rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Pushteti në Universitet

Astrit Dehari 

Nuk është risi të thuhet se që prej pasluftës UP-ja është çerdhe e krimit të organizuar. Kjo madje është bërë pjesë e përditshmërisë së shoqërisë sonë. Tashmë dihet se pushteti është më i fuqishëm se asnjëherë më pare, përbrenda Universitetit.

Posa të futet studenti në  oborrin apo objektin e fakultetit të tij sheh diçka shumë  interesante. E para që e sheh nuk është kolegu i tij, as profesori apo asistenti, as pastruesja e lodhur nga ndotja e pluhurit por e sheh pushtetin.

Pushteti si kontakt i parë  në UP shfaqet me një uniformë të sofistikuar dhe private, e cila e pret në hyrje apo qysh në oborr të  fakultetit, në emër të sigurimit të objektit. Në  mbishkrimin e uniformës shkruan në gjuhë të huaj zakonisht “security”. Pra, “sigurimi” është kontakti i parë i studentit. Kjo nuk është rastësi. Këta punëtorë  të sigurimit janë shumë të zotë në  seleksionimin e studentëve. Ata janë personat përgjegjës që  caktojnë se cili student ka të drejtë të futet në bibliotekë, në sallën e ligjëratave, në dekanat, në rektorat etj.

Përpos seleksionimit kanë  edhe role të tjera që mund të përshkruhen me shkopat e gomës ose të hekurit që i mbajnë në brez e që shumë shpesh i  kanë dëshmuar se nuk i kanë vetëm sa për t’i pasur por për t’i përdorur kundër studentëve. Pra, ky kontakt tregon egërsinë e pushtetit në UP qysh me kontaktin e parë.

Kontakti i radhës me pushtetin brenda UP-së fillon dhe bëhet më mistik e mbi të  gjitha më i sofistikuar. Tani pushteti në UP fillon dhe del pak përtej shkopit të gomës apo të hekurit. Në  këtë pjesë fillon të përdoret pak edhe lapsi e libri dhe në shikim të parë mund të japë përshtypje të gabueshme. Pra, tash është fjala për një pjesë të stafit akademik e cila është pjesë direkte ose i shërben indirekt pushtetit e Qeverisë në Kosovë. Tashmë jemi brenda sallave të ligjëratave e ushtrimeve. Kjo pjesë e stafit akademik përmes pranisë, sjelljeve dhe shpjegimit të tyre e përhapin agjitacionin e pushtetit duke qenë profesor paradite e pasdite ministra, kryetar komunash, deputetë, e për më keq pjesëtarë të shërbimeve sekrete haptas e fshehtas.

Ky lloj i kontaktit për shumicën e studentëve normalisht që nuk është fare i këndshëm. Në këtë moment, pasi që pushteti e di se nuk pritet asgjë tjetër përpos organizimit kundër këtyre padrejtësive, pushteti bëhet shumë më perfid dhe fillon e bëhet tamam përjashtues.

Në hierarkinë e organizimit të pushtetit ndodh një thyerje. Tani, kur pritet që  hallka tjetër e organizimit të pushtetit brenda UP-së të  jetë në drejtim të dekanateve e rektoratit, pushteti qëndron edhe pak te organizimi në nivelin studentor. Kjo ndodh përmes një sistemi i cili proklamohet si demokraci brenda UP-së  dhe paraqitet me të drejtën e krijimit të kinse “organizatave të pavarura studentore”.  Këto organizata të lejuara me statutin e UP-së janë të domosdoshme por jo në mënyrën si funksionojnë sot. Shumica prej tyre paraqesin një shpresë të rrejshme dhe një mundësi të humbur. Si shpresë, anëtarët e korruptuar të këtyre organizatave studentore paraqiten në kontaktin që ata e kanë me stafin akademik e administrativ. Madje profesori saherë që futet në sallën e ligjëratave i përshëndet në mënyrë të veçantë këta si studentë kinse të zgjedhur. Këto organizata pas pjesëmarrjes në zgjedhjet studentore marrin pjesë me përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e këshillit të studentëve, të profesorëve, të senatit. Në tërë këtë proces numri i anëtarëve të Këshillit të studentëve paraqet 1% të studentëve në atë njësi akademike. Me këtë mbytet ideja e demokracisë por rritet fuqia e pushtetit brenda UP-së, se fundja ky është halli i Qeverisë. Si shpresë, studenti fatkeqësisht këto organizata kinse të pavarura i sheh në momentet kur ka probleme administrative me referentët e pjesëtarë tjerë të administrates, dhe për ato problem sekserë më të mirë se sa këta përfaqësues nuk gjenden.

Pas organizimit të pushtetit në nivel të studentëve, fillon dhe evitohet nevoja për formalizim të strukturave të pushtetit në UP. Kjo për arsyen se tani më jemi në nivelin institucional të  organizimit të pushtetit brenda UP-së. Tani organizimi quhet Këshill i Profesorëve dhe Dekanat, të cilët zgjidhen me zgjedhjet e Universitetit të bazuara në statutin e UP-së. Mbi këtë  nivel organizativ gjendet Rektorati apo “shtëpia e Babës” siç e quanin ish rektori Enver Hasani e Mujë Rugova edhe haptas. Ky institucion përmban në vete senatin si organ i cili në përbërjen e vet ka dekanë dhe senatorë nga profesorë e studentë.

Këtu duhet të përfundonte organogrami i UP-së si në shumicën e universiteteve nëpër botë. Por nuk është ashtu. Mbi rektorat ekziston edhe një  organ i mbivendosur. Ai quhet Këshilli Drejtues, tamam sikur organi më i lartë i partisë në pushtet. Këshilli Drejtues përbëhet nga 5 anëtarë të ardhur nga senati dhe 4 nga Ministri e Arsimit. Kompetencat e këtij organi janë mahnitëse, ky organ përcakton ndarjen e buxhetit, ka të drejtë të  shkarkoj e të emëroi rektorin, miraton rregulloret për përjashtim të studentëve etj.

Pra kjo është “qeveria” brenda UP-së. Ish rektori Mujë Rugova e Enver Hasani thoshin edhe publikisht se “unë jam baba në UP”. Ata e kishin mbiçmuar veten pak më lartë pasi që ishin servilët e Hashim Thaqit si kryeministër i cili në çdo çast kishte mundësin që me Ministrinë e Arsimit t’i shkarkonte përmes Këshillit Drejtues.

Ky lloj funksionimi brenda UP-së  ka shkatërruar idenë e Universitetit. Nëse në vitet e 90-ta nuk kishte hapësira universitare por ekzistonte Universiteti, në vitet e pasluftës kemi hapësira universitare por aspak Universitet!

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 19, 2013 nga te Shoqëri dhe etiketuar me , , , , .

Pëlqe “Rreth” në Facebook

Këtë e pëlqejnë %d blogues: