonisë. Filozofi italian shpjegoi se pushtetet nuk mbesin në këmbë vetëm me dhunë, por sidomos përmes përgjithësimit të besimeve dhe ideve të tyre në popull. Me pak fjalë Gramsci shpjegoi se idetë sunduese (pra idetë me përhapje më të gjerë e me më shumë ndjekës) janë gjithnjë idetë e atyre që sundojnë (pra produkt i atyre pak vetave që mbajnë pozitën e elitës në shoqëri).

Në këtë sens ideja e individit si e vërtetë absolute është kyç për hegjemoninë e pushtetit kriminal në Kosovë, e më gjerë tek shqiptarët. Nuk mund të ketë dekriminalizim pa ndodhur një ndryshim i kësaj ideologjie.

Individualizmi ekstrem e riprodhon në mënyrë të pafundme pafuqinë, si edhe frikën nga çdo fuqi. Përmes shtrirjes së kësaj ideologjie, pushteti nuk ka më nevojë të ruhet nga asgjë, askush nuk do ta vërë më në diskutim çkado që të bëjë. Individi i kapluar nga individualizmi ekstrem dhe nga relativizmi absolut nuk mund të jetë gjë tjetër, karshi pushtetit, përpos se një skllav.

Skllevërit dhe shërbëtorët gjithnjë konsiderohen si “më pak se njerëz”. Kjo jo vetëm në mesjetë, por edhe sot, në shtëpitë që kanë shërbëtorë. Edhe pse sot, natyrisht, shërbëtori punon me kontratë pune, dhe pronari atij i drejtohet me “të lutem” apo me “falemnderit”, ka një element që provon të qenit më pak se njeri. Njeriu është ai person vështrimit e dëgjimit të të cilit i druhemi, në thellësi të intimitetit tonë. Kështu, nuk bën të na dëgjojë teksa ndajmë një sekret me një mik a mikeshë, nuk bën të na shikojë teksa zhvishemi në intimitet, etj. Por me shërbëtorët nuk funksionon kështu. Shërbëtorët mund të rrinë aty kur pronari flet në telefon, mund ta ndihmojnë të lahet etj. Çfarëdo që të thotë a të bëjë pronari, shërbëtori nuk skandalizohet. Se ai nuk është shërbëtor “nga qejfi”, apo jo? Halli i tij është të mbijetojë, të marrë rrogën, e jo t’i bëjë moral pronarit…

Në gjendje të tillë janë reduktuar shqiptarët sot. Askush prej “pronarëve” të tyre nuk ka më “turp” apo “marre” prej tyre. Këta “pronarë” janë padronët e jetës publike, në pushtet; janë padronët e mendjes publike, në universitete e nëpër media (barazimin me median dhe universitetin e ka bërë që në fillim kjo logjikë perverse e sundimit përmes individualizimit); janë padronët e ushqimit publik, importues, tregtarë, kontrabandistë; janë padronët e punës publike, privatizuesit e fabrikave; janë padronët e legjitimitetit, hyjnitë e olimpit ndërkombëtar, që na shohin si kavje laboratorike.

E vetmja mënyrë që të ndërpritet ky proces “shërbëtorizimi”, dhe që intelektuali-gazetar të mos përfundojë domosdoshmërisht në intelektual-cinik, është pra thyerja e idesë dominuese, përmes themelimit të komunitetit. Çdo gjë e mundshme për themelimin e komunitetit duhet përdorur, me përjashtim të dhunës përjashtuese, e cila do ta bënte fashist atë komunitet. Nuk është çështja thjesht e vetëm të “publikohen të dhëna”, të “nxirren komunikata”, apo të “thirren njerëz në protesta”, siç bëjnë pa u ndalur disa “grupthe” që spektakolarizojnë reagimin qytetar prej pozitës “spontane” të “të paanshmit”. Çështja është të themelohet komuniteti, që ngre drejtësi, që i jep frymë e shpirt protestës, e në këtë sens, puna më e dosmosdoshme dhe me rëndësinë më të madhe politike sot është puna organizative. Filozofia më e vlefshme është filozofia e organizimit. Drejtësia që mungon është solidariteti. Forca që mund ta sjellë këtë drejtësi pra është themeluese. Intelektuali që i duhet shqiptarëve në Kosovë e gjetiu, për ta luftuar kriminalizimin absolut të pushtetit dhe impotencën qytetare, nuk është intelektuali individualist, por intelektuali organik. Është ai që shkrihet me komunitetin, dhe shndërrohet në limfë të trupit publik.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 2, 2015 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: