rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Dimri i vetmisë së madhe

Klodi Leka

emigrantet-vloreDy ditë më parë, një ngjarje e çuditshme ndodhi në qytetin e Vlorës:  qindra qytetarë nga zonat përreth bitisën në portin e këtij qyteti pas njoftimit të një agjencie udhëtimesh se me vetëm njëqindepesëdhjetë euro çdo person mund të shkojë në Gjermani dhe të marrë statusin e azilantit politik. Kjo praktikë është kthyer në sport tashmë. Aq sa sikur të mos ekzistonin strukturat represive policore në lidhje me çështjen dhe kushti i shtatëdhjetë-euro-në-ditë për person, pakkush do të mbetej në këtë vend.

Rrugëtimi i familjeve të tëra drejt Gjermanisë me një dokument të nxjerrë nga shoqatat e pajtimit të gjaqeve apo autoritetet kompetente lokale në shkëmbim të peshqesheve korruptive është kthyer në problem publik për dy vendet tona. Disa fushata  publicitare, takime ambasadoriale dhe konferenca ndërministrore janë mbajtur gjatë këtij viti për çështjen në fjalë. Ia vlen të kujtojmë reklamën e famshme të deportimit policor që sponsorizoi Ministria e Punëve të Brendshme pak muaj më parë, ku disa punëtorë të dëbuar rrëfenin publikisht se si nevoja për të punuar disa javë në shtetet evropiane është aventurë e rrezikshme për imazhin tonë nacional. As shantazhet për rikthimin e regjimit të vizave nuk kanë munguar, përkundrazi.

Kjo prirje për t’u larguar natën pa hënë nga vendi drejt kampeve evropiane të nënurave, e sidomos përmes metodave kolektive, rrëfen situatën fort të vështirë në të cilën ndodhet populli shqiptar ditëve të sotme. Në kushtet e rrënimit ekonomik, zhbërjes sociale dhe ndëshkimit shtetëror ndaj debive për shërbime të domosdoshme jetësore, e vetmja rrugë mbijetese ka mbetur ikja, arratisja. Ikja si pamundësi e ballafaqimit. Sepse për t’u ballafaquar nevojitet një grusht shpresash, një alternativë politike dhe shoqërore që në kushtet aktuale mungon, duke e kthyer përditshmërinë tonë në rreth dantesk e pa rrugëdalje ferri.

Por jo gjithmonë konceptohet kështu. Në kushtet e penetrimit të thellë hegjemonik të cinizmit, tragjedia bëhet e palejueshme. S’ka tragjedi, dreqi e marrtë! Tash në kohët e marrjes së statusit të vendit kandidat, sanksionimit të proceseve dhe standardeve eurointegruese, rikthimi i këtyre imazheve eksodiste duhet ndaluar, harruar e ndëshkuar. Se shteti ynë ka shpenzuar miliona euro për ndërtimin e fytyrës europianiste të vendit, të cilën s’mund ta ndotin kurrsesi turma kokëpalarësh pa respekt për rendin. Ikja drejt peizazheve bavareze, të reklamuara nga agjenci udhëtimesh, është luks vetëm i klasës qytetare, të kulturuar dhe evropiane; pra i të pasurve. Çdo ikje tjetër është grykësi provincialësh parazitarë të llastuar me pensione sociale.

Përkundër zbulimit të rrugëve të reja të ekzilit kolektiv, kriza ekonomike e shtatë viteve të fundit në shtetet fqinje po kthen me mijëra emigrantë shqiptarë në shtëpi. Atë çka se realizuan dot operacionet famoze fshesa po e bën kriza ekonomike globale që  po zbarkon drejt nesh. Për dy dekada me radhë dërgesat e emigrantëve kanë shërbyer si  baza të fuqishme të ekonomisë me disa miliarda dollarë prurje, duke mbajtur në këmbë financiarisht qindra mijëra familje, dhe rënia drastike e tyre përbën një problem me të vërtetë të rrezikshëm për sistemin tonë financiar të strukturuar nga kapitale pa prodhim. Kjo rënie, e shoqëruar me rikthimin e familjeve emigrante në shtëpi, ka për të shtënë në kriza edhe më të mëdha institucionet ekonomike, politike dhe shoqërore.

Kjo vërehet në kushtet ku ndodhen emigrantët e kthyer. Çfarë gjetën në shtëpinë për të cilën dhanë aq shumë? Asgjë! As punë, as shkollë, as shërbime sociale. I gjithë mundi dhe paratë kanë shkuar dëm për konsumin thjesht ditor të mbijetesës. Shteti dhe borgjezia vendase kanë dështuar fatalisht në kanalizimin e remitancave drejt prodhimit të brendshëm industrial e bujqësor, duke hapur dyert për vërshimin e mallrave dhe shfrytëzuesve të huaj. Ironia e fatit konsiston tek emigranti i robëruar Gëzim, që pasi punoi për njëzet vite në fabrikat e makaronave dhe çdo të ardhur e ndau me të afërmit te tij – të ardhurat e pakta të keqpagimit e mbishfrytëzimit – kuptoi se edhe ato pak të ardhura shkonin sërish në xhepat e pronarëve pasi të afërmit konsumonin pikërisht makaronat e gatuara prej duarve të tij. Gëzimi sot nuk gëzon asgjë veç rrethit vicioz të skamjes që as e kupton dhe as i arratiset dot.

Gëzimëve të kthyer në shtëpi u kanë mbetur vetëm pak gjëra: disa kursime të vogla dhe dashuria për familjen. Ata janë proletarët modernë. Kursimet kanë për t’i shpenzuar në hapjen e ndonjë biznesi të vogël që me gjasë do t’u falimentojë brenda një periudhe të shkurtër kohore, ose për t’i ngrënë pak nga pak, për t’u rreshtur më pas në skemat sociale të papunësisë. Ndërsa fëmijët, në mungesë të shërbimeve të posaçme social-kulturore, do të përshtaten me vështirësi. Sot shteti dhe shoqatat joqeveritare nuk posedojnë kurrfarë plani për integrimin social të të kthyerve.

Sepse po ta kishin një të tillë kapitalet nuk do të avullonin sa për konsum ditor apo investime që në nisje të mbaruara, por do të krijonin skema depozituese për të kryer investime të sigurta në sektorët prodhues të ekonomisë, përmes fabrikave dhe kooperativave me pronësi kolektive. Se po ta kishin një plan do të thithnin gjithë potencialin njerëzor drejt ngritjes ekonomike, institucionale dhe shoqërore. Se fëmijët nuk do të terapizoheshin sikur të ishin të huajt e çuditshëm, por zemra e brezit të ri. Se të kthyerit nuk do të shikoheshin si barrë thelluese e krizës aktuale por ikje konstruktive prej saj.

Çështja e ikjes drejt emigrimit dhe kthimit prej tij të popullatës përbën dilemë serioze për të sotmen dhe të nesërmen e vendit, zgjidhja e të cilës përcakton kahun zhvillimor të shtetit dhe shoqërisë. Populli shqiptar sot është ndër popujt më të rinj të Evropës, por shpejt nuk do të jetë më i tillë.  Ky çast, ky fat është vendimtar për ne. Zonat periferike po gumëzhijnë nga masa të tëra rioshësh që, në mungesë të çdo prespektive, priren drejt kriminalitetit dhe emigrimit. Shtyrja e zgjidhjes së këtij problemi përmes sajimit të formave sterile të punësimit, si call center-at dhe fasoneritë, nuk do ta zbuste por do ta thellonte problemin. Arsimi i shumëreklamuar profesional çdo ditë e më tepër po rezulton rrenë televizive. Ndërkohë politikat qeveritare në ekonomi dhe punësim nuk janë aspak produktive, duke mos iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave shoqërore!

E në këto kushte, çfarë duhet bërë? Pak ditë më parë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! vendosën te dyert e pallatit qeveritar në Prishtinë pankartën: ‘’Ky është kufiri që duhet kaluar dhe jo te lumi Tisa në Hungari”. Që nga formimi i koalicionit të ri qeveritar me qindra të rinj kanë marrë rrugët e kurbetit si pasojë e gjendjes së padurueshme dhe rrëzimit të çdo pritshmërie për ndryshime shoqërore. Sipas aktivistëve të Lëvizjes, ikja prej kësaj distopie nuk arrihet përmes emigrimit, por ballafaqimit të brendshëm, rrëzimit të barrierave midis qytetarëve dhe institucioneve të tyre. Kjo parullë ka një rëndësi të dyfishtë për ne të tjerët.

Së pari kemi mbetur këtu, në dimrin e vetmisë së madhe, pa punë dhe pa rrymë, të izoluar në apartamentet tona periferike. Liria e lëvizjes dhe proceset integruese drejt botës së madhe demokratike nuk ndihmojnë për ikjen kolektive nga kriza, por e kushtetojnë atë. Të famshmet procese eurointegruese i kanë zhveshur qytetarët nga pasuritë publike, pra nga shteti, përmes imponimit të përshtatjes privatizuese të sektorëve ekonomikë dhe shërbimeve sociale. Ndërsa bota e madhe demokratike nuk i përngjan më tokës të premtuar të lirive por rrethohet ngado me mure, kushtëzime dhe polici speciale. “I ke dy mijë euro për t’i shpenzuar gjatë tri muajve qëndrim? Nëse po, eja! Nëse jo, rri!  Ama mos guxo të nisesh punë, të thyesh kushtet e qëndrimit apo të planifikosh aventura tragjike azilkërkuese se do ta pësosh rëndë me espulse pesëvjeçare dhe dëbime doganore. Kupton?”. Kjo pra është liria e lëvizjes, të cilën për çudi  e kemi pasur para se të hynim në korridoret diplomatike evropiane, para se ta gëzonim formalisht si drejtim dhe arritje historike. E ka edhe Kosova, vendi më i izoluar në Evropë. Dy mijë euro në e nën dore dhe të gjitha dyert hapen. Ndryshe, strukuni në gjirizet tuaja të humbura dhe heshtni more barbonë të ndyrë!

Së dyti, ndryshe nga Kosova që e ka, sot shoqëria shqiptare ka për domosdoshmëri Lëvizjen e saj. Një Lëvizje që del përtej banalitetit të politikave ditore dhe ngjall entuziazme të reja popullore. Që i bën thirrje për bashkim atyre që ikin, atyre që vinë, atyre që rrinë dhe atyre që vetëm sa rrojnë: të rinjve periferikë dhe grave të fasonerive, kokëpalarëve të papunë dhe proletarëve të keqpunësuar, emigrantëve të përzënë dhe studentëve të varfëruar. Që e detyron përmes metodave demokratike pushtetin qendror të lëvizë nga politikat e falimentuara privatizuese drejt politikave rimëkëmbëse shtetërore: në vend të subvencionimit biznesor, ngritjen e korporatave shtetërore; në vend të privatizimit total të pasurive minerare dhe hidrokarbure, shtetëzim demokratik të tyre; në vend të promovimit të shfrytëzimit dhe keqpagimit punëtor në fabrika, forcim sindikal të punëtorisë; në vend të përjashtimit klasor në universitet, universitet publik falas; në vend të rritjes buxhetore për policinë, gjykatat dhe burgjet, programe edukimi dhe punësimi profesional të masave rioshe të periferisë etj. Ide të cilat nëse nuk e detyrojnë pushtetin qendror t’i realizojë, atëherë meritojnë vendosjen revolucionare të tyre në pushtet.

Se ndryshe nuk kemi ku të degdisemi. Është koha që ta ngulitim fort në mëndje: kemi mbetur këtu, këtu, këtu! O i japim zë dhimbjes, o do të mbytemi në të! Rrugë tjetër nuk ka! Gjërat dhe njerëzit çdo ditë po shkojnë poshtë e më poshtë, ndërsa idetë guximtare ngrihen lart e më lart. Ideja e një revolucioni të fuqishëm social nuk është vetëm dëshirë e zemrave të marra, por në kushtet aktuale, edhe domosdoshmëri e mendjeve logjike

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 29, 2014 nga te Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: