rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Një urra për hiçmarrëveshjen

Berisha-në-KuvendKlodi Leka

Urra! Urra! Telenovela politike e radhës, pas sa e sa peripecish, ngjarjesh dhe personazhesh më në fund u mbyll bash siç i ka hije telenovelave: me puthje. Ose me marrëveshje! Që sot e tutje, monologu i mërzitshëm parlamentar do të bëhet dialog po aq e në mos më i mërzitshëm, komik dhe banal. Urra! brohoritën këndezët e zakonshëm të kakofonisë gazetareske, të mbërthyer gjithë ankth pas ekraneve televizive. Urra! tuitëruan pajtimtarët europarlamentarë, këta shkesë të nderuem të krushqive në krizë. Urra! vërshuan përshëndetjet e popullit partiak të facebookut. Urra! Kjo është marrëveshje historike! Urra! thirrën të gjithë së bashku në nder të një kompromisi bastard e të pakuptimtë politikisht.

Përse i pakuptimtë? Sepse kurrë nuk pati mosmarrëveshje dhe asgjë nuk do të ndryshojë! Përse bastard? Sepse, në thelb, pikat kryesore të marrëveshjes konsistojnë në vetëvrasjen e vetë partive nëse realizohen. Dy nga pikat kryesore të marrëveshjes janë: 1. Dekriminalizimi i Parlamentit. 2. Kushtëzimi i fuqisë vendimmarrëse të pozitës nga opozita. Marrëveshja skicohej edhe në disa pika të tjera si respektimi i kuadrit ligjor kushtetues, sanksionimi i dorëzanisë europarlamentare (të dy të dërguarve të socialdemokracisë dhe konservatorëve europianë) për zbatimin e marrëveshjes dhe zbatimi i marrëveshjes përmes përfshirjes së opozitës në jetën parlamentare. Kjo është e gjitha! Mirëpo, fillimisht do të demaskojmë përmbajtjen e rremë të dy pikave kyçe të dashur lexues dhe, më tej, formalizmin pa përmbajtje të pikave të tjera.

Dekriminalizimi i Parlamentit. Ç’është ky? Proces, përmbysje e menjëhershme apo çfarë? Asgjë, ja ç’është! Dekriminalizimi i parlamentit në kushtet aktuale është proces i pamundur politik. Sepse vetë demokracia së bashku me gjithë sistemin pluralist është strukturuar në të tillë mënyrë që kriminelët lokalë, biznesmenët parekuqë dhe skotat e tjera paramoderne të zaptojnë institucionet kyçe shtetërore. Një vëzhgim i shpejtë mbi strukturat partiake dhe elektorale, gjendjen dhe veçoritë e tyre, do të zbulojë disa të dhëna logjike që demaskojnë me përbuzje këto gjeste kaq të cekëta teatri politik.

A ka interes nismëtarja e këtij procesi të ndodhë diçka e tillë?  Aspak! Nëse do të niste me të vërtetë një proces dekriminalizimi brenda parlamentit, atëherë opozita e “diskriminuar” do të vihej përballë përndjekjesh kolektive penale për thuajse gjysmën e partisë me ish-kryeministrin, ministrat dhe deputetët e tjerë të zhytur në pellgjet e mutit dhe të gjakut. E njëjta gjë vlen edhe për një pjesë jo të vogël të mazhorancës dhe forcat e tjera parlamentare që fuqinë e tyre politike e sigurojnë përmes këtyre personazheve, herë gangsterë safi dhe herë të tjera gangsterë të legalizuar me kostumet e biznesit.

Gjithashtu, dekriminalizimi i parlamentit do të rrëzonte zemrën e pushtetit partiak: fuqinë elektorale të periferisë. Kjo fuqi mbahet në këmbë me forcën e strukturave kriminale dhe fisnore, prej nga vijnë parlamentarët e inkriminuar. Në zgjedhjet e fundit pushteti i këtyre strukturave u çimentua jashtëzakonisht shumë me shpërndarjen e organizatave tradicionale partiake dhe zëvendësimin e tyre me “persona të komanduar nga lart” në bashkëpunim me të fortët e qytezave të cilët, fill pas marrjes së pushtetit qendror, ndajnë mes tyre postet administrative zonale.

Pika e dytë: kushtëzimi i fuqisë vendimmarrëse të pozitës! Kjo është pika më problematike e marrëveshjes. Në abc-në e teorive përfaqësuese liberale roli i opozitës parlamentare është të mbikëqyrë me mjete të siguruara në rrugë demokratike veprimet dhe mosveprimet e pushtetit qendror dhe jo ta kushtëzojë atë  me kapriço thjesht tavolineske. Ky rast përbën precedent për rregullimin e marrëdhënieve të forcave politike brenda suazave parlamentare ngaqë delegjitimon votën plebishitare (formalisht) si autoritet diktatorial që duhet kufizuar medoemos dhe nuk e konsideron kërkesë popullore për ndryshime të mëdha. Por liberalizmi politik, si edhe rrjedhojat e tjera të tij, që të ekzistojë duhet ta përmbysë vazhdimisht vetën.

Gjer më dje pozita aktuale e legjitimonte fuqinë e vet vendimmarrëse si pushtet i dhënë nga populli për të rrëzuar strukturat korruptive brenda institucioneve dhe për ta rimëkëmbur shoqërinë me reforma të rëndësishme socio-ekonomike. Kjo ishte arsyeja e votës plebishitare. Votë që nënkuptonte deri diku edhe ushtrimin e njëfarë dhune të pashmangshme mbi këto struktura oligarke që për tetë vite mbushën xhepat dhe ekranet me skandalet e tyre korruptive. Votë që jo vetëm nuk po realizon asnjë nga detyrat e mësipërme, por që po i thellon problemet aktuale dhe amniston ustallarët e tyre.

Javëve në vazhdim pritet të përgatiten për diskutim dhe miratim parlamentar disa reforma të rëndësishme socio-ekonomike si ligji për reformimin e arsimit të lartë, ligji për reformën në pensione, ligji për reformimin e sektorit energjetik etj., në thelb të të cilave qëndron shtrirja skemave privatizuese dhe privimi i qindra mijëra qytetarëve nga shërbime më se të domosdoshme jetësore. Lind pyetja: Ç’do të bëjë opozita ndaj këtyre reformave? Ka për t’u pozicionuar fuqimisht kundër apo do të kërkojë marrjen e “konsensusit” në kalimin e tyre? Apo, apo…?

As njëra, as tjetra! Thjesht skema e zakonshme: konflikt me fjalë dhe kompromis me vepra. Po të vërejmë qëndrimin e opozitës kur ishte në pushtet ndaj çështjeve të arsimit, pensioneve dhe energjetikës do të konstatojmë të njëjtën qasje me të pozitës aktuale, veçse formalisht më ndryshe, me ca më shumë rrena. Reforma në arsimin e lartë është kryekëput e propozuara tri vite më parë nga qeveria Berisha (pavarësisht lajle-luleve anglosaksoniste), ndërsa pensioneve dhe energjetikës u këndohet sërish me të njëjtën vrimë neoliberale fyelli. Pra, asgjë nuk ka ndryshuar. Në rastin më të mirë opozita do të lozë kartën famoze të populizmit duke përçudnuar çdo kauzë të rëndësishme publike dhe në rastin më të keq do të bëhet palë në kalimin e heshtur të këtyre reformave. Në të dyja rastet, zhurma do të mbysë rënkimet e një populli që ia ngopin pa ndalim.

Pika e tretë, ruajtja e kornizave ligjore të Kushtetutës është përmbledhje e dy pikave të sipërthëna. Sot në Tiranë nuk ka pozitë dhe opozitë të vërtetë, por dy pushtete të ndryshme në trupin  e shtetit dhe një klasë të vetme mbi atë të shoqërisë. Dy pushtete që përplasen verbalisht jo për shkak të ideve e qëllimeve të ndryshme, por për të ruajtur dhe avancuar në terrenin e pushtetit dhe privilegjeve duke lozur bixhozin e kompetencave. Një klasë ngaqë në thelb të dy pushteteve qëndrojnë po ato reforma dhe po ato interesa privatë për hir të të cilëve ndërmerren politika të tilla. E kushtetuta, eh kushtetuta!, është kthyer në vegël që konservon fuqinë e pacenueshme të këtyre dy pushteteve dhe pamundësinë strukturore për të ikur nga llumi ku kemi rënë.

Pra e gjithë telenovela e dekriminalizimit të parlamentit, ruajtjes së kushtetutës dhe fundit të krizës politike në vend nuk do të zgjidhë asgjë, por vetëm sa do ta thellojë krizën dhe do të pjellë kriza të reja në horizontin e parlamentarizmit shqiptar. Kapja kriminale e institucioneve nuk është rast i izoluar, por dukuri dhe domosdoshmëri sistemore. Korruptimi dhe kriminalizimi nuk mund të reduktohet te teveqelët provincialë që me ndihmën e fisit dhe parave arritën të ngjiteshin në majat më të larta të shoqërisë. Përkundrazi, ai shkon edhe më tej, ka marrë përmasa të reja dhe të tjera! Që nga derdimenët periferikë tek intelektualet e kompromentuar në heshtim, nga biznesmenët politikanë te politika e biznesmenëve, ky rend është i padekriminalizueshëm dhe i pareformueshëm. E vetmja zgjidhje është rrëzimi i tij dhe pikë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: