rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sa fashizëm?

640x392_52097_64765Richard Seymour – 4 gusht 2014

Vitin e shkuar kalova ca kohë në një vend të lezetshëm që kishte një qeverisje arrogante e të krekosur. Intelektualët atje më thoshin “s’është më çështja ‘fashizëm apo jo’, por ‘sa fashizëm’”.

E kështu sot shtrohet pyetja: sa fashizëm ka në Izrael? Nuk e kam fjalën për sa fashiste është qeverisja e Izraelit, sepse s’ka asnjë mënyrë që t’i japësh kuptim një pyetjeje të tillë. Shteti ose është fashist ose nuk është. Pyetja që dua të shtroj është se sa mainstream po bëhet fashizmi, sa i përditshëm, pjesë e pranueshme e kulturës politike?

Shfarosni

Në e gjykofshim këtë në raport me kushtin e domosdoshëm ideologjik të fashizmit, që është racizmi eliminues, përgjigjja nuk na del shumë shpresëdhënëse. Në 2008 Matan Vilnai, asokohe zëvendësministër i mbrojtjes bëri thirrje për një “Shoah” ndaj palestinezëve. Kjo ndodhi ca muaj para operacionit “Cast Lead”. Në 2012 Michael Ben-Ari, ish-deputet në Knesset dhe udhëheqës i një partie të vogël të ekstremit të djathtë, e quajtur Otzama LeYisrael, doli para një turme të entuziazmuar që brohoriste dhe bërtiti se ushtria duhet të lejohet të “shfarosë”. Kjo ndodhte gjatë operacionit “Pillar of Defence”. Në korrik 2014 Ayelet Shaked, deputet i Knessetit, pjesëtar i qeverisë dhe anëtar i partisë së ekstremit të djathtë Jewish Home Party, bëri thirrje për gjenocid ndaj palestinezëve. Kjo ndodhte në fillimet e operacionit “Protective Edge”.

Kohët e fundit Moishe Feiglin, zëvendëskryesues i Knessetit dhe një prej udhëheqësve të Likudit, tha se gjithë territori i pretenduar si Eretz Yisrael, duke përfshirë dhe Gazën, i përket Izraelit. Ai bën thirrje për kampe përqendrimi, spastrim etnik dhe shfarosje të rezistencës. Martin Sherman, drejtori ekzekutiv i Israel Institute for Strategic Studies shkruan se “Gaza duhet të shkojë”. Palestinezët që luftojnë duhet të shtypen, dhe pjesa tjetër duhet të nxirren jashtë (“transferohen”), dhe të shtrihet sovraniteti i Izraelit në Gaza. Yochanan Gordon, analist për Times of Israel, shkruan një op-ed ku shpjegon “Kur është i lejueshëm gjenocidi”.

Po të ishin këta shembuj të veçuar, si raste të vetmuara të marrëzisë djathtiste, s’do kish nevojë të bëhej asgjë më shumë përveçse të dënoheshin si raste dhe të bëhej një thirrje për forcat “e arsyeshme” në politikën izraelite. Por këto nuk janë qëndrime të izoluara. Gjenocidi është një opsion i sikletshëm mainstream në Izrael. David Sheen së fundmi ka shkruar një artikull mbi komentet e disa izraelitëve në twitter që brohorisnin të eksituar për Forcat Mbrojtëse Izraelite (FMI) dhe bënin thirrje për shfarosjen e arabëve. Duke shpjeguar artikullin e vet ai tha: “Ato fjalë që thoshin vajzat në tëitter nuk përbëjnë ndonjë habi në diskursin në Izrael. Kur i përkthen në anglisht e kupton sa të tmerrshme janë, po në kontekstin izraelit nuk përbëjnë asgjë skandaloze.” Një përfundim të tillë ka nxjerrë dhe gazeta e majtë e qendrës, Ha’aretz: Vrasësit e Abu Khdeirit nuk janë ‘ekstremistë hebrenj’. Ata janë pasardhësit dhe ndërtuesit e një kulture të urrejtjes dhe të hakmarrjes që ushqehet dhe plehërohet prej udhëheqësve të ‘shtetit hebre’”.

Pas vrasjes së katër fëmijëve palestinezë në një plazh në Gaza, gazetari i Ha’aretzit, Gideon Levy raportoi për reagimet e komentuesve në Izrael:

Shani Moyal: “As më bëhet vonë fare që janë vrarë fëmijë arabë, shumë keq që s’pati më shumë. Bravo i qoftë FMI-së”. Stav Sabah: “Këto fotografi janë me të vërtetë të mëdha. Më lumturojnë aq shumë sa që dua t’i shoh prapë disa herë”. Sharon Avishi: “Vetëm katër? Shumë keq. Shpresonim për më shumë”. Daniela Turgeman: “Shumë mirë. Duhet t’ua vrasim gjithë fëmijët”. Chaya Hatnovich: “S’ka fotografi më të bukur se sa ajo e fëmijëve të vdekur arabë”. Orna Peretz: “Pse vetëm katër?” Rachel Cohen: “Unë s’jam që të vdesin fëmijët në Gaza. Unë jam që t’i djegin të gjithë”. Tami Mashan: “Duhet të vdesin sa më shumë fëmijë që të jetë e mundur”.

Një pyetje që ia vlen të shtrohet është: midis raportimeve për sulmet “hakmarrëse” të FMI-së ndaj gazanëve, dhe qitjeve mbi civilët që përpiqen të largohen mes rrënojave dhe kutërbimit të kufomave nëpër mëhallat e kthyera në varreza – sa marrin pjesë ushtarët izraelitë në këtë ideologji?

Një aspekt kyç i normalizimit të këtij racizmi eliminues është fakti se ky lidhet me perceptimin e një rreziku ekzistencial. Praktikisht çdo argumentim i tillë citon jo vetëm raketat e Hamasit, të cilat janë thjesht emblema e rrezikut, por edhe qëndrueshmërinë afatgjatë të ‘shtetit hebre’ nëse nuk e zgjidh problemin me arabët e vet. E kështu mprehet një teh luftëndjellës dhe kundërsubversiv në politikën izraelite, përmes sulmeve verbale dhe fizike ndaj së majtës, përmes kërcënimeve gjithnjë e më të forta ndaj izraelitëve arabë dhe ndaj atyre pak përfaqësuesve të tyre në Knesset. Sepse nëse “ata” paraqesin rrezik për ‘shtetin hebre’ në Gaza, ‘ata’ paraqesin rrezik edhe për Izraelin vetë, po ashtu edhe aleatët e tyre tradhtarë. Tash, ky është një motiv i drejtpërdrejtë reaksionar në disa kuptime: i eksternalizon disfunksionalitetet dhe antagonizmat e brendshme të zionizmit drejt ca kundërshtarëve të përzgjedhur. Hamas-i, Irani, OKB-ja, aleatët e tyre idiotë komunistë: ata na kërcënojnë me zhdukje.

Gjak e dhe

Fakti që fashizmi po normalizohet në Izrael është i pazakontë në një perspektivë. Në shumicën e shteteve ku ekziston potenciali fashist vihen re këto gjëra: shpërthimi i konfliktit klasor (përgjithësisht i zgjidhur në favor të kapitalit); polarizim politik mes të majtës dhe të djathtës (në të cilin iniciativën tenton ta ketë e djathta); rrëgjim i aparateve hegjemonikë; dhe një ngërç i udhëheqjes parlamentare. Këto karakteristika i sheh në Greqi, po jo në Izrael. Ka polarizim klasor, sigurisht, por jo ndonjë betejë e madhe klasore. Ka polarizim politik, po është polarizim thuajse ekskluziv brenda së djathtës. Hegjemonia racë/klasë mbetet relativisht e qëndrueshme, aparatet hegjemonike nuk janë duke u zhbërë dhe shteti nuk është në qorrsokak. Vështirë se gjen ndonjë izraelit hebre që të kundërshtojë atë që po bën qeveria. Në këto rrethana ç’hapësirë do të kishte për një lëvizje popullore të klasës së mesme që të merrte pushtetin? Kush do të kishte vallë nevojë që të eleminonte demokracinë parlamentare?

Por sigurisht Izraeli është ndryshe. Është një shtet kolonial dhe kolonizues në ideologjinë e vet të veçantë. Pretendimet e veta territoriale dhe imperativat e veta demografike gërshetohen për të krijuar një dinamikë vetë-radikalizuese. Vështirë se gjen ndonjë rrymë politike në Izrael që të kundërshtojë faktin se Gaza dhe Bregu Perëndimor i përkasin me të drejtë Izraelit. Dy rrymat më të mëdha të zionizmit, laburizmi dhe revizionizmi, bien dakord në këtë pikë si dhe në në faktin se është e nevojshme që kufijtë të mbeten të paqarta, pra edhe të zgjerueshme, duke ruajtur potencialin për të përfshirë një ditë gjithë Eretz Yisraelin. Sigurisht që krahu shekullar i zionizmit nuk i ‘merr seriozisht’ premtimet biblike ndaj Abrahamit dhe pasardhësve të tij, mbi të cilat themelohet pretendimi izraelit mbi Palestinën, por, si në çdo nacionalizëm, nevojitet një mitologji e shenjtë për të shpjeguar marrëdhënien përndryshe krejtësisht kontingjente mes popullit dhe territorit.

Në zionizëm gjendet pashmangshmërisht edhe një element thellësisht mesianik. Sepse, si fillim, të ëndërrosh një shtet-komb të ri, një shtet hebre, në një pjesë të Perandorisë Osmane ku ka pak hebrej dhe ku s’ka asnjë nacionalist hebre – dhe ta ëndërrosh këtë si shpëtim prej errësirave të Europës – është të besosh në një përrallë, pavarësisht asaj që ka patur për të thënë Theodore Herzl mbi këtë gjë. Të mbledhësh vullnetin politik për të realizuar këtë gjë, t’i bësh njerëzit të besojnë te kjo, të supozosh se thjesht vullneti do të mjaftojë, ky është një lloj mendimi magjik, që sigurisht se materialin e merr nga e njëjta minierë si edhe religjioziteti. Kjo pjesërisht shpjegon edhe gjuhën veçanërisht spirituale të zionistëve shekullarë, prej Ben Gurionit deri te Jabotinsky. Kjo pjesërisht jep edhe arsyen se pse pretendimi historik i paraqitur nga ana e zionistëve shekullarë është në thelb një mitologji e “gjakut dhe e dheut”, që rrjedh prej romanticizmit gjerman dhe që themelohet mbi supozimin e lidhjes së moçme mes “stërgjyshërve” hebrej dhe tokës (një mitologji e rrëzuar me shumë efikasitet nga Shlomo Sand). Ka dhe më shumë se kaq, por thelbi është se “lëvizja e kolonizuesve (settler)” dhe e djathta religjioze përgjithësisht e tallur si një farë shtrese ekstremiste e projektit zionist janë në një sens e vërteta e tij më e brendshme. Kur ata thonë se duhet të ndërtohen qytete hebreje në Lindjen e Mesme, kur argumentojnë se ka “imperativa halakikë” që kërkojnë kolonizimin jo thjesht të Palestinës, por edhe të Libanit, Sirisë, Jordanit, ata në fakt nuk po devijojnë shumë prej “stërgjyshërve themelues” të shekullorëve, të cilët që të gjithë binin dakord se Eretz Yisraeli, “atdheu” i hebrejve, shtrihej shumë më gjerë se sa në Palestinën e Mandatit Britanik.

Mirëpo problemi është se zgjerimi në një mënyrë të tillë është i rrezikshëm, sidomos nëse qëllimi themelor është që të ketë një shtet specifikisht hebre, me një shumicë hebreje. Po të zgjerohej ashtu, do të përfundonte që të kishte shumë arabë, me një ritëm të lartë të shtimit të popullsisë, dhe kjo kërkon një zgjidhje. Kjo është ajo çka izraelitët e quajnë “bombë demografike me sahat”. Çdo politikan izraelit është i vetëdijshëm për këtë kontradiktë.

Bantustane, apartheid ose gjenocid

Pozicionet që kemi në dispozicion për të gjykuar mbi këtë dilemë janë të kufizuara. Kemi opsionin pragmatik me “dy-shtete”, që në parim nuk lëshon asgjë ndaj kërkesave dhe të drejtave kombëtare të palestinezëve, por që pranon se palestinezët duhet të jetojnë diku dhe parapëlqehet të mos jetojnë në territor izraelit. Ky është pozicioni i Livnit dhe Liebermanit: ndërkohë që “populli i Izraelit” ka një të drejtë historike mbi të gjithë vendin, ata për arsye strategjike mund t’i lëshojnë një copë vend Palestinës në mënyrë që të mbajnë një shumicë hebreje në Izrael. Kjo është arsyeja ideologjike për zgjidhjen me “bantustane” në Izrael, zgjidhje që do të përfshinte edhe “transferimin e popullsisë” (një koncept i rrënjosur thellë në doktrinën zioniste dhe që ka luajtur një rol kyç në spastrimin etnik të 1947-48). Sigurisht që në fillim të luftës së tanishme Netanyahu ka deklaruar haptazi se nuk do të mundet kurrë të mbështesë një shtet sovran palestinez në territoret të cilave ai u referohet me gjuhë biblike si “Judea dhe Samaria”. Kjo është baza ideologjike ku mbështetet opsioni tjetër, aparhteidi i vazhdueshëm, në të cilin Izraeli vazhdimisht sundon palestinezët, hera herës i shtyp, por kurrë nuk i përfshin në politikëbërje, dhe me ngadalë rreket të shkatërrojë lëvizjen që synon të krijojë një shtet-komb palestinez. Pjesa më e madhe e së djathtës izraelite, si Livni, mendon se nuk është diçka praktike për Izraelin që të sundojë arabët; por njëjtë si Netanyahu edhe ata nuk kanë interes të ketë një shtet palestinez. Dhe kjo është baza ideologjike për opsionin e tretë, gjenocidin.

Antagonizmat klasorë të Izraelit gjithnjë janë zhvendosur në një plan racor-kolonial. Nëse ka një betejë për kontrollin e burimeve, për qytetarinë, drejtësinë e kështu me radhë, ajo është një betejë që zhvillohet kundër arabëve. (Dhe gjithnjë e më shpesh kundër emigrantëve afrikanë, të cilëve u referohen – në rastin më të sjellshëm me termin zyrtar të Izraelit – si të “infiltruar”). Qartazi kolonializmi ka qenë në shumë kuptime pararendës i fashizmit, siç këmbëngulte Aime Cesaire: “po, është nazizmi, por para se të ishin viktimat e tij ata ishin bashkëpunëtorë të tij; ata e toleruan nazizmin atëherë kur ende nuk i kishte goditur, e justifikuan atë, i mbyllën sytë para tij, e legjitimuan, sepse gjer atëherë nazizmi ishte aplikuar vetëm ndaj popujve jo-europianë”.

Por si u mbërrit që beteja kolonizatore të radikalizohet aq shumë sa që të ndërtojë një kulturë politike tolerante ndaj nocionit të gjenocidit por thellësisht të lënduar prej njohjes së të drejtës së arabëve për të jetuar? Unë sugjeroj se kjo nuk ka ndodhur për shkak se lëvizja palestineze tashmë është bërë më kërcënuese për Izraelin. Ardhja e Abu Mazenit në pushtet na dëshmon pikërisht të kundërtën. Po ashtu, ky radikalizim nuk ndodh për shkak se Izraeli është në një pozitë objektivisht më të dobët. Me konfirmimin e ushtarakëve në pushtet në Egjipt ka shumë pak arsye për t’u shqetësuar Izraeli, së paku tash për tash.

Ky është një radikalizim arsyet e së cilit janë të brendshme në Izrael, mendoj unë. Arsyeja gjendet në imperativat kontradiktorë që rrjedhin prej nacionalizmit etnik dhe ekspansionizmit territorial, të cilat janë pjesë integrale të zionizmit në format e tij kryesore. Kjo na çon në këtë shpërthim. Nuk ka asnjë garanci që ky problem është i zgjidhshëm, apo që Izraeli do të vazhdojë të jetë mjaftueshëm i fortë për ta zgjidhur dikur. E çka do të ndodhë me shtetin hebre nëse përherë do të mbetet i trazuar prej një populli që me vetë ekzistencën e tij e vë në pikëpyetje legjitimitetin e atij shteti? Pastaj, sa më gjatë të mbetet i pazgjidhur problemi, aq më shumë do të zgjasë rezistenca palestineze, aq më e paduruar dhe më e panikosur do të bëhet kultura e atij vendi. “Ata na duan të vdekur. Ata duan ta shkatërrojnë shtetin hebre. A s’kemi qenë ne më shumë se bujarë? A duhet ta tolerojmë përjetë këtë gjë? A s’ka ardhur koha që ta lëmë ushtrinë të shkojë atje dhe të mbarojë punë me ta? Kush i lë të flasin këta budallenjtë radikalë?”

Ç’ka mbetur prej aktivistëve kundër luftës në Izrael tashmë janë nëpër rrugë duke thirrur: “jo, nuk do e lëmë fashizmin të ndodhë”. Por ata janë shumë pak. E ndoshta janë shumë vonë.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

2 komente te “Sa fashizëm?

  1. Pingback: Sa fashizëm? - Blink

  2. Pingback: Sa fashizëm? | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 13, 2014 nga te Përkthim, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: