rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Barbari, thonë…

Fondacioni Frantz Fanon

Filmimet e prerjeve të kokave të pengjeve perëndimorë në Irak e të një biçiklisti francez në Algjeri nxisin në mënyrë legjitime një ndjesi tmerri dhe një dënim unanim, pa apel. Këto vrasje të marra s’mund të jenë përveçse bëma kriminelësh perversë që i shërbejnë një ideologjie devijante. Këto mizanskena makabre vijnë pas imazheve po ashtu të padurueshme që tregonin ekzekutime masive njerëzish të çarmatosur. Emocioni i prodhuar prej këtij teatri të mizorisë megjithatë po manipulohet gjakftohtësisht prej disa mediave e disa qarqeve politike në Oksident. Cilësimi që rimerret pandërprerë i “barbarive” të ndërmarra nga “barbarë” i gjegjet vullnetit për të dehumanizuar autorët e këtyre mizorive. Përjashtuar prej dosjeve të Qytetërimit ata nuk mund të përfitojnë më prej së drejtës së përbashkët, nuk trajtohen më prej ligjeve të zakonshme. Kemi të bëjmë me propagandë të bardhë sipas përdorimeve të saj të njohura e sipas traditave të saj të sprovuara tashmë, duke denoncuar barbarinë e patejkalueshme të “tjetrit”, e cila paraqitet si një totalitet ku s’ka dallime, në mënyrë që kësisoj të nënshtrohet a të shfaroset më lehtë, përtej kriminelëve, një shoqëri e tërë. Ose, si në rastin e Irakut apo të Sirisë, të shkatërrohen shtete.

Këto vrasje mediatike pasqyrohen prej organeve të propagandës si veprime irracionale të një tjetërsie radikale, thuajse jo-humane. Por para se të arrijmë këtu, që nga brigjet e Levantit e deri në ato të Barbarisë, mizori të tilla na paskan qenë inherente tek një sferë etnike-religjioze, Islami, që pavarësisht nuancave gjuhësore mbetet një rrezik intrinsek, thuajse i pakuptueshëm dhe sistematikisht kundërshtar i një Oksidenti ku, prej esence e prej përkufizimi, vlerat humaniste janë përfundimisht sipërore ndaj gjithë të tjerave.

Në një amalgamë të paturp, por qartësisht të nënkuptuar, myslimanëve të këtushëm e të vendeve të tjera, të dyshuar për bashkëjetesë “kulturore” me vrasësit, u bëhen thirrje prej policëve të mendimit që të çsolidarizohen publikisht prej këtyre krimeve. U kërkohet që të aprovojnë luftën e re meslindore të Oksidentit si dhe bombardimet “hakmarrëse” për të cilat ka marrë vendim Qytetërimi.

b1-6ae99

Këto argumente të kësaj propagande esencialiste që kanë për qëllim të demonizojnë komunitete të tëra janë ndjellëse të urrejtjes e tërësisht idiote. Kjo propagandë stigmatizimi dhe fajësimi do të ishte edhe më e papranueshme po qe se këta gazetarëve-prokurorë, veçanërisht të mirëvendosur, do të kishin bërë punën e tyre për të evokuar, si specialistë, egërsinë sistematike dhe banditërinë e padëgjuar më parë sa i përket përmasave gjakësore të atyre që i kanë drejtuar armët kundër popullatave arabo-myslimane që prej dekadash.

Këta gazetarë, që u rreh çekani veç te fjala barbari, ç’kanë shkruar vallë për qindra mijëra të vdekurit civilë në Irak, për përdorimin e fosforit të bardhë e të municioneve me uranium të varfëruar kundër popullatave civile? Cili, mes këtyre modelëve të Qytetërimit, u kujtua për fatin e dhjetëra fëmijëve të keqformuar në Falloujah e gjetiu për shkak të përdorimit të armëve të palejueshme?

Mos vallë u dëgjua ndonjë thirrje indinjate nga ana e këtij shtypi gati-tu asokohe kur shumë e qytetëruara Madeleine Albright, ish-sekretarja e shtetit amerikan, justifikonte vdekjen e pesëqind mijë fëmijëve irakenë? Cili, prej këtij shtypi apo prej kompanive televizive, u rebelua përballë faktit se në këtë vendin e të drejtave të njeriut ca kriminelë së paku po aq sadistë sa ata të Shtetit Islamik kanë mundësinë të vdesin në shtretërit e tyre falë amnistisë dhe amnezisë së Shtetit?

b2-85261

Por s’ka nevojë të shkojmë gjer te luftërat koloniale që u ndërmorën në emër të “Lumières-ve” të brezit paraardhës për të shquar një egërsi të njëjtë bashkëkohore, ngjashëm të paturpshme, që e mbështjell veten me vlerat e Demokracisë dhe të të Drejtave të Njeriut. Barack Obama, çmim Nobel për paqe, pra mund të shpallë shtatë luftëra të tjera edhe pasi e ka marrë këtë dekoratë e cila përfundimisht e ka humbur çdo lloj domethënieje morale. Cila, mes këtyre mediave, i kujton dhjetëra mijëra viktimat e pafajshme të goditjeve me drone gjithandej nëpër botë? Vdekja prej predhave të komanduara e prej bombave “inteligjente” e pesëqind fëmijëve në Gaza a nuk është një akt “barbarie”? Të gjitha, si bombardimet e shkollave të drejtuara prej OKB-së, mbeten dëme anësore të goditjeve “kirurgjike”. Është e vërtetë se në mungesë të imazheve dhe të varrosura nën mistifikimin dhe heshtjen bashkëpunuese të gazetarëve të infotainmentit, dhjetëra mijëra të vdekurit e luftërave asimetrike nuk ekzistojnë. Janë thjesht statistika, kufomat e capërlyera të të mjerëve e të të paarmatosurve nuk ngjallin asnjë emocion.

Pra nuk ka asnjë nevojë që të bëhen hulumtime imcake për të zbuluar se realiteti i “barbarisë” është fort i ndryshëm prej asaj që ky shtyp në battle-dress do që të besohet. Nuk do përpiqemi tani këtu që të bëjmë gjenealigjinë politike të islamizmit fanatik që u prodhua prej monarkive të Gjirit Persik dhe që u armatos prej Oksidentit. Kujt i kujtohen raketat franceze Milan, armët angleze e amerikane me të cilat furnizoheshin bujarisht “muxhahedinët” afganë, dje freedom-fighters e sot talibanë ekstremistë?

b3-cc217

Mizanskenat e vrasjeve të ndyra në rrethana të tmerrshme prej ca psikopatëve apolitikë nuk munden, në asnjë rast, të shërbejnë si pretekst për të tilla manipulime që nxisin urrejtje. Diskursi mbi barbarinë i shtënë prej qarqeve të propagandës ka për qëllim të vizatojë një armik të brendshëm inekzistent, për të bërë të heshtin ata prej myslimanëve europianë që denoncojnë aventurat luftarake në Lindjen e Mesme. Që të harrohet ajo çka është bërë prej aleatëve të Oksidentit. E po ashtu, duke luajtur me frikën, t’i japë si ushqim pamjet e një minoriteti “me aparencë myslimane” një opinioni publik të rrahur, të cilin kanë vite që rreken ta mbajnë nën fre. Këto gjestikulime rreth një të vetëquajture barbari myslimane nuk ia dalin të maskojnë të vërtetën e përgjakur të një Oksidenti kolonialist dje, imperialist sot, i cili ndërmerr pa pushuar ç’prej shekullit XIX luftërat e tij të famshme e të qytetëruara ndaj botës arabe-myslimane. Kriminelët e Shtetit Islamik kanë patur mësues të mirë.

Sipas dispozitivit të sprovuar të përgatitjes psikologjike, barbaria e tjetrit përbën justifikimin final për t’i shpallur luftë. Ose, “luftërat” e përjetshme kundër terrorizmit, të angazhuara ç’prej dhjetëra vitesh, larg prej së shuarit të fenomenit, e kanë gjeneralizuar dhe e kanë sofistikuar atë. Pak dyshime mbeten, përballë dritës së përvojës, se refuzimi i qasjeve politike dhe tundimi prej luftës që po shfaqet tek drejtuesit oksidentalë, përveç një regresioni të rrezikshëm në të drejtën ndërkombëtare, nuk do të prodhojë gjë tjetër veç shtim të kundërshtimit.

Barbarët e parë, më të ligjtë, i kemi mes nesh.

Fondation Frantz Fanon

27 shtator 2014

Advertisements

Një koment te “Barbari, thonë…

  1. Pingback: Barbari, thonë… - Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: