rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Kritikë kritikës

leninatZgjim Hyseni

Pas zgjedhjeve të dates 8 qershor, Lëvizja VETËVENDOSJE! është bërë objekt i shumë sulmeve e kritikave. Të shumtë janë kritikuesit, vijnë nga të gjitha anët. Sa nga mediat e pushtetit që duke na sulmuar forcojnë pozicionin e PDK-së; sa nga lobet e jashtme e grupet e ndryshme të interesit që u leverdis vazhdimi i status quosë; ka edhe egocentristë të sëmurë që mezi presin dështimin e VETËVENDOSJE!-s  sepse kështu do u realizohej profecia, e deri tek “intelektualë”, “radikalë”, “analistë” të vetëshpallur që ose nuk lexojnë, ose lexojnë librat sikur përrallat. I shohim të bashkuar eksponentë e pushtetit, analistët e virgjër e pedantë, liberalët e pandreqshëm, majtistët e pandrequr. Mrekullisht, të gjithë janë të shqetësuar për parimet e VETËVENDOSJE!-s. Çfarë nderi?!

Meqenëse, qëllimi i shkrimit është qartësimi i opinionit mbi pozicionin dhe koherencën e VETËVENDOSJE!-s, nuk kemi pse merremi me pushtetin, por pikërisht  me kritikat e kritikuesve që synojnë të legjitimohen nga kauzat barazitare për të cilat kurrë nuk u përkushtuan. Teorikisht as praktikisht.

Guerilët e regjur,  të koncentruar në llogoret e facebook-ut e në luftë të ashpër me sustat e tastierës, nuk e përgënjeshtrojnë veten vetëm kur e ndajnë praktikën nga teoria (dhe kjo nuk është pak punë), por edhe në vetë kritikën teorike. Ndërkohë që mëtojnë ta bëjnë kritikën nga pozicioni i majtë, siç duket u ka dalë nga mendja premisa kryesore e materializmit dialektik dhe metodës marksiste në përgjithësi. Është në natyrën e gjërave të kësaj bote lëvizja dhe ndryshimi i vazhdueshëm. “Historia është një proces pa subjekt”, “historinë e bëjnë masat, ndërkaq motori i saj është lufta klasore”, shkruante dikur Louis Althusser. Pak sqarim: subjekti presupozohet të jetë unik dhe jo kontradiktor, i identifkueshëm qartë, autonom dhe i vetmjaftueshëm; kur flasim për masat mësojmë se aty përfshihen klasat, klasat brenda klasave, shtresat dhe kategoritë e ndryshme sociale. Masat pra, përveç që janë heterogjene, varësisht nga dinamikat e luftës klasore janë edhe në ndryshim të vazhdueshëm. Vendosja e kufijve të ngurtë dhe të pandryshueshëm, përballë dinamikave politike dhe ekonomike që vazhdimisht ndryshojnë është një absurditet foshnjor. Koncepti i tjetërsimit presupozon arratisjen nga autentikja, nga një natyre e dhënë njerëzore që është e dhënë paraprakisht, është zhvendosje e vëmendjes nga politika si ekonomi e kondensuar tek antropologjia. Nga marrëdhëniet (socio-ekonomike) tek natyra (njerëzore). Nga dialektika, tek zhvillimi linear bazuar mbi mitin e origjinës. Nuk mund të flasim më për analizën e ngjarjeve konkrete, as për mësimet që duhet të nxjerrim nga zhvillimet e fundit, tash tregojmë se si filani a fisteku e shiti shpirtin. Të gjithë ata miq apo keqdashës që rendin e ngarendin të na e faktojnë se Lëvizja VETËVENDOSJE! ka ndryshuar, nuk kanë pse humbin nerva e mund për ta dëshmuar këtë punë. Po ore, ne kemi ndryshuar dhe s’e kemi për gjë ta pranojmë; disa nga ne madje e marrin për kompliment këtë fakt.

Vlerësimi i saktë i rrethanave, aftësia për të kuptuar zhvillimin e ngjarjeve e për të përcaktuar rëndësinë e secilit zhvillim të ri, shkurt zbatimi i të famshmes analizë konkrete në situatën konkrete, për ta përshtatur karshi saj pozicionin apo aksionin e ri, është elementi kyç që na e siguron vazhdimin e rrugës.  Varësisht nga ky orientim, përgjatë historisë kemi pare dy devijime: anarko-terrorizmin si një devijim majtas, dhe oportunizmin si devijim djathtas. Të parët, duke u fokusuar tek ndryshimet që ndodhin jashtë nesh, mbivlerësojnë ndryshimet apo arritjet e vogla, për ta arsyetuar mungesën e nevojës për aksion politik. Të dytët, duke injoruar çdo ndryshim të ngjarjeve si jorelevant janë në gjendje të luftojnë, por mund të përfundojnë duke goditur në ajër. Të tillët nuk shohin jashtë vetes së tyre, e as që duan të dinë për hendekun midis masave dhe aktivistëve politikë, qoftë sa i përket përgatitjes teorike, apo të gatishmërisë për veprim. Nuk ka rëndësi nëse më ndjek populli, ky jam unë dhe unë jam bota – thotë arroganti solipsist. Për t’i ikur këtyre devijimeve, cilado lëvizje emancipuese përgjatë aktivitetit duhet t’i kushtojë fort rëndësi dy gjërave: përkundër ngurtësisë së mjeteve e metodave na duhet elasticiteti në veprim, ndërkaq, përkundër dogmatizmit na duhet lexim e diskutim i vazhdueshëm teorik.

Të zënë në kurth e të përthithur nga ideologjia janë edhe kur ripërtypin clichete moralizuese. Kur thonë se po i shkelni parimet (parime për të cilat nuk luftuan kurrë) meqë po futeni në koalicion me kriminelët e të korruptuarit, ata na e konfirmojnë se nuk kanë ditur kurrë ta dallojnë propagandën nga parimet, e aq më pak modelin socio-ekonomik dhe sistemin politik si shkaqe strukturore, nga efektet që ai i prodhon. Për ta përsëritur për të kushedisatën herë: janë dy kontradikta thelbësore që sipas nesh ia ndalojnë Kosovës përparimin. Këto kontradikta, duke qenë edhe kauzat për të cilat angazhohemi e ua detyrojmë besnikërinë janë njëkohësisht edhe mundësia për çlirim. Është fjala për shtypjen (neo)koloniale ku përfshihet marrëdhënia e Kosovës me Serbinë dhe me bashkësinë ndërkombëtare; është në fakt dakordimi gjeopolitik i perandorive mbi pozitën dhe rendësinë që e kanë popujt e shtetet e ndryshme në Ballkan. Kontradikta tjetër, po aq thelbësore është modeli ekonomik neoliberal që i është imponuar Kosovës. Këto shkaqe strukturore janë kushti dhe mundësia që kanë prodhuar korrupsionin, zhvatjet, krimin e organizuar dhe abuzime nga më të ndryshmet. Kanë prodhuar edhe karakterin mujshar të zhvatësit, edhe ekspertin e burokratin si forma riprodhimi ideologjik, por edhe mendjen dinake të tregtisë. Të qahesh për krimin e korrupsionin pa shkuar një hap më tej dhe rrëfyer marrëdhëniet ekonomike dhe mjedisin ideologjik si shkaqe që prodhon këto fenomene, bile për të treguar se si korrupsioni e krimi janë katalizatorë që ndihmojnë zbatimin efikas të modelit, dmth të mos kesh mësuar gjë nga topografia materialiste. Në vend të diskursit moralist të antikorrupsionit, nga ta do prisnim të na tregonin se si ky i fundit shërben si një mohim i rrejshëm brenda sistemit duke e mirëmbajtur vetë atë.

Megjithatë, zhvillimi i ngjarjeve në muajt e fundit përbëjnë zhvillime dhe mësime të reja për të cilat ka nevojë për sqarime. Këto ngjarje dhe sidomos rezultati i fundit na bëri të vetëdijshëm për përmasën e atij fenomeni për të cilin edhe kishim folur më heret: kapja e shtetit dhe mbërthimi i shoqërisë  nga rrjeti i madh mafioz e klientelist.

Në Kosovë si rrallëkund tjetër sistemi formal-demokratik është në shpërputhje të madhe me marrëdhëniet socio-ekonomike. Shteti i kapur është mohim direkt i demokracisë. Ne e dimë se demokracia liberale lind në një faze të caktuar historike që përputhet me shthurjen e marrëdhënieve feudale dhe lindjen e marrëdhieve kapitaliste. Ky ndryshim solli çlirimin formal të fshatarit (bujkërobit) nga feudali.Për sistemin demokratik është e nevojshme një hapësirë anonimiteti dhe lirie mendimi e veprimi për qytetarin. Në Kosovë kjo hapësirë është fare e ngushtë. Qytetari formalisht ka të drejtë të votojë, por është i kushtëzuar, firikësuar e i shantazhuar  nga pushteti në secilin hap të jetës. Paradoksalisht, zbatimi i neoliberalizmit ka krijuar realitete që më shumë i ngjajnë mesjetës dhe marrëdhënieve parakapitaliste seesa modernitetit. Papunësia e madhe, përveç efekteve të rënda sociale ka krijuar edhe ambient të përçudnuar politik. Klientelizmi është fenomeni tipik neoliberal që kusht strukturor ka papunësinë dhe shthurjen e stofit social, e si pasojë edhe pamundësinë e identifikimit politik të qytetarëve si kolektivitet, qoftë klasë, shtresë apo kategori sociale. Ky realitet mundëson lidhjen e shkurtër direkte dhe apolitike midis partive që bëhen agjenci punësimi për të punësuar qytetarët në administratën publike a gjetiu në shtet. Kosova nuk është një vend normal me marrëdhënie të stabilizuara shfrytëzimi ku pas një kohe të qeverisjes së një subjekti, si rezultat i inercionit ndodh rotacioni politik. Përkundrazi, në Kosovë pushteti është mundësi për për ta forcuar oligarkinë dhe pushtetin autoritar. Në këto kushte, për të pasur zgjedhje të lira, së pari duhet çliruar shteti. Një ndërhyrje subversive nga brenda duket e nevojshme.  Këputja e lidhjeve klienteliste, çlirimi i qytetarëve nga shantazhet e kushtëzimet është mundësia për të çarë rrethin që riprodhon të njejtën gjendje, e për të  çelur horizonte të reja. Është mundësia për mundësinë. Tamam sikur hallka që po të shtrëngohet fort e mbanë gjithë zinxhirin dhe siguron kalimin në hallken tjetër.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 17, 2014 nga te Polemikë, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: