rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Mbi konceptin e historisë

Walter Benjamin

Teza I

Rrëfehet një tregim për një buratin robotik që qenkësh sajuar asisoj që ta luante lojën e shahut duke iu përgjigjur lëvizjeve të kundërshtarëve me kundërlëvizje të tilla që garantonin fitoren e lojës[i]. Ky na qe një buratin me petka turke e me një nargjile në gojë, ulur para një tabele shahu të vendosur mbi një tryeze të madhe. Një sistem pasqyrash krijonte iluzionin që tavolina qe e tejdukshme nga të gjitha anët. Por në të vërtetë një kurrizo trupvogël, shahist me përvojë, ulej brenda tavolinës dhe drejtonte duart e buratinit përmes do fijesh. Mund te imagjinohet një paralele e këtij aparati në filozofi. Buratini i quajtur “materializëm historik”[ii] do të fitojë gjithnjë. Ai mund të sfidojë lehtësisht këdo, nëse përdor dhe shërbimet e teologjisë e cila sot, siç e dimë, është tkurrur dhe është bërë e shëmtuar e duhet mbajtur larg syve të botës.

Teza II

“Një nga karakteristikat më të dalluara të natyrës njerëzore” – shkruan Lotze – “është, paralel me egoizmin e tepërt në instanca të veçanta, të qenët i lirë prej zilisë që e tashmja shfaq ndaj së ardhmes”[iii]. Ky vëzhgim na tregon se imazhi ynë i lumturisë është i ngjyrosur tejetej prej kohës ku na ka caktuar traga e ekzistencës sonë. Ai lloj ngazëllimi që mund të ngjallë zilinë te ne, ekziston veç në ajrin që dikur kemi thithur, veç te njerëzit me të cilët mund të kemi folur, te gratë që mund të na jenë dhënë dikur. Me fjalë të tjera, imazhi ynë i lumturisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me imazhin e shpagimit. Njësoj ngjet edhe me idenë e së shkuarës, që është objekt i historisë. E shkuara bart në vete një tregues të sekret, përmes së cilit thirret në shpagim. Vallë ai fllad që ka fryrë në kohët që shkuan, a nuk na përkëdhel sot edhe ne? Te zërat që dëgjojmë a nuk gjendet edhe një jehonë e atyre zërave që tashmë janë heshtur? Gratë që joshim a nuk kanë vallë simotra të cilat nuk i mbajnë mend më? Në qoftë kështu, atëherë ka një marrëveshje sekrete mes brezave të shkuar dhe këtij të tashmit. Toka e ka pritur ardhjen tonë. Njësoj si secili brez paraardhës edhe ne jemi pajisur me një fuqi të zbehtë mesianike, një fuqi ndaj së cilës e shkuara ka ngritur mëtimin e saj. S’është çështje pazari ai mëtim. Materialistët historikë janë të vetëdijshëm për këtë.

Teza III

Kronikani që i rendit ngjarjet pa bërë dallim mes të mëdhave e të voglave, vepron në përputhje me këtë të vërtetë: prej gjithçkaje që ka ndodhur ndonjëherë, asnjë ndodhi s’bën të quhet e humbur për historinë. Sigurisht, vetëm një njerëzim i shpaguar mbërrin ta zotërojë tërësisht të shkuarën e vet, që do të thotë se vetëm për njerëzimin e shpaguar e shkuara bëhet e citueshme në të gjitha momentet e saj. Çdo moment i jetuar prej atij njerëzimi, bëhet një citation a l’ordre du jour[iv] – dhe kjo ditë, është Dita e Re (der juengste Tag).

Teza IV

Së pari përpiquni për bukë e rroba edhe

Mbretëria e Zotit do t’ju falet vetë

–          Hegel, 1807[v]

Beteja klasore, e cila është gjithnjë evidente për çdo historian të ndikuar nga Marksi, është betejë për të fituar gjërat trupore dhe materiale pa të cilat nuk mund të ekzistojë asgjë delikate apo shpirtërore. Gjithsesi, këto të fundit janë të pranishme në betejën klasore, por jo në formën e plaçkës që i takon fitimtarit. Ato e manifestojnë vetveten në këtë betejë në formën e kurajos, humorit, dinakërisë e qëndresës. Ato kanë një forcë retroaktive dhe vazhdimisht do të vënë në pikëpyetje cilëndo fitore të sunduesve, qoftë ajo e së shkuarës apo e së tashmes. Porsi ato lulet që e kthejnë fytyrën kah dielli, ashtu edhe e shkuara, e detyruar prej një force të fshehtë heliotropike, e kthen fytyrën kah dielli që po lind në horizont të historisë. Materialisti historik duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë transformim, që është më pak i dukshmi prej gjithë transformimeve.

Teza V

Imazhi i vërtetë i së shkuarës kalon rrëshqanthi. E shkuara mund të kapet veç si një imazh që shkreptin në çastin e vetëm kur mundet të njihet, pastaj s’shihet më kurrë. “E vërteta s’do të largohet prej nesh”: në një vështrim historik të historicizmit këto fjalë të Gottfried Kellerit shënojnë saktësisht pikën ku materializmi historik e pret mespërmes historicizmin[vi]. Sepse çdo imazh i së shkuarës të cilin e tashmja nuk e njeh si shqetësim të vetin rrezikon të zhduket përgjithmonë. (Lajmet e mezipritura që historiani i së shkuarës i sjell zemër-rravguar mund të humbin në zbrazëti pikërisht në momentin kur ai nis të flasë).

Teza VI

Të artikulosh historikisht të shkuarën nuk do të thotë ta njohësh atë “ashtu siç ka qenë me të vërtetë”[vii] (Ranke). Do të thotë ta kapësh një kujtim teksa shkreptin në një moment rreziku. Materializmi historik synon të fiksojë atë imazh të të shkuarës që i shfaqet befasisht subjektit historik në çastin e rrezikut. Rreziku kërcënon si përmbajtjen e traditës, ashtu dhe ata që e trashëgojnë. Të dyjave u kanoset i njëjti rrezik: mund të shndërrohen në vegël të klasave sunduese. Në çdo epokë duhet bërë rishtaz përpjekja për t’ia shkëputur traditën konformizmit që gjithnjë synon t’i mbivendoset. Mesia nuk vjen veç si shpagues, ai vjen dhe si ngadhnjyes mbi Antikrishtin. Dhuntinë për t’i fryrë gacës së shpresës që gjendet tek e shkuara ka për ta patur vetëm ai historian që është tërësisht i bindur se as të vdekurit nuk do të shpëtojnë nga armiku nëse ai ngadhnjen. Dhe ky armik nuk ka pushuar kurrë së qeni ngadhnjimtar.

Teza VII

Mendo terrin dhe të madhen ngricë

Të k’saj lugine ku jehon fshehtësia

–          Brecht, Opera për tre grosh[viii]

Historianit që dëshiron ta jetësojë rishtaz një epokë të së shkuarës Fustel de Coulanges i rekomandon që ta fshijë prej mendjes gjithçka që ai di mbi zhvillimin e mëpastajmë të historisë[ix]. S’ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar metodën prej së cilës materializmi historik është distancuar e është shkëputur. Është një proces empatik, që rrjedh prej plogështisë së zemrës, acedisë, që dëshiron ta kapë e ta mbërthejë imazhin e mirëfilltë historik, teksa ky shfaqet vetëtimthi. Teologët mesjetarë e shihnin acedinë si shkakun që i rri në rrënjë trishtimit. Flaubert-i, që e njihte mirë këtë ndjenjë, shkruante: “Peu de gens devineront combien il a fallu être triste pour ressusciter Carthage[x]”*. Natyra e këtij trishtimi del në pah më qartë nëse shtrohet pyetja se cilën anë mban empatia e atyre që përkrahin historicizmin. Përgjigjja është e pashmangshme: anën e ngadhnjyesit. Dhe çdo sundues është trashëgimtar i pushtuesve të mëhershëm. Pra, empatia me ngadhnjyesin gjithnjë i leverdis sunduesve. Materialisti historik e di mirë ç’do të thotë kjo. Cilido që gjer më sot ka ngadhnjyer bëhet pjesë e kortezhit triumfal gjatë të cilit sunduesit aktualë shkelin mbi ata që shtrihen të përulur. Sipas praktikës tradicionale, plaçka e ngadhnjyesit bartet me vete gjatë gjithë kortezhit. Ajo merr emrin “thesar kulturor”, e ndaj saj materialisti historik mban një distancë, për siguri. Sepse pa asnjë përjashtim thesaret kulturore që ai sheh kanë një origjinë të cilën s’mund ta sodisë pa neveri. Të tilla thesare u prunë në jetë jo vetëm prej përpjekjeve të mendjeve e talenteve të mëdha që i kanë krijuar, po edhe prej stërmundimit anonim të bashkëkohësve të tyre. Nuk ekziston asnjë dokument i qytetërimit që nuk dokumenton në të njëjtën kohë barbarizmin. Ashtu siç është inherente barbaria tek këto dokumente, është edhe te vetë mënyra përmes të cilës ato transmetohen prej një pronari tek tjetri. Kështu që një materialist historik e shkëput veten sa më shumë prej këtyre thesarëve. Ai e sheh si detyrë të vetën ta marrë furçën e ta shpluhurosë historinë.

Teza VIII

Tradita e të shtypurve na mëson se “gjendja e jashtëzakonshme” në të cilën jetojmë nuk është përjashtim, por rregull. Duhet mbërritur një konceptim i historisë që përputhet me këtë vëzhgim. Më pas do ta kuptojmë qartësisht se neve na bie detyra që të shkaktojmë një gjendje vërtet të jashtëzakonshme, dhe kjo do ta përmirësojë pozitën tonë përballë fashizmit. Një nga arsyet se pse fashizmi ka gjasa të ndodhë është se kundërshtarët e vet e luftojnë në emër të progresit, si një normë historike. Habia që shfaqet kësokohe, se si ka mundësi që gjërat që përjetojmë vazhdojnë “ende” të ndodhin në shekullin e njëzetë nuk është filozofike. Kjo habi nuk çon tek asnjë dije[xi], përveçse tek ajo që shpërfaq se këndvështrimi historik prej nga rrjedh habia, nuk qëndron më në këmbë.

Teza IX

Me shum’ dëshirë do kthehesha pas

Me vrundull flatrat gati

Po meqë ngeca n’Kohë të Gjallë

Nuk më ka prirë fati

 “Falëmeshëndetja e Engjëllit”[xii]  – Gerhard Scholem

Është një tabllo e Klee që titullohet “Angelus Novus”, që paraqet një engjëll që ngjan a thua se është duke u larguar prej diçkaje të cilën po e sheh me përqendrim[xiii]. Sytë e tij janë duke vështruar, gojën e ka të hapur, flatrat e shtrira. Bash kështu duhet të duket engjëlli i historisë. Fytyra e tij është kthyer kah e shkuara. Aty ku neve perceptojmë një zinxhir ngjarjesh, ai sheh veç një katastrofë të vetme që pandalur rritet duke grumbulluar rrënoja, e duke i sjellë ato para këmbëve të engjëllit. Engjëlli do të dëshironte të rrinte, të ngjallte të vdekurit e t’i ribënte gjithë ato që dërrmoi rrëmeti. Por një ciklon fryn që prej parajse; i ka mbërthyer flatrat e engjëllit me të tillë dhunë sa ai nuk mundet më t’i mbyllë. Kjo stuhi e shtyn parezistueshmërisht drejt së ardhmes, së cilës engjëlli i ka kthyer shpinën ndërkohë që orteku i rrënojave përballë tij rritet gjer afër qiellit. Kjo stuhi është ajo çka ne quajmë progres.

Teza X

Murgjve nëpër manastire disiplina monastike u përcaktonte tema për meditim me qëllim që t’i shkëpuste prej botës e çështjeve mondane. Mendimet që po zhvillojmë këtu burojnë prej një konsiderimi analog. Vëzhgimet tona synojnë që – shì në momentin kur politikanët që mishërojnë shpresat e kundërshtarëve të fashizmit janë përkulur duke pranuar mposhtjen e vet e duke tradhtuar çështjen – ne ta shpështjellim politiken mondane prej merimangave ku e kanë kapërthyer tradhtarët. Konsiderata jonë lind prej vëzhgimit të këtyre tre fakteve: besimit kokëfortë që politikanët kanë te progresi; vetëbesimit që ushqejnë për “bazën popullore”; dhe më së fundi integrimit të tyre servil tek një aparat i pakontrollueshëm, të cilat s’kanë qenë veçse tre aspekte të së njëjtës gjë. Pra duam të bëjmë të qartë se ç’çmim të shtrenjtë duhet të paguajë të menduarit e zakonshëm për të mbërritur një konceptim të historisë që do ta shmangte çdo lloj pikëpjekje me konceptin e historisë ku ende aderojnë këta politikanë.

Teza XI

Konformizmi që e ka patur çerdhen që prej fillimit në gji të social-demokratëve[xiv] nuk qëndron veç te taktikat e tyre politike, po edhe te konceptet ekonomike që kanë. E këto të fundit janë një prej arsyeve kryesore të dështimit të tyre. Asgjë s’e ka korruptuar klasën punëtore gjermane aq sa bindja që po përparonin bashkë me rrjedhën (e historisë shp.). Zhvillimet e teknikës atyre u dukeshin si shenja të kahjes së rrjedhës, me të cilën mendonin se po lëviznin. Kjo s’qe veçse një hap larg bindjes iluzive që puna në fabrikë – e cila sipas tyre qe hallkë e rrjedhës së progresit teknologjik – përbënte një akt politik përparimtar. E moçmja etikë protestante e punës po përjetonte ringjalljen e saj mes punëtorëve gjermanë, tashmë në format të shekullarizuar. Gjurmë të këtij konfuzioni u shfaqën që në Programin Gotha (i paraqitur në Kongresin e Gotha-s, në 1875, shp). Aty puna përkufizohej si “burimi i gjithë pasurisë e i gjithë kulturës”[xv]. Marksi, që e nuhati rrezikun, u kundërpërgjigj duke shkruar se “qeniet njerëzore që nuk zotërojnë asnjë pronë përveç fuqisë së vet punëtore detyrohen të jenë skllevër të të tjerë njerëzve të cilët… janë bërë pronarë”. Por, duke e anashkaluar këtë vërejtje, konfuzioni veç u rrit dhe pak kohë më pas Josef Dietzgen shpalli se: “Puna është shpëtimtari i kohëve tona… Tek… përmirësimi… i punës… mbruhet pasuria, që tashmë mund të plotësojë më së fundi atë që asnjë shpagues nuk do e kish mbërritur”[xvi]. Ky konceptim marksisto-vulgar i natyrës së punës nuk shqetësohet të ngrejë pyetjen se si prodhimet – për sa kohë që janë tej mundësive të punëtorëve – i ndikojnë këta të fundit. Ai percepton vetëm progresin në kapacitetin për të shfrytëzuar natyrën, por jo regresin e shoqërisë. Që këtu shfaqen gjurmët e para të teknokracisë, të cilat më vonë u shfaqën edhe tek fashizmi. Mes tyre qëndron një koncept i natyrës që dallon në mënyrë shqetësuese prej atyre që u shfaqën në mendimin socialist-utopik të periudhës Vormaerz (para 1948). Puna, që në atë moment e tutje, filloi të konceptohej si tërësia e shfrytëzimit të natyrës, koncept që vendoset me një vetëkënaqësi naïve, përkundër shfrytëzimit të proletariatit. Krahasuar me këtë koncept pozitivist tingëllojnë çuditshmërisht të arsyeshme edhe fantazimet e Fourier-së[xvii], për të cilat aq shumë e kanë thumbuar. Sipas Fourier-së, një ndarje e mirë e punës shoqërore do të rriste efikasitetin më mënyrë që do të mundësoheshin këto gjëra: qiellin e natës do ta ndriçonin katër hëna; akullin do ta hiqnin prej poleve; uji i detit s’do të qe më i kripur; dhe kafshët e egra do të zbuteshin e do t’i shërbenin të gjitha njeriut. Gjithë këto fantazi përshkruajnë një punë që – larg të qenit shfrytëzuese e natyrës – është në gjendje ta ndihmojë t’i pjellë ato krijesa mundshmëria e të cilave fle në mitrën e saj. Konceptit të shtrembëruar të punës i korrespondon ideja komplementare e një natyre që, sipas fjalëve të Dietzgen-it, “na ofrohet gratis”.

Teza XII

Ne kemi nevojë për historinë, por nevoja jonë është e ndryshme nga ajo e bjerrakohësve që lazdrohen në kopshtijen e dijes.

Nietzsche, Mbi Dobinë dhe Dëmin e Historisë ndaj Jetës[xviii]

Subjekti i njohjes historike është vetë klasa e shtypur që lufton. Te Marksi ajo shfaqet si e fundmja klasë e skllavëruar, që dëshiron të hakmerret edhe ta çojë deri në fund punën emancipuese, në emër të gjithë brezave të nënshtruar. Kjo ndërgjegje – që u bë e ndjeshme gjatë një periudhe të shkurtër tek “Lidhja e Spartakut”[xix] – iu kundërvu  socialdemokracisë që prej momentit nistor. Brenda tre dekadave ajo mbërriti ta shuante thuajse tërësisht emrin e Blanqui-së, bubullima e të cilit e kishte bërë të dridhej gjithë shekullin pararendës[xx]. Spartacistët u kënaqën duke i dhënë klasës punëtore rolin e shpëtimtarit të brezave të ardhshme. E bash kështu e gjymtuan prej forcës së saj më të madhe. Kjo pedagogji bëri që klasa të harrojë si urrejtjen ashtu dhe shpirtin e sakrificës. Sepse këto të dyja ushqehen veç nga imazhi i gjyshërve të skllavëruar, e jo nga ideali për nipër të emancipuar.

Teza XIII

Çdo ditë e më shumë çështja jonë qartësohet, çdo ditë e më shumë populli po bëhet i mençur

Joseph Dietzgen, Filozofia Socialdemokratike[xxi]

Në teorinë, po sidomos në praktikën e saj, socialdemokracia është udhëhequr prej një koncepti të progresit që nuk përputhej me realitetin, por që kishte pretendime dogmatike. Progresi, siç përvijohej në mendjet e socialdemokratëve, na paskësh qenë një përparim i vetë njerëzimit (jo thjesht përparim i aftësive dhe dijeve të tij). Së dyti, progresi na qenka diçka që nuk mbaron kurrë (diçka që i korrespondon përmirësueshmërisë të pafundme të njerëzimit). Së treti, progresi njehsohet si diçka në thelb e pashmangshme (si diçka që vetëvepron, dhe ndjek një tragë të drejtë apo spirale). Secili prej këtyre predikateve është kundërthënës, dhe secili lë vend për kritikë. Por kritika, në dashtë të jetë rigoroze, duhet të dalë përtej veçorive të këtyre predikatëve dhe të orientohet drejt diçkaje që e kanë të përbashkët. Ideja e progresit të species njerëzore përmes historisë është e pandashme prej idesë së lëvizjes brenda një kohe homogjene e të zbrazët. Kritika e kësaj idesë së fundit duhet t’i rrijë si themel kritikës së idesë së progresit në përgjithësi.

Teza XIV

Burimi është synimi

–          Karl Kraus,  Fjalë në Vargje vëll.I[xxii]

Historia është objekt i një konstruksioni që nuk shtrihet në kohën e zbrazët e homogjene, por në kohën e përplotë të “bash-tashit” [Jetztzeit]. Kështu, për Robespierre-in, Roma e lashtë qe një e shkuar e mbarsur me “bash-tash”, të cilën ai e shkulte prej tragës së vazhdueshme [continuum] të historisë. Revolucioni francez e mendonte vetveten si një Romë e kohës së tashme. E citonte Romën e lashtë njësoj si moda që risjell në jetë ndonjë kostum të së shkuarës. Moda ka një nuhatje për aktualen, kudo që ajo gjëllon në bjeshkët e dendura të së shkuarës.  Moda është një brofje prej tigri përmbi të shkuarën[xxiii]. Vetëm se kjo ndodh në një arenë të kontrolluar nga klasat sunduese. I njëjti hop, por në qiellin e çelur të historisë, është hopi dialektik, ashtu si e kish konceptuar revolucionin Marksi.

Teza XV

Në momentet e aksionit, vetëdijësimi për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë historike është karakteristikë e klasave revolucionare. Revolucioni i Madh solli një kalendar të ri. Dita kur përurohet një kalendar i ri funksionon si përshpejtues i historisë. E në fund të fundit kjo është e njëjta ditë që kthehet e rikthehet pandalim nën formën e ditëve festive, që janë ditë përmendore [Tage des Engedenkes]. Pra kalendarët nuk e masin kohën ashtu siç bëjnë orët. Ata janë monumente të një vetëdije historike, së cilës duket se i kanë humbur gjithë gjurmët në Evropë që prej 100 vjetësh, vetëdije që u shfaq edhe një herë në një episod të Revolucionit të Korrikut[xxiv]. Kur ra mbrëmja e parë gjatë betejave – në shumë vende të Parisit, njëkohësisht por pa koordinim paraprak – njerëzit qitën plumba në orët nëpër kulla. Një dëshmitar okular, që ndoshta ia detyron përjetësimin e vet rimës shkruajti:

 

“Qui le croirait! On dit, qu’irrités contre l’heure,

De nouveaux Josués, au pied de chaque tour.

Tiraient sur les cadrans pour arrêter le jour.”[xxv]

 

[E kush do ta besonte se në mëri me orën

Ca Jozue të rinj, mbi kulla, me inat

Për ta ndaluar ditën qitën përmbi sahat]

Teza XVI

Prej konceptit të së tashmes që s’është çast kalimtar, po një kohë e ndalur, e bllokuar, materialisti historik nuk bën të heqë dorë. Sepse një koncept i tillë e përkufizon drejt atë të tashme në të cilën, për hesap të vet, ai shkruan historinë. Historicizmi kompozon një imazh “të përjetshëm” të së shkuarës ndërsa materializmi historik skicon eksperiencën unike të takimit me të shkuarën[xxvi]. Materializmi historik i lë të tjerët të shpërdorojnë forcat me kurvën e quajtur “Na ishte një herë” në bordellon e historicizmit. Dhe mbetet zot i fuqive të veta: mjaftueshëm burrëror për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë të historisë.

Teza XVII

Po të ecë drejt historicizmi kulmon në histori universale [Universalgeschichte]. E prej kësaj dallon ndoshta më qartësisht se prej çdo gjëje tjetër historiografia materialiste, sa i përket metodës. Historisë universale i mungon armatura teorike. Ajo zhvillohet përmes grumbullimit: mbledh një masë faktesh që të mbushë kohën homogjene e të zbrazët. Historiografia materialiste, në anë të kundërt, themelohet mbi një princip konstruktiv. Mendimi nuk zhvillohet veç si lëvizje e ideve, po edhe si ngrirje, si ngurosje e tyre [Stillstellung]. Aty ku mendimi ngrin i beftë, brenda një konstelacioni stërmbushur me tensione, këtij të fundit i jep një goditje që e kristalizon në monadë. Historiani materialist nuk i avitet objektit historik për sa kohë ky ende nuk i është paraqitur si një monadë. Në këtë strukturë ai njehson shenjën e ngurosjes mesianike të gjithë ndodhive, e thënë ndryshe, shenjën e një mundësie revolucionare në luftën për të shkuarën e shtypur[xxvii]. E kap këtë shans në mënyrë që të shkëpusë një epokë të caktuar prej tragës homogjene të historisë; e nxjerr një jetë të përveçme prej një epoke; e nxjerr një akt të përveçëm prej veprës së një jete. Rezultati i kësaj procedure është se në aktin e përveçëm ruhet e përnaltësohet [aufgehoben] vepra e një jete, në jetën e përveçme ruhet e përnaltësohet epoka, në epokë ruhet e përnaltësohet gjithë traga e historisë. Fruti ushqyes i konceptimit historik përmban në thelbin e vet kohën, si një farë të çmuar por pa shije e pa aromë.

Teza XVIII

“Pesëdhjetë mijëvjeçarët e shkretë të homo sapiensit” – shkruan një biolog modern – “përballë historisë së jetës organike në tokë qëndrojnë në raport diçka si dy sekondat në fund të një dite prej njëzet e katër orësh. Në këtë shkallë, gjithë historia e qytetërimit njerëzor do të mbushte vetëm një të pestën e sekondës së fundit në orën e fundit”. Koha e bash-tashit, që si model i kohës mesianike rimerr në një përmbledhje madhështore historinë e krejt njerëzimit, koincidon saktësisht me pjesën që zë në univers historia e njerëzimit.

Shtojcë[xxviii]

A. Historicizmi ndihet i kënaqur kur vendos një lidhje shkakësie mes momenteve të ndryshme të historisë. Mirëpo asnjë realitet faktik nuk shndërrohet – thjesht pse gëzon cilësitë e shkakut – në fakt historik. Fakti bëhet historik vetëm pasi ka vdekur, nën veprimin e ndodhive që mund të jenë të ndara me mijëvjeçarë të tërë nga vetë fakti. Historiani që niset prej këtij konstatimi nuk i lejon më rrjedhat e ngjarjeve t’i kalojnë nëpër gishtërinj si rruzarë (tespihe). Ai kap konstelacionin që formon epoka e vet teksa përziehet me një aksh epokë të së shkuarës. Kështu, ai themelon një koncept të së tashmes si koha e “bash-tashit” [Jetztzeit], stërpikur me grimca prej kohe mesianike.

B. Natyrisht që falltarët, të cilët e pyesnin kohën duke u rrekur të mësonin se çfarë fshihte në gji, nuk e perceptonin atë si kohë homogjene e boshe. Ai që e mban parasysh këtë shembull, ndoshta mund ta krijojë një ide për mënyrën se si perceptohet koha e shkuar si përkujtim: bash në këtë mënyrë. Ne e dimë që hebrenjve u ishte ndaluar të parashihnin të ardhmen. Torahu dhe lutjet, si kundërpeshë, u mësuan atyre përkujtimin. Kjo i çliroi ata prej magjepsjes nga e ardhmja, pre e së cilës bien gjithë ata që marrin këshilla prej falltarëve. Por e ardhmja nuk ishte aspak një kohë homogjene dhe boshe në sytë e hebrejve. Sepse te e ardhmja, në secilin çast, gjendet ajo porta e ngushtë prej nga mund të hyjë Mesia[xxix].

Shkruar në shkurt-maj 1940, e papublikuar gjatë gjalljes së Benjaminit.

 

 

[i] I pari buratin robotik shahist për të cilin ka dëshmi njihej si “Turku” dhe është bërë në 1770 prej polimatit, studiuesit dhe shpikësit hungarez, baronit Wolfgang von Kempelen (1734 – 1804), për të argëtuar mbretëreshën e tij, Mari Terezën dhe oborrin vjenez. I vënë në punë prej shumë ingranazheve dhe i aftë për të bërë një sërë lëvizjesh shprehëse ky manekin mustaqelli ishte i veshur me një xhybe gëzofi dhe me turban, ndërsa mbante një llullë të gjatë turke në gojë. Ai qëndronte ulur mbi një kolltuk të drunjtë me rrota dhe kishte një tryezë shahu përpara. Brenda në kolltukun e drunjtë i fshehur në një zgavër të ndriçuar me kandil rrinte një njeri shtatvogël, i cili drejtonte buratinin nga brenda dhe luante lojën e shahut. Buratini shëtiti gjithë qytetet e mëdha të Evropës gjatë 1783-1784, duke fituar thuajse çdo lojë. Pasi vdiq Kempeleni buratini i kaloi showman-it vjenez Johann Maelzel nën menaxhimin e të cilit u bë edhe më i famshëm. Për të u shkruan libra, pamflete dhe artikuj, ndër të cilët edhe një dëshmi e detajuar në vetën e parë prej Edgar Allan Poe-së (Maelzel’s Chess Player – 1836). Në 1809 ky buratin mposhti Napoleonin në një lojë shahu. Prej 1817 deri në 1837 ai u shëtit në Britani e Amerikë. Sekreti i tij u bë publik në 1934, prej një ish-drejtuesi të vetë buratinit, po gjithsesi buratini vijonte të ishte tërheqës për publikun. Pasi vdiq Maelzel, në 1838, “Turku” u ekspozua në një muze të vogël në Filadelfia, ku ra në harresë. U shkatërrua prej një zjarri që ra në 1854.

[ii] Mbi konceptin e Benjaminit për materializmin historik shih sidomos pjesën e parë të esesë së tij “Eduard Fuchs, Mbledhës dhe Historian”

[iii] Herman Lotze, Mikrokosmos, vëll. 3 (Leipzig, 1864), fq.49. Filozof gjerman, i njohur për polemikën e tij kundër vitalizmit, si dhe për filozofinë e tij religjioze që rrekej të përvijonte vlera njerëzore përballë kuptimit modern të ekzistencës. Lotze gjithashtu ka ndihmuar në themelimin e shkencës së psikologjisë fiziologjike.

[iv] Fraza frënge citation a’l ordre du jour tregon një citat që duhet marrë si prioritet i ditës. Togfjalëshi ordre du jour mund të përshkruajë edhe urdhrin e ditës në sensin ushtarak të fjalës.

[v] Prej një letre të Hegelit drejtuar K.L. von Knebelit, 30 gusht 1807, botuar në K.L.von Knebel’s literarischer Nachlass und Briefwechsel, vëll. 2 (Leipzig, 1840), fq.446. Në këtë citat Hegeli thotë se mbretëria e qiellit “do t’ju bjerë për pjesë” apo “do t’ju falet” [zufalien], në të njëjtin kuptim siç Benjamini në Tezën III thotë se, në rastin e një njerëzimi të shpaguar, e shkuara “do t’iu falet vetë” atyre.

[vi] Kjo fjali dhe pasardhësja e saj janë prej esesë së Benjaminit “Eduard Fuchs, Mbledhës dhe Historian”. Gottfried Keller (1819-1890) ka qenë një prej stilistëve më të mëdhenj të prozës gjermanisht, autor ndër të tjera i novelës Der griine Heinrich (Henri i gjelbër) dhe koleksionit të tregimeve Die Leute von Seldwyla (Populli i Seldvilës). Shih edhe esenë e Benjaminit “Gottfried Keller”.

[vii] Ky është qëllimi i historianit sipas përkufizimit të Leopold von Rankes (1795-1886), i cili ndoshta ka qenë historiani më i madh gjerman i shek. XIX. Metoda e tij studiuese dhe ajo e mësimdhënies (ai ka qenë i pari që ka dhënë seminare të historisë) ka pasur impakt të madh në historiografinë perëndimore. Vepra e tij, që sipas Benjaminit epitomizon historicizmin e shek. XIX, shfaq qëndrim të anshëm kur vjen çështja te ndryshimi politik e shoqëror.

[viii] Akti 3, skena 9 (fjalët e fundit të dramës).

[ix] Numa Denis Fustel de Coulanges (1830 – 1889) ka qenë një historian francez i specializuar për historinë antike dhe mesjetare.

[x] “Pak njerëz do e kuptojnë se sa i dëshpëruar duhet të kesh qenë për të ringjallur Kartagjenën”. Kjo frazë e Flaubert-it u shkrua në një letër që ia dërgonte Ernest Feydeau-së, në 29-30 nëntor 1859.

[xi] Aludohet në thënien e Aristotelit se filozofia buron prej habisë (Metafizika)

[xii] Scholem-i e ka shkruar poemën “Falëmeshëndetja e Engjëllit” për njëzetenëntëvjetorin e Benjaminit, më 15 korrik 1921. Teksti i plotë i poemës është botuar në The Correspondence of Walter Benjamin (Chicago: University of Chicago Press, 1994), fq. 184-185. Kjo poemë merret me tabllonë Angelus Novus të Paul Klee-së, e cila ka qëndruar për një kohë në apartamentin e Scholem-it në Munich (shih dhe shënimin XIII më poshtë)

[xiii] I referohet akuarelit Angelus Novus të Paul Klee-së, tabllo që për një farë kohe ka qenë edhe në pronësi të Benjaminit.

[xiv] Sozialdemokratische Partei Deutschland (Partia Socialdemokrate e Gjermanisë), apo SPD, e themeluar prej Wilhelm Liebknecht-it dhe August Bebel-it në 1863, fillimisht si një organizatë revolucionare marksiste. Gjatë shekullit XIX, pjesërisht edhe për shkak të ligjeve antisocialiste të kancelarit Otto von Bismarck, politikat e SPD u shndërruan, prej revolucionare u bënë social-reformiste. Pasi u bë partia më e madhe politike në Gjermani, pas Luftës së Parë Botërore, kjo parti bëri të vetën një politikë reformiste të moderuar dhe mori pjesë në qeverisjen e Republikës së Weimarit. SPD-ja u ndalua nga nazistët në vitin 1933.

[xv] Në 1875 në Gotha të Thuringisë u mbajt një kongres ku u bashkuan dy grupet më të mëdha të partive punëtore gjermane, duke formuar Partinë Punëtore Socialiste. Partia e re shpalli të ashtuquajturin Program Gotha, i shkruar prej Wilhelm Liebknecht-it dhe Ferdinand Lassalle-it. Ky program u kritikua fort nga Marx-i tek “Randglossen zum Programm der deutschen Arbeiterpartei” (shkruar në 1875, përkthyer si “Kritikë e Programit Gotha”).

[xvi] Josef Dietzgen, Sämtliche Schriften, (Wiesbaden, 1911), vëll. 1, p. 175 (Sozialdemokratische Philosophie). Dietzgen (1828-1888) ishte një punëtor lëkure, autodidakt, që interpretonte Marx-in për punëtorët dhe u bë i njohur si “filozof i proletariatit”. Ai më vonë emigroi në SHBA (1884) ku redaktoi gazetat socialiste në New York dhe Chicago. Në veprën e tij Das Wesen der menschlichen Kopfarbeit (Natyra e punës mendore të njeriut, 1869) ai shtroi filozofinë e socializmit demokratik. Këtë dorëshkrim ia dërgoi Marx-it i cili ia kaloi Engelsit më pas duke i dhënë këtë koment: “Sipas meje Dietzgen-i bën mirë t’i mbledhë gjithë idetë e tij në dy faqe dhe t’i botojë në emrin e vet si lëkurëpunues. Nëse i boton në këtë vëllim që propozon, do diskreditojë veten me mungesën e zhvillimit dialektik dhe ardhjen e tij vërdallë nëpër qerthuj” (Letër Engelsit, 4 tetor 1868)

[xvii] Charles Fourier (1772 – 1837) ka qenë teoricien i shoqërisë dhe reformist, i cili bënte thirrje për një riorganizim të shoqërisë bazuar në shoqatat e përbashkëta agrare, që ai i quante “phalansterie”. Në secilën bashkësi anëtarët do i ndryshonin vazhdimisht rolet brenda sistemeve të ndryshme të prodhimit.

[xviii] Nietzsche e shkroi Vom Nutzen und Nachteil der Historie fur das Leben në 1873 dhe e botoi në 1874 si pjesë të dytë të Unzeitgerndsse Betrachtungen (Mendime të jashtëkohshme). Benjamini citon prej paragrafit hapës së parathënies së Nietzsche-s.

[xix] Liga Spartacus ka qenë një grup majtist radikal i themeluar prej Karl Liebknecht-it dhe Rosa Luxemburg-ut gjatë Luftës së Parë Botërore. Në 1918 ajo u shndërrua në Partinë Komuniste Gjermane.

[xx] Louis-Auguste Blanqui (1805 – 1881), revolucionar socialist francez dhe militant antiklerik, ka qenë aktiv në tre kryengritjet madhore të shek. XIX, revolucionet e 1830 dhe 1848, si dhe në Komunën e Parisit – dhe është burgosur pas secilës ngjarje. Citimet prej Blanqui-së, shoqëruar me komentet e Benjaminit luajnë rol kryesor në Projektin e Galerive (Passagenwerk)

[xxi] Dietzgen Sämtliche Schriften, vëll.I, fq. 176.

[xxii] Karl Kraus, Worte in Versen, vëll.I, “Der sterbende Mensch” (Njeriu në agoni). Kraus (1874 – 1936) ka qenë gazetar, kritik, dramaturg dhe poet austriak. Worte in Versen u botua në nëntë vëllime, prej 1916 deri në 1930. Shih për më tepër esenë e Benjaminit “Karl Kraus” (1931).

[xxiii] Me “bjeshkët e dendura të së shkuarës” është përkthyer fraza “Dickicht des Einst”. Me “brofje prej tigri përmbi të shkuarën” është përkthyer “Tigersprung ins Vergangene”.

[xxiv] Revolucioni i Korrikut ndodhi në 27-29 korrik 1830. Rrëzoi qeverinë e Charles-it X dhe çoi në shpalljen e Louis Philippe-it si “Qytetar-Mbret” (Monarkia e Korrikut).

[xxv] Shih Benjamin, Passagenwerk, a21a, 2.

[xxvi] Me “eksperiencën unike të takimit me të shkuarën” përkthehet “eine Erfahrung mit [der Vergangenheit], die einzig dasteht”.

[xxvii] Me “ngurosje mesianike të gjithë ndodhive” përkthehet “messianische Stillstellung des Geschehens”. Me “të shkuarën e shtypur” është përkthyer “unterdriickte Vergangenheit”, e cila mund të përkthehet edhe si “e shkuar e nënshtresëzuar”.

[xxviii] Këto dy pjesë të fundit dalin nën emërtimin “A” dhe “B”, e jo me numra si tezat e tjera. Këto janë pjesë e një dorëshkrimi të hershëm, ende të patitulluar, të Tezave. Në dorëshkrimet e mëvonshme këto shtojca mungonin. Por, për vlerën e ngërthyer në to, ato janë botuar si shtojcë, bashkë me Tezat, pas vdekjes së autorit.

[xxix] Me “porta e ngushtë” përkthehet “die enge Pforte” (shtegu i ngushtë). Ky është edhe citim i Mateut 7:13 (Hyni nëpër portën e ngushtë. … se i ngushtë është shtegu që çon në jetë e janë pak nga ata që e gjejnë!)

 

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

3 komente te “Mbi konceptin e historisë

  1. Pingback: Mbi konceptin e historisë | Blink

  2. Pingback: Mbi konceptin e historisë | Blink

  3. Pingback: Alzheimer kolektiv | rrethana & rrethina

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 21, 2014 nga te Dialektikë, Esse, Filozofi dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: