rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Nënamerika

Ervin Hatibi

Botuar në Shenja

Një nga keqkuptimet më madhështore në histori, një nga ato me përmasa kontinentale, ka qenë moszbulimi i rrugës së Indisë nga Kolombi – mbase moszbulimi më i suksesshëm i të gjitha kohërave. Amerika e zbuluar, në rrugë e sipër, rezultoi kaq e madhe, sa mundësitë për të vazhduar ta zbulosh gabimisht, mbeten të pafundme.

Ja ç’na rrëfen, fjala vjen, një bashkatdhetar, një që i ra shorti ta zbulojë Amerikën nga poshtë:

Dy vitet e para punova pa letra, fshehur. Punonja në kat të gjashtë po së prapthi, gjashtë kate dënë dhe! As e pashë diellin as më pa! Nuku se amerikanët janë të rreptë, po kisha akoma në palcë të dredhurat e Selanikut. Këtu, shokët e mij… ezmerë, – se mo na e marrin amerikanët për racizmë! – ata ezmerët dilnin e më blinin për të ngrënë, ata më mësonin zanatnë, gjuhën. Ja atje thellë, ku isha, e mësova gjuhën e vëndit, gurgull! Pas dy vjetësh, kur dolla mbi trotuaret lart, e mora vesh e xheç më ra dambllaja: gjuha që paskësha mësuar bilbil, nuk paskej qënë anglisht, o prefesor, po… spanjollçe oreee!!! Kur mos kem mamanë! Po si ore asnjëri nuk më tha, se ata hushkulurit ezmerë, kishin qënë nga Porto Rikua! Më shkuanë dy vjet. Fillova anglishten nga e para.

Se, në fakt, ka dy Amerika, si minimum, përherë: njëra poshtë, tjetra lart në qiell me rrokaqiej ëndërrorë – tjetra në(n) dhe. Rrëfyesi ynë është një ish i burgosur politik shqiptar, që nga nëndheu i burgut sikur ka gërmuar tunelin e arratisë dhe gërmo e gërmo, ka mbërritur deri në Amerikë, e ajo nuk i ka dalë krejt ashtu si ëndërronte. I ka hyrë nga poshtë, spanjisht, si e do rendi kronologjik, nga Amerika Latine, pra, në një farë mënyre, u bë një lloj anti-Kolombi, se po kërkonte Amerikën, Botën e Re, po në fakt, zëre se doli në Indi fillimisht, në Botën e Tretë emigrante.

E gjitha kjo vazhdon pastaj në një libër, në një libër me “Rrëfenja nga Amerika”.

Me titullin, “Rrëfenja nga Amerika”, lexuesi, (i cili automatikisht kthehet në lexonjës) pret të shfletojë ndonjë radhor të zverdhur të fillimeve të shekullit të kaluar, dalë nga shtypshkronja “Luarasi”, përmbi të ndodhurat e lëkurëkuqëve të tribuve, përmbi gjahun e tyre të bizonëve e karibuve, mistikën e shamanëve dhe tabuve… e gjitha kjo kthyer në shqip prej ndonjë toske “ende-më shumë-shqiptar-se amerikan” nga Detroiti.

Amerika, ajo me emrin aktual italian, është tepër e re dhe e urbanizuar për t’u futur në rrëfenja; nga Amerika mund të vijnë vetëm breaking news, rrëfenja jo… Ashtu si minareja që nuk hyn dot në thes, edhe rrokaqiejt nuk i mund t’i nxërë dot torba shajake e rrëfimtarit. Tentativa më e suksesshme që di unë në këtë drejtim, në të rrëfyerit shqip të Amerikës, ka qenë ajo e Martin Camajt në poezinë e tij “Fill i gjetun”.

Për ata që e kanë parasysh poezinë, autori kërkon të konvertojë një megapolis amerikan të muzgut me formula pagëzimi të një ligjërimi paraurban. Por, gjithsesi, që ky lloj stërqyteti të mund të rrojë gegënisht deri në fund të poezisë, në gegënishten shamanike dhe me pak oksigjen të Majëalpeve, autorit i duhet të sajojë një artific, konkretisht një black-out, një fikje të detyrueshme e të plotë të dritave qytetase, që mundëson një kthim pas në kohë dhe vend; që nxjerr prej amerikaneve “amvisa” që nisin e kërkojnë për llambat me vaj të kullave, deri sa agu të përndezë faqet e xhamta të “rrokaqiellëve”… Në një qasje tjetër, po me kahje gati të njëjtë, gati po kësaj pune i është futur edhe shkrimtari Pëllumb Kulla, me një emër krejtësisht të përkthyeshëm totemistik, që duket sikur vjen nga tradita e vendasve të lashtë të Amerikës (krahaso me Sitting Bull p.sh. apo Crazy Horse, ose personazhet në filmin “Vallëzon me ujqit.”) Projekti është jo dokudo. Gjithsesi, autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerike, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërteta që i ka zili çdo letërsi, të cilat si miu kungullin kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallat e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen…

Për projektin e rrëfimit shqip të Amerikës në epokën e “globalizimit shqiptar”, autorit i janë dashur një palë shina. Njëri binar i tyre është optika e një shoferi taksie, kurbetçi korçar, i dalë jorastësisht nga burgjet e Enver Hoxhës (për të bërë kontrastin më të fortë me lirinë plus Tokën e Premtuar të Lirisë). Binari i dytë është “fonetika” e korçarçes. (për të hyrë me shenjat e popullores e informales, tradicionales e të qëmotshmes, në kontrastin e dytë me modernen, teknologjiken, amerikanen që përshkruhet nën këto shenja.)

Ndjeshmëria e autorit ndaj gjuhës është e tillë që nuk mund t’i lihet në shpjegim rastësisë. Vështroni kontaktin e tij me çudinë e gjuhës, në këtë copëz me personazh gruan korçare, dado të ca kalamajve amerikanë: “E tërë dita e sime shoqe me djemkat, në rrugë, në parqe e në shtëpi është e mbushur me “mos u lag”, “mos bërtit”, “mos kruaj hundën”. Mos-i është për Rezin vegla kryesore e punës dhe ajo e përdor atë dyqind gjer më treqind herë në ditë. Dhe ata kuptojnë. Ama, kur ajo pas dite i ve vogëlushët të flenë dhe nis e u rrëfen ca përralla që fillojnë “na ishte mos na ishte, në një kasolle të ngushtë me kashtë”, ata nuku marrin vesh asgjë. Fjalët e shqipes jo, po zërin e Rezit tim, që është muzikë e shkuarë muzikës, ata e kuptojnë. Ajo u përkëdhel leshkat me gishtrinjtë e saj, aq ëmbël, sa nuku dihet a u a ka përkëdhelur ashtu e ëma e tyre donjëherë. Dhe përkëdhelkat ata i kuptojnë. E vogëlushët mbyllën sytë e humbasën në kolovajzen me naishtemosnaishte e me kasolletëngushtamekashtë…”
“Kasollja-e-ngushtë-me-kashtë” e gjuhës shqipe do të vazhdojë të rezistojë edhe ndonjë stinë, deri sa ta shkelin shirat e ta rrafshojnë uraganet me emra komshinjsh të buzëqeshur vendas, si Katerina e Sandy. Pastaj të gjithë do jemi vetëm amerikanë.

Duke shfrytëzuar rrembin e suksesshëm gjuhësor diellor juglindor, që i jep tharm gazit më të thekshëm shqiptar në rrëfimtarinë e Kutelit të sagave të fshatit, e Nolit të Don Kishotit, e Nonda Bulkës herë-herë, e Dritëroit të intervistave, e deri në ekranet e popkulturës tek Doktori i “Fiks Fare”, Pëllumb Kulla nis ripopullon Amerikën me “Filadelfiotë, Vaterburas, Njuxhersjotë, Bostonianë, Detroitjotë, Çikagas”, riemërton “kodrat rreth Nju Jorkut”, “Qafë Kuinsin”, “korrijet e Stejtën Ajlandit”, “meratë e Bronksit”, “stanet e Nju Xhërsit”, “pllajat e Bruklinit”, edhe vetë “Manhattanë”. Aty sillen, veç amerikanëve joshqiptarë, edhe shqiptarët dhe qeveritë në mërgim të shqiptarëve,
mimetizmi i tyre kulturor e fetar, raportet e tyre me SIDA-n, demokracinë, racizmin. Kujt nuk i ka lexuar vetë rrëfenjat, këto ndërhyrjet çshenjtëruese tip “Qafë Kuins” mund t’i ngjajnë një llaf goje, një truk i radhës i një autori të njohur të humorit të skenave të varietesë.

Por, rrëfenjat e Pëllumb Kullës nuk janë letërsi për dialekt, si ajo e shkruara për të shfrytëzuar strukturat shprehimore, por edhe botëkuptimore të një të folmeje të caktuar dhe e lexuara jo më si letërsi, por si …antropologji (Kam parasysh Mustafa Greblleshin, Mithat Aranitin e ndonjë tjetër në personalizimin e katundarit tiranas.) Larg asaj, duke shkartisur brenda ngjyrës lirike teknikat e reportazhit dhe letërsisë udhëpërshkruese me një parodizim tip Woody Allen të historisë dhe miteve, me një kulturë kinematografike të dialogut, Pëllumb Kulla ka arritur të na japë një Shqipëri paralele ose një Amerikë të tillë, brenda së cilës endet Peçoja njujorkez, një binjak po aq naiv e romantik i Markovaldos së Italo Calvinos, me një familje krejt si e tij në “Stinët në qytete”, zhvendosur nga Evropa me Evropë brënda, në qytetin e “Seksit dhe qytetit”; një koleg, varianti soft, korçar dhe jo psikopat i De Niros në “Taxi-driver”…një përzierje e të gjithë kësaj…

Sa llafe të ndyra kishmë dëgjuarë për Amerikën! Po na kishnë thënë-o, se këtu n’Amerikë njeriu shfrytëzohet pe njeriut. Çne bre! Mbroçkulla! Këtu, or byrazer, ndodh e kundërta! – thotë taksisti ynë. Se Amerika është përherë dy, si minimum. Por, përherë ajo që lamë pas kur u nisëm, bëhet ajo ku dikur mbërrijmë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 23, 2013 nga te Art, Shoqëri dhe etiketuar me , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: