rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

7 argumenta në ndihmë të Amerikës

Arbër Zaimi

Argumentet se pse armët kimike të Sirisë u dashka të sillen në Shqipëri janë disi të çuditshme. Disa thonë se ky akt do ta përmirësonte ndjeshëm imazhin e Shqipërisë, dhe do ta ngjiste në pozicion në hit-paradën e shteteve, sipas modës më të re të gjeobiznesit, që quhet nation branding. Kjo puna e imazhit mbase ngjit shumë në mendjet e shplara me fetishin e imazhit, të cilat shpenzojnë orë të tëra në grimierë e parukierë, në fitness dhe te kirurgu për atë të shkretë imazh. Pak a shumë si ai i sëmuri me kolerë tek “Vdekje në Venedik” (Luchino Visconti), që edhe pse duke dhënë shpirt, e mban gjallë shpresën virile pikërisht përmes imazhit, duke lyer flokët, duke vënë pak buzëkuq, e duke shtënë ton në lëkurën e tij prej meiti. Meqë ra fjala, tek i njëjti film paraqitet edhe një përpjekje për nation branding, shfaqur para se të lindte ky term bashkëkohor. Bashkia e Venedikut dhe gjithë hotelierët e punonjësit e administratës e mohojnë në çdo çast shfaqjen e kolerës, sepse nëse kjo do të merrej vesh atëherë do të iknin turistët, pra qyteti do të mbetej pa të ardhura për atë behar.

Edhe argumenti tjetër, se Shqipëria nuk mund t’i thotë “jo!” Amerikës për punën e helmeve siriane pasi mes dy vendeve ka një miqësi të veçantë, pasi Amerika ka bërë shumë për Shqipërinë, nuk qëndron. Së pari, miqësia është e vërtetë pikërisht atëherë kur mund të thuash edhe “jo!”. Së dyti, pse, pak miq ka Amerika në rajon? Pak vende për të cilat ka bërë shumë, madje më shumë se ç’ka bërë për Shqiptarët? Duam t’i numërojmë? Pse nuk ia çojnë armët Izraelit, vend tërësisht filoamerikan, me kapacitete të mëdha ushtarake e teknologjike, vend nga më të sigurtët në rajon e që është edhe shumë pranë pra zvogëlon kostot e transportit? Apo, përse jo Turqisë, partner i rëndësishëm në NATO, vend gjithashtu proamerikan gjer në skaj, me kapacitete e me siguri pakrasueshmërisht më të larta se Shqipëria e vocërr? Apo, pse jo Arabisë Saudite, që i përmbush edhe kjo rekuizitat e vendeve më sipër? Për të treja këto vende Amerika ka bërë, dhe vazhdon të bëjë shumë, është angazhuar ushtarakisht për to, ndërkohë që edhe ndihmat financiare që kanë dhënë në këto vende kanë qenë të konsiderueshme, plus janë edhe drejtpërdrejt të interesuara për paqtimin e Sirisë. Apo mos vallë turqit, arabët dhe izraelitët janë bukëpërmbysur? Dikush mund t’i shtojë këtij argumenti sqarimin se armët nuk mund të mbahen në Lindjen e Mesme, pasi atje siguria është e brishtë, prandaj i sjellin në Shqipëri. Me gjithë respektin për vendin tim, po do të qeshja nëse dikush pretendon se është më i sigurt se vendet e përmendura. E gjithsesi, edhe nëse doemos duhet të sillen në Evropë, pse në Shqipëri? Mos vallë gjithë Evropa, përfituese e Planeve Marshall, përfituese e ndihmave dhe favoreve financiare e ushtarake në vite, e përkëdhelura e SHBA-ve na qenka antiamerikane, dhe SHBA ka mbetur vetëm me një mik në anën e djathtë të oqeanit?

Me argumenta të tilla këto çështje nuk mbrohen, sepse shqiptarët nuk e hanë sapunin për djathë. Mund ta hanë sapunin për sapun, dhe të jenë krenarë për këtë, po jo për djathë.

Duke qenë pjesë krenare e këtij populli krenar, me krenari po i rendis argumentat e vërteta se pse armët kimike duhen sjellë në Shqipëri dhe vetëm në Shqipëri.

1. Siç e kanë nënvizuar tashmë këshilltarë e analistë të ndryshëm të çështjeve ushtarake e gjeopolitike, Shqipëria është vend i varfër. Madje i varfër është pak të thuash. Është vend i mjerë. Jo se është e mallkuar toka, jo se s’ka njerëz që punojnë, po se qeveriset nga politikanë të mallkuar. Për pushtet e për para ata e kanë katandisur këtë vend në furnizues të perëndimit me emigrantë, me krah pune, me prostituta. Ata ia kanë shkatërruar natyrën, ia kanë vjedhur nëntokën (pasi e kanë larë me gjak minatorësh), ia kanë zhbërë publiken. Meqë për këtë vend ndjejnë aq sa ndjen çifligari për plantacionin, ata mund ta shesin për fare pak para. Psh. një ose dy miliard dollarë. Ose edhe më pak. Pra, nëse SHBA, me gjithë kapacitetet që ka, për të shkatërruar mbi 3000 ton armë kimike që i kanë mbetur, supozohet që do të shpenzojë edhe rreth dhjetë vjet, si dhe 35 miliard dollarë, Shqipëria do të marrë një të tretën e kësaj sasie, dhe me kapacitetet e veta teknike e me sipërfaqjen e vogël që disponon, pretendohet se do t’i shkatërrojë armët për një të dhjetën e kohës. Dhe me një të dhjetën e kostos. Deal apo jo? Madje, nëse paguajnë ca më shumë tek politikanët shqiptarë, mund t’i kursejnë ato 35 miliardët, dhe t’i sillni dhe armët e Amerikës në Shqipëri.

2. Shqipëria ka një raport të çuditshëm me sovranitetin e saj dhe me themelin publik mbi të cilin çdo sovranitet ngrihet. Në dekada është ushqyer mosbesimi tek shteti, tek politikja, tek angazhimi. Njerëzit duan të jenë veç individë, nuk kanë qejf të jenë as qytetarë, as popull. Ata e kanë problem të përshkruhen si politikisht si komb, se kjo nënkupton angazhim në shumësi. E kanë problem gjithashtu të përshkruhen politikisht si klasë, se dhe kjo kërkon angazhim në shumësi. Shumica preferojnë të përshkruhen kulturalisht, apo etnikisht, sepse fundi i fundit, kjo është çështje identiteti individual, dhe nuk të vë në raport me ndonjë publik që kërkon angazhim. Ideologjizimi është i skajshëm, ata duartrokasin çdo iniciativë që ka të bëjë me falje, me dhurim të sovranitetit gjetiu. Aq më mirë nëse kjo është shitje. Kështu, kanë shkatërruar ushtrinë e tyre – jo për shkak të pacifizmit apo demilitarizimit, po për shkak se bazat i kanë transferuar tek ushtri të tjera. E kush mund t’i mbrojë më mirë se të huajt? Kanë shkatërruar industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit, që tash e kanë koncesionuar, kanë shkatërruar bujqësinë dhe kanë ngritur një ekonomi tërësisht importuese. Doganat dhe tatimet po i japin, se nuk duan t’i mbajnë publike. Madje, edhe burgjet, drejtësinë e gjyqësorin do të donin t’ia jepnin të huajve. Është i vetmi popull në Evropë që ka një koncept të tillë për sovranitetin, i vetmi popull që sheh Kosovën me zili, pasi mendon se EULEX-i është më mirë se të kesh një drejtësi tënden. Pushteti në këtë vend legjitimohet përmes ambasadorëve, media për gjithçka pyet ambasadorët, dhe ambasadorët as që kanë arsye të përmbahen. Estetika është luks. Do të mjaftonte të flisnin dy-tre ambasadorë të rëndësishëm, ose qoftë dhe një i vetëm, dhe kjo punë do të merrte fund. Në favor të importit të armëve, kuptohet.

3. Shqiptarët kanë alergji nga politika-politikja, kur kjo del tej klientelizmit, tej thashethemit apo tej krekosjes. Mjaftojnë disa “analistë” të pavarur që të fillojnë të ankohen se çështja po politizohet, dhe ndonjë rezistencë e mundshme do të fillojë të shuhet. Aq keq është puna me politikën në këtë vend, sa që partitë politike vetë janë tërësisht të depolitizuara, dhe funksionojnë si agjentë depolitizues të çdokujt. Po ashtu mediat, opinionbërësit, shkollat. Politikja aty është stigmë. Natyrisht, shqiptarët janë gati të dalin në shesh. E pastaj të shkojnë në shtëpi. Por politikja e cila qëndron tek organizimi dhe tek organizata, tek angazhimi i vazhdueshëm në çështjet që thërrasin – kjo është demode. Ajo çfarë nuk është demode është “objektiviteti”. Hidh ca shifra në lojë, nxirr në televizion ekspertë, sidomos ekspertë të huaj, me grada e me shkollë nëpër harvardë të çdo soji, dhe sheshi nis e bie. Sheshi nis të kritikohet për populizëm, dhe shqiptari korrekt, objektiv dhe autokritik tërhiqet e i kërkon falje ekspertëve për gabimin logjik që bëri, duke u bashkangjitur me turmat e duke dalë për një moment prej egoizmit të domosdoshëm, i cili në fakt është asgjësim përfundimtar i vetvetes.

4. Kur flas për ekspertët, nuk nënkuptoj se Shqipëria ka nevojë për argumenta shkencore që të pranojë armët siriane. Jo jo, është më e lehtë dhe më e lirë se kaq. Shqipëria ka nevojë vetëm për autoritete shkenciste, për argumenta shkenciste. Për shkencën e kthyer në ideologji ka nevojë, se shkencën si shkencë nuk ka se si ta kuptojë – ashtu siç edhe ju nuk keni si ta përdorni. Në njëzet e tre vjet Shqipëria ka rrënuar arsimin dhe shkencën e saj. Më përpara jo se kishte shumë, po tani s’ka hiç. E ka shkatërruar me pretendimin se shkolla qe e ideologjizuar. Tani njerëzit janë më të lirë. Bëjnë ç’të duan. Thonë se janë pa ideologji tani, nën urdhrin e bindjes dhe besimit vetjak. Tamam ai momenti kur sipas traditës së kritikëve të ideologjisë, ideologjia është në kulmin e saj dhe sundon pa patur nevojë për policë, për burgje, për terror. Apoteoza e hegjemonisë. Analfabetizmi funksional bën gjëmën, prej elitës qeveritare, prej parlamentit, prej akademisë e gjer te njerëzit e thjeshtë. Dhe analfabetët e kanë gjithnjë një funksion. Përdoreni këtë funksion pra! Nuk ka shkencë në Shqipëri që të jetë në gjendje të thotë as jo as po në mënyrë të kualifikuar. Kështu që do pyesim ndonjë think tank.

5. Shoqëria civile u krijua nga ju, paguhet nga ju, e urdhërohet nga ju. Debatet mes “faktorëve të shoqërisë civile” më shumë reflektojnë debatet dhe konfliktet mes interesave të donatorëve, se sa ndonjë kontradiktë të brendshme. Në fakt s’ka si të ketë kontradikta të brendshme, shoqëria civile funksionon njëjtë si bizneset e vogla, një pronar, katër pesë punëtorë. Deri më tash ka qenë përkrahëse, nxitëse, lubrifikant i projekteve të privatizimit, denacionalizimit, zhbërjes, terapisë së shockut, përqendrimit të pushtetit, rritjes së pabarazisë. Ka shërbyer si “fytyrë njerëzore” e asaj që po ndodhte pavarësisht apo përkundër publikes. Do të mund të shërbejë kështu edhe për ju, medoemos!

6. Siç është e qartë prej “kabllogrameve” pozitë e opozitë bashkë, këta rrëfehen te ju, e po te ju e marrin kungimin. Pozita edhe kësaj radhe do ta paraqesë me eufemizëm dhe megalomani këtë projekt duke thënë se po hyjmë në histori, se po shmangim luftën në Lindjen e Mesme, se burrat e shtetit marrin vendime të vështira. Opozita do shukatet si gjysmë e vdekur që është. Se vetë opozita është e zhytur gjer në hundë publikisht e jopublikisht në çdo lloj pisllëku që ka ndodhur në këtë vend. Prandaj dhe hunda e opozitës ka të njëjtën ngjyrë të kafenjtë me atë të pozitës. Thirrini pra, diskutoni me ta, vini në punë spin doktorat, mediat, opinionistët. Shpikni diçka që tërheq vëmendjen. Fundi i fundit, bëjeni fshehurazi, pa i thënë njeriu. Shkelja e transparencs s’do jetë precedent me sa duket, sidomos tash kur u mor vesh ç’ka bërë “padashje” NSA-ja. As për pushtetarët shqiptarë s’do të jetë kurrfarë precedenti.

7. Ata që rezistojnë – të cilëve u bashkangjitem me gjithë zemër – se patjetër ka të tillë, nuk është vështirë të trajtohen. Me njerëzi, pa dhunë, pa gjaknxehtësi. Ngjitjuni etiketën e “antiamerikanit” përmes gazetarëve tuaj. Pastaj me radhë etiketat e islamistit, terroristit, komunistit, fashistit, antiperëndimoristit, izolacionitit, homoseksualit, homofobit, ateistit, injorantit, fondamentalistit etj. Kështu rezistenca izolohet vetë, për pak ditë. Se pak ditë duhen. Kur të vijnë armët në Shqipëri, pastaj le të bëjnë ç’të duan. Se mos është hera e parë që vendosen para faktit të kryer, si në Gërdec.

Pra s’ka asgjë për t’u shqetësuar sa i përket mungesës së argumenteve pro importit të armëve. Në fund fare, mjafton të dalë ndonjë propozim konstruktiv, ku të thuhet se Shqipëria nuk i merr dot të gjitha, por gjysmën e merr, dhe kështu kjo punë mbyllet me kompromis, me rrugë të mesme, duke respektuar edhe popullin edhe aleatët, pa gjemb në këmbë dhe të gjithë dalim faqebardhë dhe heroikë.

Kaq për momentin, edhe pse sigurisht se ekzistojnë më shumë se 7 argumenta. Po ndoshta i mbledh, i formuloj si dymbëdhjetë teza, dhe i çoj të m’i botojë si libër ndonjë universitet i shquar proamerikan i Tiranës.

Advertisements

2 komente te “7 argumenta në ndihmë të Amerikës

  1. Bela
    Nëntor 13, 2013

    Edhe juve ju duket një artikull me argumenta ky????

    Me njerëz që argumentojnë, analizojnë dhe për rrjedhojë edhe llogjikojnë si ju, ndaj mbetet prapa Shqipëria!

  2. bela e shkrete
    Nëntor 15, 2013

    Lexoje mire o Bela, se me siguri ske kuptuar gje hic! Makar edhe nenvizoje po qe nevoja.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: