rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Cili despotizëm aziatik dhe anti-perëndimor i shtypi protestat e Prishtinës

 

Arbër Zaimi

Dhunë proporcionale

Dhunë proporcionale

Para ca ditësh qindra mijëra afro-amerikanë protestonin në SHBA kundër policisë, e cila sipas tyre ndiqte praktika raciste dhe diskriminuese. Ndërkohë që secili ka të drejtë të besojë ose jo kauzën e protestave dhe të pajtohet ose jo me mënyrat e mjetet e protestuesve, të gjithë qytetarët e botës e dinë fort mirë se po të kishte dalë ndonjë zyrtar shtetëror (madje dhe ndonjë zyrtar i ndonjë korporate private) dhe t’i kishte quajtur protestuesit “egërsira” apo “bisha”, do të kishte fluturuar prej karriges, dhe do të turpërohej nga mbarë opinioni publik edhe media. Në krah do t’i dilte ndoshta vetëm ndonjë blog i Ku Kluks Klanit.

Në anën tjetër të botës, dmth. këtu tek ne, një ministër serb i Kosovës guxon të shajë familjarët e viktimave të luftës në Gjakovë, dhe i quajti ato egërsira e bisha, pikërisht përmes mediave të Kosovës. Qeveria nuk u shqetësua shumë për këtë, as nuk u shqetësuan shumë ambasadorët e fuqishëm, madje as një pjesë e mirë e medias nuk u shqetësua. Vetëm kur filluan të organizoheshin protesta qytetare që kërkonin largimin e këtij ministri fashist, filluan të kujtohen pushtetmbajtësit se kjo nuk na qenka gjë dhe aq e mirë. E si zgjidhje, nxorën Aleksandar Jabllanoviçin që të kërkojë falje. Ministri serb i Kosovës u tall me ta, doli në media dhe kërkoi falje duke thënë se nuk e paska ditur që në Gjakovë ka pasur masakra. Ndërkohë në një media serbe doli e tha se është krenar që anëtarët e partisë së tij kanë luftuar kundër shqiptarëve në 1999. Për qeveritarët, për kryeministrin Isa Mustafa dhe vartësin e tij besnik, Hashim Thaçin, kjo kërkesë falje mjaftoi. Po ashtu, ishte e mjaftueshme kërkesa e faljes edhe për trupën diplomatike, që vazhdimisht jep leksione se si Kosova duhet të marrë shembull demokracinë e vendeve perëndimore.

Në vendet perëndimore, siç e thamë në paragrafin e parë, ky ministër do të ishte shkarkuar menjëherë, dhe pas shkarkimit protestuesit do të mblidheshin dy a tre javë rresht poshtë shtëpisë së tij duke e sharë, ndërkohë që do të kalonte muaj të tërë nëpër gjykata, dhe do ta kishte gjithë median kundër. Sepse, për të bërë edhe një herë analogji (duke ditur se asnjë analogji nuk është e përpiktë), është njësoj sikur një ministër britanik të shajë irlandezët si derra, sikur një ministër francez të shajë algjerianët si pisa. Jo vetëm në vitin 2015, kur po të ndodhte kjo lloj sharje do të kthehej përmbys Londra dhe Parisi, por as në kohën kur Irlanda me Algjerinë luftonin për pavarësi, nuk janë toleruar sharje të tilla raciste. Sidomos nga ana e zyrtarëve.

Protestuesit në Prishtinë, me protestat e tyre janë duke u treguar tërësisht perëndimorë. Por nuk po tregohet e tillë as qeveria, as policia, e as megafonët e tyre mediatikë.

Media “e lirë” si në Arabi

Protestat e datës 27 janar 2015 në Prishtinë, organizuar nga Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe opozita, nuk janë të parat që ndjek nga afër. Më kujtohen, për nga përmasat e dhunës, protestat e 21 janarit 2011 në Tiranë, po ashtu të organizuara nga opozita e atëhershme në Shqipëri, e udhëhequr nga Edi Rama. Dhuna policore ishte e tmerrshme, përndjekjet e protestuesve edhe rrahjet nëpër rrugë gjer vonë në mbrëmje, një sadizëm i pastër. Fatmirësisht protesta e Prishtinës nuk pati viktima, edhe pse u qëllua ndaj qytetarëve me plumba gome, si ato që vranë dy protestues të Lëvizjes VETËVENDOSJE! në 10 shkurt 2007. Pra mundësia për të pasur të vrarë ka qenë shumë afër edhe në Prishtinë. Ndoshta arsyeja pse nuk pati viktima është se në Prishtinë udhëheqësit e VETËVENDOSJE!s ndenjën në ballë të protestës duke u rrahur e duke u “gazuar”, bashkë me protestuesit, gjë që nuk ndodhi në Tiranë…

Por, mes shumë dallimeve e shumë të përbashkëtave, ka dhe një dallim tjetër thelbësor mes 21 janarit të Tiranës dhe 27 janarit të Prishtinës. Ky dallim qëndron tek qasja mediatike ndaj protestave.

Më kujtohet se si në Tiranë mbrëmjen e asaj dite shkrova një shkrim që justifikonte protestuesit dhe që akuzonte dhunën legale por jo-legjitime të policisë. Shkrimin e botova thjesht në blogun personal. Shkrimi pati shumë më shumë lexues se ç’prisja, dhe kjo shpjegohet prej situatës së tensionuar. Por të nesërmen u habita, pashë se shkrimin ma kishin botuar tre të përditshme të mëdha kombëtare. Asokohe, për javë të tëra, shumë opinionistë e shumë gazetarë u angazhuan për të mbrojtur protestuesit dhe protestën, duke mos lënë të cënohej dinjiteti i tyre.

Ambasadori amerikan në Tiranë në ato ditë delikate i dënoi protestuesit opozitarë dhe e quajti “burrë shteti” kryeministrin. E megjithë servilitetin karakteristik shqiptar, pati jo pak media të cilat e kritikuan me dhe pa takt ambasadorin, pati jo pak opinionistë të rangut “të lartë” “të mesëm” e “të ulët” që po ashtu e kundërshtuan vlerësimin e ambasadorit të fuqishëm. Pra në Shqipërinë e 2011, me gjithë problemet që kishte media, ekzistonte një farë “pluralizmi” mediatik, i cili sigurisht që garantohej edhe nga fakti se pronarët e një pjese të medias i përkisnin krahut socialist. I njëjti “pluralizëm”, sado fiktiv, ekziston edhe sot në Shqipëri, pikërisht për faktin se ka media të cilat për arsye konjukturale mbajnë anën e opozitës së sotme, që është qeveria e djeshme.

Kjo është krejt ndryshe nga ajo që ndodhi në Kosovë, ku pati edhe kësaj radhe, një renditje të frikshme të mediave në mbështetje të policisë e të qeverisë. Maksimumi i mbështetjes që mund të shpresonte të merrte prej mediave Lëvizja VETËVENDOSJE!, protestuesit e saj, apo edhe familjarët e viktimave të ofenduara nga ministri, ka qenë neutraliteti, fatkeqësisht edhe ky i shfaqur në fare pak media. Situata ishte oruelliane, televizione publike e private, gazeta e portale të vogla e të mëdha, serioze e joserioze, që rrihnin moralisht protestuesit që sapo kishin dalë prej rrahjes fizike. Thuajse 90% e medias u shndërrua në një megafon gjigand të qeverisë, duke i dalë në mbrojtje pikërisht atij ministrit që siç thamë, po të kishte qenë në Amerikë, do kishte mbetur pa punë brenda ditës, pas deklaratës raciste.

Pse u renditën mediat kaq masivisht pas pushtetit? Pse nuk pati media pro-protestës? E thjeshtë përgjigjja. Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk ka në pronësinë e saj asnjë media, dhe nuk ka asnjë lidhje konjukturale me ndonjërën prej tyre, që t’i dalë për mbrojtje në momente të tilla. Kjo pra, sa i përket lirisë të shtypit këtu tek ne. E të mos harrojmë, #jesuischarlie!

Me përjashtim të shumë pak opinionistëve dhe gazetarëve vërtet të kultivuar dhe intelektualisht trima, të cilët mund t’i numërosh me gishtat e duarve aq pak sa ishin, të tjerët u shndërruan në policë të opinionit publik e në megafonë të pushtetit. Ç’thoshin megafonët?

  1. Protesta është politike, VETËVENDOSJE! po e përdor për qëllime politike.

Kështu ia nisën. Kjo është si puna e gëzimit të fëmijës kur arrin të njohë veten në pasqyrë. Harrojnë të mjerët se për sa kohë që protesta është bashkim vullnetar qytetarësh rreth një kauze, ajo është gjithnjë politike. Harrojnë se protesta ishte kundër një ministri, kështu që doemos ishte politike. Harrojnë se protestohej kundër qeverisë, prandaj s’mund të mos ishte politike. Sepse ajo që është kundër qeverisë është gjithnjë politike, ndryshe nga ajo që është pro-qeverisë, e cila më shpesh është policore se sa politike, në këtë despotat qesharak ku është katandisur Kosova. Ndonjë ditë do ankohen se protesta po përdoret për qëllime njerëzore…

  1. Nuk është puna te Jabllanoviçi, por VETËVENDOSJE! kërkon pushtetin. Jabllanoviçi mund të hiqet kurdo, por nuk ndryshon asgjë. Në kushtet që krijoi protesta e dhunshme, heqja e Jabllanoviçit është edhe më e vështirë.

Këtu idiotizmi vjen e merr përmasa të shqueshme. Që VETËVENDOSJE! kërkon pushtetin, këtë e dimë të gjithë, pasi ajo merr pjesë në zgjedhje tash e sa vjet, dhe është partia më e madhe opozitare. Më vjen keq për ata që kanë menduar se VETËVENDOSJE! është klub futbollistik. Megjithatë, VETËVENDOSJE! nuk e do kurrë pushtetin pa zgjedhje, edhe sikur ta zbraznin vullnetarisht zyrën Mustafa dhe Thaçi, askush nuk do të hynte aty! Arsyeja pse zhvillohen protestat, kudo në botë, është që të ngushtojnë hapësirën e manovrimit të qeverive, e që t’i ndikojnë ato. Kur ndikohen, mund edhe t’i lavdërojmë, siç lavdëruam Ramën kur i tha jo armëve kimike. Kur nuk ndikohen, përballen me protestuesit.

Por, si nuk qenka puna te Jabllanoviçi? Ku qenka puna, tek masonët? Tek illuminati? Tek leximi i kabalas? Tek Zonja Meri, te sekserët e fjalës së lirë, te blogu Express i Berat Buzhalës që lëshon 13 fatwa në ditë kundër Albin Kurtit, apo te Klan Kosova e Baton Haxhiut që ka vetëm hallin e Devollëve, të SHIK-ut dhe të Mishkoviçit? Meqë s’qenka puna tek Jabllanoviçi, dhe meqë ai hiqet kaq lehtë nga posti, përse nuk u hoq menjëherë pra, siç do ishte hequr në secilin vend demokratik? Mos vallë ngaqë Jabllanoviçin në fakt e heq dhe e vë vetëm Beogradi? Mos vallë ngaqë Jabllanoviçi nuk e pyet fare as Isa Mustafën dhe as Hashim Thaçin?

Imagjinoni shembullin që morëm, me protestat e afro-amerikanëve në SHBA, imagjinoni sikur zyrtari amerikan që do të mund t’i ofendonte protestuesit amerikanë të mos hiqej dot nga detyra për shkak se këtë nuk do ta lejonte Moska. Ç’mund të mendojë për një hipotezë të tillë zonja Trejsi Xhejkobson?

Pastaj këta idiotë që thonë se heqjen e Jabllanoviçit e vështirëson dhuna, le të na shpjegojnë pse nuk u hoq Jabllanoviçi gjatë dy javëve kur u zhvilluan protesta masive, tërësisht paqësore, në Gjakovë e në qytete të tjera të Kosovës…

  1. Edhe policët janë qytetarë, edhe ata po lëndohen, edhe ata duhen mbrojtur. Protestuesit le të protestojnë, por nuk kanë të drejtë të lëndojnë policinë.

Këtë leksion do të kisha dashur shumë të shkonin ta jepnin përballë protestuesve që dalin thuajse çdo muaj në protesta, nga Athina në Londër, nga Roma në Nju Jork, nga Parisi në Shikago. I shohim ata protestues se si djegin e thyejnë, se si përballen me policinë, e prapë protestat vazhdojnë në mënyrë konstante, të mbështetura nga një pjesë e rëndësishme e medias, si element i pandashëm i demokracisë. Të vetmet vende ku nuk ka protesta, por vetëm konsensus civil, ku ç’thotë shteti bën populli, janë (me gjasë) Koreja e Jugut dhe Arabia Saudite (ky aleat i vlefshëm). Edhe në Iranin e Ajatollahëve, edhe në Egjiptin e Sisit, edhe në Turqinë e Erdoanit, edhe në Rusinë e Putinit, edhe në Venezuelën çaviste, ka protesta të pandalshme dhe ka media që haptazi mbështesin protestuesit. Ndërsa tek ne bëjnë thirrje për protesta higjienike të tipit “Mirëdita zotni polic, më fal që ju kam nxjerrë në rrugë sot, por thjesht desha dy minuta të protestoj paqësisht, edhe po largohem pastaj”.

Po, policët janë qytetarë, janë njerëz. Na vjen shumë keq për policët e lënduar. Por nuk ka nevojë ta thotë këtë gjë secila media. Jam gati që me bujari të pranoj si “demokratik” edhe një regjim ku 60% e mediave e përkrah policinë, ama 40% të paktën të ishin përkrah protestuesve, mbi 200 prej të cilëve u dëmtuan, mbi 50 prej tyre rëndë e 10 syresh u plagosën prej plumbave të gomës. Por kur shoh Kosovën, kuptoj se jam thjesht utopik në pretendimet e mia… Edhe pse policia i ka zyrat e veta të komunikimit, i ka strategjitë e veta të PR-it dhe dihet mirë se pas secilës protestë në botë, e para që del e ankohet për lëndime të shumta është policia, paçka se protestuesit i shohim nëpër foto e nëpër video duke u rrahur mizorisht edhe kur janë të prangosur.

E së fundi, nëse policia vërtet paska përfunduar me kaq shumë lëndime, mos vallë janë keqpërdorur fondet për stërvitjen dhe armatosjen gjer në dhëmbë të këtyre policëve? Mos ua kanë blerë mburojat dhe armët prodhim kinez, se s’ka mundësi që gjithë ata djem të mirëushqyer e të trajnuar për dhunë, nga 2 metra të gjatë secili, muskulozë si arnoldë e të veshur me pajimet e robokopit, na dalkan gjithnjë të dhunuar prej protestuesve. Sidomos kur dimë që në shumicën e rasteve protestuesit janë të papunë, të kequshqyer, imcakë, të paveshur, të ftohur, të qullur prej topave të ujit, të verbuar prej lotsjellësit e të asfiksuar prej sprejit të piperit. Nëse policia dalka gjithnjë e dëmtuar përballë protestuesve të tillë, atëherë ç’burra qenkan…

  1. Vetëvendosja është problematike, antiserbe, fashiste…

Duke etiketuar Vetëvendosjen si të tillë, me qëllimin që t’ia bëjnë sa më të përgjunjur shërbimin Mustafës dhe Thaçit, në fakt megafonët e pushtetit s’bëjnë gjë tjetër veçse legjitimojnë atë çka tha Jabllanoviçi, e normalizojnë Jabllanoviçin, dhe i thonë gjithë serbëve të Kosovës “bëhuni si Jabllanoviçi”.

Po si na dalka fashiste dhe antiserbe VETËVENDOSJE! kur edhe kryetari i saj, edhe struktura të subjektit vazhdimisht, zyrtarisht, publikisht, me shkrim e me gojë, kanë deklaruar se nuk kanë asgjë kundër serbëve të Kosovës, dhe janë absolutisht dakord që serbët e Kosovës të kenë përfaqësues në qeveri? E vetmja gjë që nuk pranon dot VETËVENDOSJE! është ajo pra, që e thamë një herë, që nuk do të pranohej as në Amerikë, as në Francë, as në Angli e në asnjë vend tjetër demokratik. VETËVENDOSJE! nuk pranon dot që një përfaqësues i kombit i cili mban përgjegjësi për shtypjen dhe për shfarosjen e shqiptarëve të sillet në mënyrë ofenduese dhe provokuese, ta mohojë atë shfarosje, dhe të shajë si racist viktimat që kanë shkaktuar bashkëkombasit e tij.

Absolutisht që nuk është fajtor secili serb, ama secili serb duhet ta ndjejë dhe ta kuptojë atë që ka ndodhur mes serbëve e shqiptarëve në Kosovë, siç e ndjen çdo gjerman atë që ka ndodhur mes gjermanëve e hebrejve, siç e ndjen çdo francez atë që ka ndodhur mes Francës dhe kolonive, siç e ndjen çdo polak atë që ka ndodhur mes Rusisë e Polonisë, fjala vjen. E nëse gjermani sot e shan viktimën e dikurshme hebreje, nëse francezi e shan ish-koloninë e vet, nëse rusi e shan polakun e shtypur për dekada, ata e kanë lirinë e fjalës, por neve na bie detyra që secilit t’i japim etiketën që meriton, atë të fashistit. Dhe këtë etiketë ua jep çdo njeri normal, edhe në vendin e tyre.

Por kjo logjikë e thjeshtë nuk aplikohet dot tek gazetari i medias “së lirë” që gjithnjë mbështet pushtetin dhe gjithnjë sulmon VETËVENDOSJE!n. Si çdo njeri me shpirt të skllavëruar, ai përfundon të jetë kontradiktor, përfundon të mbrojë serbin fashist, duke ia ngjitur etiketën e fashistit pikërisht shqiptarit. Të tillë gazetarë shqiptarë shërbejnë si burim për mediat botërore që thonë se “në Prishtinë protestojnë shqiptarët kundër serbëve”. Ky është imazhi që ata ngrenë për vendin e për popullin e tyre!

  1. Vetëvendosja po ia prish imazhin Kosovës. Si mund të vijnë investitorët kur shohin që shkatërrohet prona private. Nuk mund të pranohen molotovët.

Të jemi seriozë, imazhin Kosovës ia kanë prishur këta politikanë, Hashimët dhe Isët që e kanë qeverisur për 15 vjet. Nuk e prish imazhin e një vendi protesta, se po të ishte kështu askush nuk do të investonte në SHBA, në Britani, në Francë, në Belgjikë. Para tre ditësh pati në Bruksel protesta ku u thyen dhjetëra dyqane e u dogjën dhjetëra makina. Nuk pashë asnjë media serioze belge të shqetësohej për koston e xhamave, apo të ankohej se u prish imazhi i Belgjikës. Imazhi i atyre vendeve është pikërisht demokracia, dhe demokraci pa protesta të tilla s’ka. Aty është Koreja e Veriut, me qetësi absolute dhe pa kokërr protestuesi, nëse ndonjë biznesmen kërkon stabilitet të tillë.

Me sa duket investitorët globalë nuk kanë trutë e Isës dhe të Hashimit. Ata vazhdojnë të investojnë në vende demokratike, edhe pse aty ka gjithnjë protesta, sepse e dinë se aty i mbron pikërisht demokracia. E nuk do të investonin kurrë tek ne, edhe sikur të mos kishte protesta, sepse e dinë se këtu nuk i kërcënon protesta por i kërcënon pushteti i pakufizuar i mafias që mban kolltuqe ministrore, i kërcënon korruptimi i drejtësisë, i kërcënon tribalizmi e klanizmi që në mënyrë të jashtëligjshme ka mbërthyer shumicën dërrmuese të ndërmarrjeve private e publike në Kosovë.

E sa për molotovët, çuditërisht ato përdoren përgjithësisht nga protestues të qytetëruar, në vende të qytetëruara. Në Bruksel, në Paris, në Londër, madje dhe në SHBA. U përdorën edhe në 21 janar 2011 në Tiranë. Siç e kemi parë në Shqipëri, atyre që përdorin molotovë kur janë në opozitë, shumë shpejt iu vjen radha të marrin qeverinë. Dhe deri tani kanë qeverisur më mirë se sa ata që dikur dënonin përdorimin e molotovëve, dhe dhunonin, arrestonin, rrihnin, vrisnin protestues. Por kjo është çështje perspektive. Duam apo s’duam ne, në një vend ku papunësia është mbi 40%, ku njerëzit me mijëra kanë marrë udhët e mërgimit klandestin, ku fëmijët po i hanë qentë nëpër rrugë, ku shumica janë nën nivelin e varfërisë, protestat bëhen të dhunshme. Kjo ndodh kudo. Mësohuni pak me këtë dhunë edhe ju o dashnorë të paqes absolute, ju stalinistët e tregut të lirë, ju ekstremistët e qendrës, ju gazetarët gjithnjë kritikë ndaj popullit e gjithnjë justifikues ndaj pushtetit. Bëhuni pak tolerantë, si në perëndim! Protestat do të vazhdojnë gjithsesi, dhe gjithnjë kanë për të qenë 7 apo 8 herë më shumë se ç’thoni nëpër raportimet tuaja zyrtare e policore!

 

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 28, 2015 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: