rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

T’ia mbathësh nga politika

Arbër Zaimi

Seç është një lojë që ka fiksuar shumë prej poseduesve të telefonave të ashtuquajtur “të hollë” apo “të zgjuar”. Të qëllon t’i shohësh duke luajtur, burra a çunakë, gra apo vajza, në ambiente nga më të ndryshmet. Duke luajtur ndërkohë që janë në plazh, në park, apo duke pirë kafe me ndonjë shok a partner. Bile edhe në zyrë, në krye të detyrës. Loja quhet “Temple Run”. Është lojë e thjeshtë, lojtari është një tip që nis të vrapojë pasi vjedh një statujë të një idhulli (që ngjan me idhujt e aztekëve a majave). Gjithë loja është me këtë tipin që vrapon, në të njëjtat rrugë, me shpejtësi të ndryshme, dhe zotësia e lojtarit është vetëm te reflekset për të shmangur pengesat, të cilat janë po ashtu të njëjtat gjatë gjithë lojës, vetëm që bëhen më të shpeshta e më të shpejta. Pra loja është fund e krye vrap, arratisje, ikje prej një monstre që të ndjek, e që nëse të kap të ha. Nuk ekziston mundësia për të mos ikur, për të qëndruar që të luftosh me përbindëshin, leqë edhe po të ekzistonte, pak do ishin gjasat e mbijetesës, duke qenë se ezhdërhaja është nja dhjetë herë më i madh si trup e si fuqi, krahasuar me personazhin e lojës.

Është interesante, por mendoj se loja ia detyron popullaritetin ideologjisë në fuqi. Domethënë individualizmit. Individualizmi është ankthi, barriera që pengon çdo lloj organizimi e çdo lloj rezistence kundër përndjekjes prej monstrave që janë në pushtet. Arsyet e përndjekjes jo rrallë janë aq idiote sa në lojë, pushteti justifikon përndjekjen e vet pikërisht përmes pretendimit se i është cënuar rendi simbolik, i është cënuar totemi, qoftë ky “institucionalizmi”, fetishi i komoditetit, apo sisteme të idhujtarisë (evropianizmi, kornizat e lirive të pashkelshme në letër por gjithnjë të përdhosshme, kornizat e kufijve të shenjtë e të pandryshueshëm etj.) Individualizmi, si në lojë ashtu edhe në jetë, i bën njerëezit të planifikojnë një jetë prej të arratisurish, që janë gjithnjë në rendje e sipër, po jo si marathonomakë. Në fakt nuk rendin për të çuar ndonjë lajm fitoreje, po vetëm për të mos marrë përfundimisht lajmin e humbjes. Është ky individualizëm i shndërruar në themel të çdo filozofie jetësore, i shndërruar në praktikë veprimi, në pragmata. Kjo justifikon cilindo oportunizëm, cilëndo përshtatje me interesa gjithfarësh, në fund të fundit, duhet t’i shpëtojmë monstrës. Duhet t’i shpëtojmë papunësisë personale, varfërisë personale, vuajtjes, dhimbjes. Maksimumi i ndihmës që mund të marrë individi, mbetet familja. Edhe kjo, e lidhur biologjikisht me personin, si atribut kontingjent i lojtarit që nuk i ikën dot lojës.

Çdo përpjekje për të ndërtuar një publike të rezistencës, po edhe një publike të shprehjes has në skepticizma nga më të ndryshmet. Fobia prej publikes ushqehet prej kujtesës së regjimit të kaluar, e njëkohësisht induktohet prej modeleve të suksesshme të individualizmit, atyre njerëzve me jo pak akses mediatik që gëzojnë gjithë të mirat e jetës pikërisht duke ikur prej publikes.

Ndërkohë politika, sendi më i përbashkët që mund të ndërtojë shoqëria, është “e zënë” prej individëve të fortë, njësoj siç u zunë pronat publike e lulishtet prej “privatit” kur “erdhi demokracia”. Përveçse është privatizuar, politika shqiptare edhe është kriminalizuar. Në fakt nuk ka asnjë mundësi që të ruash kapjen private ndaj një gjëje thelbësisht publike si politika, përveçse përmes kriminalizimit. Korporatat që kanë zënë pushtetin në Shqipëri e në Kosovë, PS, PD, LSI, PDK, LDK e AAK, të gjitha tashmë i kanë imunizuar krahët e tyre “të fortë”, që nuk janë thjesht shërbëtorë të pushtetit, por në një farë mënyre janë fytyra e brendia e këtij pushteti. Këta biznesmenë jo vetëm që hezitojnë të tregojnë se si e kanë fituar milionin e tyre të parë, por përmes kërcënimit e presionit direkt ia dalin të mos tregojnë as burimet e qindmilionëshit të parë, apo as burimin e atij të ardhshmit. T’i ngacmosh ata do të ishte sfida e vërtetë për establishmentin. Sepse të shash Berishën, Ramën, Metën, Thaçin, Mustafën apo Haradinajn për fytyrën publike që mbajnë, jo vetëm që është bërë e parrezikshme, po në një farë mënyre dhe i ndihmon për të vijuar të jenë në qendër të vëmendjes. Janë pikërisht biznesmenët-kriminelë ata që janë pushteti jo edhe aq në hije, janë ata që kërcënojnë këdo që i cënon, e në fakt cënimi i fuqisë së tyre është kërcënimi më i madh për këtë rend të gjërave.

Natyrisht që asnjë kalorës i vetmuar nuk do të mund të luftonte me të tillë monstra, qoftë ai intelektual qoftë gazetar apo veprimtar kurajoz i ndonjë kauze. I vetmuar nuk do të përfundonte as në pozitat e Don Kishotit. Po vetëm në pozitat e lojtarit të “Temple Run”. Në arratisje të përhershme, ku pikët e vetme i fiton nëse shmang pengesat.

E vetmja mënyrë që t’i kthehesh përndjekësit, e të kesh ndonjë shpresë për t’u ndeshur me të është organizimi. Dhe organizim, do të thotë edhe sakrifikim i individualizmit, zgjidhje qoftë edhe arbitrare i asaj që quhet dilemë e iriqave. Iriqat në dimër, po të rrinë vetëm ngordhin së ftohtit – ndërkohë që po të përqafohen kanë frikë nga gjembat e tyre. Është koha të kuptohet që s’jemi iriqë.

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 22, 2013 nga te Publicistikë dhe etiketuar me , , , , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: