rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Dialog për Republikë të Zhvillimit

DSC_4903Pjesë nga diskutimi i Albin Kurtit në debatin e organizuar nga shoqëria civile në 11 mars 2015, Prishtinë

 

“You take my life when you take the means whereby I live” – The Merchant of Venice, Act IV, Scene 1, William Shakespeare

  1. Varfëria dhe papunësia nuk janë̈ “pasojë e historisë̈” së pasur të popullit, e pasurive të varfëra të vendit apo e kulturës së papërshtatshme të shoqërisë, por vetëm dhe vetëm e orientimit dhe modelit të gabuar ekonomik. Pra, varfëria dhe papunësia në Kosovë nuk mund të shpjegohen me okupimin e gjatë që e kishim, me burimet e naftës që nuk i kemi apo me “dembelinë̈” që njerëzit e kanë, por, me instalimin e neoliberalizmit si doktrinë që e reduktoi tranzicionin në privatizim, zhvillimin në infrastrukturë dhe infrastrukturën në asfalt.
  1. Historikisht ka pasur shtet pa kapitalizëm, por as historikisht dhe as aktualisht nuk ka pasur e nuk ka kapitalizëm pa shtet. Përderisa kapitalizmi pashmangshëm ndërhyn në shtet, është e domosdoshme që edhe shteti të ndërhyjë në kapitalizëm. Jo për ta kontrolluar ekonominë, por për ta nxitur prodhimin në ekonomi. Jo për ta lënë ekonominë pa treg, por për ta vënë tregun në funksion të ekonomisë e ekonominë në shërbim të shoqërisë. Përderisa në tregje nuk ka kurrfarë tendence të brendshme drejt barazisë në të ardhura dhe përderisa shkalla e kthimit të kapital është përherë më e lartë sesa rritja ekonomike, tatimi në pasuri e trashëgimi si dhe tatimi progresiv në të ardhura janë të domosdoshëm.
  1. Çlirimi ka nisur nga rezistenca e popullsisë vendëse në Kosovë duke kulmuar me luftën çlirimtare të UÇK-së. Vetëm më pas, erdhi ndërhyrja e NATO-s e cila i dha goditjen përfundimtare dhe vendimtare forcave ushtarake e policore të Serbisë. Ngjashëm, edhe zhvillimi duhet të nisë prej nesh, pra nga brenda, e mandej ai do të ndihmohet edhe prej të tjerëve, pra nga jashtë. 90% të IHD sot në botë shkojnë në vende tashmë të zhvilluara. Nuk bëhesh atraktiv për investime të huaja që të zhvillojnë, sepse është zhvillimi yt ai që të bën atraktiv për investime të huaja. Kosova nuk i investon as paratë e veta: i kemi 600 milionë euro të fondit të privatizimit, 800 milionë euro të trustit të pensioneve dhe 2 miliardë euro të bankave komerciale, të gjitha këto jashtë vendit. Shteti i Kosovës nuk duhet të jetë në shërbim të bankave, bankat duhet të jenë në shërbim të zhvillimit.
  1. Sektori privat duhet ndihmuar nga shteti që të përparojë dhe ai duhet inkurajuar që të prodhojë. Prodhimi është bujqësor, zejtar, industrial. Qeveritë e Kosovës së pasluftës përfshirë këtu edhe këtë të sotmen nuk janë për iniciativën private në ekonomi sepse ato ishin e janë për iniciativën private të Bechtel-Enka-s dhe Limak-Çalik-ut. Qeveria duhet të bashkëpunojë ngushtë me sektorin privat, por jo tepër ngushtë. Problemi në Kosovë është që qeveria bashkëpunon tepër ngushtë me sektorin privat. Kryeministri dhe ministrat njihen personalisht me aq shumë biznesmenë, janë shumë të afërt e porsi miq, ose edhe janë edhe miq të afërt saqë dikush që nuk e shikon tepër RTK-në nuk e dallon se cili është politikani e cili biznesmeni kur i sheh duke drekuar bashkë nëpër restorantet e kryeqytetit.
  1. Nga decentralizimi mbi baza etnike sipas planit të Ahtisaarit që krijoi komuna me shumicë serbe, kemi kaluar te centralizimi mbi baza etnike sipas marrëveshjes së Brukselit që planifikon Asociacion të komunave me shumicë serbe. Edhe decentralizimi i kaluar edhe centralizimi i ardhshëm në Kosovë janë të organizuar rreth ndejës: shqiptarët rrinë me shqiptarë, serbët rrinë me serbë, shqiptarët e serbët nuk rrinë me njëri-tjetrin. Decentralizimi për zhvillim organizohet rreth punës. Mjetet e prodhimit nuk ankohen për përkatësinë kombëtare të duarve që i shtrëngojnë ato.
  1. Dialogu pa kushte për Serbinë dhe për çështje të brendshme të Kosovës nuk mund të ketë rezultate të favorshme për Kosovën. Ky dialog marrëdhëniet midis Kosovës e Serbisë i shndërroi në dhënie pa marrje e pa marre. Katër vjet prej se filloi ky dialog mund të themi që nuk ka normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë por ka dy normalizime të tjera dhe një abnormalizim. Normalizimi i parë është ai i marrëdhënieve midis Serbisë dhe BE-së. Normalizimi i dytë është ai i marrëdhënieve Vuçiq-Daçiq me Mustafa-Thaçi. Ndërkaq, abnormalizimi është ai shtetit të Kosovës i cili nuk po integrohet në BE por brenda tij po integrohet Serbia. Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë ka për pasojë pikërisht normalizimin e dialogut: mjeti është pasoja.
  1. Ne kemi nevojë për dialog me serbët e Kosovës për zhvillim të përgjithshëm me barazi për secilin, dialog që është i hapur e demokratik e jo i mbyllur e diplomatik sikurse ai në Bruksel me Serbinë. Dialogu aktual është dialog prej lart me marrëveshje që do të dështojnë këtu poshtë. Ne kemi nevojë për dialog e marrëveshje prej poshtë. Ne mund të flasim me serbët e Kosovës edhe për shtetin e Serbisë, mirëpo ne nuk duhet të flasim me shtetin e Serbisë për serbët e Kosovës.
  1. Korrupsioni në Kosovë nuk e parandalon zhvillimin ekonomik por shërben si zëvendësim për mungesën e tij. S’ka zhvillim, rrjedhimisht ka korrupsion, më parë sesa anasjelltas. Kur nuk ka zhvillim ekonomik, ka zhvillim të korrupsionit. Kur nuk ka politika sociale, ka nepotizëm në politikë. Nuk mund të kemi institucione të mira të shtetit të së drejtës pa zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Madje, është e mundur të kesh zhvillim ekonomik edhe pa institucione të mira të së drejtës dhe para tyre, por jo anasjelltas. Natyrisht, që më së miri është kur këto bëhen paralelisht, pra, në mënyrë sinkrone lidhen shteti i së drejtës dhe shteti zhvillimor.
  1. Më 2 korrik 1990 u shpall republika e Kosovës. Le ta quajmë këtë Republika e Parë e Kosovës. Ishte kjo Republikë-për-rezistencë në kushtet e okupimit dhe ajo i kishte dy fytyra: delegatin Adem Mikullovci dhe konstitucionalistin Gazmend Zajmi. Më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës si republikë. Sot, më qartë se kurrë, e shohim dhe e ndjejmë se kjo ishte republikë-për-shitje. Edhe kjo republikë i kishte dy fytyra: sipërmarrësin Behgjet Pacolli dhe ndërmarrësin Ramiz Kelmendi. Në këtë Republikën e Dytë, qytetarët e kanë parë çizmen dhe shqelmin e shtetit por ata nuk e kanë parë dorën dhe ndihmën e shtetit. Ne kemi nevojë për një Republikë të Tretë, për Republikë të zhvillimit, për Republikë që bëhet më parë sesa që shpallet. 15 vjet populli i Kosovës i provoi qeveritë e djathta dhe tash po detyrohet të ik nga vendi ose të protestojë kundër qeverisë. Duhet provuar social-demokracia, duhet provuar një qeveri e majtë. Sot, shënojmë përvjetorin e fillimit të demonstratave të vitit 1981, në të cilat parulla kryesore ishte: Kosova Republikë! Prandaj, nuk keni mundur të gjeni datë më të mirë për të bërë këtë debat sesa 11 marsin.
Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 11, 2015 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: