rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Nevoja urgjente për një fitore të Syriza-s në Greqi

 

Slavoj Zizek

Slavoj Zizek dhe Aleksis Cipras

Slavoj Zizek dhe Aleksis Cipras

Kritikët e demokracisë tonë institucionale shpesh ankohen se, si rregull, votimet nuk ofrojnë zgjedhje të vërteta. Ajo çka na ofrohet, shumicën e herëve, është zgjedhja mes një partie të qendrës së djathtë dhe një partie të qendrës së majtë, programet e të cilave janë thuajse të padallueshme prej njëra-tjetrës. Të dielën, më 25 janar, nuk do të jetë ky rasti – siç nuk ishte as në 17 qershor 2012. Votuesit grekë përballen me një zgjedhje të vërtetë: në njërën anë establishmenti; dhe Syriza, koalicioni i radikalëve të majtë në anën tjetër.

Dhe, siç ndodh shpesh në të tilla raste, në momente të tilla kur shfaqen zgjedhje të vërteta, hidhet në panik i gjithë establishmenti. Fillohet të përshkruhet një farë imazhi i kaosit shoqëror, i varfërisë dhe i dhunës, që do të ndodhin nëse rastësisht fiton alternativa e gabuar. Edhe vetëm mundësia e një fitoreje të Syriza-s ka shkaktuar drithma frike nëpër tregjet e gjithë botës, dhe siç e do zakoni në të tilla raste, prozopopeja ideologjike arrin kulmin: tregjet nisin “të flasin” a thua se qenkan njerëz të gjallë, dhe shprehin “shqetësimet” e tyre mbi atë që do të mund të ndodhë nëse zgjedhjet nuk arrijnë të prodhojnë një qeverisje të mandatuar për të vijuar me politikat e shtrëngimeve fiskale.

Prej reaksionit të establishmentit europian ndaj kërcënimit të fitores së Syriza-s në Greqi po lind gradualisht një ideal i cili përmblidhet më së miri në titullin e komentit të Gideon Rachman-it në Financial Times: “Hallka më e dobët e eurozonës janë votuesit”. Në botën ideale të establishmentit Europa e heq qafe këtë “hallkë të dobët” dhe ekspertët marrin fuqinë për të imponuar drejtpërsëdrejti masat ekonomike të nevojshme; e nëse zgjedhjet duhet medoemos të ndodhin, atëherë funksioni i tyre është thjesht që të konfirmohet konsensusi me ekspertët.

Parë në këtë perspektivë, votimet në Greqi nuk mund të duken përveçse si një makth. Kështu pra, si mund ta parandalojmë këtë katastrofë? Mënyra më evidente është që t’i frikësojmë ata që po na frikësojnë – pra t’i trembim për vdekje votuesit grekë përmes mesazhit “ju mendoni se kjo që po përjetoni tani është vuajtje? Ende s’keni parë asgjë, prisni sa të fitojë Syriza, dhe shumë shpejt ka për t’ju marrë malli për ato që keni përjetuar vitet e fundit!”

Alternativa tjetër është që ose Syriza të dalë (apo të nxirret jashtë) prej projektit europian, gjë që ka pasoja të paparashikueshme, ose që të bëhet ndonjë “kompromis i ndyrë”, në të cilin të dyja palët moderojnë kërkesat e tyre. Gjë e cila në vetvete ngre një frikë tjetër: jo frikën prej sjelljes irracionale të Syriza-s pas fitores së tyre, por, në të kundërt, frikën se mos Syriza pranon kompromisin e ndyrë racional, gjë e cila do t’i linte të zhgënjyer votuesit, dhe pakënaqësia do të vazhdojë por kësaj radhe nuk do të jetë e rregulluar, e drejtuar apo e moderuar prej Syriza-s.

Çfarë hapësire manovruese do të ketë qeverisja që me gjasë do të drejtohet ng Syriza? Që të parafrazojmë presidentin Bush, askush nuk duhet ta nënvleftësojë fuqinë shkatërrimtare të kapitalit ndërkombëtar, sidomos kur ai gërshetohet me sabotazhin (kundër qeverisjes së Syriza-s) nga ana e burokracisë të korruptuar dhe klienteliste të shtetit grek.

Në të tilla kushte a mund të sjellë ndryshime vërtet radikale një qeveri e re? Gracka që fshihet këtu është qartësisht e dallueshme edhe tek Kapitali në shekullin XXI e Thomas Piketty-së. Sipas Piketty-së kapitalizmi duhet pranuar si e vetmja lojë në mëhallë, kështu që e vetmja alternativë racionale mbetet që të lejohet që makineria kapitaliste të bëjë punën e vet në sferën e saj dhe ndërkohë të imponohet drejtësia e barazia përmes politikës, prej një pushteti demokratik i cili do të rregullonte sistemin ekonomik dhe do të impononte rishpërndarjen.

Një zgjidhje e tillë është utopike në sensin më të ngushtë të fjalës. Piketty është shumë i vetëdijshëm se modeli që ai propozon do të mund të funksiononte vetëm nëse aplikohet globalisht, përtej kufijve të shteteve-komb (përndryshe kapitali do të arratisej gjithnjë drejt shteteve që kanë taksa më të ulëta); dhe që të merrej një masë e tillë globale do të duhej një pushtet tashmë global, që ka fuqinë dhe autoritetin për ta zbatuar këtë masë. Por gjithsesi, një pushtet i tillë global është i pamendueshëm në kornizat e kapitalizmit të sotëm global dhe të mekanizmave politikë që ai paraqet. Shkurt, nëse do të ekzistonte një pushtet i tillë, atëherë problemi fillestar tashmë do të ishte i zgjidhur.

Pastaj, përfytyroni se për çfarë masash të tjera do të kishte nevojë modeli i taksave të larta globale që propozon Piketty? Sigurisht që e vetmja mënyrë për të dalë prej këtij rrethi vicioz është thjesht që të pritet nyja gordiane, dhe të ndërmerret një veprim. Kurrë nuk ekzistojnë kushtet perfekte për të vepruar – çdo veprim, nga vetë përkufizimi, është gjithnjë i parakohshëm. Por diku duhet nisur, me një ndërhyrje partikulare; dhe gjithnjë duhen mbajtur ndërmend komplikimet e mëtejshme, drejt të cilave na çon ku veprim.

Çfarë duhet bërë me borxhin e stërmadh? Politikat europiane ndaj vendeve të zhytura thellë në borxh, si Greqia janë të tipit “shty dhe kërko” (shty periudhën e pagesave, por gjithsesi kërko që borxhet të paguhen gjer në fund). Por atëherë (kur mund t’i shtyjnë pafundësisht afatet) pse tregohen kaq kokëfortë tek fiksioni i kthimit të borxhit? Kjo nuk ndodh thjesht për faktin se ky fiksion e bën më të pranueshëm shtyrjen e afatit të borxhit para votuesve gjermanë; e po ashtu nuk ndodh thjesht për faktin se falja e borxhit grek do të mund të nxiste të tilla kërkesa edhe në Portugali, Irlandë apo Spanjë. Çështja është se ata që janë në pushtet realisht nuk duan që borxhi të shlyhet tërësisht.

Borxhdhënësit dhe kujdestarët i akuzojnë vendet borxhlie se këto të fundit nuk ndihen mjaftueshëm në faj – pra i akuzojnë se ndihen të pafajshme. Presioni i tyre ngjan tërësisht me atë që në psikanalizë e quajnë superego. Paradoksi i superegos është se, siç e ka parë me shumë kthjelltësi Freud-i, sa më shumë i plotësojmë kërkesat e superegos, aq më shumë ndihemi në faj.

Imagjinoni një mësues vesves i cili i jep nxënësve të vet detyra të pamundshme, dhe pastaj kënaqet me sadizëm kur sheh ankthin dhe panikun e tyre. Kështu edhe në këtë rast, qëllimi i vërtetë se pse i jepet para borxhliut nuk është që ky të bëjë fitim që të shlyejë borxhin, por thjesht që të vazhdojë për një kohë të pacaktuar të jetë në borxh, gjë që e mban borxhliun vazhdimisht të varur dhe të nënshtruar.

Le të marrim shembullin e Argjentinës. Një dekadë e ca më parë ky vend vendosi të paguajë para kohe borxhin që i kishte FMN-së (falë ndihmës financiare prej Venezuelës), por reagimi i FMN-së ishte i habitshëm: Në vend që të gëzoheshin që po u ktheheshin paratë, FMN-ja (apo më saktë drejtuesit e saj) shprehën shqetësimin se mos Argjentina do ta përdorte këtë liri të sapogjetur dhe këtë pavarësi financiare prej institucioneve financiare ndërkombëtare, për të braktisur politikat strikte fiskale dhe për të bërë shpenzime të shkujdesura.

Borxhi pra është një instrument për të kontrolluar dhe për të rregulliar borxhliun, dhe si i tillë përpiqet të shtrihet sa më shumë, dhe të riprodhojë vetveten.

E vetmja zgjidhje e vërtetë pra është e qartë: meqenëse të gjithë e dinë se Greqia kurrë nuk do ta paguajë dot borxhin, atëherë duhet që dikush të marrë guximin dhe ta fshijë atë borxh. Kjo mund të bëhet me një kosto ekonomike goxha të përballueshme, mjaft që të ekzistojë vullneti politik. Të tilla veprime janë shpresa jonë e vetme që të mund ta thyejmë rrethin vicioz të teknokracisë së ftohtë neoliberale të Brukselit, si dhe të pasioneve të rrejshme kundër imigrantëve. Nëse ne nuk veprojmë, atëherë do të veprojnë të tjerët, ata nga Agimi i Artë apo nga UKIP-i.

Tek Shënime drejt një përkufizimi të kulturës, konservatori i madh, T.S.Eliot ka vënë re se ka disa momente kur e vetmja zgjedhje është ajo mes herezisë dhe mosbesimit, dmth, ka momente kur e vetmja mënyrë për ta mbajtur gjallë një religjion është që të bësh një skizmë sektare prej kufomës kryesore. Ky është dhe pozicioni ynë sot, karshi Europës: veç një “herezi” e re (që aktualisht përfaqësohet nga Syriza), një skizmë prej Bashkimit Europian nga ana e Greqisë, do të mund të shpëtonte atë çka ka vlerë të ruhet prej trashëgimisë europiane: demokracinë, besimin tek popujt dhe solidaritetin egalitar.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Janar 23, 2015 nga te Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: