rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Në despotizmin e privates

Arlind Qori

Origjina e termit despotizëm gjendet në sundimin e pakundërshtueshëm të kreut të familjes ndaj anëtarëve të saj, e drejtë që shkonte deri në marrjen e jetës. Më gjerësisht, despotizmi është përdorur për të shënjuar trajtimin e punëve publike sipas prizmit të interesave private të sundimtarit. Ky i fundit dallohej prej tiranit, pasi së paku tirani ende i referohej manipulueshëm ndonjë ligji apo interesi publik, ndërsa despoti e trajtonte gjënë publike me shpengimin e zotit të pakundërshtueshëm, si ta kishte plaçkën e vet, pa u munduar as të gjente ndonjë argument propagandistik. Vullneti i tij ishte burimi i të drejtës: ai do, ai mundet, pra ai duhet!

Këtu s’është fjala për despotizmin e një sundimtari, por për atë të një praktike dhe ideologjie shoqërore. Si çdo despotizëm, edhe ky ka historinë e zhvillimit të vet, që në gjuhën popullore shprehet nëpërmjet personifikimeve me sundimtarë politikë. Në Shqipërinë e këtyre njëzetekusur viteve dëgjohet gjithmonë e njëjta histori, me personazhe që ndërrojnë vendet. Dikur thuhej se vërtet Berisha i parë vidhte, por të paktën asokohe dilte ndonjë gjë për të gjithë, ndryshe nga babëzia e Nanos.  E njëjta gjë thuhej pas 2005 kur lëvdohej epoka e artë e Nanos përkundër asaj të Berishës së dytë. Dhe s’ka për të qenë çudi sikur pas do kohe të ringrihet i njëjti Berishë i sapozbuar përballë Ramës.

Kjo rrëfenjë popullore shpreh faktin se në fazën e parë mbizotërimi i privates kishte karakter ‘demokratik’, në kuptimin e zaptimit privat shumëplanësh dhe tejpërtej klasor. Ai ishte reagim ndaj urisë, papunësisë, mungesës së strehës, çka i shtynte mbi të gjitha të varfrit të merrnin diçka nga e përbashkëta: dikush një copë tokë për të ngritur strehë, një tjetër një kioskë të vogël byrekësh, një tjetër një bythë vend në trotuar për të shitur xhinglamingla. Bashkë me urinë e derdhur hapësirave publike u shpalos edhe zaptimi i të përbashkëtës jo vetëm në hapësirë, por edhe në burime, nga interesa që e kapërcenin mbijetesën, që jetësonin shqiptarisht logjikën brutale të akumulimit fillestar të kapitalit. Mbivendosja e interesave të vogla të të shumtëve dhe të mëdha të të paktëve ngjizi edhe kompromisin e heshtur klasor të kësaj faze: Sa kohë mbetet diçka për të gjithë, privatizimi shumëplanësh mund të vazhdojë pa prodhuar tensione shoqërore të pakapërcyeshme.

Sidoqoftë, prej kohësh pluralizmi i zaptimit të parë po i lë vendin despotizmit të zaptimit të dytë, që po shtrihet hap pas hapi përtej cakut ‘normal’ të grabitjes së thjeshtë. E përbashkëta si hapësirë dhe si burime ekonomike nuk mund të jetë e pacak. Prandaj më njërën anë zaptimi përparon deri edhe në oborret e shkollave dhe spitaleve (pasi ka mbaruar punë me ndërmarrjet e privatizuara të kthyera në skraptore, minierat e koncensionuara në fundosje e sipër, diplomoret private që zbythin atë çka mbetur nga arsimi publik etj.), e më anën tjetër dëbon zaptuesit e logjikës së parë (rasti i dëbimit të romëve për ndërtimin e pallateve).

Nëse shumësia e mikrozaptimeve të para,  e bazuar në nevoja imediate, lejonte ringritjen e të përbashkëtës si hapësirë dhe si përkushtim (fundja një xhaxh që shet fletore buzë trotuarit të shkollës e përdor të përbashkëtën pa e shkatërruar), fuqia e zaptimeve të dyta kapitale është tjetërsuese e parikuperueshme e saj. Nëse e para bazohet në mikropushtetet (mikrorezistencat) individuale, e dyta mbështetet në nyjëtimin e makropushteteve ekonomike, politike dhe ideologjike. Nëse e para mund të riintegrohet në një model të ripërkufizuar të të përbashkëtës, raporti me të dytën është i papajtueshëm. Ajo shtron dy alternativa: ose shpërbërjen nëpërmjet kundërforcës publike të këtyre nyjëtimeve ose thellimin dhe shtrirjen e pacak të saj deri në çastin kur s’do të ketë asnjë park, pemë apo shkollë (se çezma s’mbahet mend që kur nuk ka), përveç atyre private,ku afërmendsh qasja në to do të jetë e kushtëzuar nga fuqia për të paguar. Dhe përderisa kjo e fundit përfaqëson fuqi/pafuqinë politiko-shoqërore të paguesve, merren me mend lehtë pasojat përshkallëzuese të tëhuajsimit njerëzor, segregimit shoqëror, shpushtetimit politik etj.

Karakteri despotik i privates së tanishme dëftohet në marrjen si të mirëqenë dhe pakundërshtueshmërinë absolute të mbizotërimit të saj. Si të ishte edhe më e natyrshme se rënia e shiut nga qielli në tokë, ngado flitet për shenjtëri prone private pavarësisht kufijve dhe origjinës së saj, ritëm privatizimesh, mbështetje për biznesin, thithje të investimeve të huaja, numër sipërmarrjesh, çmim trualli, çmim të lirë të fuqisë punëtore, rritje fitimesh, izolim varfërie getove etj., pa e parë më të nevojshme vendosjen e këtyre parimeve, qoftë edhe propagandistikisht, përballë sitës së arsyes. Dhe nëse ndokush sjell ndonjëherë në vëmendje zbythjen e pandalshme të publikes drejt greminës ajo përtypet shoqërisht si qarravitje nostalgjiko-utopike, funksioni i të cilës është vetëm ai i rikujtimit se ekziston edhe një koncept abstrakt që na shërben për të kuptuar më mirë privaten. Është si përmendja e leshkos, të çalës, djallëzores apo ëndërrimtares për të na kujtuar pashmangshmërinë e zgjuarsisë tregtare, shëndetit të të privilegjuarve, shenjtërisë së rendit dhe realizmit cinik të aktualitetit.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 28, 2013 nga te Politikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: