rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Walter Benjamin: Kapitalizmi si fe

Në ligjërimin ideologjik shqiptar gjëja më e rënd(omt)ë që thuhet për socializmin shtetëror është se i ngjante kryekreje një feje të re; afërmendsh një feje të përçudnuar ateistësh, një fantazme të Kultit të Qenies Supreme të Robespjerit, në të cilën partia përbënte kishën, udhëheqësi profetin/papën dhe marksizëm-leninizmi (i stalinëzuar) librin e shenjtë.  Kjo qasje nuk është as shqiptare, as e lidhur vetëm me vendet postsocialiste, pasi mund ta hasim së paku që në kritikën që i bënte Bertrand Russell-i filozofisë së Marksit, të cilën me gjasë – siç thotë në të njëjtin libër të historisë së filozofisë perëndimore për Hegelin – zor se është lodhur ta kuptojë në të gjitha dimensionet e veta. Sidoqoftë, qëmtimi i elementeve fetare brenda një ideologjie (marksizëm-leninizmit shtetist) është formalisht i lehtë, përderisa feja mund të përkufizohet si produkt ideologjik par excellence. Por askush s’është lodhur deri më tash që ta trajtojë këtë punë me seriozitetin e duhur, ndoshta edhe për faktin se kur vjen puna për t’u marrë me përvojën e socializmit shtetëror gjithkush i hyn garës së denoncimeve, distancimeve, rehabilitimeve në raport me të shkuarën dhe riprodhimit të së tashmes klasore.

Gjithsesi teksti i mëposhtëm nis aty ku mbaron paragrafi i mësipërm, te karakteri fetar i formacionit klasor të mirëfilltë, kapitalizmit. Specifika e fetarizmit të kapitalizmit qëndron në distancën e tij në dukje me fetë. Kapitalizmi nuk premton botën e përtejme, por është i zhytur në këtë botë. Dhe nuk mjafton të thuash se ai e zëvendëson zotin transhendental me zotin imanent që e quan para, se kësisoj do të riprodhonim rëndomtësinë e kritikës së mësipërme që i heq paralelet si të përdorej vizorja në një tabula rasa. Siç thotë Benjamin-i, kapitalizmi është një fe e llojit të veçantë, kryefeja në fakt, ajo që nuk ka nevojë për t’u justifikuar së jashtmi përmes teologjisë a dogmës. Ajo është feja e të vepruarit sikur nuk ka tjetër rrugë. Duke parafrazuar Theodor Adorno-n, fetarizimi i kapitalizmit nuk qëndron në idetë e mëdha, por në praktikat e jetës së përditshme. Prandaj zoti i kapitalizmit “e ka humbur trashendencën, por nuk ka vdekur”. Ai është bërë pjesë e jetës njerëzore jo në kuptimin e spontanitetit të saj, por në atë të reduktimit të saj në rituale që shoqërojnë fuqinë punëtore të shndërruar në mall. Po ashtu kapitalizmi është e para fe që nuk e dallon të shenjtën nga profania, pasi ka shenjtëruar profanen dhe profanizuar të shenjtën. Në të nuk ka ditë pushimi/feste si ndërprerje të ritualit të punës, pasi jeta është bërë punë dhe puna jetë. Jeta përfytyrohet si investim i palodhshëm i të përgatiturit të vetes për punë, për ruajtjen e vendit të punës e avancimin në karrierë. Për kë nuk e ka luksin të shfrytëzohet në punë, ajo është investimi i vazhdueshëm në kapitalin-vete, ku fuqia punëtore dhe kapitali përputhen plotësisht. (Trupin/mendjen e fus në punë ashtu sikundër punoj me të). Po kur jeta bëhet punë, medoemos edhe puna do të bëhet jetë, çka vërehet gjithnjë e më shumë në nxitjen e sotme ideologjike për ta shijuar punën dhe për ta parë si vokacion e si vetëshprehje në mos aktuale, së paku potenciale. Kush nuk e sheh si të tillë (gati të gjithë) pritet të brehet nga faji se pse nuk po gjen dot punën vetërealizuese.

Njëkohësisht Benjamin-i i vesh kapitalizmit gjenerimin e fajit, duke e konsideruar të parën fe që nuk ka për qëllim shëlbimin/shfajësimin, por mallkimin/fajësimin universal. Kapitalizmi, sidomos ai bashkëkohor, nuk riprodhohet përmes ushqimit të shpresave të rreme (ideologjia si ndërgjegje e rreme i përket një tjetër kohe, paradoksalisht më afër asaj kur Benjamin-i e shkroi fragmentin e mëposhtëm – 1921). Ai është kult “sans rêve et sans merci”. Feja-kapital ushqen fajin dhe dëshpërimin universal, të qenit të kapur në rrjetën në të cilën qarkullojnë mallrat, më e rëndësishmja mes tyre fuqia punëtore aktuale, potenciale (të papunët) dhe të papërmendshmit (të papunësueshmit). Ajo ushqen besimin se nuk ia vlen të besohet në asgjë përpos përditshmërisë. Ajo ofron ritualin e vetëlëvizshëm dhe të vetëkuptueshëm. Feja-kapital kërkon subjekte cinike që çuditen se si cinizmi nuk e ka përfshirë ende botën. – A. Qori

* * *

beniNëse hedh sytë brenda kapitalizmit, gjen një fe, çka do të thotë se kapitalizmi shërben për të lehtësuar të njëjtat shqetësime, ankthe e trazime që dikur e gjenin përgjigjen te të ashtuquajturat fe. Prova e strukturës fetare të kapitalizmit – jo vetëm si formacion i kushtëzuar fetarisht, siç mendonte Weber-i, por si fenomen thelbësisht fetar – ende sot do të sillte me vete çmendurinë e polemikave universale të pafundme. Nuk mund ta thurim rrjetën në të cilën gjendemi. Sidoqoftë, një këndvështrim serioz do të mundësohet më vonë.

Megjithatë, tash për tash mund të vërehen tri karakteristika të strukturës fetare të kapitalizmit. Së pari, kapitalizmi është një kult i kulluar fetar, ndofta më i skajshmi që ka ekzistuar ndonjëherë. Brenda tij çdo gjë ka kuptim vetëm në marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kultin: ai nuk njeh ndonjë dogmë të veçantë, as teologji. Së këtejmi vjen edhe ngjyrimi fetar i utilitarizmit. Konkretizimi i kultit lidhet me një karakteristikë të dytë të kapitalizmit: kohëzgjatjen e përhershme të kultit. Kapitalizmi është kremtimi i kultit sans rêve et sans merci. Këtu nuk ka “ditë jave”, s’ka ditë që nuk është kremte në kuptimin e tmerrshëm të ekspozimit të salltaneteve të shenjta, të nënshtrimit të plotë të çdo besimtari. Së treti është kult që gjeneron faj. Me sa duket kapitalizmi përbën rastin e parë të një kulti të mbështetur mbi fajin dhe jo mbi shlyerjen e tij… Një ndjenjë e madhe faji, që nuk di si të gjejë prehje, kapet pas kultit jo për ta shlyer këtë faj, por për ta bërë atë universale, për ta shtënë në ndërgjegje dhe mbramësisht, e mbi të gjitha, për të futur vetë zotin brenda këtij faji në mënyrë që ta shtyjë edhe këtë të fundit të merret me shlyerjen e fajit. Kështu që kjo shlyerje nuk duhet pritur nga kulti, as nga reformimi i kësaj feje – e cila duhet të mbahet pas diçkaje të fortë brenda saj – madje as nga mohimi i saj. Natyra e kësaj lëvizjeje fetare – kapitalizmit – përfshin durimin deri në fund, deri në pikën ku zoti merr mbi vete të gjithë barrën e fajit, derisa universi të ngërthehet nga ai dëshpërim që në fakt përbën shpresën e vet të fshehtë.

Këtu qëndron karakteri i paprecedent i kapitalizmit: ai është një fe që nuk ofron reformimin e qenies, por shkatërrimin e saj. Ai përbën ekspansionin e dëshpërimit, derisa dëshpërimi të bëhet gjendja fetare e botës me shpresën se kjo do të sjellë shëlbimin. Transhendenca e zotit ka marrë fund, mirëpo ai s’ka vdekur. Ai është trupëzuar në ekzistencën njerëzore. Ky kalim i planetit “Njeri” përmes shtëpisë së dëshpërimit në vetminë absolute të orbitës së tij është etosi që përshkruan Niçja. Njeriu është  Übermensch-i, i pari që e njohu fenë e kapitalizmit dhe nisi ta përmbushë atë. Karakteristika e katërt [e strukturës fetare të kapitalizmit] është se zoti i tij duhet të rrijë i fshehur, të cilit mund t’i drejtohemi vetëm në zenit të fajësisë së tij. Kulti kremtohet përpara një hyjnie të mitur, [ndërsa] çdo imazh i tij dhe çdo ide për të kanos sekretin e miturisë së tij.

Teoria frojdiane i përket po ashtu sundimit priftëror të këtij kulti. Është tërësisht kapitaliste në mendim. Sipas një analogjie të mirëmenduar, e cila ka nevojë të ndriçohet edhe më, ajo çka është shtypur – ideja e mëkatit – është vetë kapitali, i cili paguan interesin e ferrit të së pandërgjegjshmes.

Paradigma e të menduarit kapitalisto-fetar gjen madhërisht shprehje në filozofinë e Niçes. Mendimi i Übermensch-it nuk e transformon “kërcimin” apokaliptik në konvertim, shlyerje faji, pastrim apo pendesë, por në intensifikim në dukje të vazhdueshëm, por mbramësisht të zhvazhdueshëm e shpërthyes. Prandaj intensifikimi dhe zhvillimi  në kuptimin e non facit saltum-it janë të papërputhshëm. Übermensch-i është ai që ka ardhur pa ndryshuar, që është rritur qiejve – njeriu historik. Kjo çarje qiejsh prej njerëzores së intensifikuar  – e menduar së pari nga Niçja – është dhe mbetet fetarisht (edhe për Niçen) prodhuese faji. Po ashtu për Marksin: kapitalizmi që nuk ndryshon kurs bëhet socializëm me anë të interesave të thjeshta e të përbëra, të cilat janë funksione të Schuld-it (merrni parasysh dykuptimësinë djallëzore të kësaj fjale)[1].

Kapitalizmi është kult i kulluar fetar, pa dogmë.

Kapitalizmi është zhvilluar në Perëndim si parazit i krishterimit (kjo vlen jo vetëm në rastin e kalvinizmit, por edhe për kishat e tjera ortodokse të krishtera), derisa u arrit në pikën ku historia e krishterimit është në thelb historia e parazitit të saj – domethënë e kapitalizmit. Krahasoni ikonografinë e shenjtë të feve të ndryshme me kartëmonedhat e vendeve të ndryshme: Shpirti që flet nga stolisja e kartëmonedhave.

[…]

Krishterimi i kohës së Reformës nuk inkurajoi lindjen e kapitalizmit, por u shndërrua në kapitalizëm…

Përktheu nga anglishtja/italishtja: Arlind Qori

Interpretimin e tekstit të mësipërm të Benjamin-it nga Giorgio Agamben-i e gjeni këtu.

[1] Në gjermanisht, emri Schuld shënjon edhe fajin, edhe borxhin. Për më tepër për efektet politiko-ekonomike bashkëkohore të dykuptimësisë konceptuale faj/borxh, shih librin e Maurizio Lazzarato-sLa fabbrica dell’uomo indebitato. Saggio sulla condizione neoliberista. (Shën. përkth.)

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 6, 2014 nga te Dialektikë, Filozofi dhe etiketuar me , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: