rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Shqiptaria si terra incognita e politologjisë europiane

Gérard Vincent

Një nga arsyet kryesore të kësaj mosnjohjeje duket ka të bëjë me vetë gjuhën shqipe, me ato me të cilat ajo ka refuzuar të mbarset, dhe kësisoj mandej nuk i ka mbarsur subjektet që e flasin. Gjuha shqipe ka qenë transkriptuar në të katër blloqet e mëdha të gërmave të gjuhëve të gjalla, qysh nga shekulli XII: në alfabetin grek, latin, cirilik e arab; dhe rastësia e ka mbajtur pa u deshifruar në ideograma kineze.

Shtypshkronjat shqiptare të shekullit të 18-të, gjurmët e të cilave i gjejmë në një qytet fantazmë të Epirit, kanë qenë shumëglifike dhe babelike. Ato kanë patur, pra fatin e kullës biblike, që Transhendenca e mori aq zët!

Ky hezitim i letrave shqipe kundrejt transkriptimit të shqipes është një pasojë e ngurrimit metafizik të vetë shqipfolësve, të populluar nga ortodoksët autoqefalë, katolikët e ritit mirditor dhe myslymanët bektashinj. Është hezitimi lidhur me Revelacionet e Shkrimeve të shenjta, për aq sa, brenda ndryshimeve mes religjioneve në Shqipëri, ato janë unanimisht e pa dyshim shqipfolëse.

Është ky një kontrast i gjallë, kjo lidhje mes gjuhës dhe letërsisë, që i ka vendosur shkrimtarët shqiptarë në pozicionin tepër të veçantë ku ndodhet shkrimkëndimi (literacy) shqip. Ky i fundit është marrë për sistemin shkollor që ndihmon për t’u futur në tekst, çka e vendos shkrimtarin në majë të vështirësive të akumuluara qysh nga origjina e transkriptimit të gjuhëve të gjalla, me të cilën përballohen nxënësit çdo vit të ri shkollor. Dhe aty banon kontradikta kryesore e burimore, krejt e paftillueshme, mes konvencionit të gjuhës dhe hapësirës skripturore të përfaqësimit, të cilën çdo shoqëri e le të paftillueshme, sipas mënyrës përkatëse, duke e lënë individin në duar të vetvetes lidhur me çka do të thotë gjuhë e folur, në mishmashin përkatës.

Shumëalfabetizmi i shkrimkëndimit (literacy) shqip e mban gjuhën larg shkrimit, gjithë duke iu hapur shqiptarëve leximin fonetik të të gjitha gjuhëve të botës. Shqiptarët mund të psallin në gjuhën slavone të kishës ortodokse, në latinisht e greqisht e arabisht. Dhe në çdo rast ata vihen bukur mirë në rolin e psallësit në liturgjitë e reformës së institucioneve europiane, por ama pa besuar fare në to.

Në organigramën e vendosjes së shpirtit në pozicionin përunjës të leximit, shqiptarët nuk e kanë integruar zonën erogjene të shtetit, e kuptuar kjo si ndjeshmëri anale e boshtit transhendental, që provokon ngjitjen alegorike të atij entiteti të personifikuar të pronës së përbashkët, soditjen trans-tekstuale e neo-hegeliane të kopulimit franko-gjerman në kuadrin e gjerë të perspektivës europiane.

Më saktë, shqiptarëve ua shpifin ushtrimet shpirtërore të ngjitjes putative të institucionit të klerit të botës perëndimore. Kjo daton qysh nga agu i regjimit feudal, i cili s’ka mundur të funksionojë as në portet, e as në malet e Shqipërisë; po aq sa dhe efendizmat osmane dhe po ato rituale skripturore. Ndaj tyre shqiptarët kanë sajuar ca profilaktikë të fortë: shumë-alfabetizmin e letërsisë së vet, dhe shkrimkëndimin e gjerë të shkruesëve të saj, nga ku kanë dalë përkthyes të fortë, terxhumanë me troshitje të sensit të saktë, si dhe bashibozukë. E vështirësia për t’i vënë në rresht këta të fundit, ka qenë dëshpërimi i gjithë shtatmadhorive dhe profesorëve të gjeostrategjisë, për të cilët Shqipëria është ende një tokë e panjohur.

Sepse qysh nga pavarësia, pushteti triumfon në Shqipëri sajë mungesës, me gjasë: ka gjithmonë një post bosh ngaqë s’ka kandidat; dhe nga kjo shkarthje, tipi më i pamundur vjen të zaptojë këtë lagunë aq shumë të mikluar prej të gjithëve, përveç atyre shqiptarëve që s’e ndjejnë të nevojshme as t’i drejtosh, as të bëhen vetë shefa.

Shqiptarët kanë shtet sa për të mos nxehur fqinjët, veç për të ngritur një komision që organizon festimet e pavarësisë. Por shqiptarët janë pikë së pari vetiu të pavarur.

Sot për sot iu duket vetja nxënës të mirë neo-liberalë pas daljes nga komunizmi. Por një ditë shqiptarët do kuptojnë që Europa ka bezdi metodike nga pavarësia e tyre, dhe kjo nisi shumë para se Lenini të shpallte kritikën e empiro-kriticizmit. Do kuptojnë që do i përdorin vetëm si figura retorike në ligjërimet kundër ballkanizimit të Europës, e veç për t’iu shtirë frikën rioshëve që ndjekin kanalet kulturore TV franko-gjermane; do i përdorin si argumente për t’u shitur edhe më tepwr armë franko-gjermane serbëve, grekëve e malazezëve.

Prania europiane në Kosovë kërkon që, ndryshe nga rasti i Shqipërisë, ushtria në Kosovë të mos jetë veç një fantazmë diskrete e ceremonive diplomatike, me UÇK-në si monopol të vërtetë armësh e si një klient serioz, që të tejkalojë madje edhe konsumit të klientes tjetër serioze: ushtrisë serbe!

Për të mos folur për ushtrinë greke, që porosit armë të rënda sa herë që trojka europiane viziton Athinën, ajo që është mëse e interesuar për borxhin ballkanik, fiks si në epokën e komitaxhinjve maqedonë, pak para shpalljes së pavarësisë shqiptare, pasi në Europë po shtypej Komuna, në kuadrin e pajtimit franko-gjerman.

Pas depove që u hapën në Shqipëri në 1997, NATO-ja përcaktoi se Shqipëria duhet të dyfishonte shpenzimet ushtarake deri në 2% të GDP-së.

E kështu Franca ndihet e lirë t’i shesë helikopterë Shqipërisë e Greqisë; kur ekonomatët e interesuar të borxhit bankar futen në Ballkan e marrin në dorë llogaritë publikë dhe hyrjet fiskale e kërcënojnë se do fusin duart edhe në llogaritë bankare private, fiks si në fillimet e luftës në Jugosllavi.

E po njëlloj si në Luftën I Botërore, të organizuar nga traktatësit e Versajës, po të shohim të bashkuar në këtë term krejt nënshkruesit e traktatit të pajtimit franko-gjerman. Atëherë,ndodhi solidarizmi i shtatmadhorive ushtarake europiane gjatë shtypjes së Komunës e të komitaxhinjëve ; e ndodhi mandej abrogimi i pavarësisë shqiptare nga gjeneralët e Antantës gjatë Luftës I Botërore, në 1914 deri më 1919. Pavarësi, që shqiptarët e « arritën » sërish më 1919, sajë troshitjeve përkthimore letrare të terxhumanëve shqiptarë në Boston, kur këtej nënshkruhej traktati i Versajës. Vështirë të ndash nga ky i fundit traktatet pasuese europiane qysh pas pajtimit franko-gjerman, në kolaboracionin e tyre gjatë luftës së fundit botërore.

Profesorët e gjeostrategjisë europiane është mirë të marrin në konsideratë çka ndodhi me shtatmadhoritë europiane kur dirigjonin një korpus shqiptar jashtë vendit, qysh nga Robert Guiscard-i e deri te Skëndërbeu; e prej këtij deri në luftën e Spanjës. Një shembull tipik të kësaj e gjejmë në fund të kontit të Montekristos: hakmarrja e fundit bankare e Edmond Dantesit kundër Lidhjes së Shenjtë, që Alexandre Dumas-i e huazoi nga vepra e François Poucqueville-it. Dhe ja si profetizon ai :

“Do tregoj sesi Ali pashë Tepelena, pasi kish krijuar një reputacion të frikshëm, që do jehojë gjatë në të ardhmen, ra nga fiku duke i lënë ama trashëgim vendit shpirtin e anarkisë, dhimbje koke pafund perandorisë osmane, shpresën për çlirim grekëve, e ndoshta tema për shprishje të rendit në Europë”.

Përkthyer nga: Idlir Azizi  

Advertisements

3 komente te “Shqiptaria si terra incognita e politologjisë europiane

  1. Xha Xhai
    Korrik 25, 2013

    Solnox, më jep dot ndonjë të dhënë për origjinalin e kësaj eseje? Ku është botuar dhe kur? Flm.

    • solnox
      Korrik 25, 2013

      Xhaxhai, teksti eshte botuar fillimisht ne te perjavshmen “Perballja”, ne Prishtine, ne maj te 2013. E ka derguar Idlir Azizi, qe eshte edhe perkthyesi i tekstit. Vincent eshte mik dhe koleg i Azizit, megjithate do te te jap me shume te dhena mbi nese eshte botuar diku tjeter, pasi te komunikoj me ta.

  2. Xha Xhai
    Korrik 25, 2013

    Falemnderit. Më ngacmoi tejet shprehja “katolikët e ritit mirditor”, hera e parë që dëgjoj për “rit mirditor”!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 25, 2013 nga te Esse, Gjuhësi, Përkthim, Politikë dhe etiketuar me , , , , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: