rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

A mundet ta shpëtojnë çeqet shkollën publike në Shqipëri?!

Miqësore, ndaj një propozimi të zotit Eduard Zaloshnja

Nga ARBËR SHTËMBARI, Sociolog

Artikujt interesantë të zotit Eduard Zaloshnjës «33 qindarka për të nxënë, 67 për të ngrënë…» dhe «Më gjërësisht për shkollimin e fëmijëve», të ngacmojnë që me leximin e titujve. Të venë në mendime dhe, krejt natyrshëm, të nxisin për t’u futur në diskutim. Dhe kuptohet përse: çështja e shkollimit të fëmijëve në Shqipëri aktualisht është një problem serioz dhe me kosto të lartë familjare.

Po le të merremi konkretisht me disa nga tezat e shkrimit:

Thelbi i shkrimit të analistit të mirënjohur Eduard Zaloshnja rrotullohet rreth pyetjes: “Si mund të shkollohen më mirë fëmijët shqiptarë?”. Në përgjigje të kësaj pyetjeje, autori përmend, natyrisht me shumë të drejtë, krizën që ka mbërthyer sistemin arsimor shqiptar, përqindjet e larta të dështimit në shkollë dhe analfabetizmin në rritje etj., etj. Shton, më tej, zgjidhjen që familjet me të ardhura të majme i kanë dhënë këtij problemi: i rregjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla private. Të tjerët, po i quajmë me origjinë klasë e mesme, arrijnë të paguajnë kurse jashtë-shkollore. Në fund, familjeve me të ardhura të pakta u mbetet të vuajnë padrejtësinë e sistemit tonë arsimor.

Për lexuesin do të ishte me interes të mësonte, përmes këtij shkrimi, se nga vuan ky sistem arsimor aktual. Përse fëmijët i braktisin shkollat? Përse rezultatet vijnë e bëhen gjithmonë e më dobëta? Se nga këtej do të mund të na lind e drejta të sugjeronim edhe rrugët e daljes nga ky batak arsimor. Se zoti Zaloshnja, po të bënim një analogji me një të sëmurë, thjesht numëron simptomat, ndërkohë që për vetë sëmundjen nuk na jep asnjë analizë. E kuptoj dëshirën e mirë të këtij analisti të nderuar për ndryshimin e gjëndjes aktuale në arsim, por, të më fal, nuk gjej të shkruhet për rrugëdaljet! Për mua nuk mjafton të thuhet, se sistemi arsimor nuk funksionon për shkak të shpërdorimit të fondeve publike, e se, ky shpërdorim, na qënkësh universal.

Esencializimi i problemit të shpërdorimit të fondeve, sipas sugjerimit të zotit Zaloshnja, nuk ka pse ta çojë këtë analist në disa zgjidhje tepër relativiste për Shqipërinë. Sipas logjikës së këtij autori të nderuar, është, si të thuash, meqë krimi ndodh rëndomë kudo, është e kotë të harxhojmë fonde financiare për sigurinë publike e për rendin! Kjo të kujton Adhamudhin e famshëm, sipas të cilit, në qoftë se të dhimbte njëri sy duhej të kërrehej tjetri!

Teksa lexon shkrimin mëson, se zoti Zaloshnja propozon një praktikë të quajtur “çeqet e shkollimit”. Në linja të trasha, sipas kësaj praktike, familjeve duhet t’u jepet nga një çek në përpjestim me të ardhurat e tyre dhe, pastaj, të jenë vetë këto ato që do të zgjedhin se në cilën shkollë do t’i rregjistrojnë fëmijët e tyre! Kështu, familjet e pasura, me mundësitë që kanë, mund t’i regjistrohen fëmijët e tyre në shkollat e mira private apo në institucione shkollore ku u jepet mundësia që të marrin bonuse plus për fëmijët e tyre! Këto familje, me çekun në dorë, të shkojnë dhe të zgjedhin shkollën që dëshirojnë, madje, pse jo – edhe stafin pedagogjik që duan!

Propozimi i zotit Zaloshnja ia vlen të diskutohet jo sepse sjellë ndonjë risi, por sepse vë në diskutim serioz mjaft probleme të karakterit social në Shqipëri. Modeli i “çeqeve të edukimit”, sipas mendimit tim, i vë përfundimisht minat një shërbimi publik dhe falas për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Se ja se ç’mund të ndodhë nëse instalohet ky model:

Së pari, ai do të krijojë një segregacion social të thellë në Shqipëri! Modeli i “çeqeve” do të mund të krijojë një rend simbolik edhe më të dëmshëm se ky që kemi aktualisht. Të pasurit do t’i çojnë fëmijët e tyre në shkolla fillore dhe të mesme prestigjioze. Do të krijohen kështu klube elitare apo ekskluzive dhe, me efekt zinxhir, ky model do të projektohej, më pas, në arsimin universitar dhe, akoma më pas, në postet e punësimit! Familjet nga klasat e mesme do të zgjidhnin midis sakrificës për regjistruar fëmijët në klubet ekskluzive private të kategorisë së mësipërme, ose regjistrimit në shkollat publike, që do të përzgjidheshin prej listës së më të mirave në hierarkinë e cilësisë së edukimit. Nuk po zgjatemi këtu të përshkruajmë, se si me kohë do të krijohet në shkollat e pasanikëve edhe “tradita”, edhe “emrat e famshëm të Familjeve”, emblemat, simbolet, medaljet etj.

Në fund, familjeve me të ardhura të ulëta u rrofshin çeqet! Këtyre do t’u mbetej si zgjedhje, më sakt: si dënim, veçse shkollat me reputacion të ulët, të klasuara në fund të kësaj hierarkie shkollore.

Me sa merret me mend, modeli që propozon zoti Zaloshnja, të më falë në qoftë se shprehem paksa rëndë, është i thjeshtë: më pak barazi, më shumë geto shkollore! Dhe ky do të ishte fundi i Shkollës Publike për të gjithë në Shqipëri! (Këtu, nuk po zgjatemi të përmendim se modeli i “çeqeve” ka potencialin të prodhojë edhe homogjenizim gjinor, fetar, apo komunitarist në shkolla, etj).

Së dyti, modeli që orienton zoti Zaloshnja prek rëndë autonominë e mësuesve dhe, në mënyrë direkte, mund të godasë rëndë qoftë programin mësimor, qoftë mësimdhënien. Nëse një fëmijë apo prindit të tij, që ka çekun në dorë, nuk i pëlqen, ta zëmë, filan mësues(e), këtyre u jepet e drejta që me ca të tjerë, edhe këta me çeqe, të zgjedhin mësuesit e preferuar, duke flakur në rrugë të tjerët! E po, ky është rendi kapitalist, ku njerëzit janë të lirë të zgjedhin, mund të thotë dikush. Po, kështu është, por jo çdo liri kushtëzon një zhvillim që kryhet vetëm mbi bazën e ligjeve të një vendi të caktuar, konkretisht siç është Shqipëria. Përse u dashka që çeqet të vendosin se kush duhet e kush nuk duhet të jap mësim? Në fund të fundit, çfarë kompetence ekskluzive kanë prindërit për të vlerësuar se cili mësues duhet të kalojë klasën e cili duhet të ngelë?!  Nga ana tjetër, iluzionit të zgjedhjes së lirë së shkollës me çeqe në dorë do t’i përgjigjej në realitet zgjedhja brutale nga drejtoritë shkollore të nxënësve që ato do të dëshironin të regjistronin në shkollë. Sepse nuk do të jetë thjesht çështje lekësh, kur në fakt do të luhet edhe prestigji, statusi, emri, nderi i institucionit arsimor.

Skema neoliberale që propozon zoti Zaloshnja vendos në pikëpyetje disa zgjidhje. Në Shqipëri sot përdoret modeli i “hartës shkollore”: fëmijët e një lagjeje apo të një fshati regjistrohen në shkollën pranë asaj zone gjeografike. Mirëpo, nga sa shikohet, edhe ky model po pëson ndryshime në Shqipëri. Kështu, ndryshimi drastik i morfologjisë urbane (homogjenizim i habitatit, të pasurit jetojnë gjithmonë e më pranë njëri-tjetrit, ndërsa të varfërit po shtyhen drejt periferive), si dhe korrupsioni ka goditur thelbin e këtij modeli: garantimin e miksitetit social dhe shkollor, që do të thotë, se gjithmonë e më tepër po krijohen klasa mësimore të përbëra me fëmijë nga familja të pasura e me rezultate të larta, dhe klasa mësimore me fëmijë nga familje të varfërish, me rezultate më të dobëta. Ja, këtij problemi që ka lindur i duhet dhënë zgjidhje. Sigurisht, jo duke propozuar segregacion social edhe më të madh, siç sugjerohet në shkrimet e Zaloshnjës.

I kuptoj qartë shqetësimet e drejta të artikullshkruesit, por nuk mund të pajtohem me zgjidhjet që sugjeron. Aktualisht Shqipëria ka nevojë për një sistem të tillë shkollor, ku fëmijët të ndihen socialisht të barabartë. Dhe kjo kërkon, që të reformohet thellësisht sistemi aktual shkollor, duke qënë më vigjilent mbi hallkat e pushtetit, ndarjes së tenderave, duke qenë edhe më pranë shqetësimeve shkollore, kuotave sociale e shkollore (nivelit arsimor), cilësisë së mësimdhënies, numrit të nxënësve në klasa etj. Këtu nuk kemi sesi të mos përmendim, mbi të gjitha, gjendjen e rëndë ekonomike që ka mbërthyer shumë familje shqiptare, sidomos në zonat rurale, gjendje që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në arsimimin e fëmijëve të tyre!!! Mbi këtë reformë tepër të nevojshme le të diskutohet e të reflektohet nga organet përkatëse dhe njerëzit e kësaj fushe, por modeli i “çeqeve të edukimit”, jo, kjo nuk është zgjidhja që i duhet sistemit arsimor shqiptar.

PS: Se si sistemi i komercializimit të të mirave publike në fushën e shëndetësisë në SHBA na qënkësh një succes story, sipas zotit Zaloshnja, çelësat e këtij misteri vetëm ai i ka…

Advertisements

Një koment te “A mundet ta shpëtojnë çeqet shkollën publike në Shqipëri?!

  1. ina
    Gusht 24, 2013

    teza e “ceqeve” eshte cmenduri. ka deshtuar kudo ku eshte eksperimentuar dhe nuk e kuptoj pse do funksionoje ne vendin tone institucionet e te cilit vuajne nga probleme shume te thella. mendimi im eshte sa me pak hapesire t’i jepet mendimeve te Zaloshnjes, aq me mire. nuk mbaj mend ndonje argument te autorit qe te mbante me vete thellesi teorike apo rrenje empirike. eshte per te ardh keq qe i jepet ndonjehere hapesire per te hedhur mendimet e veta mediokre – “ceqet” eshte praktike qe ekziston dhe nuk eshte se ka shpik ndonje gje te re – ne diskursin shqiptar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Gusht 24, 2013 nga te Polemikë, Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: