rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Vuvosja e shqerrave

Arbër Zaimi

Përveç titullit, ky tekst nuk merret në mënyrë të vetëdijshme me filmin e famshëm ku protagonist është dr.Hanibali, por me një film më të qetë, dhe sipas mendjes sime, pakrahasimisht më të bukur. E kam fjalën për filmin “Engjëll shfarosës”, xhiruar në fillim të 60ave në Meksikë prej një regjizori që e preferoj, surrealistit ibero-franko-meksikan, Luis Buñuel.

Filmi zhvillohet thuajse i gjithi brenda një dhome të një pallati luksoz, ku një çift i borgjezisë së epërme po pushon bashkë me shumë të ftuar të së njëjtës sërë, të cilët pasi kanë darkuar bashkë “socializojnë”. Vetëm andej nga mesi i natës, kur normalisht miqtë do të duhet të largoheshin për në shtëpitë e tyre, ndodh diçka e çuditshme. Të gjithë preferojnë të qëndrojnë në vend se të ikin, dhe nisin të shtrihen nëpër kolltuqe, disa edhe në dysheme, e flenë si të munden. Të nesërmen, kur zgjohen, pasi thërrasin mazhordomin që u sjell për të ngrënë ç’kish mbetur nga darka e shkuar, pasi shtriqen e pasi bëjnë muhabete të kota, përpiqen të shkojnë por vënë re se nuk dalin dot nga dhoma. Dera është e hapur, aty nuk ka asnjë pengesë, por askush nuk del dot prej asaj dere.

Disa ditë kalojnë, dhe ndotja e kutërbimi e prish dukjen sqimatare të zotërinjve e zonjave, ndërkohë që uria e etja fillon të ulë barrierat e mirësjelljes dhe të fisnikërisë të edukuar në shkollat më të shtrenjta. Zotërinjtë e nderuar shfaqin anën e tyre më të egër, shpërfilljen, egoizmin, brutalitetin, frikën dhe poshtërsinë. Do prej tyre vdesin, disa vrasin veten. Kufomat vendosen nëpër musandra, era e tyre qelb ambientin, po rëndësi ka që askush mos t’i shohë. Situata është kritike. Ndërkohë, jashtë shtëpisë, turma me njerëz, policë, qytetarë dhe të afërm të të ngujuarve janë mbledhur të shqetësuar, por për një arsye të panjohur, as ata nuk hyjnë dot në oborrin e shtëpisë, edhe pse dyert janë të hapura. Të vetmet që e thyejnë këtë shetí janë dy a tre shqerra, që kushedi nga vijnë dhe hyjnë drejt e në dhomën e zotërinjve e zonjave tashmë fare pranë vdekjes prej urisë (etjen e kishin zgjidhur duke çarë një tubacion që kalonte në murin e dhomës). Bash si primitivët e xhunglave, xhentëllmenët lëshohen mbi shqerrat, i copëtojnë dhe i pjekin si të munden me një zjarr që bëjnë duke ndezur mobiljet e shtrenjta. Të mos qe për shqerrat, nuk do të kishin mbijetuar.

Një trill i fatit do që zotërinjtë, në një moment të caktuar të vendosen në një pozicion magjik, njëjtë si në mbrëmjen e parë, dhe shetía thyhet. Të gjithë të gëzuar largohen drejt lirisë, drejt shtëpive të tyre, drejt ekzistencës së tyre të ndritshme, duke i harruar poshtërsitë që kishin bërë e kishin thënë, e duke u pajtuar. Për t’i vënë vulën shpëtimit, organizojnë pas ca ditësh një meshë në katedralen e qytetit. Në meshë, veç zotërinjve, ka dhe qindra qytetarë të sërës së lartë, e disa edhe të mesëm (por me perspektivë për ngjitje). Diçka ndodh dhe magjia përsëritet. Kësaj radhe numri i njerëzve të bllokuar brenda në katedrale është disa herë më i madh. Në qytet, jashtë katedrales, plasin revoltat, policia lëshon lotsjellësin, topat e ujit dhe repartet speciale. Filmi mbyllet me një tufë me shqerra të buta e të leshta që dalëngadalë, me hap të sigurt e kokëulur, dynden drejt katedrales.

Filmi, përveçse ofron një vëzhgim interesant mbi botën fisnike të elitës – përmes parimit të surrealistëve një realitet i përmbysur është një realitet pa fustan – sjell një perspektivë interesante mbi shqerrat. Ato janë personazh aspak dytësor në film (ata që njohin regjizorin e dinë mirë se kafshët në filmat e tij nuk janë dekorim).

Çka janë pra këto dele që shkojnë e vetësakrifikohen, jo për të bërë ndonjë gjë të mirë, jo për të shpëtuar njerëzimin (si qengji hyjnor), por për të mbajtur gjallë nepsin, dëshirën për pushtet, kanibalizmin, egërsinë, cektësinë, llumin që e quajmë elitë? Ç’janë këta shelegë kokëulur, që ngjisin një nga një shkallët, e bash në momentin kritik kur elita e pushtetit e ndrydhur në burgjet e veta ideore duket se do të shuhet, shkojnë e ushqejnë atë me gjakun e tyre, me mishin e tyre?

Delet janë një prej racave të zbutura herët prej njeriut. Njeriu ka përzgjedhur gjatë dhjetëra mijëra vjetëve shqerrat me tipare më të buta (më fëminore, apo më të parritura), e kështu delet e sotme shfaqin atë që quhet në biologji neoteni, kanë pra tipare e sjellje të parritura, vazhdimisht të varura prej dikujt, krahasuar krenarinë e pavarësinë që shfaqin kushërinjtë e tyre ovidë. Në kundërshtim me atë çka besojnë plot veganë, delet, po të lihen të lira, nuk mbijetojnë. Ato jo vetëm që do të shqyheshin nga egërsirat, por nuk janë në gjendje të sigurojnë ushqimin e tyre e të përballojnë ndryshimet stinore, po të mos qe për pronarët e tyre, njerëzit. Shqerrat ndoshta nuk e dinë se njerëzit që kujdesen për to, pas ca kohësh ua therin bijtë e ua hanë, po edhe po ta dinin do të mendonin se ky është destini i tyre. Ato nuk do të mund të revoltoheshin, pasi evolucioni i tyre i kontrolluar ua ka mbërthyer skllavërinë në gene. Duket se heshtja, shushatja, mekja, vuvosja është brendësuar tek to tashmë një herë e përgjithmonë. Por po e lë këtu këtë deliberim, që të mos përfundoj në ndonjë “fashizëm hegelian ndaj kafshëve”.

Njeriu nuk është i ngjashëm me shqerrat. Njeriu nuk është shumuar për të qenë i lidhur. Lëre një grup njerëzish apo edhe një individ në kushte shumë të vështira, në pyll, dhe gjasat janë që do të mbijetojnë. Do të përdorin miliona vjetët e evolucionit, dhe sajë mendjes do të mbizotërojnë mbi natyrën. Fatkeqësisht, nuk mund të flas me të njëjtën siguri për mbijetesën e një grupi apo individi, nëse këta do t’i braktisnim eksperimentalisht në mes të ca sistemeve shoqërore…

Por fatkeqësisht mentaliteti i shqerrës triumfon jo rrallë tek njeriu. Triumfoi për shembull në Prizren në zgjedhjet lokale tre nëntorit, ku ia dhanë votën Ramadan Mujës pavarësisht skandaleve publike, pavarësisht se është nën hetim e në proces gjyqësor. Apo në Gjilan ku ia dhanë votën Lutfi Hazirit (kinse për të shpëtuar nga Qemajl Mustafa). Mustafa vjedhës brutal, Haziri edhe më keq. Haziri, personi përgjegjës për shkalafitjen e Gjilanit përmes “decentralizimit etnik”, personi që me luksin e vet e bën të ndihet keq atë qytet tashmë të varfëruar, të lënë pas dore e të flakur në shëmti.

Mentaliteti i shqerrave të vuvosura duket se triumfoi në zgjedhjet e tre nëntorit edhe në Korçë, ku vota u ble për 15 euro. Vota e blerë u shfaq në të njëjtin ekran ku dikur u shfaq 7% i Ilir Metës, në protestë kundër të cilit u vranë katër dëshmorë. Por protestuesit e mbijetuar u sollën si shqerra, kur Ilir Meta iu afrua opozitës në dy muajt e fundit, për t’u bërë pjesë e rilindjes (me të vogël, se Rilindja me të madhe tashmë është term i zënë).

Mentaliteti i shqerrave duket se shfaqet edhe tek ata që mbështesin importin e armëve kimike prej Sirisë, që të çmontohen në Shqipëri. Edhe pse s’do të mendoja kurrë se ka ndonjë shqiptar që do i thoshte “po” këtij importi, më ra në dorë një analizë (o zot, analizë!!!) ku argumentohej se Shqipëria nuk mund t’i thotë jo Amerikës, se ajo ia pruri demokracinë, lirinë, Naton. Si të mos mjaftonte Gërdeci…

Shqerrat e vuvosura nuk janë fenomen ekskluzivisht shqiptar. Heshtja e tyre dallohet më së shumti në këtë periudhë krize globale, kur masivisht popujt vijojnë të votojnë doktor Hanibalët që vetë e prunë krizën, me bindjen se pa ta nuk do të mund të mbijetonin ashtu si shqerrat që s’mbijetojnë dot pa çobanin-kasap. Frikën e shqerrave e bëjnë edhe më të madhe të ashtuquajturit “revolucionarë” kolltuqesh, që përmes fetishizimit të imazhit të ndryshimit apo të ngjarjes, e bëjnë të duket vetë ngjarjen të pamundur, tepër të vështirë, tepër të rrezikshme, apo të pavlefshme. Por njeriu, në analizë të fundit, nuk është shqerrë. Nuk është!

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Nëntor 7, 2013 nga te Politikë, Publicistikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: