rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Halili e Faiku – kape njonin e mshoji tjetrit

ffhmShkodran Hoti

Pa dyshim që kujtdo që i ndjek pak mediat , duhet t’i ketë rënë në sy një polemikë mes analistit Halil Matoshi dhe drejtorit të zyrës  për veteranët pranë kryeministrisë, Faik Fazliu. Zanafilla e kësaj polemike ishte një shkrim i analistit Matoshi, në lidhje me “raportin” e Williamsonit, prej nga ku Matoshi fton që të presim edhe pak për t’u njohur me “heroizmat” e tyre, pra duke aluduar në ata pjesëtarë të UÇK-së  të cilëve potencialisht mund t’iu ngriten aktakuza. E si kundërpërgjigje, pasoi një akuzë nga ish-kryetari i veteranëve, Faik Fazliu, i cili e quajti Matoshin shërbëtor të Titos, si dhe pijanec.

E raste të tilla, ku nga të dy grupimet (halilmatoshianët dhe faikfazliajt) ka përplasje të  ashpra, nuk janë të rralla. Por ç’është më e keqja, këto përplasje nuk vijnë për ndonjë ide të madhe. Thjesht, të tilla polemika, aq të neveritshme, vijnë si rrjedhojë e tentativës së pjestarëve të të dy grupimeve për “me rru’ vo”, ndonëse historikisht vezët kurrë nuk kanë pasur qime. E për ta bërë më të dukshme këtë tentativë të dy grupimeve, pa dyshim që duhet bërë një trajtim qoftë dhe jo aq i thellë, i cili veç kësaj, tregon përciptazi se edhe kush janë në të vërtetë “halilmatoshianët” dhe “faikfazliajt”.

Nën parullën “T’u shkohet deri në fund hetimeve për luftën e UÇK-së”, e thënë aq shpesh, herë nga Carla Del Ponte, herë nga Dick Marty, tash nga Clint Williamson, e ndoshta në të ardhmen edhe nga ndonjë teze e Marti Ahtisarit, filloi duartrokitja për “raportin” e Williamsonit nga “halilmatoshianët”, që në fakt s’është më shumë se deklaratë shtatëfaqëshe. Dhe sikur të mos i mjaftonte të qenët e tillë, deklarata shtatëfaqëshe është edhe e dobët sa i përket përmbajtjes së saj. Megjithatë, e tillë çfarë është, ajo mori duartrokitjet e mjaftueshme.

A thua pse?! Ç’u ngutet “halilmatoshianeve” ta duartrokasin një gjë të tillë?! Pse në këtë kohë kur UÇK-ja është më e pambrojtur se kurrë?! Pse kjo thikë në shpinë UÇK-së?! Kush janë në të vërtetë ky grupim?!

“Halilmatoshianët” jo domosdoshmërisht janë të tillë çfarë thonë “faikfazliajt”. Para se gjithash, ata janë grupim që tradicionalisht kanë vuajtur për t’u dukur modernë. Për një qëllim të tillë, ata injorojnë faktin se për krimet në vendin tonë (qofshin të luftës apo të pasluftës), drejtësia nuk vjen duke pritur institucionet ndërkombëtare. Por aq shumë gjatë e injoruan këtë fakt, aq sa tash ky grupim nuk beson  më se këtë punë duhet ta bëjë drejtësia vendore. Nuk besojnë më në angazhimin për çlirimin e gjykatave dhe prokurorisë nga uzurpuesit, nga qeverisja e kapur.

Ata përdorin snobiznim e ngjashëm me atë të Fatos Lubonjës, i cili kur Serbia po vriste, masakronte,  përdhunonte e digjte, gjente kohë që në revista me nam botëror si “Courrier International”, të botonte shkrim ku deklaronte se Skënderbeu e kishte nënën sllave. Thua se vetëm edhe kjo çështje iu kishte mbetur pa zgjidhur shqiptarëve dhe thua se një gjë e tillë ishte mëkat i pafalshëm, dhe për këtë kishte faj heroi ynë.  Njëjtë, edhe tash, “halilmatoshianët” tentojnë ta balancojnë krimin e gjenocidin e shtetit serb me krimet e disa individëve brenda UÇK’së, të cilët herëdokurdo, do të duhej t’i ndiqte drejtësia vendore. Pra, ndonëse kaluan vite, tradita e thikës pas shpine, duket e mirëmbajtur bukur mirë në shoqërinë tonë, e veçanërisht tek ky grupim.

Nga ana tjetër, ata që sillen si “roje” të UÇK’së, e që në fakt janë denigruesit më të mëdhënj të saj, pra “faikfazliajt”, kanë përgjigje në maje të gjuhës për grupacionin kundërshtar. Pra, siç është bërë e nënkuptueshme, sa herë që “halilmatoshianët” fillojnë misionin për t’u dukur modernë, goditen verbalisht nga grupacioni tjetër me shprehje, si: tradhëtarë, antishqiptarë, titistë, pijanecë, legenë, zagarë,  pidharë, e kushedi sa epitete të tjera.

E kush janë saktësisht “faikfazliajt”?

Ky grupacion njihen si servilë të pashoqë. Këta kurdo që e kërkon ekzekutivi i kriminalizuar, me gjithë mekanizmin e tyre i dalin në ndihmë.  Këta shiten si mbrojtës të UÇK’së, e janë puthadorë e sahanlëpirës të atij që demilitarizoi UÇK’në. Këta fajësojnë “halilmatoshianët” për duartrokitjet për deklaratën shtatëfaqëshe të Williamsonit, e janë kope e atij që e solli Tribunalin. Falë përuljes së vazhdueshme ndaj pushtetit, “faikfazliajt” gëzojnë privilegje të jashtëzakonshme prej tij. Aq sa, kur bashkëluftëtarët e tyre të dikurshëm vetëvriten si pasojë e varfërisë e mjerimit, këta bëjnë selfie në bregdete të Turqisë. Ah jetë, o jetë!

“Faikfazliajt” janë injorantë, por njëkohësisht shërbyesit më besnikë të uzurpatorit që e ka në  dorë ekzekutivin. Këta, ndonëse e dinë që hajnia është akt që dënohet edhe me Kanun, Bibël e Kuran, kur iu kërkohet nga dirigjuesit, këta vjedhin pa problem, fjala vjen vota. Këta e “du(a)n babën”. Këta, kushdo që ua kundërshton “babën”, e quajnë zagarë. Ani pse “baba” i ndërsen vetë  këta. Këta, kur “baba” t’ua kërkojë, nuk hezitojnë ta djegin këdo në “turrë t’druve”.

Pra nga një trajtim vetëm sipërfaqësor, shihet se kush janë e për çfarë përplasen “halilmatoshianët” me “faikfazliajt”. Teksa UÇK’ja mbetet e pambrojtur, të dy grupacionet vazhdojnë “me rru vo”. Prandaj këta janë, siç thotë ajo shprehja “kape njonin e mshoji tjetrit”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 13, 2014 nga te Polemikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: