rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Prishtina, komunë e hapur!

Arbër Zaimi

Prej zgjedhjeve lokale të nëntorit 2013 mund të themi se ka vetëm një risi. Shkëndija e mundësisë, shkëndija e çeljes, që përfaqëson balotazhi në kryeqytetin e Kosovës, ku garon Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes përballë Isa Mustafës së LDK. Kur flas për risinë potenciale sigurisht që nuk i referohem Mustafës, i cili tash e gjashtë vjet qeveris në Prishtinë. Aq më pak i referohem LDK-së e cila qeveris këtë qytet pa ndërprerje që prej pasluftës, duke u bërë kështu bartëse e barrës kryesore e problemeve të dukshme apo jo që ka kjo komunë.

Kësaj radhe duket se Prishtina ka vendosur të ndryshojë. Nëse në zgjedhjet e tjera LDK-ja shpesh e ka fituar Prishtinën pa balotazh, kësaj radhe shumica e votave duket se kanë qenë për ndryshimin. Votat e Vetëvendosjes si edhe votat që kanë shkuar për subjekte të tjera përbëjnë një shumicë dërrmuese të prishtinasve, me sa duket të lodhur me një prej qeverisjeve më të korruptuara, më apatike dhe më të centralizuara që mund të ketë ndonjë kryeqytet në rajon.

Në balotazh pra paraqiten dy variante, ndryshimi dhe vazhdimi. Vazhdimi nënkupton njësoj. Ndryshimi, me Shpend Ahmetin, nënkupton një program konciz, me disa pika interesante të cilat besoj se përbëjnë interes për t’u trajtuar pak më gjatë.

Programi i Shpend Ahmetit për Prishtinën, ashtu si dhe gjithë dokumentet programore që Vetëvendosja ka publikuar gjatë aktivitetit të saj politik, në radhë të parë përbën shenjë të përgjegjësisë. Gazetarë dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë civile, gjatë fushatës, kanë vënë re se publikimi i këtyre programeve nga subjekti në fjalë, ka shtyrë edhe subjekte të tjera të publikojnë (edhe pse shpejt e shpejt e me kopje të këqija) programet e tyre. Botimi i programeve pra, vendosja e koordinatave politike në raport me publikun, me shoqërinë dhe me opinionin, duam apo s’duam, është hapi i parë drejt normalitetit – që pretendon t’i sjellë Kosovës, e në këtë rast Prishtinës, Lëvizja Vetëvendosje.

Por, përtej formaliteteve, programi i Shpend Ahmetit është ndryshe nga programet e partive të tjera. Qëndrimet politike të shtjelluara në të nxjerrin në pah parime të një socialdemokracie radikale, parime që i kemi parë të mbrohen e të zbatohen në disa vende të Evropës, por që nuk përbëjnë interes për partitë dhe pushtetin e deritashëm në Kosovë. Establishmenti i vjetër politik duket sikur ka për qëllim të vetëm e të palëvizshëm garën se cila prej forcave është më e djathtë. Dhe ky djathtizëm, në kuptimin banal përkthehet në arrogancë të pushtetit e servilizëm të administratës, në theksim të individuales e privates e shkatërrim të shoqërores e kombëtares, ndërsa për ekonominë nënkupton binomin e pandashëm privatizim-korrupsion që rritet në shpinë të ekonomisë prodhuese e punësuese, së cilës po i merret fryma.

Në mes të këtij konstelacioni korruptivo-uzurpator aktualizimi i potencialit të ndryshimit, balotazhi i Vetëvendosjes dhe i Shpend Ahmetit në Prishtinë shfaqet befasisht, dhe e prish planin pervers të atyre që “fitojnë me duar në xhepa”.

Po çfarë premton Shpendi kaq ndryshe?

Në një komunë ku gjer më sot vendimet janë marrë nga klane të përziera me interesa privatë të elitës së LDK-së, ku kryetari i komunës dhe i vetë LDK-së as nuk e ka çarë ndonjëherë kokën për shqetësimet apo prioritetet e lagjeve, komuniteteve apo grupeve të interesit – Shpend Ahmeti premton diçka tërësisht të re. Ai premton se secilin vendim të komunës që do të ketë impakt në një grup apo shtresë të caktuar, do ta marrë vetëm pasi të përfshijë në vendimmarrje përfaqësuesit e atij grupi.

Nëse komuna e Isa Mustafës është një ndër institucionet e Kosovës që ka më shumë vërejtje sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut e të qytetarit, komuna e Shpend Ahmetit sërish premton të jetë ndryshe. Bazuar në konceptin e Vetëvendosjes, kjo komunë do t’i trajtojë të gjithë qytetarët njësoj, pa i diskriminuar ata në bazë të gjendjes ekonomike, prejardhjes familjare, gjeografike apo etnike, gjinisë, moshës, gjendjes fizike e mendore, etj. Shpendi premton që në administratën e drejtuar prej tij s’do të tolerohet asnjë grimë diskriminim. E kjo është dritë e re për Kosovën e pushtetarëve feudalë.

S’është vetëm kaq, Shpend Ahmeti premton mirëpërdorim të parasë e pronës publike. Gjatë fushatës së tetorit ai i ka parashtruar me hollësi qytetarëve zgjidhjen e problemeve si transporti urban, furnizimi me ujë, apo rrjeti i çerdheve dhe shkollave. Duken si zotime elementare, dhe ashtu janë. Janë aq elementare sa që të bëjnë të turpërohesh që s’i ke sot në Prishtinë. Prishtina e Isa Mustafës nuk ka ujë në mbrëmje e në mëngjes, nuk ka ngrohje në dimër, ka çerdhe vetëm për 2000 fëmijë, ndërkohë që lipsen ambiente për rreth shtatëfishin e këtij numri. Të gjitha këto nuk kërkojnë shpenzime të mëdha. Po të shmanget keqpërdorimi e po të vihet në përdorim vullneti i mirë, planet e paraqitura nga Shpendi realizohen lehtë. Aq bindëse janë këto plane, sa që edhe vetë Isa Mustafës i është mbushur mendja se mund t’i realizojë, dhe ka nisur që të flasë pikë për pikë të njëjtat tema tani që filloi fushata e balotazhit.

Por, ka çështje që Isa Mustafa nuk i kopjon dot. Ato janë të natyrës së drejtësisë – si përshembull zhdukja e korrupsionit në Komunë dhe realizimi i programit të transparencës absolute, të shpjeguar nga Shpend Ahmeti. Isa Mustafa nuk mundet as të flasë për antikorrupsion e për transparencë, e lëre më të premtojë gjë. Reportazhe të ndryshme prej gazetarëve hulumtues, por edhe aktiviteti politik i Vetëvendosjes dhe i shoqërisë civile i kanë vënë në pah prej kohësh prapaskenat e errëta dhe pronat e shumta të klanit Mustafa e të klaneve të pushtetit që lidhen me të.

Po ashtu, Isa Mustafa nuk ia kopjon dot Vetëvendosjes dhe Shpendit konceptin zhvillimor urban. Rendi urbanistik, çelja e qytetit për qytetarin e për shoqërinë, në respekt të ekonomisë, të kulturës e të natyrës, është diçka që Mustafa as që ëndërron ta thotë. Menjëherë do ta ironizonin, se mjaft t’i tregosh fotografitë e ndërtesave aty ku ai ka firmosur lejet e ndërtimit, për të parë se ç’katastrofë urbane ka mbjellë në Prishtinë. Mustafa e ka ngulfatur Prishtinën, e për pasojë janë dërrmuar bizneset, është zbehur jeta kulturore e artistike në qytet, ndërkohë që mjaft ambiente dikur të gjelbëruara tashmë janë mbuluar nga banesa të rregullta e të parregullta që kanë mbirë si kërpudha.

E së fundmi, Mustafa nuk mundet të kopjojë as solidaritetin dhe frymën sociale prej Lëvizjes Vetëvendosje!. Programi i Shpend Ahmetit për strehim të përballueshëm për punonjësit e administratës publike, mjekë e mësues, është një politikë sociale e marrë prej modeleve të suksesshme të socialdemokracive evropiane, një program që përveç anës njerëzore, ka impakt pozitiv edhe në anën ekonomike pasi duke hequr barrën e strehimit qytetarët nxiten drejt konsumit të produkteve të tjera, e kështu nis zinxhiri që nxit prodhimin vendor. Element tjetër në po të njëjtën frymë është programi për një shujtë falas për nxënësit e shkollave fillore. Kostoja e këtyre programeve është llogaritur, dhe jo vetëm që është e përballueshme, por është e realizueshme lehtë. Kuptohet që këto nuk mundet t’i thotë Isa Mustafa, i cili siç e pranoi edhe vetë në emisionin e vetëm televiziv ku doli përballë Shpendit – nuk e ka problem edhe t’i lërë njerëzit pa rroga. Asgjë sociale e solidare nuk mund të ketë te Isa Mustafa, ky përfaqësues tipik i së vjetrës që i ka ngulur kthetrat së tashmes e që s’po do ta lërë të lindë të ardhmen…

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 29, 2013 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: