rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Çmimi që shpërthen në dorë

Boiken Abazi

Këtë vit disa kongresmenë amerikanë kanë propozuar për çmimin “Nobel të Paqes” treshen e dialogut Kosovë-Serbi: Catherine Ashton, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.  Në letrën e propozimit thuhet se Thaçi dhe Daçiq, ish-kundërshtarë të zjarrtë, tashmë kanë arritur t’i lënë mënjanë dallimet e tyre në emër të paqes dhe për një të ardhme më të mirë për vendet e tyre. Sipas propozuesëve, marrëveshja Thaçi-Daçiq është arritur duke u bazuar mbi të njëjtin parim që gjindet edhe në testamentin e Alfred Nobelit, njeriu që e themeloi këtë çmim, ku shkruhet se “Nobeli i Paqes” duhet t’i jepet njerëzve që kanë dhënë një kontribut të madh në ndërtimin e marrëdhënieve “vëllazërore mes kombeve”.

Meqenëse fryma e propozimit dhe e çmimit thirret në vlerat e familjes le të kuptojmë pak më shumë mbi pjesëtarët e saj. Në propozim, “vëllezërit” me siguri mendohet të jenë Thaçi dhe Daçiq, dhe kombi shqiptar dhe serb që këta të dy presupozohet të përfaqësojnë. Ashton, në funksionin e përfaqësueses së lartë të BE-së, merr rolin e “nënës” Evropë. Ndërsa babai do duhej të ishte nacionalizmi. Nëse ndjekim një pistë psikoanalitike, na del që Thaçi dhe Daçiq përfaqësojnë dy kombe që i ka lindur Evropa, nëna me të cilën ata dëshirojnë të bashkohen, por që për shkak të autoritetit të babait (nacionalizmit) të tyre, e kanë të pamundur. Për të qëndruar gjithnjë brenda psikoanalizës, do duhej që së paku figurativisht Thaçi dhe Daçiqi ta “vrisnin” babain , të rebeloheshin ndaj këtij autoriteti, për t’u kthyer në gjirin e nënës. Bashkim ky që do të kurorëzohej një ditë me anëtarësimin në BE dhe paqe mes dy kombeve që do krijonin ndjenja vëllazërore ndaj njëri-tjetrit.

Por ka disa probleme serioze me këtë gjykim sipërfaqësor. Edhe nëse Thaçi dhe Daçiq janë vëllezër të së njëjtës nënë (Evropës), ata nuk kanë të njëjtin baba (nacionalizëm). Qartazi Evropa ka pjellë fëmijë me baballarë të ndryshëm.  Por (fëmijët) kombet e Evropës dallojnë jo vetëm për nga tiparet etno-kulturore, por edhe nga synimet politike të tyre. Lloji i nacionalizmit, koncepti mbi të cilin ndërtohen kombet, dallon thelbësisht për nga natyra për shkak të dialektikës që gjindet brenda vetë konceptit të nacionalizmit. Në njërën anë ka kombe që janë formuar dhe zhvilluar si pasojë e agresionit, urrejtjes, shtypjes dhe shfrytëzimit të kombeve të tjera, e në anën tjetër kemi nacionalizmin çlirimtar që prodhon barazi mes kombeve dhe reciprocitet. Nacionalizmi serb ka qenë dhe vazhdon të mbetët një nacionalizëm shoven me tendenca kolonizatore, ndërsa nacionalizmi shqiptar ka qenë dhe vazhdon të mbetet një përpjekje për çlirim të kombit. Të rebelohesh ndaj të parit është detyrë, të rebelohesh ndaj të dytit është të përfundosh i shtypur dhe i nënshtruar ndaj të parit.

Shteti serb dhe Daçiqi nuk e njohin legjitimitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Duke e mbrojtur këtë qëndrim zyrtar, Daçiqi vazhdon të insistojë se Thaçi ka dalë kopil, dhe nuk ka për ta njohur kurrë si vëlla. Mosnjohja e ekzistencës së Republikës së Kosovës si shtet sovran dhe i pavarur është e qartë edhe në 15 pikat e marrëveshjes Thaçi-Daçiq. Kjo marrëveshje përfundimisht e saboton shtetndërtimin duke forcuar pozicionin e shtetit serb brenda Kosovës përmes autonomisë së dhënë ndaj asociacionit të Komunave me shumicë serbe, komuna këto që kanë dalë prej planit të Ahtisaarit. Siç pritej nga rezultati i marrëveshjes Thaçi-Daçiq, sot këto komuna të Republikës së Kosovës drejtohen nga “Lista Serbe” e cila e refuzon njohjen e pavarësisë dhe të sovranitetit të Kosovës.

Daçiqi nuk është përpjekur ndonjëherë që “ta vrasë babain e tij” në këto negociata. Përkundrazi, ai mbron të njëjtin qëndrim që Serbia ka patur edhe kur Daçiqi ka qenë zëdhënës i Millosheviqit gjatë masakrave të viteve 90. Daçiqi është një ushtar i devotshëm i konceptit nacional-shovinist të kombit të tij, dhe nuk është rebeluar kurrë ndaj këtij autoriteti, por ka punuar dhe vazhdon të punojë që të fitojë edhe në terren atë që është e sanksionuar si tabu në dokumentin kryesor të shtetit që drejton: kushtetuta e Serbisë. Kjo kushtetutë e njeh Kosovën si pjesë të Serbisë. Ndaj kësaj tabuje shtetërore thellësisht kolonialiste, Daçiqi nuk ka bërë kurrë asnjë transgresion.

Çka është më keq, edhe BE-ja nuk e ka kushtëzuar kurrë Serbinë që të ndërrojë kushtetutën e saj, të pranojë masakrat që ka kryer, të kërkojë falje dhe të paguajë për dëmet e luftës. Duket se BE-ja është pajtuar me moton e qeverisë serbe “Edhe Evropën, edhe Kosovën”. Duke qenë se 5 shtete anëtare të BE-së nuk e njohin Kosovën, atëherë kuptojmë se edhe vetë “nëna Evropë” zyrtarisht e mohon legjitimitetin e këtij “fëmije”. Nëpërmjet fusnotës – produkt i negociatave – që  tashmë Kosova mban nëpër konferenca dhe dokumente ndërkombëtare, Evropa i ka vënë Kosovës edhe një damkë për të treguar se nuk është e barabartë me të tjerët.

Për ta vënë gishtin edhe më thellë në plagë, që prej marsit të vitit 2012 BE-ja i ka dhënë statusin e vendit kandidat Serbisë bashkë me fondet që e shoqërojnë këtë status. Ndërkohë, vendeve fqinje të Serbisë që janë shkatërruar dhe mbahen peng prej saj, u numërohen kriteret e paplotësuara. Në kohën kur ende po zbulohen varre masive në Serbi të masakrave ndaj shqiptarëve, pëmes statusit kandidat, BE-ja e ka legjitimuar kursin nacional-shovinist të shtetit Serb. Por e gjitha kjo ka ndodhur me pëlqimin dhe bashkëpunimin e ngushtë të koalicionit qeverisës së Hashim Thaçit.

Thonë se më parë Thaçi ka luftuar në emër të nacionalizmit çlirimtar shqiptar, por sidoqoftë të paktën sot është e qartë që ai sundon vetëm në emër të identitetit të kombit kosovar. Një komb me flamur me ngjyrat e BE-së dhe me një himn pa tekst të titulluar “Evropë”. Duke e nëpërkëmbur nacionalizmin shqiptar, Thaçi e ka “vrarë babain” shumë kohë më parë, që kur UÇK-ja dorëzoi armët dhe nuk u shndërrua në ushtri, që kur pranoi negociatat dhe planin e Ahtisaarit. Krimi tashmë ka ndodhur prej vitesh, dhe e vetmja gjë që mund të ketë mbetur është ndjenja e fajit. Me propozimin për “Nobelin e Paqes” polet e pushtetit Perëndimor po ndihmojnë Thaçin që ta mbys me trysninë e reputacionit të rritur nga jashtë edhe këtë ndjenjë që nëse ekziston është strukur diku thellë brenda të pavetëdijshmes së tij. Nëpërkëmbja e nacionalizmit çlirimtar shqiptar nuk ka sjellë emancipim por regres dhe nënshtrim ndaj Serbisë.

Për të ndalur marrëdhëniet abuzive që ka krijuar kjo “familje” nuk mjafton të bazohemi në simbolika psikoanalitike. Zgjidhjet nuk janë psikoanalitike e as të bazuara mbi vlera dhe simbolika “familjare”, por mbi koncepte politike si drejtësia dhe barazia. Subjektivimi politik i popullit për të të sjell në jetë parimin e nacionalizmit çlirimtar shqiptar është e vetmja rrugëdalje aktuale nga kjo krizë politike. Sa më shumë që populli i Kosovës nguron ta marrë këtë kthesë, aq më shumë do të rëndohet situata, aq më gjatë Thaçi dhe polet e pushtetit Perëndimor do të përpiqen të na shesin pallavra mbi mënyrat se si ndërtohet një raport “vëllazëror” me një komb që të mohon ekzistencën.

Në fund duhet thënë se propozimi për t’ia dhënë çmimin “Nobel të Paqes” treshes perverse të këtij dialogu është një manovër për ta veshur me prestigj shtypjen politike aktuale dhe historike në emër të legjitimimit të shtetshformimit që kanë prodhuar negociatat dhe marrëveshja histerike.  Alfred Nobeli, ka qenë industralist që është pasuruar duke shpikur, prodhuar në masë dhe tregtuar lëndë eksplozive gjatë shekullit të XIX-të. Në të njëjtën frymë, më shumë sesa një mirënjohje në emër të paqes, ky propozim për çmim vjen si një kallëp dinamiti Nobel që pritet të shpërthejë në duart e popullit, për të hedhur në erë përpjekjen për çlirimin e plotë të vendit nga ish-kolonizatori.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 28, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: