rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Antiterrorizmi – kjo luftë defensive

Zgjim Hyseni

Të hënen, më 11 gusht Policia e Kosovës ka arrestuar 40 qytetarë të Kosovës. Arsyeja e arrestimit thuhet të jetë e lidhur me dyshimet për planifikim të kryerjes së aksioneve terrorriste në Kosovë e jashtë saj. Dyshimet hidhen duke u bazuar tek afërsia e tyre me grupet luftuese në Siri e tash edhe në Irak, deri tek vajtja e tyre në zonat e luftës. Policia thotë se aksioni është ndërmarrë pas 2 viteve që po zhvilloheshin hetime. Ndërkaq, kryeministri në ikje krejt papritmas, teksa rreh gjoks për autorizimin e aksionit na del si garantuesi i rendit kushtetues.

Secila formë e ekstremizmit është e papranueshme dhe s’duhet lejuar. Jo rrallë herë, rruga dhe mjetet që zgjidhen për të jetësuar një qëllim tregojnë shumë edhe për vetë qëllimin dhe subjektin e përfshirë. Secili organizim që do të imponojë një rend socio-politik, duke hequr dorë që në krye të heres nga fuqia bindëse e shpjegimit, për ta zëvëndësuar atë me bindjen e imponuar përmes dhunës brutale, në fakt tregon pafuqi dhe mungesë besimi. Tregon mungesën e universalitetit të vetë idesë për të cilën luftohet, se çështja nuk është e mbarsur me potencial çlirues, nuk është një shenjë që vjen nga e ardhmja. Mospranimi e mosdurimi i tjetrit thjesht sepse nuk është, apo nuk duket si ne është nga elementet bashkuese të fashizmit, pavaresisht nga cila ideologji a fe buron. Fashizmi u jep shprehje e pasion, zë e figurë, pa u dhënë dot fjalë e artikulim atyre krijesave të ndrydhura e të humbura që deri dje kërkonin prehje. Ai prodhon kulte e adhurim, popullizëm e armiqësi, por nuk cënon për asnjë çast rendin socio-ekonomik që ka krijuar këto gremina pabarazish e hapësira të errëta për njerëzimin. Në vend të armës së kritikës – drejt kritikës me armë, kemi retorikën populliste e lidhjet e shkurtëra sa për të pasur një armik ku e shfryejmë dufin. Kjo retorikë gjersa mobilizon masat, nuk u jep atyre mundësitë për çlirim.

Rrëgjimi e atomizimi i shoqërisë nga privatizimi neoliberal i ka shkatërruar bashkësitë shoqërore duke prodhuar pafuqi e depresion social. Kombinimi i varfërisë me mungesën e vetëdijes politike po i dërgon njerëzit në anomi dhe nevojë për arratisje nga realiteti i zymtë. Kjo zymtësi bashkë me shkatërrimin fatal të sistemit tonë arsimor, kanë prodhuar kushtet për subjektin që do ta formësojë mjegullnaja jonë mediatike. Nuk kemi publikun që gjykon e kritikon, nuk kemi organizimin që reagon, por kemi një masë amorfe njerëzish që endin llafe. Lajmit i kalon aktualiteti ende pa u marrë vesh në ishte i vërtetë. Pa filtrin e arsyes kritike, pa kurrfarë besimi a sistemi vlerash, në sajë të distances cinike që kemi krijuar mbi gjendjen e dhënë të gjërave, secili lajm bësohet për fakt real, pikërisht sepse kujt s’i bëhet vonë në është vërtetë ashtu. Spektator në politikë, aktiv në endjen e thashethemeve a la gazetaexpress: është ky qytetari i Kosovës që ka prodhuar hegjemonia neoliberale.

Për ta sqaruar situatën mund të na ndihmojë një kthim mbrapa tek historiku i problemit. E paaftë për t’i vlerësuar dhe e pa guxim për t’i mbështetur kryengritjet popullore në Tunizi e Egjipt, Qeveria e Kosovës është vonuar së tepërmi për ta mbështetur pranverën arabe. Pas përshkallëzimit të protestave të Sirisë në luftë të armatosur, kemi edhe krijimin e një aleance të shteteve perendimore për të mbështetur opozitën siriane në luftë kundër diktatorit Bashar Al Assad. Siç dihet, pjesë e kësaj lufte kundër Assadit ishin edhe organizatat ekstremiste ku paskan aderuar  të rinjtë nga Kosova. Si në zhvillimet lidhur me pranveren arabe, edhe në ato të Sirisë, nuk kemi parë asnjë artikulim që mbron interesat dhe subjektivitetin shtetëror të Kosovës. Siç është surrogat shteti i Kosovës, edhe politika jonë e jashtme karshi këtyre ngjarjeve ka qenë bisht i qendrimeve të huaja. Qeveria e Kosovës jo që nuk i ka ndaluar, por ka dërguar sinjale të qarta motivuese për ata që luftojnë në Siri. Kujtojmë këtu pritjen që i bëri Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj në Prishtinë eksponentëve  të opozitës siriane, dhe deklaratën skandaloze të tij ku tërhiqet paralele midis luftës sonë çlirimtare dhe asaj të Sirisë. Dimë poashtu deklaratat publike e ligjeratat nxitëse të imamëve të njohur në Kosovë që bënin thirrje e lutje publike për luftën atje. Atëbotë, Qeveria e Kosovës dhe organet e rendit mbanin njërin sy mbyllur e bënin sehir.

Megjithatë, nuk do ta kuptojmë kthjellët situatën e krijuar pa u përgjigjur në 2 pyetje thelbësore: nëse Policia e Kosovës ka 2 vite që heton të pandehurit, si ndodhi që aksioni u ndërmorr pa u bërë 48 orë nga autorizimi i sulmeve në Irak nga Presidenti i SHBA-së Barack Obama? Si i bëhet që brenda një kohe aq të shkurtër kemi 2 luftëra të ndryshme ku janë të përfshira organizatat fundamentaliste islamike: një në Siri e Irak, tjetra në Palestinë, dhe nuk kemi asnjë njeri të vetëm që shkon në Palestinë, por shumë njerëz, rrjet e organizim për luftën e Sirisë?! A nuk janë të dyja këto organizata me bazë pak a shumë të njejtë?!

Për të gjithë ata që ende besojnë në tezën e mbrapshtë të Samuel Huntingtonit mbi luftën midis civilizimeve, si ta kuptojmë faktin që ShBA- të si qendra e qytetërimit perendimor ta ketë aleatin më të afërt Arabinë Sauditë, shtetin që regjim zyrtar ka Sheriatin, për më tepër është edhe vendi prej nga buron e shpërndahet shkolla e vehabizmit?

Pa e kuptuar luftën për tregje e burime natyrore; pa e analizuar se në ç’mënyrë është e lidhur kjo me konfliktet gjeopolitike midis perandorive; pa i gjurmuar politikat përçarëse të metropolit që metodë kryesore kanë politizimin dhe rritjen e dallimeve kulturore e fetare që zbatojnë këto të fundit tek popujt që sundojnë, nuk do t’i kuptojmë asnjëherë shkaqet e vërteta të luftërave që na shfaqen si kulturore, fetare a identitare. Dhe s’duhet harruar se ky politizim i dallimeve kulturore e fetare që sajon kontradikta të rrejshme është veçse në dallim sasie prej ligjerimit multikulturalist që “kultura e lartë perendimore” mban për vete. Edhe ky i fundit, racizmin e ka të brendashkruar. Mbajta e tjetrit në distancë, presupozon qenien e padëshirueshme dhe problematike të tij. Pikënisja e tij janë gjithashtu dallimet, por kur të ndryshmit janë brenda nesh që kemi shijen e hollë e arsyen instrumentale, dallimet s’do të na çojnë në luftë. Vetëm shkurt ama, vetëm derisa tjetri nga periferia kërkon hisen e tij në shtetin social që ka qenë i mundur në saje të djersës e gjakut të derdhur në koloni, tjetri që dikur e kishim kolonizuar në emër të vlerave tona e për ta bërë si ne, paradoksalisht na rezulton si tjetri i frikshëm që duhet përjashtuar. E derisa kriza nuk na prodhon periferikë e të përjashtuar brenda vetë nesh, sepse pastaj, Le Pen në Francë e Orban në Hungari do na kujtojnë që ky kontinent me 70 vjet paqe ka edhe histori të llahtarshme.

Duket sheshazi se përgjigja që po merr ky fenomen nga  denoncuesit e tij është e gabuar, sepse e tillë është mënyra e trajtimit. Përgjigja është e gabuar jo vetëm nga pikëpamja e saktësisë së shpjegimit, por mbi të gjitha në terma të efikasitetit. Ajo është defensive. Ky trajtim nuk e problematizon atë që Slavoj Zhizhek e quan niveli zero i dhunës. Nivel ky që shërben si pikë reference, ikjen prej të cilit e konsiderojmë dhunë. Me  nivelin zero të dhunës në këtë rast kuptojmë bashkëjetesen e rrugëtimin pa fërkime të kapitalizmit global dhe liberalizmit si ideologji. Kjo kohë ka marrë fund. Ngadalë por sigurt, sasia po shndërrohet në cilësi. Tash sa kohë, konkurrenca po i lëshon vendin monopolit; akumulimi i kapitalit në ekonominë reale ka parë limitin e tij historik, duke i hapur rrugë financiarizimit të ekonomisë dhe valles solipsiste të qarkullimit; gjahu për burime e tregje ku ndeshen përbindëshat teksa ndajnë prenë; pozicionimet e reja gjeo-strategjike të perandorive dhe luftërat për definim të kufijve. Të gjitha këto flasin për një faze të re: imperializmin e kohës sonë. “Lufta është vazhdim i politikës” thoshtë teoricieni i luftës Karl Von Klauzevic, por këtë tezë e bëri me plot kuptim Georgi Lukaç: “ajo është e tillë në të gjitha aspektet. Jo vetëm në politikën e jashtme të një shteti lufta do të thotë zbatim i plotë dhe më aktiv i asaj vije që ai vend ka ndjekur edhe në “paqe”, por edhe për ndarjen e brendshme klasore në një vend (dhe në tërë botën) lufta deri në fund ashpërson ato tendenca që ishin në fuqi në atë shoqëri edhe në paqe” . Këto zhvillime pra nuk duhet parë si ndryshim drejtimit të rrugës së deridjeshme. Përkundrzi, ndjekja qorre dhe spontane e të njejtës rrugë po ndryshon vetë rrugën përmes të cilës ndjeket qëllimi. Fenomenet e lartpërmendura nuk janë devijime aksidentale, por domosdoshmëri ku do të na shpienin dinamikat e akumulimit të kapitalit. Është pikërisht ky niveli zero ku duhen kërkuar ligjësitë e dhunës.

E nga gjithë kjo analizë objektive e situates, në mënyrë që të hidhemi në veprim, na duhet edhe një hap formal mbrapa në nivel të mendimit. Ky hap formal ka të bëjë me mënyren sesi e vendosim veten në raport me këto zhvillime. Një hap që spërdredh e shkul praktikat ideologjike që mbjellin pafuqi, që shpërthen lëvozhgën individualiste duke tejkaluar distancën cinike. Kur parashtrojmë situatën në gjithë kompleksitetin e saj, bëjmë ndërhyrjen e parë subjektive në nivel të mendimit: e bëjmë veten fajtor,  ndjehemi përgjegjës, dhe marrim përsipër t’i zgjidhim edhe gjërat që nuk i kemi shkaktuar vetë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 31, 2014 nga te Esse, Religjion, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: