rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Doktor Knokët, apo Testamenti i Dr. Aganit

Glauk TahiriINFO_KNOCK-2

Njerëzit sëmuren për çdo ditë dhe hapi i parë drejt pragut të Doktorit nënkupton se dikush është shtyre rëndë nga nevoja për të bërë një kontroll; do të thotë se ai më parë ka provuar çdo medikament që ka gjetur në shtëpinë e tij; do të thotë se ka provuar çdo këshillë që i është përcjellë nga të afërmit e vet, nga çaji deri tek ushqimet që kanë shumë yndyrë, madje edhe peshqirin e bardhë sipër fytyrës të përcjellë me një plaf të trashë përfund të cilit një shishe me ujë të nxehtë i është vënë dhunshëm trupit të tij.

Këta njerëz, në rast se e përballojnë dhimbjen përgjatë natës, ia mësyjnë me mëngjes pragut të doktorit për ta bërë kontrollin. Doktori nga ana e tij, është mësuar me pacientë dhe vështirë se habitet kur i takon ata. Atij në fund të fundit profesioni ia dikton se nuk ka njerëz të shëndetshëm, por vetëm njerëz më pak ose më shumë të sëmurë dhe duke qenë kështu përse t’iu thotë ai pacientëve që sëmundja apo ftohja e tyre nuk është serioze, kur në fund të fundit ata do të gëzoheshin aq shumë saqë nuk do e besonin as vetë?  Përse t’i gënjejë doktori pacientët e tij? Mos vallë rendi i pacientëve është aq i gjatë jashtë zyrës saqë duhet krijuar hapësirë për pacientët që janë më shumë të sëmurë?

Kjo është të paktën ideja e Doktor Knokut – personazhit të Jules Romains, për të cilin rendi i gjatë i pacientëve jashtë zyrës së tij shënon mundësinë e përshkrimit të mallit (recetës mjekësore) që duhet të  blihet në barnatore. Rroftë pacienti në këto kohëra të Triumfit të Mjekësisë!

Të paktën këtë mund ta themi sot, kur distanca mes zhvillimit të shoqërisë dhe zhvillimit të sëmundjeve ka për hetues vetëm Doktorin që ekzaminon, diagnostifikon dhe këshillon pacientët qoftë përmes recetave që duhen përkthyer me para në barnatore, qoftë përmes recetave që orientojnë tek doktorët tjerë që kanë specializuar për rastin që e shqetëson pacientin.

Përmendëm vallë shqetësim? Duhet vallë pacienti të shqetësohet për veten? Natyrisht se ai duhet të shqetësohet, vetëm se këtu ka një dallim mes shqetësimit të një të pasurit dhe shqetësimit të një të varfri. I pasuri ka një shqetësim, dhe ai është shëndeti i tij. Se si arrin ai të shëndoshet, se ku shkon ai për t’u shëruar dhe me çfarë arrin ai deri tek mundësia e shërimit nuk përbën problem. Për të varfrin nga ana tjetër nuk përbën shqetësim vetëm shëndeti i tij. Për të varfrin më problematike di të jetë rruga deri tek mundësia për t’u shëruar. Rruga e një personi të varfër që përgjatë natës ka gëzuar gjithë vëmendjen e familjes së tij, duke qenë i mbështetur në një shishe të nxehtë uji është shumë e largët dhe e rrezikshme. Përveç sigurimit të parasë që ia mundësojnë atij përafrimin me doktorin, ai duhet të sigurojë para për kontrollin tek një specialist që më pas t’ia përshkruaj atij një listë të gjatë të analizave që duhet t’i bëjë dhe një listë të gjatë të barërave të njëjta që vijnë nga firma të ndryshme që ai duhet t’i blejë.

Kjo e fundit, pra blerja e barërave të njëjta nga kompani të ndryshme është po aq e rëndësishme sa është edhe kontrolli tek doktorët tjerë, pasi pacienti në këtë mënyrë përveç se shpenzon, në të njëjtën kohë i futë në funksion edhe lidhjet që ka doktori me kolegët e tij dhe kompanitë farmaceutike që ndonjë rast e shpërblejnë atë me para, e në një tjetër me ftesa për pjesëmarrje në konferenca “shkencore” jashtë vendit.

Mjeku Nexhmi Zeqiri i shkruan edhe kështu edhe kolegut të tij Lulzim Kamberi “Mirëmëngjesi Luli, tregoju në Emergjenc me të thirr ty. Nëse ke ndonjë pac. ( pacientë) për te maqedont tregom me SMS dhe 500 euro jan tuat. unë rreth orës 19-20 Jam”. – gazetajnk

Të gjitha këto shqetësime, përmendëm se i takojnë pacientit dhe vazhduam ta përndjekim etimologjinë e fjalës pacient që shënon “të vuajturin” dhe “të durueshmin” karakteristika këto për të varfrin që është i durueshëm kur vuan (pasi nuk gjënë mjete financiare) dhe i vuajtur kur duron (pasi nuk rrezikon askë për të shpëtuar veten).

Ky specifikim i pacientit e realizon veten, sidomos në shoqëritë si kjo e jona, ku sistemi shëndetësor ka të bëjë me gjithçka përveç se me shëndetin dhe Ministri i Shëndetësisë ka të bëjë me gjithçka përveç se me Zotin.

“Nexhmiu i shkruan Dautiti “Mirëmëngjesi dosti jem, të përshëndes nga ulqini, koha dhe uji ok! Mos harro naj pacient ta qojm tek maqedont se ende po mundona me ju q… nane me qmime, jam në negociata ende. dije që 500 jan tuat.klm”. – gazetajnk

Zoti, Ministër në këtë rast Feridi që plotëson radhën e “rrugaçëve akademikë” të pasluftës, përveç se sigurohet të mos ketë një sistem të mirëfilltë shëndetësorë prej mandatit të kaluar kur tha se “duhet kaluar mendësinë e shëndetësisë së centralizuar dhe duhet të hapemi në tregun e lirë” duke privatizuar më pas sektorë të shëndetësisë dhe duke hapur tregun për lloj-lloj klinike dhe kompani farmaceutike, siguroi edhe tregun e lirë të pacientëve që sot enden nga klinika në klinikë prej ku përveç se dalin pa para, kanë edhe ndonjë organ mangut (rasti i 18 vjeçarit nga Vushtrria që ia vodhën veshkën në QKUK).

“Në komunikimin mes Draut Gorani dhe Astrit Bakiqi në një mesazh Astriti i shkruan Dautit “Sps, të hanen e kam një pac. ( pacient) X.X. për koro. (korografi). Unë nuk ndalem”. – gazetajnk

Kështu ky Ministër që së fundi u arrestua së bashku me 9 zyrtarë tjerë shëndetësorë nën akuzat për “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”,“Marrje e ryshfetit”, “Dhënie e ryshfetit”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe “Ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” pasi u lirua nga intervista dy orëshe në prokurori, të premten tha se “ministria e tij punoi për të mirën e qytetarëve”(koha.net).

Këtu njëmend nuk kemi se çfarë ti themi Ministri Ferid, ai njëmend ka punuar për të mirën e qytetareve – kujtojmë – edhe pas hapjes së “tregut të lirë shëndetësor” siç pëlqente ai ta quante, askush nuk u përjashtua nga e drejta për kujdes shëndetësorë ngase vetë ushtrimi i kësaj të drejte zhvillonte infrastrukturën, bazën materiale si edhe kapacitetet njerëzore në këtë rast klientelën e Ministrit Ferid që u instalua gjithandej vendit.

Gjithandej vendit u hapën klinika dhe spitale, që nga ato të zemrës deri tek ato të lindjes nën licencën e këtij Ministri që e krijoi rrjetën klienteliste ku shumica e pacientëve gjetën vdekjen (rasti i klinikës së “vdekjes” – “Heart” në Gjakovë)

“Ndërsa në një mesazh tjetër Astriti i shkruan sërish “ Le m… tja marrin lekët”. – gazetajnk

Në këto kushte dhe rrethana, ku tashmë edhe u konkretizua ky rrjet i xhelatëve të parasë dhe shëndetit me në krye Ministrin Ferid Agani, besueshmëria e pacientëve në institucionet publike të shëndetësisë vetëm sa ka rënë edhe më shumë. Natyrisht ata që kanë mjete financiare më shumë nuk është se e kanë hallin aq të madh pasi edhe ashtu shërohen jashtë vendit. Halli qëndron tek shtresa e mesme që gëzon mbështetje nga bizneset e vogla kur ka nevojë të mbledhë para për shërim, dhe tek shtresa e varfër që me vështirësi arrin të mbledhë diçka në sheshin e mëshirës “Nëna Terezë”.

Pavarësisht kësaj, gjendja e sistemit shëndetësorë duhet të na preokupoj të gjithëve si qytetarë pa dallim. Pasi, edhe po të kemi të ardhura të shërohemi jashtë vendit do të kthehemi në një vend me sistem shëndetësor të sëmurë. Nuk ka garanci për asgjë.

Nuk na duhet kujdesi financiar për njëri tjetrin kur vjen puna tek shëndeti, pasi spontaniteti i një veprimi të tillë përveç se privatizon solidaritetin mes nesh, e ushqen edhe egoizmin irracional ndër ne, që një pjesë po vazhdon ta ushqej me bindjen se mund t’ia dalin vetë dhe një pjesë tjetër që duhet ikur nga këtu.

Duhet ta kuptojmë se nuk mund t’i zgjidhim problemet individuale jashtë problemit të përgjithshëm. Duhet ta kuptojmë se po ta duam vetëm njëmend në mënyrë racionale atëherë e duam edhe shoqërinë që na rrethon dhe po ta duam shoqërinë që na rrethon, atëherë e duam njëmend edhe veten.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: