rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Antonio Negri: Mbi artin

Intervistë e vitit 1988

Gian Marco Montesano: A ekziston ende sot mundësia për ta përcaktuar artin në ndonjë mënyrë objektive? Dallim, funksion, tepri, me pak fjalë, çfarë është arti?

Toni Negri: Kam menduar gjithmonë se arti është prodhim, prodhim qenieje. Kur riorganizon materien përreth një pritjeje, pritje e diçkaje të hapur, arti shfaqet si ndodhi e papritur dhe e re. Në këtë kuptim, arti nuk është një dallim (differenza), por tepri.

GMM: “Sistemi i artit” në ditët e sotme duket se pasqyron më tepër tregun sesa normat etike.

TN: Nëse arti nuk është dallim, por tepri, nuk ka të bëjë aspak me tregun. Fenomeni artistik kalon përmes tregut ashtu siç kalon përmes shoqërisë dhe nuk bëhet fjalë për faktin se tregu është i parëndësishëm nëse është një formë e të shprehurit të marrëdhënieve njerëzore: në fakt, nëse është e vërtetë që risia nuk mund të reduktohet në të tërën, është po aq e vërtetë që e tëra duhet të përballet me këtë risi. Brenda kësaj situate vepron një paradoks kreativ. Arti është raport: shoqëria ndryshon dhe e vërteta qëndron gjithnjë e njëjtë: kjo pandryshueshmëri i jep mundësinë një fakti artistik që të marrë cilësimin e diçkaje të re. Ne e ndjejmë të bukurën si të vërtetë dhe të re dhe njëkohësisht e ndjejmë si universale. Por është kjo veçanti e përsëritur e universales që na habit. Postmodernia, si gjendje e përgjithshme dhe jo si stil artistik, duhet të rivlerësohet si shfuqizim drejt gradës zero në qarkullimin e kuptimeve shoqërore, që shpie kah dhimbja më e madhe, kah parëndësishmëria më e madhe e ekzistencës. Mu në këtë pikë problemi i të vërtetës dhe i të bukurës artistike vihet si mundësi thyerje (çarjeje), si moment shkrirjeje mes dhimbjes dhe fuqisë së qenies.

GMM: Gjendja e postmodernitetit , gati dramatike , që del në pah nga mendimi juaj është larg nga imazhi i postmodernes së shfaqur nga sistemi i artit, ku përvoja individuale është e çdramatizuar dhe përvoja e veçantisë mbetet e shurdhër ndaj perceptimit të dhimbjes .

TN: Përkthyer në termat e traditës marksiste, postmodernizmi është epoka e përfshirjes reale: shoqëria është bërë faktor i prodhimit kapitalist, kështu që të gjitha elementet janë të ndërkëmbyeshme për sa u përket funksioneve të vlerësimit. Pikërisht kjo ndërkëmbyeshmëri duket se e ”çdramatizon” eksperiencën e veçantisë . Postmoderne për mua do të thotë dhe një lloj romantizmi i shekullit XX për sa i përket shterjes së vlerave të një shoqërie kapitaliste progresiste. Kjo, megjithatë, në terma ekonomikë (përfshirje reale) dhe socio-kulturorë (shterje e fuqisë së të shprehurit në të dyja kulturat e kapitalit, borgjeze dhe socialiste) fsheh dimensione të reja që kanë të bëjnë me shoqërinë e komunikimit. Por diçka e tmerrshme duket sikur e fshin ngjashmërinë midis këtij shekulli dhe romantizmit që shprehet në art. Në romantizëm arti ishte rruga e shkurtër e së vërtetës, ndërsa sot rrugët nuk të çojnë drejt së vërtetës, por drejt një labirinti të vazhdueshëm. Megjithatë, dhe në këtë mbetem marksist, besoj se ne nuk duhet ta bëjmë krizën sëmundje kronike: njerëzimi i shtron vetes vetëm probleme që mund t’i zgjidhë; problemi në vetvete është një dimension, një tension. Përse, për shembull, një situatë e ndërlikuar, pra e pasur me mundësi, perceptohet si e pazgjidhshme dhe përcaktueshmëria e saj, pra kompleksiteti, përdoret kundër prodhimit të se vërtetës? Nga ky këndvështrim, lindja e një individualiteti të pasuruar nga marrëdhëniet që zhvillohen përreth tij është tashmë element i një etikshmërie të re. Por ne mbetemi të errësuar nga hipokrizia e zakonshme ideologjike që e bën kompleksitetin burg. Një gjykim mbi artin e kësaj të tashmeje të shterur, por edhe kësaj të tashmeje që krijon, nuk ka kuptim në qoftë se nuk e ndjen nevojën e dyfishtë për të bërë të ndërgjegjshëm kalimet e krizës dhe kërkimin e paraprirjes (ose parandalimit të krizës).

GMM: Në këtë pikë lind pyetja e aktualitetit dhe e inaktualitetit të artit.

TN: Pikërisht inaktualiteti, në atë masë që të bën të kalosh nëpër tragjedinë e mosrealizimit, imponon qenien. Ne pyesim veten se çfarë do të jetë arti sepse e pyesim se çfarë do të bëhet me botën pasi aftësia jonë për të parashikuar Historinë mbi ritmet e zhvillimit linear është e pamjaftueshme. Ritmi linear i ndërtimit të botës është bllokuar në një situatë të tmerrshme sepse na ka çuar afër shkatërrimit të vetë botës, por e jashtëzakonshme sepse ka çuar drejt fundit paradigmën e zhvillimit teknologjik që njihnim që nga fillimi i procesit të industrializimit, duke na lënë jetimë në këtë shekull të mallkuar. Shekull aq inaktual sa ka qenë gjysmë përsëritje e shekullit XIX dhe gjysma tjetër diçka që nuk e dimë akoma se ç’mund të jetë. Arti, për shembull, e ka shfaqur gjithmonë veten si e kundërta e banalizimit, ndërsa në ditët e sotme shfaqet në formë përsëritjeje. Megjithatë, çaste përballjeje ekzistojnë ende: ka në fakt syresh që ndërhyjnë në treg si policë apo priftërinj të disa modeleve të së bukures duke i shndërruar në modele manieristike dhe banale. Ja armiku, dhe për pasojë ja lufta!

GMM : Luftë e cila themelon një diskurs të së vërtetës.

TN: Po, një diskurs i hapur ndaj një tjetri që është “demokratizimi i artit”. Të bashkosh një term të diskredituar si demokracia me artin i cili, pavarësisht çdo gjëje, ka dinjitet, na e jep shumë qartë idenë e gjendjes njerëzore. Kjo më bën të mendoj mbi ndryshimin e raportit me artin që kishin në burg djemtë, ku Flash Arti arrinte pa asnjë problem. Unë u besoj këtyre miteve të vjetra të pararojës (avant-garde) të qarkullimit horizontal të bukurisë dhe, mes masave që mbart një nismë revolucionare, unë do shikoja rikthimin në kolektivitet të mjedisit (UMWELT) artistik. Si një komponent i konsoliduar i një strukture të caktuar ontologjike të subjektit, arti është një formë e privilegjuar nëpërmjet të cilit duhet të zhvillohet formimi i njeriut, i qytetarit dhe i shoqërisë. Jemi në një kontekst bashkëpunimi ku ato që dikur ishin mallra tani bëhen përherë e më tepër funksione prodhuese dhe riprodhimi bëhet riprodhim komuniteti. Në planin artistik, shprehja bëhet shprehje komuniteti.

E përktheu Alfred Bushi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Mars 9, 2015 nga te Art, Filozofi, Përkthim dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: