rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Deklarata e Komunës

Visar Ymeri, Zgjim Hyseni

Komuna është e përbashkëta – hapësirë që iu takon të gjithëve që jetojnë në të. Aty të gjithë i gjejnë mundësitë dhe mjetet për t’i përmbushur nevojat e tyre ekonomike, dhe për të jetësuar të drejtat e tyre politike, shoqërore e mjedisore. Është vendi ku ndërtohen marrëdhënie solidariteti dhe merren përsipër detyrat e përbashkëta. Kështu komunën e shohim si të kundërtën e së veçantës, sepse si e përbashkët ajo është e së përgjithshmes, si e drejtë, si interes dhe si e mirë publike. Komuna nuk diskriminon. E drejta për komunën shkon përtej lirisë individuale për të pasur qasje në të mirat urbane: ajo është e drejta për ta ndryshuar vetveten dhe mënyrën e jetesës, duke e ndryshuar qytetin. Aty ku njerëzit janë bashkuar për të diskutuar mbi çështjet e qytetit, kemi parë edhe lindjen e bashkësisë politike. Hapësira e komunës është vendi ku nis politika. Aty fillon të ndërtohet bazamenti i marrëdhënies midis qytetarëve dhe shtetit, por edhe midis vetë qytetarëve me njëri-tjetrin. Qytetarët e organizuar rreth çështjeve të përbashkëta janë garanti më i mirë për funksionimin e komunës.

Sot ajo nuk është e tillë. Sot komuna na paraqitet si një kundërvënie e përhershme në mes të publikes dhe privates, si përplasje midis pushtetit qendror dhe atij lokal, si shtypje e vullnetit qytetar nga pushteti autoritar lokal. Sot komuna është e tjetërsuar. Si territor, si hapësirë, si pushtet dhe si administratë. Komunën e kanë lidhur pas interesit privat dhe politikës e administratës së korruptuar. Hapësirën publike na e kanë kthyer kundër si të privatizuar, interesin publik na e ndërmjetësojnë përmes përfitimeve private. Pushteti ka marrë karakterin privat që ka krijuar lidhjet e veta tregtare me qytetarët. Kjo na kthen të gjithëve nga qytetarë në klientë, nga përfitues të shërbimeve në shërbyes të pushtetarëve.

Komuna e ditëve të sotme i kthen të mirat publike në mallra tregu, ku kanë qasje vetëm të pasurit e të pushtetshmit. Banesa i ofrohet atij që ka para për ta blerë atë; qytetarët nuk marrin shërbime të denja shëndetësore sepse ato kushtojnë; transporti publik i ofrohet vetëm atyre që mund ta paguajnë, dhe afrohet vetëm aty ku ka levërdi financiare; parqet dhe hapësirat publike janë në mungesë për shkak se janë të patregtueshme; trotuaret zaptohen nga makinat apo tavolinat; palestrat, terrenet sportive dhe rekreative tashmë janë bërë shërbim me pagesë; dhe parkingjet publike janë gardhuar. Pabarazia ekonomike, dikur më e vogël, tash është thelluar aq sa i ka ndarë fizikisht dhe territorialisht qytetarët dhe komunitetet. Sa më gjatë të vazhdojë përqendrimi i pasurive dhe i vendimmarrjes në ato pak duar që kontrollojnë sot komunën, aq më i thellë do të jetë segregacioni i qytetarëve që jetojnë në të.

Komuna është njësi e veçantë administrative. Por asaj po i japin përmasa të veçantisë politike. Raporti i pushtetit qendror me pushtetin e Komunës po shtrembërohet. Andaj, edhe marrëdhënia midis vetë komunave po shkatërrohet. Politika e privatizuar dhe e korruptuar e ka nxitur një garë të pakuptimtë mes pushtetit qendror dhe atij të Komunës, si dhe garën e komunave mes vete. Kjo garë në formë nuk është sportive, që e synon rritjen e aftësisë dhe shpirtit të tjetrit, që e nxit bashkëpunimin, solidaritetin mes pjesëtarëve, por është luftë deri në shkatërrimin e tjetrit.

Pushteti lokal në Kosovë, megjithëse thirret tek parimet e vetëqeverisjes lokale, në fakt, i ka përjashtuar qytetarët nga vendimmarrja. Këshillat e Bashkësive Lokale nuk funksionojnë në shumicën e komunave në Kosovë. Edhe aty ku ato janë prezente, atyre nuk i është dhënë asnjë kompetence për të qenë. Sa më poshtë që zbresim në strukturat e pushtetit të centralizuar, aq më shumë përjashtohen njerëzit nga vendimmarrja. Për planet urbanistike, për lokacionet e ndërtesave të reja, për orientimet që do të marrin zhvillimet e lagjeve, vendosin aparatçikët e partive të lidhur me kompanitë ndërtimore. Se ç’kriter do të përdoret s’do mend se e dimë posa të kuptojmë se kush janë vendimmarrësit. Parim dhe kriter është fitimi. Me çdo kusht dhe pavarësisht çdo kostoje, qoftë ajo mjedisore, hapësinore, apo njerëzore.

Në optikën e pushtetit që sot udhëheq komunën, fshatari është një qytetar i dorës së dytë. Ndarja fshat-qytet është rezultat i niveleve të ndryshme të zhvillimit. Në fshat mungojnë edhe shërbimet publike më bazike. Ndarja qytet-fshat krijon pengesa strukturore fizike në qasjen e infrastrukturës sociale dhe shërbimeve publike. Fshati sot nuk është i ndarë prej qytetit meqë aty zhvillohet ekonomi bujqësore e blegtorale, por pikërisht sepse ato nuk janë prioritete të pushtetit aktual. Ndarja fshat-qytet në Kosovë nuk është ndarje që reflekton aktivitetet punuese nga lëmitë e ndryshme të ekonomisë (bujqësia përkundër industrisë). Ndarja qytet-fshat në Kosovë është ndarje midis një qendre administrative e tregtare, përkundër mungesës së prodhimit e zhvillimit që prodhon papunësinë. Kjo mungesë zhvillimi ka prodhuar lagjje të paurbanizuara edhe brenda vetë qyteteve. Zhvillimi i pabarabartë nënkupton mundësi të ndryshme jetese, për pasojë mundësi të ndryshme banimi.

Përpjekjet për urbanizimin e fshatit janë të lidhura ngushtë më përpjekjet për barazi midis qytetarëve. Komuna do të prodhojë politika strategjike për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë. Orientimi drejt prodhimit; drejt bashkëpunimit mes fermerëve; drejt investimit në teknologji; dhe, në rritje të kapaciteteve përpunuese, do të ulte kostot, do të rriste prodhimin, e kështu do të rriste edhe punësimin. Shpërndarja e kapitalit edhe në zonat rurale përmes modernizimit të bujqësisë, do të nxiste e do të përshpejtonte procesin e urbanizimit të fshatit.

Çështja e strehimit nuk duhet trajtuar vetëm përbrenda idesë së pronësisë dhe vlerës që asaj ia dikton tregu. Kur urbanizimi zhvillohet nga agjencitë e patundshmërisë, politikat urbane nuk interesohen më për faktorin njerëzor, por abstragohen në vlera fiktive pronash. Prandaj, planet urbanistike nuk i reflektojnë problemet dhe nevojat e qytetarëve dhe të qytetit, sepse hartohen sipas interesave të ngushta të investitorëve. Rrjedhimisht, investitori e përcakton edhe standardin e jetesës, standardin e ndërtimit, linjat e qarkullimit si dhe mirëqenien e qytetarëve brenda hapësirës urbane.

Infrastruktura nuk është luks. Infrastruktura fizike, arsimore, shëndetësore, prodhuese, energjetike, mjedisore dhe rekreative, është parakusht i mirëqenies dhe zhvillimit. Ajo nuk është një shesh i betonuar, apo një rrugë e asfaltuar. Ajo është investim sistematik në ngritjen e cilësisë së shërbimeve, dhe lehtësim konkret për zhvillimin e aktivitetit ekonomik dhe profesional të qytetarëve. Komuna është komunë e mirëqenies. Ajo investon në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore të cilat qytetarit ia sjellin ujin, energjinë elektrike, transportin, shkollën, ambulancën, bibliotekën, parkun, rrugën, trotuarin, këndin e lojërave, fushën e sportit.

Komuna e qytetarëve është solidare. Si njësi e veçantë administrative ajo vepron duke qenë e vetëdijshme se as nuk është e vetme, dhe as e ndryshme thelbësisht. Çdo fshat dhe çdo lagje qyteti i ka nevojat dhe specifikat e veta, por çështjet lokale janë në të vërtetë çështje qendrore. Andaj, trajtimi i tyre si pjesëza të ndara nga tërësia, në rastin më të mirë, i zgjidh ato pjesshëm, ndërsa zakonisht i lë të pazgjidhura dhe e përkeqëson gjendjen. Rrjeti i rrugëve, rrjeti i kanalizimit, rrjeti i ujësjellësit, rezervuaret e ujit, sistemi i ujitjes, planifkimi hapësinor, ruajtja e tokës bujqësore, zhvillimi i bujqësisë, mbrojtja e mjedisit, kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme, shfrytëzimi efiçient i energjisë, transporti, ndërveprimi ekonomik, ai tregtar, industria e punësimi, nuk mund të zgjidhen në vetëm një qytet, një fshat, apo një komunë. Ato do të zgjidhen në tërë vendin. Prandaj Komunën e përfytyrojmë si insistuese karshi pushtetit qendror për ta detyruar atë të kthehet kah interesi i qytetarit, dhe bashkëpunuese me komunat tjera për ta maksimalizuar potencialin financiar e profesional në projekte të përbashkëta.

Në vendimmarrjen politike banorit i garantohet pjesëmarrja, në të mirat publike barazia. Komuna na takon të gjithë neve bashkë. Komuna nuk është vetëm administratë, e as vetëm përfaqësim. Ajo nuk është vetëm ndërtesa, e as vetëm tatime. Ajo është e tëra, politika, qytetari, ekonomia, shërbimet, publikja. Mënyra se si e kanë bërë komunën tregon se si e duan shoqërinë. Çfarë komune përfytyrojmë tregon se çfarë shoqërie duam të jemi. Së bashku do ta ndryshojmë komunën sepse duam ta ndryshojmë veten, do ta përmirësojmë komunën sepse duam ta përmirësojmë jetën.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 13, 2013 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , , , , , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: