rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Përtej demokracisë së kontrolluar

Adnan Rrustemi

Demokracia nuk është thjesht një  sistem politik që përbëhet vetëm nga institucionet dhe të  zgjedhurit, që për funksion e kanë nxjerrjen e ligjeve dhe zbatimin e tyre. Dallimi esencial midis një sistemi demokratik dhe një tjetri autokratik, është pikërisht roli dhe e drejta e qytetarëve për të kundërshtuar publikisht dhe pa frikë vendimet e institucioneve.  Në një shoqëri të mirëfilltë demokratike, institucionet politike paraqesin vetëm aspektin sipërfaqësor të marrëdhënieve të tij me qytetarët. Elementet esenciale të një shoqërie dhe sistemi demokratik janë organizatat e ndryshme, iniciativat qytetare, peticionet, referendumet dhe protestat si rezistencë.

Demokracia kërkon që qytetarët të bëjnë shumë më shumë se sa të zbatojnë ligjet. Pasi që autoriteti në qeverisjen demokratike është rrugë dykahore, qytetarët duhet  të ndërmarrin aksione konkrete politike, për të ushtruar autoritetin e tyre mbi institucionet. Nëse  qytetarët nuk e bëjnë këtë, shteti thjesht nuk mund të jetë demokratik. Garancia e vetme për të penguar shkeljen e vullnetit të qytetarëve dhe shkarjen drejt autoritarizmit, janë momentet e tilla të kundërshtimit kolektiv përmes protestave e demonstratave.

Në këtë kontekst, në shoqërinë tonë demokracia është e panjohur jo vetëm praktikisht, por edhe teorikisht e filozofikisht. Gjersa mosnjohja praktike edhe mund të arsyetohet deri dikund, në aspektin e mendimit politik, një gjë e tillë është dashur të jetë e qartë për të gjitha ata që në një mënyrë apo tjetër, merren me politikën dhe qeverisjen në përgjithësi, si dhe me të drejtat e liritë civile e politike në veçanti. Sjellja e qarqeve të caktuara politike, mediale e analitike, kundruall reagimit të qytetarëve në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes së turpit me Serbinë, evidenton së paku dy aspekte të dëmshme  për të ardhmen demokratike të këtij vendi. E para se qarqet politike, mediale dhe publicistike nuk e njohin sistemin demokratik në thelbin e tij dhe e kufizojnë demokracinë në institucione, pa mendim dhe vështrim kritik rreth funksioneve të tyre. E dyta, e kanë të qartë se demokracia ka lindur në sheshe dhe mbrohet në sheshe sa herë që rrezikohet nga oligarkitë e kufizuara në interesa të regjimit, por edhe  më keq, me vetëdije, si dhe me qëllim të përfitimeve, e kufizojnë debatin mbi demokracinë në numrat e deputetëve, duke i shërbyer direkt klasës politike në pushtet dhe atyre rreth pushtetit.

Kjo u dëshmua katërçipërisht nga mënyra tërësisht jodemokratike e ratifikimit të marrëveshjes që ja ndryshon karakterin unitar shtetit të Kosovës, si dhe nga mënyra e vlerësimit të aksionit protestues të qytetarëve dhe të lëvizjes Vetëvendosje! kundër këtij ratifikimi. Në fakt, e vetmja gjë demokratike në këtë situatë, ishte reagimi dhe kundërshtimi qytetar ndaj ratifikimit të marrëveshjes.

Por devijimi i debatit nga përmbajtja  e marrëveshjes së dëmshme  me Serbinë dhe rreziqeve që paraqet kjo marrëveshje për sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës për një periudhë të gjatë, si dhe vendosja e theksit  në mënyrën e kundërshtimit nga qytetarët, jo vetëm se është i padrejtë, joprofesional, por edhe i qëllimshëm dhe tendencioz. Po ashtu dëshmon kapjen dhe kontrollin e mediave nga ana e regjimit qeveritar. Mjafton të krahasosh pasqyrimin e medieve ndërkombëtare, që i bënë ditës së ratifikimit të marrëveshjes së turpit me Serbinë, për ta vërtetuar kontrollin e medieve vendore nga ana e qeverisë dhe nënshtrimin e tyre ndaj regjimit. Pothuajse të gjitha raportimet e mediave ndërkombëtare fillonin me marrëveshjen me Serbinë, procesin e ratifikimit, përmbajtjen dhe qëllimet e kësaj marrëveshje sipas tyre. Duke sjellë edhe një sfond të procesit të dialogut me Serbinë që i ka paraprirë kësaj marrëveshje. Natyrisht, duke e evidentuar edhe kundërshtimin e Vetëvendosjes, pa u lëshuar as në mënyrën e as në vlerësimin e elementeve të kundërshtimit. Ngase e vetmja gjë perëndimore dhe normale atë ditë, si në koncept, ashtu edhe ne demonstrim ishte kundërshtimi i marrëveshjes. Në anën tjetër, një pjesë e madhe e mediave vendore, jo vetëm që shmangën përmbajtjen e dëmshme dhe mënyrën jodemokratike të ratifikimit të marrëveshjes, por si edhe në raste të tjera u mobilizuan për të linçuar Lëvizjen dhe kundërshtimin e qytetarëve ndaj kësaj marrëveshje.

Demokracia tek ne, është reduktuar vetëm në aspektin procedural dhe formal të marrjes së vendime përmes zgjedhjeve edhe ashtu të manipuluara dhe votimit me shumicë. Ky konceptim përjashton marrëdhëniet e mirëfillta që zakonisht janë kontradiktore, deri në procesin e vendimmarrjes. Vendimi ndaj një akti të tillë, do të duhej të ishte vetëm kulmi i këtyre marrëdhënieve midis palëve, që mund të jenë debate të ashpra, protesta, aksione kundërshtimi nga më të ndryshmet, peticione, referendume, bojkotime etj.

Aftësia për të kontrolluar popullin dhe përkrahja e ndërkombëtarëve në  këtë drejtim, megjithëse për arsye të ndryshme, i ka dhënë komoditetin këtij regjimi qeverisës dhe partive politike të dominuara nga kryeministri, që të ndërmarrin veprime të tilla të dëmshme për vendin dhe interesat e qytetarëve, pa pyetur dhe përfshirë qytetarët. Ky sistem i bazuar në kontroll ka zhvatur dhe vazhdon të zhvatë qytetarët për çdo ditë, përmes privatizimit, keqqeverisjes, korrupsionit e haraçit.

Prandaj, të gjithë ata që votuan për ratifikimin e marrëveshjes së turpit me Serbinë,  nuk dallojnë aspak, as për nga vullneti e as për nga qëllimi, e shumta ata dallojnë vetëm për nga ndarja e zonave të interesit për të zhvatur dhe nga mënyra e zhvatjes së qytetarëve dhe vendit. Përmes përshtatjes së mekanizmave të zhvatjes me natyrën e lidershipit të tyre dhe nivelit organizativ që kanë.

Dalja e demokracisë jashtë shtetrrethimit të këtij regjimi dhe partive politike që e mbështesin, është rruga drejt demokracisë së vërtetë. Sa herë që demokracia bëhet e pamundur nga regjimi, ajo arrihet në sheshe, në demonstrata e reagime publike të organizuara apo spontane. Reduktimi i demokracisë në numra është mbytje e saj. Drejtësia, dinjiteti dhe liria e shprehjes dhe e pjesëmarrjes janë premisat e një sistemi demokratik. Demokracia nuk mund të kontrollohet, ajo si vullnet i qytetarëve, vetëm mund të përmbushet. Nuk mund ta trajtosh si demokratik një institucion dhe një vendim të tij, që qartazi është kundër vullnetit të popullit. Të gjithë e dimë, edhe vetë ata që votuan për ratifikimin, se po t’i lihej popullit marrja e këtij vendimi, marrëveshja kurrë nuk do të ratifikohej. Prandaj ata që e kundërshtuan ratifikimin e marrëveshjes, ishin përfaqësuesit e vërtetë të popullit, ata ishin vetë populli atë ditë. Kur populli arrin të flasë, siç foli në protestë, pushon funksioni i përfaqësueseve të tyre.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Shtator 21, 2013 nga te Politikë, Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: