rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Reaksioni mbi protestat e nëntorit

Arbër Zaimi

Protestat e nëntorit 2013 në Shqipëri janë ende të freskëta. Ndoshta aq të freskëta, sa që ende nuk është prodhuar ndonjë analizë e arrirë e kritike për to (me kritikë nuk nënkuptoj domosdoshmërisht kundërshtuese apo fajësuese, se sa shqyrtimin e imtësive për të gjetur pikat meritore apo ato të dyshimta të kësaj proteste) për të kuptuar se ç’ndodhi. Ajo çfarë u prodhua ishte euforia, pasi çështja u konsiderua e fituar, dhe poshtërimi i protestës (ose protestuesve) prodhuar prej një sërë mediash dhe individësh reaksionarë apo anti-protestë. Euforia është e shpjegueshme lehtë, duke patur parasysh se është hera e parë, që prej 1997 që populli vendos pa referendum. Duke njohur rrethanat, mjafton dallimi në numër viktimash për të ndjerë një farë euforie. Euforia mund të ketë bezdisur dikë, gjithsesi momente të tilla të ekzaltimit kolektiv shërbejnë për të rritur vetëbesimin dhe besimin tek njëri-tjetri, e këto dy forma të besimit kanë për të qenë gjithnjë të nevojshme, kur të vijë puna te protestat e tjera.

Por, ajo çka është më interesante, është çështja e poshtërimit të protestës. Kundërshtarët e protestës janë të shumtë, vijnë nga të gjitha shtresat e shoqërisë e nga të gjitha pozicionet politike, njëjtë si edhe protestuesit. Po nëse e kemi të qartë se çfarë i bashkoi protestuesit në kauzën e tyre, ende nuk e kemi të qartë se çfarë i bashkon kundërshtuesit. Në aq sa kam lexuar gjer më tash reagime pas protestës, do të dalloja disa grupe në vija të trasha.

1. Ata që mendojnë se protestuesit vepruan si turmë histerike, pa ekspertizën e duhur mbi armët kimike.

Një deputet i kërkonte llogari studentëve se a e dinin ç’është sarina, dhe a e dinin se do vinin apo s’do vinin predhat. Një gazetar, ca ditë më vonë, i kërkonte llogari dikujt që vetëquhej organizator, se a kishte marrë informacion përtej gugëllit. Ca të tjerë mezi presin të pranojë ndonjë vend tjetër, për t’ia nisur akuzave cinike. Të gjitha rastet përfaqësojnë një etikë skandaloze.

Ajo që huqet që në fillim, është se protesta s’ka qenë “protestë shkencore”, dhe askund në botë nuk ekzistojnë “protestat shkencore”. Protesta ka qenë politike, shprehje e shumësisë. T’i kërkosh protestuesit të 15 nëntorit se a ka studiuar kimi në shkollë të mesme, është si t’i kërkosh protestuesit të 21 janarit se a e dinte ai se si përdoret montazhi televiziv, apo si t’i kërkosh protestuesit minator se a e di ai se si funksionon ekonomia supply-side. Kjo jo vetëm që është e pandjeshme, por është dhe tërësisht anti-politike.

Së pari, vetë intervistuesit-hetues, qofshin deputetë qofshin gazetarë, bëjnë gabim nëse mendojnë se janë më të informuar se protestuesit. Së dyti, vetë protestuesit e kanë bërë të qartë në shumë raste, bile edhe në media, se nuk ishin ambientalistë. Qëllimi i tyre më i përbashkët ishte që t’i thuhej ndal vendimeve arbitrare mbi vendin e tyre, pa i pyetur ata. Thënë më thjesht qëllimi i protestuesve, siç e kuptoj unë, ka qenë mbërritja e përfshirjes së tyre në politikë – si popull e si shoqëri. Që sot e tutje, thanë ata, vendimet madhore që na përkasin të gjithëve, do të duhet të merren prej të gjithëve e jo prej disa takimeve konfidenciale në kulisat e rrugës së Elbasanit apo të Rogner-Sheratonit.

2. Ata që mendojnë se kjo protestë na shënoi si antiamerikanë dhe na dëmtoi strategjikisht si shtet.

Këta janë më idiotët prej kritikëve, edhe pse jo më pak perfidët. Në këndvështrimin tim, kushdo që përdor kategorizimin “antiamerikan” për dikë është njëkohësisht idiot dhe dashakeq. Ky kategorizim shërben më shumë si akuzë, si zhvleftësim i argumentit të tjetrit, se sa si ndonjë argumentim në vetvete.

Strategjikisht, unë mendoj se rezultati i protestave na vendos në pozita shumë më të mira si shoqëri. Jo se bëmë diçka që ishte e pamundur, por sepse më në fund u aktualizua diçka që gjithnjë ka qenë e mundur dhe u mposht logjika e frikës nga superfuqia, frikë e cila ka shërbyer si barrierë e madhe për mendimin politik gjer më sot. U tregua që kjo barrierë mund të kapërcehet. Të protestuarit pranë ambasadës amerikane jo vetëm që simbolikisht është bukur dhe lezetshëm, siç tha Arvizu, por edhe hap një shteg të rëndësishëm për të ardhmen. Tash e tutje edhe SHBA-ja mund të shihet me sy kritik pa rrezikuar inkuizicionin, njësoj siç mund të shihet gjithçka që ekziston në këtë botë. Dekonstruktivistët shqiptarë, që gjer tash janë stërvitur vetëm me rrëzimin e mitit të Skënderbeut, do kenë shumë punë me ç’të merren…

Por edhe si shtet dhe ekonomi, mesazhi që dhamë është i qartë. Nëse duam të zhvillohemi e të pasurohemi rruga e duhur (dhe e vetmja) është puna e jo prostitucioni, apo koncesionimi i trupit të vendit tonë në shkëmbim të parave.

3. Ata që mendojnë se kjo protestë ishte rezultat i frikës individuale të gjithësecilit, dhe jo i shprehjes politike kolektive.

Ka diçka të vërtetë në këtë konstatim, edhe pse është tepër përgjithësues dhe i pamjaftueshëm. Ndoshta ka qenë vërtet frika që ka shtyrë shumë njerëz për të dalë në rrugë, po le të mos ua vëmë atyre fajin se pse po përdorin një mjet kaq apolitik sa frika. Ata po përdorin këtë mjet, sepse ky është mjeti i vetëm që u ka mbetur – të qeverisur në vazhdimësi pikërisht me paradigmën e frikës. A nuk kanë argumentuar servilizmin e tyre shtypës apo indiferent ndaj popullit qeveritarët e tashëm e ata të mëparshëm pikërisht përmes frikës? A nuk thanë dhe në këtë rast se “po të themi jo kushedi ç’na bën Amerika?”. Frikë për frikë dhe dhëmb për dhëmb. Ky është një tipar dallues i protestave të tilla, që nga Occupy WallStreet e gjer tek Indignados, apo GeziPark. Frika prej papunësisë, frika prej qeverisjes abuzive, frika prej tahmasë së financierëve, frika prej fetarizimit etj… Ndoshta ky është tipar i pashmangshëm i protestave të sotme, në kushtet kur individualizmi është bërë hegjemonik.

Por, pikërisht nëpër protesta të tilla lind edhe mundësia për ta kritikuar e për ta sulmuar këtë hegjemoni, ashtu siç lind edhe mundësia për themelimin e lidhjeve e rrjeteve që më vonë mund të prodhojnë organizim e organizatë. Disa mendojnë se gjithnjë protesta duhet të lindë prej organizatës, por unë mendoj se përgjithësisht qëndron më shumë e anasjellta. A do të lindë organizata prej kësaj proteste? Grupe të vegjël protestuesish, në dijeninë time, kanë marrë pjesë në protestë e tashmë e kanë patur mundësinë të ndërtojnë njohje e rrjet. Por edhe nëse s’ndodh kësaj radhe, kjo eksperiencë doemos do të prodhojë organizatë në protestat në vijim.

4. Ata që mendojnë se kjo protestë ndihu Asadin dhe nuk u solidarizua me popullin sirian.

Kjo protestë e ndihmon Asadin po aq sa sharjet që këta ia drejtojnë kasapit të Sirisë ndihin muxhahedinët shqiptarë që shkojnë atje kundër Asadit. Ky muhabet, që të përdorim latinishten e makaronave, është reductio ad assadum.

Së pari, askush në Shqipëri nuk ka bërë ndonjë thirrje publike për t’u solidarizuar me popullin sirian gjer më tash, kështu që protesta nuk mund të merret si kundërshtim ndaj kësaj.

Së dyti, të pretendosh se ndihma ndaj popullit fatkeq sirian do të ndodhë via US apo via UN është të mos njohësh gjeopolitikën. Është pikërisht përdorimi historik i “humanizmit” si kartë justifikuese për imperializmin, ai që i ka bërë shumë filozofë, juristë e mendimtarë të shpallen anti-humanistë.

Është e vërtetë që populli sirian duhet ndihmuar. Por jo përmes marrëveshjes “superfuqi-vend vasal”, por përmes ndarjes së peshës së ndihmës në disa vende, duke marrë parasysh afërsinë territoriale dhe një sërë kapacitetesh të tjera. Përndryshe i bie të akuzosh punëtorin me matrapik te Partizani i Panjohur për mungesë solidarizimi me Edward Snowdenin. Banale si analogji, po edhe vetë arsyetimi fillestar është tepër bajat.

5. Ata që mendojnë se kjo protestë u dirigjua për interesa politike të dikujt.

Një shumësi skenarësh vijnë vërdallë, ca thonë që Rama ka dashur që në fillim të thotë “Jo”, por nuk ka qenë në gjendje të kundërshtojë SHBA-të prandaj ka nxitur popullin, ca thonë që protestën e instrumentalizoi PD-ja, ca thonë që i ka shërbyer interesave serbosllavokomuniste, ca thonë se shoqëria civile e privatizuar e ndyu dhe këtë protestë.

Problemi me të gjitha këto konspiracione është se e reduktojnë në zero faktorin popullor. Nuk ka asnjë fakt që të dëshmojë për një dirigjim të tillë masiv, sidomos duke patur parasysh se mediat, ato që kanë misionin e zakonshëm për të fabrikuar konsensusin, kësaj radhe kanë mbajtur qëndrim cinik për të mos thënë censurues ndaj protestave. Mediat, qofshin këto të djathta apo të majta, nuk i kanë transmetuar protestat, përveçse me pasazhe të shpejta, ndërkohë që nuk kanë përtuar të transmetojnë me minutazh të gjatë ekspertë dhe zyrtarë që argumentonin pro SHBA-së. Presioni politik ka qenë i qartë, dhe vetë ambasadori amerikan rrëfeu se si pozitë e opozitë kanë qenë të dakorduar në këtë çështje.

Është e vërtetë që ka patur një përpjekje për instrumentalizim të protestës, por përzënia nga sheshi e Bashës dhe Berishës, fërshëllimat ndaj Metës, si dhe palaçollëqet që po prodhohen nga protagonizmat e atyre idiotëve që po rreken të tregojnë se kush e nisi i pari, rrëfejnë se protesta paraqitet e painstrumentalizueshme. Kjo është sa mirë, aq edhe keq. Mirë sepse ia ruan legjitimitetin, keq sepse po të kishte një organizim të ri e parimor, protesta të tilla do të kishim edhe për çështje të tjera, mos edhe më urgjente se kjo.

6. Ata që mendojnë se kjo protestë nuk ishte revolucionare.

Ky është mendim naiv dhe fetishizues. Asnjë protestë, demonstratë apo revoltë nuk është puriste. As revolucioni francez dhe as ai i tetorit nuk është zhvilluar vetëm nga revolucionarë të bindur, përkundrazi shumica e të angazhuarve do të ketë qenë pëwrgjithësisht konfuze.

Revolucionari i vërtetë e sheh në secilën protestë mundësinë për revolucion, ndërsa pseudorevolucionari banal sheh në secilën protestë pamundësinë e revolucionit. E në fakt, të dyja janë gjithnjë të pranishme.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 22, 2013 nga te Politikë, Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: