rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Banaliteti i ideologjisë

Arlind Qori
Idesë së paradokohshme të E. Braçes mbi rishtetëzimin e minierave, dhe jo edhe aq për arsye parimore, por vetëm sepse, sipas Braçes, s’kemi ç’u bëjmë bandave kriminale që kanë marrë galeritë me koncesion, gazeta Shqiptarja.com, me politikë editoriale proqeveritare, i përgjigjet kësisoj:

“Shtetëzimi i naftës u zbatua në Venezuelë

Formula e shtetëzimit të sektorëve të veçantë strategjikë aktualisht nuk përdoret në vendet ku sundon ekonomia e tregut. Një veprim i tillë u krye nga ish-presidenti i Venezuelës, Hugo Çavez, i cili fitoi armiqësinë e Shteteve të Bashkuara dhe të shumë vendeve të Amerikës Latine për politikat e tij tepër të majta, të shtetëzimit të kompanive të mëdha të naftës dhe për mbështetjen për udhëheqës të tillë si Fidel Kastro të Kubës, Mahmoud Ahmadinejad të Iranit dhe Mohamar Gadafin e Libisë.
Sipas ekspertëve, shtetëzimi nuk është metoda më e mirë për menaxhimin e burimeve natyrore. Shteti gjithnjë është pronar i nëntokës, ndërkohë që menaxhimi që i jepet privatit me koncesione ka sjellë më shumë rezultate në vende ku funksionon shteti. Kthimi prapa është pranim i dështimit të tij. – Redaksia

Online (e.s/shqiptarja.com)”

Në një njoftim tjetër, gazeta në fjalë thotë se Braçe ka deklaruar që nuk është çavist. Mirëpo kjo pak rëndësi ka. Jetike është të kuptohet banaliteti ideologjik i qëndrimit të mësipërm, jo edhe aq ndaj Braçes, sesa ndaj problemit të ndërhyrjes shtetërore në miniera dhe çavizmit. Pikësëpari, gazetës në fjalë nuk i intereson edhe aq përvoja e minierave të shtetëzuara venezueliane sesa butaforia e ish-presidentit venezuelian dhe armiqësive/miqësive të tij ndërkombëtare. Pra, çavizmi është i keq në ekonomi se ka inat në politikë të jashtme Amerikën dhe ka për zemër djem të këqij si Kastroja, Ahmedinexhadi dhe Gadafi. Ose më mirë akoma, Amerika e ka inat se bëri gabimin e pafalshëm në detyrat e shtëpisë duke shtetëzuar minierat, që askush nuk na thotë se si u privatizuan më së pari, kush përfitoi prej tyre dhe a u vendos shteti venezuelian prej tyre në marrëdhënie varësie koloniale. Mënjanë edhe idetë mbi politikën e jashtme amerikane, që së paku në rastin e Venezuelës ka tentuar të paktën një herë ta rrëzojë me grusht shteti Çavezin e zgjedhur demokratikisht, shkrimthi i mësipërm nuk ka çfarë të përmendë mbi shtetëzimet minerare në Venezuelë pasi ato thjesht KANË FUNKSIONUAR, dhe çavizmi, pikërisht përmes shtetëzimeve, ka nxjerrë një numër rekord venezuelianësh nga varfëria e skajshme.

Mirëpo, shkruesi ynë babaxhan, që e ka firmosur veten me emrin mbresëlënës “Redaksia”, nis të bëjë teori ekonomike imagjinare duke iu referuar ekspertëve (?!!!), pa nam e nishan, të cilët në bazë të kushedi ç’teorie (me gjasë të neoliberalizmit të dështuar për turp, sidomos vitet e fundit) thonë se menaxhimi privat i minierave “ka sjellë rezultate në vende ku funksionon shteti”. Pra jo kudo, por vetëm aty ku funksionon shteti, d.m.th. jo në Shqipëri. Po ku funksionon shteti kontrollor dhe jo sipërmarrës në lidhje me industritë minerare? Këtë Redaksia nuk ka nge të na e thotë. Po mirë, meqenëse jemi rehat në fushë të spekulimit teorik, nëse shteti funksionon si kontrollor, pse të mos funksionojë edhe si drejtues e sipërmarrës?! Apo është burokratik?! Po mirë, nëse rrezikon burokratizmin, pse të mos kontrollohet ai vetë, pra shteti, nga këshillat e vetë minatorëve, ose edhe nga këshilla qytetarësh të interesuar për ato punë? Sepse punëtorët janë të pagdhendur – mund t’ia behë Redaksia. Po punëtorët përvoja i ka bërë mjaft të ndjeshëm ndaj fateve të minierave dhe të ditur praktikisht mbi mënyrën si shkojnë ato punë, edhe kur u mungojnë diplomat sqimatare. Ose të paktën janë ku e ku më të ditur e të ndjeshëm se Redaksia jonë haluçinante.

Gjithsesi kjo punë u mbyll këtu. Redaksia e lau shpirtin përpara Tjetrit imagjinar ideologjik, Braçja u tërhoq nga etiketimi si çavist dhe punët duket se po shkojnë mbroth në atdheun tonë që jeton në epopenë e lavdishme të tregut, ku ndërhyrja shtetërore për të shpëtuar industrinë minerare dhe jetët e skllevërve të zgafelleve konsiderohet “kthim prapa dhe pranim i dështimit”.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Prill 13, 2014 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: