rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Thaçi, nga “i pari” në “pariah”?

Arbër Zaimi

Pa u kryer mirë zgjedhjet e 8 qershorit, nisi “full-speed” rrëmuja e zakonshme e thashethemit banal që, për fat të keq, shumë shqiptarë e identifikojnë si “politikë” apo si “informacion”. PDK e LDK dolën në sheshe e rrugë me flamurë e me makina të zhurmshme, po me gjasë PDK ishte më shumë e bindur për fitoren e saj dhe për këtë arsye nxori në mes të Prishtinës edhe traktorë… Ta rrethojmë qytetin me fshat!

Mediat dhe faktorë të ndryshëm u ngutën të përgëzojnë një proces të rregullt e shembullor, pavarësisht fushatës të nisur prej Thaçit së paku që në shkurt (ndërkohë që me ligj fushata do të duhej të zgjaste vetëm 10 ditë). Pavarësisht mijëra ankesave individuale e dhjetëra ankesave të subjekteve politike e OJQ-ve qoftë për parregullsi, qoftë për mbushje kutish, qoftë për blerje votash, trena bullgarë, kërcënime vëzhguesish e komisionerësh etj. Sepse standardi është: mirë që s’pati vrasje, si në Shqipërinë e 2013 (por a e përfshin standardi periudhën menjëherë pas zgjedhjeve?)

Askush nuk i kushton rëndësi detajeve të tilla, shqiptarët merren veç me “punë të mëdha”. Aq shumë u ikin detajet ca “analistëve” sa harruan të shohin se Thaçi, në fakt nuk e ka marrë shumicën, as të votuesve e as të mandateve. Madje këtë shumicë e ka shumë të vështirë ta bëjë. Por, ka dalë i pari – këmbëngulin “kokat” e analizës. A thua se po bëhet gara e 100 metërshit, dhe u gjet rivali i ri për Usain Boltin.

Lëvizja VETËVENDOSJE! një ditë pas zgjedhjeve, mes mpirjes së përgjithshme prej “shock-terapisë” të prodhuar prej fishekzjarreve e burive të makinave, doli në një konferencë ku bëri thirrje për formimin e një blloku opozitar, i cili nuk do ta lejonte Thaçin të përsëriste performancën e tij etike dhe estetike të shtatë viteve të shkuar. Një mirëkuptim fillestar u gjet, dhe në takimin mes delegacioneve të kryesuesve të katër forcave, u ra dakord të mos shkojë askush me Thaçin. Po ashtu, u ra dakord të negociohet për hapat e mëtutjeshëm të bashkëpunimit mes LDK, LV, AAK dhe Nismës, nëse do të ketë të tillë. Marrëveshja për të mos u bërë partnerë me Thaçin në fakt nuk është gjë tjetër veçse konfirmim i linjës parazgjedhore të këtyre katër forcave, të cilat gjithnjë kanë këmbëngulur se nuk do të bënin kurrë koalicion me ish-qeveritarët.

Por, ndërkohë që ende nuk kish përfunduar numërimi i votave në KQZ, dy ditë pas zgjedhjeve edhe tre prej forcave opozitare i kapi nxitimi. LDK, AAK dhe Nisma nxituan të shpallin si kryeministër të ardhshëm Ramush Haradinajn, si dhe të përcaktojnë se kryeparlamentar do të jetë Isa Mustafa e zv.kryeministri nga Nisma. E marta ishte dita kur militantët e këtyre tre forcave morën revanshin mbi ata të PDK-së dhe dolën nëpër rrugë me flamurët e tyre, me të njëjtën zhurmë e me të njëjtën bujë. Thashethemi mediatik mori dhe një herë vrull, dhe pa pyetur e dëgjuar askush askënd, “spini” e bindi publikun se LV me 16 deputetët e saj (13.5% e votave) do ta mbështesë gjithsesi këtë qeveri, veç për inat të Thaçit.

Por kjo nuk qe ajo për të cilën ish rënë dakord mes udhëheqësve të forcave. Përfaqësues të LV sqaruan në media se deri më tash është rënë dakord thjesht që të mos hyjë askush në qeveri me Thaçin, dhe këtë fazë të marrëveshjes e ka mbështetur edhe LV. Por dy fazat e tjera të diskutimeve ende nuk kanë nisur, e jo më të përfundojnë.

LV nuk është e interesuar për poste, por qeveria e opozitës pa LV (e cila është partia e dytë opozitare pas LDK, shumë më e madhe se AAK e cila po pretendon kryeministrin), nuk është hiç e sigurtë. Të treja bashkë LDK, AAK dhe Nisma i kanë vetëm 48 vota e shumica kërkon më shumë se 60. Po t’i marrin të gjithë deputetët e minoriteteve (të cilët nuk bëhen të gjithë bashkë pasi kanë papajtueshmëritë e tyre), mbërrihet në 68. Prapë minoritet i brishtë, i minuar nga prezenca e 8 deputetëve të partisë “Srpska”, të cilët përveçse janë haptazi të ideologjisë “neoçetnike”, urdhrat i marrin direkt nga Beogradi. Kështu që, opozitarëve u lipset mbështetja e LV.

Në fazën e dytë të bisedimeve LV kërkon që të diskutohen ato se çfarë kjo qeveri nuk duhet të bëjë. Duke e konsideruar këtë një qeverisje tranzicionale apo emergjente, LV pretendon që në këtë fazë të bisedimeve të diskutohet edhe jetëgjatësia (afatizimi i qeverisë). Sipas LV, kjo qeveri tranzicionale do të duhej të pezullonte privatizimin e PTK dhe Trepçës, do të duhej të zhbënte privatizimin e KEDS-it, do të duhej të bënte një plan operacional për dekriminalizimin e shtetit të kapur nga strukturat subversive të PDK-së, si dhe do të duhej të pezullonte bisedimet me Beogradin, për të diskutuar me Brukselin një kornizë të re bisedimesh mes Prishtinës e Beogradit, në premisa të tjera. Po të plotësohen këto kushte, thotë LV, ajo do të votojë për këtë qeveri, por pa u bërë pjesë e saj.

Në fazën e tretë LV pretendon të diskutohet përfshirja e LV në qeveri, përfshirje për të cilën ka patur shumë interesim nga partitë e koalicionit opozitar në takimet e ndërsjellta. Meqë ato çka nuk duhen bërë vendosen në fazën e dytë, në fazën e tretë LV synon të mbërrihet marrëveshja mbi atë çka duhet të bëjë qeverisja në sektorë të saj të ndryshëm. Për shtrimin e këtyre objektivave dhe përafrimin e tyre me forcat e tjera opozitare tashmë kanë nisur të punojnë ekspertët e LV.

Por menjëherë rivijnë në skenë analistët “e nxituar” shpesh edhe të paguar nga Usain Thaçi apo Hashim Bolti. Pa hezitim ata thanë se kjo qeveri s’mund të bëhet, sepse s’e lejojnë ndërkombëtarët, sepse ata s’e pranojnë ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë, se LV po kërkon qeverisje pa minoritete, etj. Të gjitha këto janë të pavërteta. Duke shtruar klishetë e mëparshme ata synojnë ta portretizojnë LV si ndonjë forcë ksenofobe, edhe pse kurrë kjo nuk ka qenë e vërtetë dhe kjo është mohuar vazhdimisht nga vetë LV. Sa i përket ndërkombëtarëve, ambasadorët, përfshi amerikanen, po këmbëngulin se do të pranojnë çdo qeveri që është kushtetuese. Dhe LV nuk po kërkon asgjë anti-kushtetuese. Kushtetuta e kërkon që në qeverisje të jetë një ministër serb dhe një nga minoritete të tjera, dhe LV është dakord me këtë, me kusht që ministri serb të mos jetë nga Partia “Srpska”(për arsyet e përmendura), por nga një tjetër forcë serbe (fj.vj. nga partia e Nenad Rashiçit). Sa për minoritetet e tjera, jo vetëm që s’ka probleme, por ka dhe bashkëpunim aktual. E për bisedimet, ato gjithsesi do të duhet të pezullohen, pasi vetë “kumbari”, BE, është në tranzicion zgjedhor e deri në fillim të 2015 nuk do të dihet se cili do të jetë në vendin e Ashton.

Gjithsesi, për të gjitha këto është duke u diskutuar me mirëkuptimin më të madh, madje me pajtueshmëri, mes forcave opozitare dhe LV (arsyeja e mirëkuptimit duhet gjetur te fakti se Thaçi vërtet që u bë “i pari” por u bë edhe “pariah” me uzurpimin e secilës sferë në mënyrë tipike çifligaro-mafioze, si Gjukanoviçi apo si Gruevski). Jo se forcat e tjera nuk kanë patur qasje të ngjashme, për të mos thënë të njëjta ndaj pushtetit e klientelizmit. Ama me Thaçin e PDK-në klientelat e tjera janë të pakrahasueshme sa i përket rrënjëve të thella e mureve të larta të strukturës “deep state” që ka konsoliduar për dy mandate.

Por truri analitik i kafepirësit nxiton. Nxiton shumë, dhe s’të lë të mendosh, të kuvendosh, e të negociosh siç është për të qenë. S’ka kohë, s’ka kohë, përsërisin “zombiet” e panikimit postmodern ndër ne. Të mendosh se në Gjermani CDU dhe SPD negociuan tre muaj dhe prodhuan një program me 3000 faqe për koalicionin që aktualisht qeveris. Po ku ne, e ku ata…

Botuar në Revista Klan

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Qershor 17, 2014 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: