rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Garda dhe Personat e Rëndësisë së Veçantë

Arbër Zaimi

Mandatet e Ramës, me sa duket, karakterizohen fillimisht në masë të madhe nga një farë formalizmi. Përkujdesja për fasadat e ministrive dhe ndërtesave të qytetit, kur mori bashkinë, po edhe përkujdesja për kangjellat dhe ambientet e kryeministrisë tani që mori qeverinë, janë prova për këtë tezë, nëse mund të quhet e tillë. Disa e shohin me dyshim këtë gjë, disa nguten të denoncojnë se impenjimi për të rregulluar formën, lë pas dore përmbajtjen. E vërtetë, ndërtesat e lyera në fillim të viteve 2000 ndoshta i dhanë pak ritëm pamor një qyteti që kish qenë gri, por vetëm për atë që e sheh qytetin nga rruga. Së brendmi perspektiva për qytetin vijonte të ish gri. Po ashtu ministritë, fasada e re (restaurim i së vjetrës, më e vjetër se e vjetra), i bënte të dukeshin më dinjitoze – nga rruga. Siç e kanë provuar 13 vjetët në vazhdim, nga brenda tyre, shumë pak ndryshoi sa i përket dinjitetit.

A thua të jetë ky rasti i kryeministrisë? A do të duket ajo më e hapur, më demokratike tash që po ia heqin kangjellat dhe po e restaurojnë – vetëm për ata që do ta shohin nga rruga? Gjithsesi, kjo pyetje do ende kohë që të marrë përgjigje. Unë personalisht, sa i përket çështjes formë-përmbajtje, nuk dëshiroj të jem cinik. E di shumë mirë që secila formë e ka përmbajtjen e vet, dhe në një farë mënyre, asnjë përmbajtje nuk është pa formë. Prandaj nuk e kritikoj formalizmin e Ramës si të tillë, përveçse nëse debati që dua të hap është tërësisht i natyrës estetike, dhe ky shkrim nuk e ka një qëllim të tillë.

Pyetja që shtroj është: A është edhe ndryshimi i emrit të Gardës së Republikës një operacion formalist, një ndërrim fasade, pra thjesht një ndërrim emri?

Ministri Saimir Tahiri paska thënë se Garda e Republikës do të shkrihet për arsye se: “Është në vullnetin e Qeverisë dhe Kryeministrit Rama për të bërë drejtësi për 21 Janarin, sepse 21 Janari nuk është një ngjarje që mund të arkivohet. Jam i angazhuar për të ndihmuar drejtësinë për zbardhjen e procesit”. Sipas gazetave, Ministri ka shtuar: “Nuk besoj se ekziston ndokush që e fsheh peshën dot e përgjegjësisë që rri mbi Gardën e Republikës që prej ngjarjeve të 21 janarit dhe procesit gjyqësor që e pasoi. Shumica dërrmuese e Gardës së Republikës ështe ndjerë e ngarkuar padrejtësisht me një barrë të përgjegjësisë publike jo të vogël…

…ka dhe një pjesë jo të vogël, që edhe pse drejtësia nuk është vënë në vend për vrasjet e 21 Janarit, nuk i shmanget dot peshës së fajit, drejtësisë dhe përgjegjësisë sipas ligjit. Kjo vlen për atë pakicë që 21 Janarin e ktheu në masakër, por edhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu në tifozllëk”

Me këtë arsyetim Ministri shpalli të hapur procesin e shkrirjes së një institucioni republikan dhe shpalli themelimin e një Drejtorie për Ruajtjen e Personaliteteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë. Zoti Ministër nuk hezitoi ta quajë këtë proces modernizim dhereformim, duke përdorur kështu dy fjalë bosh, nga ato klishetë që veshin me legjitimim gjithçka në vitet e fundit, si efekt i propagandës paskomuniste.

Çështja e parë me të cilën përballemi është ajo e drejtësisë. Në pamje të parë, gjesti i Qeverisë ngjan me gjestin histerik të atij që kërkon vetëgjyqësi në kondita parashtetërore. Meqë ti vrave, e s’ka shtet që të dënon, atëherë unë të rrënoj kullën, ta fshij emrin, ta djeg pushkën. Ndërkohë që është tepër e rëndësishme të vendoset drejtësi në rastin e 21 janarit, ndërkohë që kjo drejtësi po pengohet prej një sistemi gjyqësor tërësisht të kompromentuar dhe pre e kompromisit, popullit i serviret në vend të drejtësisë, një hajgare e tillë.

Jo, zoti Ministër, të ndërrosh emrin e Gardës, apo të shkrish Gardën, nuk do të thotë drejtësi për 21 janarin. As nuk do të thotë ndëshkim për “atë pjesë jo të vogël që nuk i shmanget dot peshës së fajit”. Kjo është thjesht një lëvizje PiAri, që në natyrë do t’i përshtateshin ndërmarrjeve afariste, po jo shtetit, jo institucioneve, jo republikës. Kjo është lugë bosh, në vend të drejtësisë.

Aq banale është kjo lugë bosh, ky placebo, sa që po ta shtyjmë pak më tej modusin logjik që përdor ministri, i bie që të shkrihet edhe kryeministria, meqë në një moment të caktuar të ekzistencës së saj institucionale, një pjesë jo e vogël e saj nuk e shmang dot fajin për vrasjen e protestuesve. Apo të shkrihen sa e sa institucione të tjera në këtë vend që gjatë tranzicionit tonë brutal, të keqnisur dhe të keqdrejtuar, mbajnë përgjegjësi direkte për lloj lloj krimesh ndaj qytetarëve. Biles, të shkrihet vetë shteti (utopia e neoliberalizmit).

Ky argument bie. Nëse vërtet dëshiron drejtësi, Qeveria duhet t’i japë fund farsave të këtij “gjyqësori të pavarur”, dhe le ta rithemelojë një gjyqësor të ri e le ta quajë “Pushteti ku dënohen personat e Rëndësisë së Veçantë”. Kjo do t’ia gjente ilaçin personave që nuk e shmangin dot përgjegjësinë, të cilët gjer më sot e kanë shmangur bukur mirë, që të themi të drejtën.

Çështja e dytë me të cilën përballemi është ajo e institucionit. Nuk është thjesht çështje emri, nuk është puna vetëm te “zbardhja e faqes” që nxiu Saliu, siç e di edhe vetë Ministri, i cili nuk flet për ndërrim emri, po për shkrirje.

Garda e Republikës është institucion republikan, i lashtë sa vetë republika. Në Shqipëri e ka historinë 85 vjeçare, por rrënjët i ka në republikën romake, e këto rrënjë mbijetojnë gjer sot në etimologjinë e emrit të institucionit, por jo vetëm. Garda e Republikës do të thotë Roja e së Përbashkëtës. Ndërsa emri i Drejtorisë së re rrëfen shqetësimin për ruajtjen e së veçantës, e personales, qoftë në konceptin e pronës, qoftë në konceptin e individuales. Dhe kur flasim për personën dhe pronën, nuk flasim për personën e gjithkujt, as për pronën e kujtdo, se kjo prapë do të rezultonte tek e përbashkëta. Në fakt, emri e sqaron vetë, do të mbrohen e do të ruhen VIP-at. Punë që gjer më tash e kanë bërë truprojat, bodyguardët, këta njerëz të degraduar në pozitën e qenit.

Garda e Republikës gjer më sot ndoshta ka dështuar në misionin e saj institucional, ndoshta nuk ka funksionuar si roje e së përbashkëtës. Kjo ka ndodhur kryekëput për shkak se institucioni, nuk është veç mure, godina, struktura, por mbi të gjitha frymë. E fryma ka munguar.

Problemi kryesor, sa i përket përfshirjes së Gardës në 21 janar ka qenë logjika instrumentale dhe uzurpuese me të cilën ish-qeverisja PD-LSI përdori Gardën dhe çdo institucion tjetër. Ajo qeverisje, më shumë se paraardhëset, ndërtoi një shtet tiran, pikërisht duke cënuar frymën republikane në strukturë, në institucione dhe duke ia nënshtruar shtetin interesit të personave dhe pronave të rëndësisë së veçantë. Në 21 janar garda u përdor haptazi si ushtri private, për të mbrojtur Sali Berishën dhe Ilir Metën nga populli i republikës, i acaruar për vjedhjen e ashiqarshme të këtij të fundit. Nëse qeverisja (gjysmë) e re PS-LSI dëshiron të ndërrojë vërtet rrugë, atëherë do të duhej të punonte për ta pastruar shtetin, institucionet, prej kësaj duhme të qelbur dhe perverse të instrumentalizimit, të përdorimit privat të institucioneve republikane.

Por gjesti i Ministrit Tahiri, jo që nuk ndërron rrugë, po duket sikur ndërron marshin, dhe ecën me shpejtësi në të njëjtën rrugë. Në vend që të na tregojë se si Garda e Republikës do të bëhet vërtet roje e së përbashkëtës, e se si Republika në tërësi do të nisë të funksionojë përnjëmend, ai na thotë se e përbashkëta s’ka nevojë për roje, rojet do t’i drejtojë një drejtori që do kujdeset për prona e individë të rëndësishëm… edhe pse një Republikë nuk do të duhej të njihte në asnjë moment konceptin e pronës apo personit të rëndësisë së veçantë, duke diskriminuar kështu të tjerët.

Kjo “reformë” është vijim i paradigmës neoliberale, pre e së cilës Shqipëria është tash dy dekada. Sipas këtij mentaliteti, shteti është i lig, meqë keqpërdoret e për këtë arsye duhet zvogëluar, duhet shkrirë. Këtë punë nuk e zgjidh dot drejtësia, ndëshkimi i keqpërdoruesve, sipas neoliberalëve, meqë njeriu na qenka në “natyrë” egoist dhe oportunist, pra gjithnjë do të keqpërdorë.

Sipas neoliberalëve, janë pikërisht njerëzit e rëndësisë së veçantë, ata që zotërojnë objekte të rëndësisë së veçantë, dhe që përmes impulsit të tyre kreativ do të imponojnë rend e drejtësi në shoqëri. Kështu që, sa më pak shtet, e sa më shumë pushtet për VIP-at. Fatkeqësisht, kështu lexohet edhe gjesti i Tahirit, në vijim të pararendësve të tij. Në këtë sulm të veçantësh republika përnjëmend ka nevojë për roje.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Tetor 1, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: