rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Sociologjia si apologji për kapitalizmin

Martin Nicolaus

Më poshtë po botojmë një kritikë të mprehtë të sociologjisë, të cilën Martin Nicolaus e shtroi në formë fjalimi në konferencën e Shoqatës së Sociologëve Amerikanë, në vitin 1968. Studentët aktivistë asokohe premtuan se do ta bënin të pamundur zhvillimin e konferencës në rast se Nicolaus nuk do të lejohej ta mbante fjalimin e tij.

1968 ka qenë viti i Ofensivës Tet në Vietnam, viti i rebelimeve të studentëve e punëtorëve në maj-qershor në Francë, viti i Pranverës së Pragës, viti i rebelimeve studentore në Jugosllavi (dhe i demonstratave masive të studentëve shqiptarë në Universitetin e Prishtinës – ku u hodh për herë të parë parulla “Vetëvendosje!”), po ashtu i rebelimeve të mëdha studentore në Meksikë e gjetiu. Qeveria e SHBA-ve, një anëtar i së cilës ishte dhe i ftuar special në konferencën e sociologëve, sapo kishte përshkallëzuar në mënyrë të ndjeshme luftën në Vietnam dhe prej lëvizjes kundër luftës asokohe kjo qeveri shihej si një bandë kriminelësh lufte.

Imagjinojini konservatorët pjesëmarrës në konferencë, të gjithë duke parë me mllef – imagjinojini gjithë liberalët duke pëshpëritur plot turp – ndërkohë që Nicolaus ua rrëfente të vërtetën bash në shtëpinë e tyre!

mnatsfu-190wKëto vërejtje nuk i drejtohen Sekretarit të Shtetit për Shëndetësi, Arsim dhe Mirëqenie (ShAM). Ai njeri ka rënë dakord me dëshirën e tij që të shërbejë si anëtar i një establishmenti qeverisës që aktualisht po lufton për mbijetesën e vet në dy fronte. Luftërat imperiale, si ajo kundër Vietnamit janë zakonisht luftëra me dy fronte – një front kundër popullatës-subjekt të jashtme, një front kundër popullatës-subjekt vendase. Sekretari për ShAM është oficeri ushtarak në frontin e brendshëm të luftës kundër popullit. Përvoja në seminaret e hapura (teach-ins) me temë mbi Vietnamin ka dëshmuar se dialogu mes popullit dhe sunduesve të vet është një ushtrim i tolerancës represive; është, ta themi me fjalët e Robert S.Lynd-it, një dialog mes pulave dhe elefantëve. Ai ka njëfarë pushteti mbi mua – pra edhe kur gabohet në argumentat e veta, ka të drejtë; e unë edhe në paça të drejtë, e kam gabim.

Por unë i drejtohem audiencës së Sekretarit. Ka pak shpresë – edhe pse tash u bë vonë – që mes atyre që janë anëtarë apo simpatizantë të profesionit të sociologut e që janë mbledhur këtu, të ketë disa jeta e të cilëve të mos jetë aq e shitur dhe aq e kompromentuar sa që të mos e kenë më në kontroll vetveten, as për ta ndryshuar e as për ta korrigjuar.

Ndërkohë që oficerët e kësaj konvente bashkë me folësin paraardhës po hanin një drekë madhështore në hotel, unë isha nga ana tjetër e rrugës, në një kafene, duke ngrënë një hot dog e duke pirë dy filxhanë kafe. Ndoshta kjo është arsyeja pse perspektiva ime është ndryshe.

Elita qeverisëse përbrenda profesionit tuaj është përgjegjëse për atë që quhet Shëndetësi, Arsim dhe Mirëqenie. Ata prej jush që e dëgjuan në mënyrë pasive se çfarë kishte për të thënë parafolësi, marr me mend se ranë dakord me këtë përkufizim – ky përshkrim i punës që bën ky njeri – bart mesazhin e duhur. E megjithatë mes jush ka shumë, përfshij këtu dhe hulumtuesit rigorozë, që dinë ca më tepër se kaq, apo që duhet të dinë më tepër se kaq. Departamenti që drejton ky njeri do të përshkruhej më saktësisht si agjensia që mbikëqyr shpërndarjen e pabarabartë të sëmundjeve të parandalueshme, që mbikëqyr financimin e propagandës dhe indoktrinimit të shoqërisë, që mbikëqyr mirëmbajtjen e një force punëtore rezervë, të lirë e të nënshtruar. Ai pra është Sekretar për Sëmundjet, Propagandën dhe Grevëthyerjen.

Ndoshta këto fjalë janë tepër të forta për veshët tuaj, por gjithçka varet se prej nga e shikon, se ku qëndron. Nëse qëndron brenda Hotelit Sheraton atëherë këta terma janë fyesë, po nëse ju, zotërinj e zonja, do të merrnit mundimin të kapërcenit rrugën gjer në Roxbury, atëherë ndoshta do të përftonit një perspektivë të re dhe një fjalor të ri. Nëse do ta shihni botën me sytë e atyre që janë në fund të saj, mes syve të popullit (dhe nëse do i pajisni ato sy me të njëjtën shkallë qartësie që pretendoni se nxitni mes njëri-tjetrit), atëherë do të përftoni një koncept të ndryshëm për shkencën sociale të cilës i jeni përkushtuar.  Me këtë dua të them se kjo asamble e mbledhur këtu sot nuk është një përbashkim i atyre që studiojnë apo që nxisin studimin e realitetit shoqëror. Kjo është një konklavë priftërinjsh të lartë e të ulët, skribësh, shqytarësh intelektualë e viktimash të pafajshme, të angazhuar në pohimin e përbashkët të rrejtshmërisë, në adhurimin e përbashkët të një miti.

Sociologjia sot nuk është, dhe kurrë nuk ka qenë, ndonjë lloj hulumtimi objektiv i së vërtetës apo realitetit shoqëror. Historikisht ky profesion ka lindur prej martesës së tradicionalizmit evropian të shek XIX dhe liberalizmit korporativ amerikan të shek XX. Me këtë dua të them se sytë e sociologëve – dhe përjashtimet janë pak, por të respektuara (ose të respektuara, por pak) – janë ulur teposhtë, e duart e tyre janë ngritur lart.

Sytë poshtë për të studiuar aktivitetin e klasave të ulëta, të popullatës-subjekt – ato aktivitete që përbëjnë problem për ushtrimin normal të pushtetit qeverisës. Ç’prej se klasa e qeverisësve në këtë shoqëri e identifikon vetveten me shoqërinë – ashtu si Davis dhe Moore në artikullin e tyre të famshëm propagandistik, në 1945, ku e identifikonin shoqërinë me ata që e drejtojnë atë – janë problemet e klasës sunduese ato që përkufizohen si probleme sociale. Sot profesioni ka lëvizur prej qaravitjes: “problemet sociale” nuk përbëjnë më termin e preferuar, por perspektiva e nënkuptuar mbetet e njëjta. Sendet që janë “interesante” sociologjikisht janë sendet që përbëjnë interes për ata që rrinë në majë të malit e që ndjejnë veç dridhjet e tërmetit.

Sociologët shërbejnë si roje garnizoni dhe i raportojnë shefave për lëvizjet e popullatës së zaptuar. Sociologët pak më aventurierë marrin pamjen e popullit dhe shkojnë e përzihen me fshatarët në “fushë”, për t’u kthyer më pas me libra dhe artikuj që thyejnë sekretin mbrojtës në të cilën e mbështjell veten një popullatë e pushtuar, duke e bërë atë edhe më të manipulueshme e më të kontrolluar.

Sociologu si hulumtues i punësuar nga punësuesit e tij është pikërisht një lloj spiuni. Ushtrimi i përpiktë i profesionit shumë shpesh ndryshon nga ushtrimi i spiunazhit të mirëfilltë vetëm aq sa i përket sofistikimit më të përparuar elektronik në teknikat e këtij të fundit.

Pra a ka ndodhur vallë aksidentalisht – për të përmendur vetëm pak shembuj këtu – që sociologjia industriale lulëzoi në periudhën kur u rritën “problemet me punëtorët”, që ekonomia politike lulëzoi kur zgjedhjet nisën të bëhen më pak të parashikueshme, apo që sociologjia raciale është duke lulëzuar sot?

Si sociologë, vendet e punës ju ia keni borxh organizatorëve sindikalistë që janë rrahur, votuesve që janë lodhur, zezakëve që janë vrarë. Sociologjia ka lulëzuar gjer në prosperitetin dhe shkëlqimin e sotëm falë gjakut dhe eshtrave të të varfërve e të të shtypurve; ia ka borxh prestigjin e saj në shoqëri aftësisë së saj të presupozuar për t’i dhënë informacion dhe këshilla klasës sunduese të kësaj shoqërie për sa i përket rrugëve dhe mjeteve të nevojshme për ta mbajtur popullin poshtë.

Sytë profesionalë të sociologut pra drejtohen poshtë, drejt popullit, ndërsa duart profesionale i ka shtrirë lart, drejt atyre që sundojnë. Nuk përbën sekret dhe nuk është ndonjë zbulim origjinal po të themi se sektorët dominantë dhe më të mëdhenj të sociologjisë së sotme janë të shitur – shërbejnë si kompjuterë, si kode, si pyetësorë – tek ata njerëz që kanë aq para sa t’ia lejojnë vetes një ornament të tillë, e që e shohin me vlerë faktin se përdorin si shërbëtorë qindra burra e gra inteligjentë që i marrin prej rrugës e i vënë të bëjnë eksperimente të ndryshme. S’dua të them me këtë se secili studiues individualisht e shet trurin e vet në këmbim të një ryshfeti – edhe pse shumë prej nesh jemi të vetëdijshëm që në jo pak projekte hulumtuese gjërat shkojnë fjalë për fjalë kështu – por ajo që dua të them është se struktura dominante e profesionit, tek e cila shoqërizohen në një farë mase të gjithë anëtarët e tij, është një strukturë në të cilën shërbimi ndaj klasës sunduese të shoqërisë përbën formën më të lartë të nderit dhe të arritjes. (Vetë katedra e folësve sot përbën një shembull për këtë). Sociologu që nderohet, sociologu me status të madh, sociologu jet-set, sociologu që paguhet shumë, sociologu që boton nga një libër në vit, sociologu që gjithnjë vesh rrobat, kollaren dhe kostumin e shefave të vet: ky është lloji i sociologëve që sot përcaktojnë etikën dhe ngjyrën e këtij profesioni, dhe ky është ai lloj sociologësh që s’është asgjë më pak a më shumë se sa një shërbëtor shtëpiak për establishmentin korporativ, një Uncle Tom i bardhë, jo vetëm për këtë qeveri e për këtë klasë sunduese, po për secilën qeveri e për secilën klasë sunduese, gjë që shpjegon sipas meje se pse sociologët sovjetikë dhe sociologët amerikanë po zbulojnë, pas kaq shumë vitesh izolim, se paskan kaq shumë gjëra të përbashkëta.

Të rrisësh e të edukosh brez pas brezi mendjet më të ndritura, të cilat i ashtuquajturi sistem arsimor i këtij vendi i ka lënë të mbijetojnë mes kësaj etike sociologjike të servilizmit, ti shoqërizosh ata në këtë sociokraci, është vepër kriminale: një nga shumë krimet ndaj të rinjve që ushtrohen prej atyre që e pozicionojnë vetveten në një situatë loco parentis, që përgjithësisht është shumë më shtypëse se sa çdo marrëdhënie e vërtetë prindërore. Krimi të cilin shkollat pasuniversitare kryejnë ndaj mendjeve dhe moraleve të të rinjve është edhe më tepër i pafalshëm duke njohur potencialin e stërmadh çlirues që bart dija mbi jetën shoqërore. Ndryshe nga dija mbi pemët e gurët, dija mbi njerëzit drejtpërdrejt e prek atë çka jemi, atë çka bëjmë, atë për të cilën ne mund të shpresojmë. Sunduesit korporativë të kësaj shoqërie nuk do të shpenzonin kaq para sa shpenzojnë tani për dijen, po të mos qe se dija përcjell pushtet. Gjer më sot sociologët e kanë bartur këtë dije që përcjell pushtet vetëm në një rrugë njëkahëshe, duke marrë dije prej popullit, e duke ua çuar atë sunduesve.

Po sikur makineria të përmbysej? Po sikur sjelljet, problemet, sekretet dhe motivimet e pavetëdijshme të të pasurve e të të pushtetshmëve të shqyrtoheshin përditë prej njëmijë hulumtuesve sistematikë, sikur të zhbiroheshin çdo orë, të analizoheshin dhe të kryqëzoheshin referencat; të mbaheshin shënim e të publikoheshin në qindra ditore jo të shtrenjta, që do të kishin qarkullim masiv, e që do ishin shkruar me një gjuhë te tillë që edhe ai pesëmbëdhjetëvjeçari që ka lënë shkollën e mesme përgjysëm do të mund ta kuptonte, e kështu do të mund të parashikonte veprimet që ndërmerr pronari i tij për ta kontrolluar dhe për ta manipuluar?

A do të kishte ndodhur Lufta e Vietnamit nëse struktura, funksioni dhe lëvizjet e establishmentit imperial të SHBA-ve do të kishin qenë çështje të njohura me detaj për publikun qysh dhjetë vjet më parë?

Sociologjia ka punuar për të krijuar e për të rritur shpërndarjen e pabarabartë të dijes; ka punuar për ta bërë strukturën e pushtetit relativisht më të pushtetshme dhe më të dijshme, pra ka punuar për ta bërë popullatën që i nënvendoset kësaj strukture relativisht më të pafuqishme dhe më injorante.

Në fund të verës së 1968, ndërkohë që partia politike që tash qeveris mban mbledhje pas telave me gjemba e pas makinave të blinduara, profesioni i sociologjisë duhet ta konsiderojë vetveten veçanërisht të bekuar e të uruar, meqë mbledhjet e veta mund të zhvillohen ende me një raport polic-pjesëmarrës që ende është me i vogël se një-me-një. Kjo ndoshta ndodh për shkak se populli i SHBA-ve ende nuk e di se sa shumë prej halleve të veta aktuale rrjedhin – për të huazuar fjalët e Lordit Keynes – prej shkrimeve thuajse të harruara të një profesori të panjohur të sociologjisë. Apo ndoshta ndodh për shkak se sociologjia është ende aq e parrahur sa që nuk përfaqëson ndonjë rrezik të qartë e të ndjeshëm.

Në 1968 është vonë, tepër vonë për të thënë edhe një herë atë që kanë thënë prej kohësh Robert S. Lynd dhe C. Wright Mills bashkë me qindra të tjerë: pra që profesioni duhet të reformojë vetveten. Duke parë se ç’forca e ç’para qëndrojnë pas sociologjisë si ushtrim i servilitetit intelektual, do të ishte jorealiste që të pritej prej trupës profesionale të ndryshojë fytyrë.

Nëse telat me gjemba do të rrethojnë Shoqatën Amerikane të Sociologëve në ndonjë nga vitet e ardhshme, shumë prej anëtarëve të saj ende nuk do e kuptojnë pse.

Përktheu Arbër Zaimi

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Dhjetor 9, 2013 nga te Përkthim, Polemikë, Politikë, Shkencë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: