rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Monumente carësh

0720Arbër Zaimi

Në Beograd ca ditë më parë u vendos një monument i ri, dhuratë bërë Serbisë nga Federata Ruse. Monumenti i përkushtohet Carit të fundit të Rusisë, Nikollaj Romanovit, i cili, siç janë shprehur dhe autoritetet e qytetit të Beogradit “ka bërë shumë për Serbinë në Luftën I Botërore”.

Sigurisht që s’është thjesht kaq. Vendosja e monumentit të Nikollajit II lidhet drejtpërdrejt me vizitën që udhëheqësi i Rusisë, Putini, pritet të bëjë në Beograd në 16 tetor. Vizita ka si justifikim formal shënimin e 70 vjetorit të çlirimit prej nazi-fashistëve, ama kushdo që ka sadopak lidhje me historinë do të mund ta shtronte pyetjen: ç’lidhje ka Cari i vrarë nga Ushtria e Kuqe me përkujtimin e një lufte të fituar pikërisht nga Ushtria e Kuqe dhe aleatët e saj?

Absurditeti i pretekstit të vizitës monumentale është evident, por përtej këtij absurditeti mund të lexohen simbolikat për të kuptuar diçka, në mos për historinë, për aktualitetin. Në këtë periudhë tejet të acaruar, kur Rusia e Putinit ka bërë të qartë rikthimin e vet në skenën e përplasjeve imperialiste – së fundmi duke shkatërruar Ukrainën (edhe pse Ukraina kishte “garancinë” e SHBA dhe BE, që prej traktatit të Budapestit në 1994 se nuk do lejohej kurrë cënimi i integritetit të saj, në këmbim të çarmatosjes bërthamore) – ai pritet me paradë ushtarake, me të shtëna topash e me gjithë parafernalet neo-pansllaviste në mes të Beogradit. Vetë ngritja e përmendores së Carit të fundit duket sikur dëshiron të rrëfejë se ai Car e ka lënë një pasardhës, që rastësisht bart emrin e rëndësishëm perandorak Vladimir (të njëjtin emër me atë që shfronësoi dhe urdhëroi vrasjen e Nikollajit II).

Përfshirja e Serbisë në projektin neoimperial të Putinit nuk del në pah vetëm te simbolika e monumentit ama. Janë dhjetëra të dhëna nga vitet e fundit që rrëfejnë për këtë, nga qëndrimet diplomatike, aktivitetet e përbashkëta, marrëdhëniet speciale ekonomike, gjer edhe rezistenca për të ndërmarrë sanksione ndaj Rusisë pas agresionit të fundit në Ukrainë.

Politikbërësit në perëndim duket se shpresojnë që Serbia megjithëmend të jetë të paktën në dilemë mes Rusisë dhe BE-së, e që këtë dilemë ta zgjidhin në favor të tyre duke ofruar ndihma, investime, favore, ndonjë korrupsion të elitës, e mbi të gjitha duke ofruar mbajtjen pezull të Kosovës dhe sakrifikimin e çështjes shqiptare. Serbia e di këtë, dhe jo rrallë përpiqet që ta luajë lojën e dyfishtë dhe të maksimalizojë fitimet, apo “të pijë nga dy nëna”.

Por loja nuk është edhe aq bindëse, sidomos nëse sheh ngjashmëritë mes disa formave të politikëbërjes në Moskë dhe Beograd, ku e para lot rolin e mësuesit dhe e dyta të dishepullit.

Ndër to mund të përmendet ringjallja e pansllavizmit si nënshtrat i mendimit imperial, dhe forcimi i bindjes se serbët e rusët janë kushërinj, në mos vëllezër, të bashkuar nga pravosllavizmi. (Se pse vetëm serbët e rusët e jo popujt e tjerë sllavë, kjo pyetje do trajtim në një artikull tjetër, e jo këtu). E vetmja kohë kur kjo vëllazëri “e natyrshme” u prish, ishte në kohën kur qeverisnin disa “jorusë” e “joserbë”, psh. armeni Xhugashvili dhe kroati Broz. Koha kur politika u ndikua gjithnjë e më pak prej shenjtëve patriarkë të Moskës e Beogradit. Por, thuhet në retorikën e përditshme publike e politike të këtyre dy vendeve, ajo kohë ka ikur e sot unioni shtet-kishë, thelbësor për identitetin rus e serb, i ka hapur sërish dyert e bashkëpunimit tradicional.

Po ashtu, ngjashmëri vërehen edhe në forcimin e konservatizmit politik, i cili ka kapur pushtetin në të dyja vendet. Patriarkalizmi, theksimi i lavdisë së shkuar imperiale, anti-liberalizmi, ultranacionalizmi, racizmi etj. gjejnë vend jo thjesht në margjina të shoqërisë, por tek figurat qendrore të qeverisjes. Një nga fashistët më të rrezikshëm bashkëkohorë, Aleksandër Dugin, është këshilltar i Vladimir Putinit (thuhet se prej tij e ka marrë Putini konceptin e euro-azisë), ndërsa në Serbi president është Tomisllav Nikoliçi, i cili në fillim të viteve ’90 shpalli tezën “e këndshme” se shqiptarët duheshin infektuar të gjithë me AIDS që të zgjidhej çështja shqiptare. Kryeministër është Aleksandar Vuçiçi, dikur ministër informacioni në qeverinë e Millosheviçit, në kohën e Luftës së Kosovës, kur jo pak gazetarë kanë përfunduar të vrarë për shkak të opozitës ndaj regjimit kriminal. Vuçiçi edhe më vonë, nga 2006, propagandonte për mbrojtjen shtetërore të gjeneralit Ratko Mlladiç, dhe duke patur parasysh figura të tilla, Ivica Daçiçi, i cili ka qenë zëdhënës i Millosheviçit, gati-gati duket si engjëll…

Por ngjashmëritë më të mëdha mes Rusisë dhe Serbisë duken tek themelimi i të ashtuquajturave “shtete matrioshka”. Rusia ka themeluar si të tilla Abkhazinë e Osetinë në Gjeorgji, Transnistrinë në Moldavi, tash Donbasin në Ukrainë, ndërkohë që kërcënon me ndarje të tilla edhe shtetet Balltike. Ndërsa Serbia ka siguruar praninë e saj në Bosnjë përmes “Republikës Srpska”, tentoi të krijojë një të ngjashme në Kroaci “Republika e Krajinës” – por pa sukses pasi që kroatët e zbythën me ushtri ndërhyrjen serbe, po tenton të krijojë Bashkësinë e Komunave Autonome në Kosovë, dhe ka vënë totalisht nën tutelën e vet Maqedoninë.

Të gjitha vendet ish-perandorake kanë popullsi etnike jashtë kufijve të tyre, e cila jeton nën statusin e minoritetit etnik. Por kjo nuk vleka për serbët edhe rusët, të cilët kudo që janë duan të krijojnë shtet e republikë, dhe askund s’pranojnë të jenë minoritet. Në thelb të kulturës së tyre nacional-imperiale qëndron besimi se janë “popull i përzgjedhur”, suprem ndaj popujve të tjerë.

Ku gjenden shqiptarët në këtë ekuacion? Në ndeshjen e futbollit Serbi-Shqipëri federata serbe bëri një kërkesë të paprecedentë, që të mos shkonin tifozë për shkak të “rrezikshmërisë së lartë”. Dokrra. Pse nuk kanë paraqitur rrezikshmëri të lartë tifozët kroatë që shumë herë e kanë vizituar Beogradin me kombëtaren e tyre? Mos vallë për shkak se Kroacia shumë shpesh në histori e ka gjetur forcën (herë me të drejtë e herë pa të drejtë) që t’i kthejë sulmin Serbisë, ndërsa shqiptarët gjithnjë janë gjetur të sulmuar dhe të detyruar të mbrohen? Mos vallë ky popull që kurrë nuk ka qenë agresor na qenka më i rrezikshmi prej krejtve? Jo. Është thjesht përbuzje dhe injorim ndaj shqiptarëve, të cilët edhe më parë janë konsideruar si qytetarë inferiorë në Jugosllavinë e hegjemonizuar nga serbët, siç konsiderohen sot fatkeqësisht dhe pa të drejtë, romët.

Ngritja e përmendores së Romanovit të fundit në Beograd shënon vazhdimin e vektorit imperial rus në Ballkan, ashtu siç ngritja e përmendores së Car Dushanit në Shkup para ca kohësh shënon vazhdimin e politikës dhe interesave serbe jashtë kufijve të saj. Si kukullat matrioshka, nga barku i imperializmit rus del ai serb, e nga barku i serbit del ai maqedonas. Nuk është rastësore që mu përballë një pllake të padukshme që përkujton Nënën Terezë në Shkup gjendet një qendër tregtare ku pllakati madhështor lexon “EuroAsia”, si për të treguar gjer ku mbërrijnë rrënjët e degët e Putinit.

Nuk është rastësore po ashtu, që serbët ndërkohë që e kanë gojën plot me kërkesa e me ankesa, për rikthimin e serbëve në shtëpitë e në pronat e tyre në Kosovë, nuk po ndihmojnë as që të kthehen trupat e 1700 të zhdukurve gjatë spastrimit që ata ndërmorën në Kosovë. Ndërkombëtarët i këshillojnë shqiptarët që të jenë zemërgjerë e të dinë të falin, dhe politikanët shqiptarë shpeshherë të verbër nga vetëdija historike e politike, janë gati të falin, edhe pse politikanët serbë as që kanë kërkuar falje për ndonjë gjë.

Në memorandumin famëkeq të viteve ’30 të shekullit të kaluar Vaso Çubrilloviç shfaqet shumë interesant. Ai e sheh spastrimin e shqiptarëve si një detyrë kombëtare. Në faqet e atij memorandumi nuk shfaqen dëshira për gjakësi, apo urrejtje etnike patologjike. Përkundrazi, ai shfaqet si një “shkencëtar” gjakftohtë, i cili i është vënë studimit të një problemi që kërkon zgjidhje. Pasi i referohet spastrimit të shqiptarëve nga Nishi, nga Toplica e nga Jagodina (ku para më pak se një shekulli ishin shumicë, e sot s’ka asnjë syresh), ai thotë se duhen spastruar dhe ata të Kosovës dhe Maqedonisë. Ndër zgjidhjet që sugjeron, është dhe zhvendosja e tyre drejt Turqisë e Shqipërisë (kjo zgjidhje më vonë, në kohën e “komunizmit” gjeti zbatim në marrëveshjen Tito-Kyprili, dhe mbi 300.000 shqiptarë u dërguan “të paketuar” në Anadoll). Nëse autoritetet në Tiranë do të ngrenë zërin, sugjeronte Çubrilloviçi, atëherë le të hyjë në lojë paraja. Ryshfeti është mjeti më i mirë për të platitur zërat e pushtetarëve shqiptarë.

A është kështu edhe sot? Zënkat publike mes Baton Haxhiut dhe Margarita Kadriut (të dy mbështetës të Hashim “çlirimtarit”) na rrëfyen se kush i shërben Mishkoviçit (ish-zv.kryeministër i Millosheviçit, sot manjat i ekonomisë në Ballkan e Evropë) e kush Stanishiçit (ish-shef i shërbimeve sekrete të të njëjtit) prej të dyve. Problemi i “miellit kosovar” na tregoi edhe se sa vendore janë produktet që importohen nga Serbia dhe paketohen në Kosovë. Lukoil-i rus i cili ka kapur tregun maqedonas të naftës na tregon edhe për pushtetarët shqiptarë, bashkëpronarë në këtë biznes putinian. Dhe prania e bollshme e “Fazlliçave” e “Mishkoviçave” në Tiranë na lë të kuptojmë se sa e madhe është fuqia korruptive e kapitalit serb.

Të gjitha këto duhet të mbahen parasysh prej kryeministrit Edi Rama (dhe prej presidentes Jahjaga, nëse vendos të shkojë edhe ajo) në vizitën që ka planifikuar të bëjë në Beogradin ku kurrë nuk ka nisur procesi politik i defashistizimit apo i demillosheviçizimit, vizitë që unë me gjithë mend shpresoj dhe dua që të jetë bona fide. Ndoshta Rama ka nisur të mbajë pranë këshilltarë si Blair, që “hanë bukë” edhe në Beograd e gjetiu në vende rreth Rusisë, e ndoshta bashkë me Blair-in vijnë te Rama edhe gjeorgjianë e këshilltarë të tjerë, por çështja shqiptare në Ballkan nuk zgjidhet përmes ukrainizimit, as përmes gjeorgjianizimit, të ekonomisë dhe diplomacisë.

13.10.2014

Botuar në gazetat “Shqip” e “Zëri”

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 16, 2014 nga te Publicistikë, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: