rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Amerikë

young_ginsbergAllen Ginsberg

Amerikë ty të dhashë gjithçka dhe tash s’jam asgjë.

Amerikë dy dollarë e njëzeteshtatë centë më 17 janar 1956.

As mendjen time s’e duroj dot.

Amerikë kur do t’i japim fund luftës së njeriut?

Shko qihu me gjithë bombën tënde atomike

nuk ndihem mirë mos më shqetëso.

Nuk do e shkruaj poemën time gjer kur ta kem mendjen në rregull.

Amerikë kur do bëhesh engjëllore?

Kur do t’i zhveshësh rrobat?

Kur do ta shohësh veten tënde përtej varrit?

Kur do t’i meritosh një milion trockistët e tu?

Amerikë pse i ke bibliotekat plot lot?

Amerikë kur do ia dërgosh vezët Indisë?

Ma shpifin kërkesat e tua të marra.

Kur mund të shkoj në supermarket që të blej ç’të më duhet me pamjen time simpatike?

Amerikë se fundja veç unë e ti jemi të përsosur e jo bota tjetër.

Maqineria jote është shumë tepër për mua.

Ti më bëre të dua të jem shenjtor.

Duhet të ketë ndonjë rrugëzgjidhje tjetër për këtë çështje.

Burroughs është në Tangjer s’besoj se do të kthehet kjo është gjë e ligë.

Mos je vallë e ligë apo po më bën ndonjë lloj rrengu?

Po rrekem të dal drejt e në temë.

Refuzoj ta dorëzoj obsesionin tim.

Amerikë boll bëre presion unë e di se ç’po bëj.

Amerikë lulet e kumbullës po rrëzohen.

Prej muajsh s’i kam lexuar gazetat, përditë dikush shkon në gjyq për vrasje.

Amerikë më ka marrë malli për sindikalistët

Amerikë kur kam qenë fëmijë kam qenë komunist, dhe nuk më vjen keq.

Tymos marihuanë sa herë që kam rast.

Ulem në shtëpinë time për ditë të tëra dhe shoh trëndafilat në çardak.

Kur shkoj në Chinatown bëhem tapë, po kurrë s’gjej dikë për t’u qirë me të.

Më është mbushur mendja, do ketë trazira.

Duhet të më shihje kur lexoja Marksin.

Psikanalisti im mendon se kam plotësisht të drejtë.

Nuk do e këndoj Lutjen Zotit Tonë.

Kam vegime mistike dhe vibrime kozmike.

Amerikë ende s’të kam treguar se ç’i ke bërë ti xha Maksit kur ai u kthye nga Rusia.

 

Po të drejtohem ty.

Do e lejosh jetën tonë emocionale të drejtohet prej Revistës Time?

E kam obsesion Revistën Time.

E lexoj përjavë.

Kopertina e saj më këqyr sa herë që përvidhem përtej kinkalerisë në qosh të rrugës.

E lexoj në katin përdhes të Bibliotekës Publike Berkeley.

Ajo gjithnjë më flet për përgjegjësi. Biznesmenët janë seriozë. Producentët

e filmave janë seriozë. Të gjithë janë seriozë veç meje.

Por mua më qëllon që të jem Amerika.

Po flas me vetveten sërish.

 

Azia po ngrihet kundër meje.

Shanset për t’ia dalë mbanë i kam sa ato të një klandestini kinez që punon në ndërtim.

Bëj mirë t’i konsideroj burimet e mia natyrore.

Burimet e mia natyrore konsistojnë në dy cigare marihuanë miliona gjenitale

një letërsi private e papublikuar që ecën 1400 milje në orë dhe

njëzetepesëmijë institucione mendore.

Nuk them asgjë për burgjet e mia as për miliona të paprivilegjuar që jetojnë në

saksitë e mia nën dritën e pesëqind diejve.

Kam mbyllur shtëpitë e kurvave në Francë, tash radhën e ka Tangjeri.

Ambicia ime është të bëhem president, edhe pse jam katolik.

 

Amerikë si dreqin ta shkruaj një litani të shenjtë me humorin tënd budalla?

Do vazhdoj si Henry Fordi strofat e mia janë po aq individuale sa

automobilët e tij për më tepër i përkasin të gjitha sekseve të ndryshme

Amerikë do të t’i shes strofat 2500$ copa $500 ulje për strofën tënde të vjetër

Amerikë liroje Tom Mooneyn

Amerikë shpëtoji republikanët spanjollë

Amerikë Sacco & Vanzetti nuk duhet të vdesin

Amerikë unë jam djemtë e Scottsboro-s.

Amerikë kur isha shtatë vjeç mami më çoi te mbledhjet e celulës komuniste ata

na shitën qiqra nga një grusht për çdo biletë një biletë kushton pesë cent dhe

fjalimet ishin të lira kushdo ishte engjëllor dhe i përmalluar për

punëtorët dhe ishte gjithçka aq e sinqertë s’e keni idenë sa gjë e mirë ishte partia

në 1835 Scott Nearing ishte një plak madhështor një mensch i vërtetë Nëna

Bloor më bëri të qaj një herë pashë dhe Israel Amterin direkt. Të gjithë duhet të

kenë qenë spiunë.

Amerikë ti në fakt nuk do mevërte që të shkosh në luftë.

Amerikë gjithë fajin e kanë ata rusët e këqij.

Ata rusët ata rusët dhe ata kinezët. Dhe ata rusët.

Rusia dëshiron të na hajë të gjallë. Rusia është e dehur me fuqinë e saj. Ajo dëshiron të na marrë

makinat prej garazheve tona.

Ajo do që ta rrëmbejë Çikagon. Asaj i nevojitet një Reader’s Digest i kuq. Ajo do

fabrikat tona të makinave në Siberi. Burokracia e tij e madhe që drejton pompat tona të karburantëve.

Kjo s’është mirë. Uh. Ai i mëson indianët të lexojnë. Atij i duhen zezakët e mëdhenj e të zinj.

Hah. Ajo do të na detyrojë të punojmë të gjithë gjashtëmbëdhjetë orë në ditë. Ndihmë.

Amerikë e kam shumë seriozisht.

Amerikë kjo është përshtypja që më krijohet duke parë televizorin.

Amerikë kështu si them unë është?

Më mirë t’i futem menjëherë punës.

E vërtetë është nuk dua të shkoj në ushtri dhe as të punoj metalin në fabrikat

e pjesëve precize, se gjithsesi jam miop dhe psikopat.

Amerikë po ia mbështes rrotës dhe supin tim të kalbur.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Një koment te “Amerikë

  1. Pingback: Amerikë | Blink

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 6, 2014 nga te Art, Përkthim dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: