rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Kur gjen emrin tënd në “Listën e Zezë”

 [Shkolla Gallatin e Universitetit të Nju Jorkut e pati ftuar Amjad Nasserin, një prej poetëve të mëdhenj të botës arabe për të marrë pjesë në përurimin e botimit të serisë Gallatin Global Writers, në 30 shtator. Në 27 shtator Sigurimi i Atdheut i SHBA (US Homeland Security) e ndaloi Nasserin në aeroportin Heathrow të Londrës, e mori në pyetje dhe e ndaloi që ta merrte aeroplanin për në Nju Jork, pa i dhënë asnjë shpjegim. Por leximi i poezive të Nasserit u zhvillua në shenjë proteste ndaj ngjarjes, në anglisht e arabisht, ashtu siç ishte planifikuar. Më poshtë vijon eseja që shkroi Nasseri pas incidentit]

Amjad Nasser

Dikur kam lexuar se numri i emrave që gjenden në “listën e zezë” amerikane është rreth një milion. Por kjo ka qenë para 11 shtatorit. Askush s’e di se ç’u bë më pas me atë numër. Dikush mund të mendojë kur dëgjon për ekzistencën e kësaj liste se kjo do ketë të bëjë me emrat e atyre që merren me praktikimin, financimin apo glorifikimin e “terrorizmit”. Ose me lordët e drogës që shkatërrojnë rininë e botës. Ose me tregtarët e armëve që furnizojnë konfliktet mes popujve me instrumentë vrasës. Jo, lista përmbante emrat e disa prej artistëve dhe shkrimtarëve me prominentë nga e gjithë bota, të cilët kishin mbështetur betejat kundër kolonializmit, të drejtën për vetëvendosje, ose edhe luftën kundër diktatorëve lokalë si Pinocheti në Kili apo të tjerë në Amerikën Latine, Azi e Afrikë. Mes tyre gjendeshin emra si Marquez, Graham Greene, Doris Lessing, Neruda, Mahmood Darwish, Dario Fo, Mandela dhe një numër i madh intelektualësh të majtë, përfshi edhe intelektualin grek Yannis Milios, që ishte ftuar nga Universiteti i Nju Jorkut për të marrë pjesë në një debat, por që sigurimi i SHBA në aeroportin JFK e ktheu mbrapsh në shtëpi, pasi e mori gjatë në pyetje në mënyrë përbuzëse.

Një nga incidentet më skandaloze të histerisë së sigurimit amerikan ka të bëjë me arrestimin e shkrimtares amerikane Diana Abu Jaber, dhe marrjes së saj në pyetje për orë të tëra edhe pse ajo është një noveliste e mirënjohur. E kam lexuar rrëfimin e saj për përvojën e “hyrjes” në Amerikë në një ese që e shkroi pasi që e lejuan të hyjë sërish në vendin e saj.

Unë kam dy shtetësi, jordaneze dhe britanike (kjo është një e drejtë e mbrojtur me ligj në të dyja vendet) dhe kam punuar në gazetari për më shumë se tre dekada. Në fakt kurrë nuk kam patur ndonjë profesion tjetër. Kam publikuar dhjetë libra me poezi, katër libra udhëtimesh (që do të thotë se kam udhëtuar në shumë vende), dhe një novelë, përkthimi anglisht i së cilës u botua disa muaj më parë nga Bloomsbury. Do të dalë në SHBA në vitin që vjen. Në SHBA kam edhe një libër me poezi, të ilustruar shumë bukur, e të titulluar “Petra”, i cili u botua pak ditë më parë prej një botuesi amerikan, Tavern Books, dhe u përkthye nga poeti e përkthyesi amerikan Fady Joudah. Nuk kam asnjë aktivitet tjetër veç të shkruarit. E prapë se prapë e gjeta veten në listën e atyre që u ndalohej të hynin në Amerikë. Kështu pra, befasisht jam në Listën e Zezë. Apo ndoshta kam qenë aty që prej kohës së beretave të kuqe, e cila ka shkuar me kohë, por pa e ditur.

Kjo është historia, që t’i bie shkurt: Isha duke lexuar “Poeti në Nju Jork” të Lorcas gjatë rrugës për në aeroportin e Heathrow-t dhe po mendoja për titullin. A është thjesht një titull-pohim? E çfarë pastaj nëse na qenka një poet në Nju Jork apo në ndonjë qytet tjetër? Ky s’është ndonjë lajm. Këtë e marrim vesh që në titull.  Mirëpo Nju Jorku s’është thjesht një qytet, dhe Lorca s’është thjesht një poet si të tjerët. Prania e një poeti që ka si fjalë të preferuara: ullinjtë, portokajtë, vreshtat, rrugicat me pluhur, gjethet e limonëve, rrëkezat, një hënë që varet prej një litari të mëndafshtë nga një qiell i zhveshur, në Nju Jork (një qytet që sipas tij qe i papërshtatshëm për poezinë), nuk mund të jetë e zakonshme. Ky pra është lajmi. Paska një poet në Nju Jork! Njësoj si një film arab që ka qenë shumë i famshëm në kohën e vet: Një beduin në Paris. Kontradikta ekziston prej perspektivës së kineastëve njësoj siç ekziston në perspektivën e Lorcas, mes poetit dhe Nju Jorkut. A thua se poezia nuk mund të takohet kurrë me Nju Jorkun, ashtu si beduinizmi që kurrë s’mund të puqet me Parisin.

Arrita në Terminalin 5 në Heathrow, në atë terminal që i dedikohet British Airëays, e cila do duhej të më shpinte për dy orë e gjysmë në anën tjetër të Atlantikut: Nju Jork. Procedurat nisën dhe atëbotë një përfaqësues i Sigurimit të Atdheut amerikan na u shfaq sapo që emri im i ra në vesh njerëzve të Sigurimit të Atdheut të cilët me sa duket kanë rezidenca edhe në aeroportet britanike. Zyrtari i Sigurimit të Atdheut i foli në telefon punonjësit britanik, i cili po vazhdonte procedurat sipas rregullit. Fillimisht nuk e dija se kujt po i fliste punonjësi britanik, por pastaj e dëgjova emrin tim që u përsërit disa herë. Pastaj punonjësi ma dha telefonin, ndërsa fytyra i kish marrë një pamje të hutuar. “Njerëzit e Sigurimit të Atdheut dëshirojnë të të flasin” më tha. Filloi biseda më e “çuditshme” që kam bërë ndonjëherë: Si e ke emrin, emrin e babës, emrin e nënës, emrin e gjyshit nga baba, gjyshit nga nëna, stërgjyshit, gjatësia, pesha, ngjyra e syve, ngjyra e flokëve… e në këtë pikë i thashe njeriut të Sigurimit të Atdheut: janë duke m’u zbardhur, tash! “Ç’ngjyrë kishin më parë? Kafe?” pyeti ai. “Jo të zeza” iu përgjigja. “Biseda” vazhdoi: çfarë do të bësh në Nju Jork? Kush të ka ftuar? Iu përgjigja: Universiteti i Nju Jorkut. Kush të ftoi aty? Sinan Antoon. Ç’bën ky? Është profesor, është poet dhe novelist. Si shkruhet emri i tij në anglisht? A ke farefis apo miq në Amerikë? Ku punon aktualisht? Ku ke punuar më përpara? Ç’adresa kanë këto institucione? Al-Turra? A është ky qyteti ku ke lindur? Ku gjendet Al-Turra? (po ta dije s’do më kishe pyetur kurrë, mendova). Ku jeton? A e ke shtëpinë tënde? Hounslow? Ku gjendet Hounslow? Dhe për dy orë ndenja në këmbë, tek sporteli, përballë punonjësit britanik që me gjeste i thoshte gjithë atyre që prisnin pas meje në radhë që të vazhdonin, dhe që u mor veç me mua.

Personi i Sigurimit të Atdheut që po më merrte në pyetje në telefon e dinte se unë isha poet dhe shkrimtar dhe që kisha një ftesë nga Universiteti i Nju Jorkut për të marrë pjesë në një lexim inaugural për një aktivitet kulturor. Por kjo s’kishte rëndësi për të. Ai e dinte se unë isha një gazetar dhe që kurrë s’kisha bërë ndonjë punë tjetër gjatë gjithë jetës sime, por kjo s’kishte rëndësi për të. Ai e dinte se unë isha afër të gjashtëdhjetave, por kjo s’kishte rëndësi për të. Ai e dinte, sigurisht, se unë kam shtetësi britanike e cila nuk mund të fitohet, ma merr mendja, prej ndokujt “të dyshimtë”, por as kjo s’kishte rëndësi për të, se ai ishte duke ushtruar dominimin e tij amerikan në tokë britanike. Edhe pse i dinte të gjitha këto ai tha: Më vjen keq. Nuk mund të hipni në këtë aeroplan (që tashmë ishte nisur) për Nju Jork.

– Për ç’arsye?

– Nuk mund t’jua tregoj këtë.

– A s’kam unë të drejtë ta di arsyen?

– Jo

– Thjesht kaq?

– Thjesht kaq.

***

Thjesht kaq. Unë s’do të kem më mundësi të vazhdoj atë që nisa të mendoj për Lorcan dhe Nju Jorkun. Sepse unë s’mund të shkoj në Nju Jork, ku mund të shkojnë hajnat, lordët e drogës dhe qeveritarët e korruptuar. Po mendoja ndërkohë që po kthehesha për në shtëpi, po të kishte jetuar Lorca pas McCarthy-izmit (i cili duket se s’ka marrë fund në SHBA), a do mundej ai të shkonte sërish në Nju Jork? Përgjigjja ime hipotetike: ai do të ishte në majë të listës së zezë për dy arsye. Së pari pse ishte një antifashist, një republikan anti Franco. Së dyti, për shkak se shkroi atë poemë të pavdekshme, jo kundër Nju Jorkut si qytet e si shumësi njerëzish. Por si marrëdhënie grabitqare kapitaliste që është perfeksonuar në shndërrimin e djersës, gjakut dhe lotëve njerëzore në një ujëvarë dollarësh.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 22, 2014 nga te Përkthim, Polemikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: