rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

I nënës apo i njerkës

 

jani marka

Jani Marka

Duke lexuar qëndrimin e Kryeministrit [1] për arsimin e lartë të datës 30 Korrik mund të trajtohen disa çështje, gjithsesi me stil veror. Kryeministri përmend: “Për herë të parë, kemi një Komision të pavarur ekspertësh, të të gjitha përkatësive dhe simpative…” Të pavarur nga kush?! Se të paktën formalisht janë të varur nga Kryeministri. I pavarur do ishte sikur një grup të formonte një komision në mënyrë vullnetare. Po çfarë do të ndodhte nëse ky Komision do të paraqiste një draft që nuk do t’i pëlqente Kryeministrit?! Jo, përkundrazi, Komisioni duhet të ishte i varur, i varur në interesat publike, dhe jo i varur në interesat private të një grushti njerëzish, apo qoftë edhe ndaj vizionit paraprak të Kryeministrit, vizion i cili, në këtë rast, është i mbrapshtë. E megjithatë, ka edhe anë pozitive, se ky Komision ka arritur të kënaqë Kryeministrin me ekspertët kompetentë që kanë votuar politikisht kundër tij në të shkuarën. Me siguri që herës tjetër ekspertët do të votojnë pro Kryeministrit!

Më tej, Kryeministri thotë: “…përmes kontributeve të të gjithë profesoratit dhe në të gjitha nivelet, në të gjithë territorin”. Si? Kontribute të të gjithë profesoratit!? Po a janë marrë parasysh këto kontribute? Shumë prej qëndrimeve zyrtare të këshillave të fakulteteve, për shembull Fakulteti i Historisë dhe Filologjisë [2], Fakulteti i Shkencave të Natyrës [3], Fakulteti Juridik [4], janë shprehur qartësisht kundër draftit të parë, në veçanti kundër shndërrimit të universiteteve në ndërmarrje biznesore, kundër rritjes së tarifave, kundër njësimit me sistemin privat, sistem unik të tipit fondacion etj. Apo janë dëgjuar zërat publikë, në njërën anë që kanë qenë kundër, si Fatos Lubonja, Blendi Kajsiu, e shumë e shumë të tjerë, apo atyre që në anën tjetër kanë qenë pro, që vinin kryesisht nga UET-ja?! Apo mos ndoshta Kryeministri ka parasysh mbështetjen e dhënë për “reformën” nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave [5], e përbërë nga shkencëtarë, të njohur ose jo, shumë artistë, dhe disa prej tyre edhe anëtarë të vetë Komisionit hartues të draftit?! Ose ndoshta Kryeministri ka lexuar 500 e-mailet që ka marrë z. Civici!? Sidoqoftë, një pyetje mund t’i bëhet Kryeministrit: po studentët a janë pyetur? Ku, kur, si? Aq demokratik dhe transparent ka qenë Komisioni sa që në draftin e parë në faqen 7 shkruhej: “Minutat e takimeve janë arkivuar dhe mund të bëhen publike në materialin përfundimtar (White Paper).” Me ç’duket Komisioni e ka ndjerë qysh në fillim erën e keqe, dhe megjithëse njëra dorë i ka shkarë, tjera ka futur fjalën “mund”, dhe kështu minutat mund të bëheshin publike në draftin e dytë, por ja që nuk u bënë. Po përse nuk u bënë publike?!

Kryeministri thotë “Prandaj, dua ta them qartë, se nga një anë ne jemi krenar që kemi përgatitur një nga reformat më të rëndësishme (…), bazuar tek demokracia e brendshme që është krijuar në sistem dhe tek një proces tërësisht demokratik i mbledhjes së opinioneve dhe gjithë profesoratit, por edhe i mbledhjes së gjithë eksperiencave më të mira ndërkombëtare.” Si, demokracia e brendshme!? Kjo është vërtet e habitshme, se si na qenka instaluar demokracia e brendshme në këto 300 ditë! Është me i heqë kapelën Kryeministrit dhe znj. Nikolla gjithashtu! Si, eksperiencat më të mira ndërkombëtare!? Edhe kjo është një habi e radhës, ose edhe mbase gabohemi, ose mbase Kryeministri është sugjestionuar nga Tony Blair-i dhe kujton se qendra e gjithësisë arsimore është Anglia.
Kryeministri vijon më tej: “Praktikisht, jemi përballë një reforme që me një skemë të re financimi do të reflektojë një qasje tërësisht të re mbi autonominë financiare dhe administrative të universiteteve, duke garantuar konkurrencën e lirë brenda sistemit, pa dallim. Shtetëror apo privat, do konkurrojnë. Shtetëror apo privat, do të mbyllen nëse nuk konkurrojnë dot. Nuk do të kemi më universitete shtetërore dhe private në kuptimin e sotëm, por do të kemi universitete publike, me financim shtetëror ose privat, që do të konkurrojnë mes tyre për të ofruar cilësinë më të mirë të mësimdhënies.” Nuk do të ketë dallim shtetëror privat, tashmë kjo nuk habit më, se duket qartë filozofia neoliberale e të majtës shqiptare alla blairiane. Por pyetja që shtrohet është se si mund të mbyllet shtetërori me një të rënë të sëpatës, për 300, apo qoftë edhe 1500 ditë, pa bërë përpjekje maksimale për ta shëndoshur atë?!

Kryeministri “do të sjellë, (…) një operacion pa asnjë mëshirë, me tolerancë zero ndaj defiçencës, me tolerancë zero ndaj këtij biznesi makut që ka shkrirë para pa fund nga xhepat e prindërve të shkretë, për të provuar një industri të tërë babëzie dhe diplomash pa asnjë vlerë dhe për ta bërë Shqipërinë, në këtë sektor të posaçëm, vendin më qesharak të planetit.” Kryeministri e cilëson një pjesë të mirë të arsimit si biznes makut, dhe me siguri këtu ka parasysh arsimin privat, pavarësisht se nuk e thotë në mënyrë të drejtpërdrejtë, por nga ana tjetër ka ulur në Komision përfaqësues të interesave private makute. Por shyqyr që këta anëtarë të komisionit vijnë nga Universiteti “Polis”, Universiteti Europian i Tiranës dhe Universiteti katolik “Zoja e Këshillit të Mirë” – të treja këto universitete janë cilësuar për plotësim kriteresh në fushatën e legjitimitetit të MAS në ditët e fundit. Sidoqoftë, përgëzime z. Kryeministër, se Ju, apo z. Gjonçaj, keni pasur vërtet nuhatje të thellë në përzgjedhjen e ekspertëve të pavarur, se larg qoftë në rrjetën e Komisionit mund të binte, për shembull, edhe ndonjë profesor i nderuar nga Universiteti Kristal.

  1. http://www.kryeministria.al/al/newsroom/lajme/ne-300-dite-bazat-e-nje-revolucioni-ne-arsim
  2. http://www.fhf.edu.al/mendime_per_draftin.html
  3. https://docs.google.com/a/fshn.edu.al/viewer?a=v&pid=sites&srcid=ZnNobi5lZHUuYWx8ZnNobnxneDoxYzVjNDVjMmE0MzUxNzJj
  4. http://www.panorama.com.al/2014/05/23/drejtesia-21-argumente-kunder-reformes-ne-arsim/
  5. http://grid.al/read/news/158127722/7410106/akademiket-pro-reformes-ne-arsimin-e-larte-ofron-zgjidhje
Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 11, 2014 nga te Polemikë, Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: