rrethana & rrethina

Kritikë dhe Aktivizëm

Pse Marksi kishte të drejtë

Terry Eagleton

Marrja fund e marksizmit do të përbënte lajm të mirë për marksistët ngado. Ata do të fusnin në çantë marshimet dhe piketat, do të ktheheshin në gjirin e halleve familjare dhe do të shijonin një mbrëmje në shtëpi në vend që të merrnin pjesë në ndonjë tjetër mbledhje të mërzitshme komiteti. Marksistët nuk duan asgjë më shumë sesa të rreshtin së qeni marksistë. Në këtë kuptim, të qenët marksist nuk është fare si të qenët budist apo miliarder. Më shumë ngjan me të qenët mjek. Mjekët janë krijesa perverse, të vetëfrustruara, të cilat i heqin vetes punën nga dora duke kuruar pacientë, të cilët më pas nuk kanë nevojë për ta. Ngjashëm, detyra e radikalëve politikë është të arrijnë pikën ku ata nuk do të ishin më të nevojshëm ngaqë synimet e tyre do të ishin realizuar. Atëherë do të ishin të lirë të tërhiqeshin, të digjnin posterat e Çe Gevarës, t’i ktheheshin sërish me violonçelit të tyre të braktisur prej kohësh dhe të flisnin për gjëra më intriguese se mënyra aziatike e prodhimit. Nëse ka ende marksistë ose feministë vërdallë në shekullin e njëzetenjëtë, kjo është shenjë e keqe. Marksizmi duhet të ishte punë rreptësisht provizore, çka përbën arsyen se pse gjithkush që investon krejt identitetin e vet në të e ka humbur fillin. Gjithë kuptimi i marksizmit është se ka jetë pas marksizmit.

Ka vetëm një problem me këtë vizion, përndryshe tërheqës. Marksizmi është një kritikë e kapitalizmit – kritika më kërkuese, rigoroze dhe gjithëpërfshirëse e kësaj natyre që është parashtruar ndonjëherë. Gjithashtu marksizmi përbën të vetmen kritikë të tillë që ka transformuar sektorë të gjerë të globit. Nga kjo rrjedh se për aq kohë sa vazhdon kapitalizmi, aq do të vazhdojë edhe marksizmi. Ai mund të dalë në pension vetëm duke nxjerrë jashtë loje kundërshtarin e vet. Dhe në shikim të mbramë, kapitalizmi duket po aq energjik sa kurdoherë.

Shumica e kritikëve të marksizmit sot nuk e vënë në dyshim këtë pikë. Përkundrazi, pretendimi i tyre është se sistemi ka ndryshuar më mënyrë pothuajse të panjohshme që prej ditëve të Marksit, dhe prandaj idetë e tij nuk janë më të përshtatshme. Përpara se ta shqyrtojmë këtë pretendim, ka vlerë të vihet re se Marksi dora vetë ishte krejt i vetëdijshëm për natyrën gjithnjë-në ndryshim të sistemit që po sfidonte. Pikërisht marksizmit ia kemi borxh konceptin e formave të ndryshme historike të kapitalit: tregtar, agrar, industrial, monopolist, financiar, imperialist etj. Kësisoj, përse fakti  që kapitalizmi e ka ndryshuar formën e vet në dekadat e fundit duhet ta diskreditojë një teori që e sheh ndryshimin si thelbin e vetë sistemit?! Për më tepër që vetë Marksi e parashikonte rënien e klasës punëtore dhe rritjen e formave jofizike të punës. Ai parashikoi gjithashtu të ashtuquajturin globalizim – diçka e çuditshme për një njeri mendimi i të cilit hamendësohet si arkaik. Megjithatë, ndoshta cilësia ‘arkaike’ e Marksit është ajo çka e bën atë ende të rëndësishëm sot. Ai akuzohet se është i vjetruar nga kampionët e një kapitalizmi që po kthehet furishëm në nivelet viktoriane të pabarazisë.

Më 1976-n mjaft njerëz në Perëndim mendonin se marksizmi kishte argumente serioze. Më 1986-n, shumë prej tyre nuk mendonin më të njëjtën gjë. Çfarë kishte ndodhur tamam ndërkaq? Mos vallë këta njerëz thjesht e humbën arsyen? Mos vallë teoria marksiste u demaskua si e rreme nga ndonjë hulumtim i ri botëtronditës? Mos zbuluam ndonjë dorëshkrim të humbur prej kohësh të Marksit në të cilin ai rrëfente se gjithçka e kishte pasur me shaka? Arsyeja nuk qëndronte në zbulimin zhgënjyes se Marksi paguhej nga kapitalizmi. Diçka të tillë e dinim prej kohësh. Pa fabrikën Emren&Engels në Salford, pronar i të cilës ishte babai fabrikant tekstilesh i Engelsit, Marksi, në varfërim kronik, mund të mos mbijetonte për të shkruar polemika kundër fabrikantëve të tekstileve.

Diçka kishte ndodhur vërtet në periudhën në fjalë. Prej mesit të viteve 70 sistemi perëndimor kishte pësuar disa ndryshime jetike. Pati një zhvendosje nga fabrikimi industrial tradicional në kulturën ‘pasindustriale’ të konsumerizmit, komunikimit, teknologjisë së informacionit dhe industrisë së shërbimeve. Në rend të ditës ishin sipërmarrjet në shkallë të vogël, të shpërqendruara, të shumanshme e johierarkike. Tregjet u çrregulluan dhe lëvizja e klasës punëtore pësoi një sulm të egër ligjor dhe politik. Përkatësitë tradicionale klasore u dobësuan, ndërkohë që identitetet lokale, gjinore dhe etnike u bënë edhe më ngulmuese. Politika u bë gjithnjë e më e menaxhuar dhe e manipuluar.

Teknologjitë e reja të informacionit luajtën një rol kyç në globalizimin në rritje të sistemit, ndërsa një grusht korporatash tejkombëtare e shpërndanë prodhimin dhe investimin nëpër planet në kërkim të fitimeve më të lehta. Një pjesë e mirë e fabrikave u zhvendos në vende me pagë të ulët të botës së ‘nënzhvilluar’, çka e shtynte një pjesë të perëndimorëve mendjelehtë të arrinin në përfundimin se industria e rëndë ishte zhdukur nga planeti. Gjatë kësaj periudhe lëvizshmërie globale ndodhën migrime masive ndërkombëtare të punës, dhe bashkë me to u ringjallën racizmi dhe fashizmi kundër imigrantëve të varfër që derdheshin në ekonomitë më të përparuara. Ndërkohë që vendet ‘periferike’ u nënshtroheshin punës së rëndë, shërbimeve shoqërore të privatizuara, shkatërrimit të përfitimeve shoqërore dhe kushteve të pabarabarta të tregtisë, administratorët e parruar të vendeve metropolitane hoqën kollaret, zbërthyen kopsat e kamishave dhe nisën të shqetësoheshin për mirëqenien shpirtërore të punonjësve të tyre.

Asnjëra prej këtyre nuk ndodhi ngaqë sistemi kapitalist ishte në një fazë të gjallë dhe të gëzueshme. Përkundrazi, pozicioni i tij luftarak, si shumica e formave të sulmit, buronte nga ankthi i thellë. Sistemi u bë maniak për shkak të faktit se ishte në depresion të nënzëshëm. Ajo çka e ndikoi më së shumti këtë riorganizim ishte shuarja e papritur e bumit të pasluftës. Konkurrenca e intensifikuar ndërkombëtare po ulte normat e fitimeve, po thante burimet e investimeve dhe po ngadalësonte ritmin e rritjes. Edhe socialdemokracia po dukej një opsion politik mjaft radikal dhe i kushtueshëm. Kësisoj, skena ishte bërë gati për Reganin dhe Theçerin, të cilët do të ndihmonin në çmontimin e industrisë tradicionale, do të atrofizonin lëvizjen punëtore, do të lulëzonin tregun, do të fuqizonin krahun shtypës të shtetit dhe do të përkrahnin një filozofi të re shoqërore, të njohur si grykësi e pacipë. Zhvendosja e investimeve nga fabrikat te industritë e shërbimeve, financiare dhe të komunikimit ishte reagim ndaj një krize ekonomike të zgjatur, dhe jo një kërcim nga një botë e vjetër e keqe në një të re të përsosur.

Megjithatë, dyshoj se shumica e radikalëve që ndërruan mendje rreth sistemit midis viteve 70 dhe 80 e bënë këtë thjesht për shkak se kishte më pak fabrika pambuku vërdallë. Nuk ishte kjo arsyeja që i shtyu ta groposnin marksizmin bashkë me basetat dhe rripat e kokës, por bindja në rritje se regjimi që kishin përballë thjesht ishte shumë i vështirë për t’u përmbysur. Rolin vendimtar nuk e patën iluzionet mbi kapitalizmin e ri, por zhgënjimet rreth mundësisë për ta ndryshuar atë. Sigurisht që kishte plot ish-socialistë që e racionalizonin zymtësinë e tyre duke pretenduar se në qoftë se sistemi nuk mund të ndryshohej, atëherë as që duhej të ndryshohej. Mirëpo rol parësor luajti mungesa e besimit tek alternativa. Meqenëse lëvizja e klasës punëtore ishte goditur dhe gjakosur aq fort, dhe e majta politike ishte tërhequr aq shumë, e ardhmja dukej se ishte zhdukur pa lënë gjurmë. Për disa të majtë, rënia e bllokut sovjetik në fund të viteve 80 shërbeu për ta thelluar çmagjepsjen. Ndikim negativ pati edhe fakti që lëvizja radikale më e suksesshme në kohët moderne – nacionalizmi revolucionar – në atë kohë i kishte shpenzuar energjitë e veta. Ajo çka e ushqeu kulturën e pasmodernizmit, me heqjen dorë nga rrëfimet e mëdha dhe shpalljet triumfuese të Fundit të Historisë, ishte mbi të gjitha bindja se e ardhmja tashmë do të ishte thjesht njëlloj si e tashmja. Apo, siç thoshte një pasmodernist i harlisur: ‘E tashmja, plus më shumë opsione.’

Kësisoj, ajo që ndikoi mbi të gjitha në diskreditimin e marksizmit ishte ndjenja zvarritëse e pafuqisë politike. Është e vështirë ta mbash besimin te ndryshimi kur ndryshimi duket jashtë agjende, edhe pse pikërisht atëherë duhet ta ushqesh edhe më fort. Fundja, nëse nuk i kundërvihesh asaj që duket e pashmangshme, kurrë nuk ke për ta ditur se sa e pashmangshme ka qenë e pashmangshmja. Nëse zemërpulat do të kapeshin pas ideve të tyre të mëparshme edhe për dy dekada, do të shihnin një kapitalizëm aq të ngazëllyer e të pathyeshëm, saqë më 2008-n arriti vetëm të mbante hapur bankomatët në autostrada. Po ashtu do të kishin parë se një kontinent i tërë në jug të Kanalit të Panamasë u zhvendos dukshëm kah e majta politike. Fundit të Historisë tashmë i kishte ardhur fundi. Sidoqoftë, marksistët duhet të jenë të mësuar me humbjet. Ata kishin njohur katastrofa më të mëdha nga kjo. Fati politik do të jetë gjithmonë me sistemin në fuqi, qoftë edhe ngaqë ai ka më shumë tanke se ti. Mirëpo, vizionet marramendëse dhe shpresat plot gjallëri të fundviteve 1960 e bënë këtë kthesë një pilulë veçanërisht të hidhur për të mbijetuarit e asaj epoke.

Kësisoj, ajo çka e bënte marksizmin të papranueshëm nuk gjendej në faktin se kapitalizmi kishte ndryshuar tiparet e tij. Në fakt kishte ndodhur e kundërta; fakti se sa më shumë ecte sistemi, aq më tepër dukej se punët do të shkonin njëlloj si zakonisht. Ironikisht atëherë, ajo që ndikoi më shumë në mundjen e marksizmit u fali gjithashtu besueshmëri pretendimeve të tij. Ai u degdis në skaje sepse rendi shoqëror të cilit i kundërvihej, në vend që të bëhej më i durueshëm dhe i moderuar, u bë edhe më i pashpirt dhe ekstrem nga ç’kishte qenë më parë. Dhe kjo e bëri kritikën marksiste edhe më të vlefshme. Në shkallë globale, kapitali po përqendrohej dhe po bëhej gjithnjë e më grabitqar, dhe klasa punëtore në të vërtetë ishte rritur në numër. Po bëhej e mundur imagjinimi i një të ardhmeje ku të stërpasurit do të banonin në bashkësi të izoluara dhe të ruajtura me armë, ndërkohë që pothuajse një miliard banorë periferish të varfra do të rrethoheshin në kolibet e tyre të qelbura nga roje dhe tela me gjemba. Në këto rrethana, të pretendosh se marksizmi ka marrë fund do të ishte sikur të pretendoje se zjarrfikja ka dalë jashtë mode përderisa zjarrvënësit po bëhen më të zotë dhe të fuqishëm se kurrë më parë.

Ashtu siç e parashikonte Marksi, në kohën tonë pabarazitë pasurore janë thelluar në mënyrë dramatike. Të ardhurat e një miliarderi të vetëm meksikan janë sot të barabarta me ato të shtatëmbëdhjetë milionë bashkëqytetarëve të tij më të varfër. Kapitalizmi ka krijuar më shumë begati se kurrë më parë në histori, por çmimi – ai i thuajse shkatërrimit të miliarda njerëzve – ka qenë astronomik. Sipas Bankës Botërore, 2.74 miliard njerëz jetonin në vitin 2001 me më pak se dy dollarë në ditë. Ne gjendemi përballë një të ardhmeje të mundshme ku shtetet me armë bërthamore do të luftojnë mbi burime të rralla; dhe kjo rrallësi është në një masë mjaft të madhe produkt i vetë kapitalizmit. Për herë të parë në histori, kjo mënyrë mbizotëruese jetese nuk ka thjesht fuqinë për të ushqyer racizmin dhe kretinizmin kulturor, për të na shpënë në luftëra apo për të na gardhuar në kampe pune, por edhe për të na zhdukur krejt nga faqja e dheut. Kapitalizmi do të sillet në mënyrë antishoqërore përderisa t’i duket fitimprurëse diçka e tillë, dhe kjo tashmë nënkupton shkatërrim njerëzor në përmasa të paimagjinueshme. Ajo që dikur ishte fantazi apokaliptike, tashmë është realizëm me këmbë në tokë. Parulla tradicionale majtiste ‘Socializëm ose barbari’ nuk ka qenë kurrë më e përshtatshme, kurrë më pak retorike. Në këto rrethana të tmerrshme, siç shkruan Fredric Jameson, ‘marksizmi duhet të bëhet medoemos i vërtetë sërish’.

Pabarazitë spektakolare të pasurisë dhe pushtetit, luftërat imperialiste, shfrytëzimi i intensifikuar, një shtet gjithnjë e më shtypës: nëse këto janë tipare të botës së sotme, ato përbëjnë gjithashtu çështje me të cilat marksizmi është marrë dhe ka reflektuar për pothuajse dy shekuj. Prandaj duhet pritur që marksizmi të ketë ca mësime për të na dhënë në të tashmen. Vetë Marksit i kishte bërë shumë përshtypje procesi jashtëzakonisht i dhunshëm i farkëtimit të klasës punëtore prej fshatarësisë së dëbuar në vendin e tij të adoptimit, Angli – një proces të cilin po e përjetojnë tani Brazili, Kina, Rusia dhe India. Tristram Hunt-i vëren se libri i Mike Davis-it Planet of Slums, i cili dokumenton ‘malet që vijnë era mut’ të njohura si lagje të varfra barakash, që gjenden në Lagosin apo Dhakën e sotme, mund të konsiderohet si një version i përditësuar i Gjendjes së klasës punëtore në Angli të Engelsit. Ndërsa Kina bëhet punishtja e botës, – komenton Hunt-i, ‘zonat ekonomike speciale të Guangdongut dhe Shangait të kujtojnë Mançesterin dhe Glasgoun e 1840-s.’

Po sikur të mos ishte marksizmi i vjetruar, por vetë kapitalizmi?! Në epokën e Anglisë viktoriane, Marksi vërejti se sistemit i kishte mbaruar karburanti. Në ditët e veta më të mira ai kishte sjellë përparim shoqëror, ndërkohë që tashmë po e pengonte atë. Ai e shikonte shoqërinë kapitaliste si të mbuluar me fantazi e fetishizëm, mit e idhujtari, pavarësisht se sa mburrej për modernitetin e vet. Vetë iluminizmi i tij – besimi i vetëkënaqur te racionaliteti i vet sipëror – ishte një farë supersticioni. Pavarësisht se kishte mundur të sillte përparim shtangës në disa fusha, në një tjetër kuptim ishte përpjekur mjaft vetëm e vetëm për të ndenjur në të njëjtin vend. Caku i mbramë i kapitalizmit – shkruante dikur Marksi – ishte vetë kapitali, riprodhimi konstant i të cilit është kufiri që nuk mund ta kapërcejë dot. Ka diçka statike dhe përsëritëse në mënyrë kureshtare për sa i përket këtij regjimi, i cili është më dinamiku i të gjitha regjimeve historike. Fakti që logjika e tij bazike mbetet pak a shumë konstante është një nga arsyet se pse kritika marksiste mbetet e vlefshme gjerësisht. Kjo do të rreshtte së qeni e vërtetë vetëm nëse sistemi do të ishte vërtet i aftë t’i kapërcente kufijtë e tij, duke përuruar ndonjë të re të paimagjinueshme. Mirëpo kapitalizmi e ka të pamundur të shpikë një të ardhme e cila nuk e riprodhon ritualisht të tashmen e tij. Sigurisht me disa opsione më shumë…

Kapitalizmi ka sjellë përparime të mëdha materiale. Mirëpo, megjithëse një mënyrë e tillë e organizimit të punëve ka pasur gjithë atë kohë për të treguar se është e aftë për t’i plotësuar kërkesat njerëzore gjithkund, sot duket edhe më larg këtij synimi se kurdoherë. Edhe për sa kohë jemi të gatshëm të presim që ai të sjellë të mirat e veta?! Pse vazhdojmë ta ushqejmë mitin se pasuria përrallore e krijuar nga kjo mënyrë prodhimi në fund fare do të jetë në duart e të gjithëve?! A do t’i trajtonte bota me të njëjtën vetëpërmbajtje të-shohim-si-do-të-venë-punët pretendimet e ngjashme të të majtës radikale?! Djathtistët që pranojnë se do të ketë gjithmonë padrejtësi kolosale në sistem, por se alternativat ndaj sistemit janë edhe më të këqija, janë të paktën më të ndershëm në mënyrën e tyre të vrazhdë sesa ata që predikojnë se në fund fare gjithçka do të shkojë siç duhet. Nëse ndodh që të ketë të pasur dhe të varfër, ashtu siç ndodh të ketë të zinj dhe të bardhë, atëherë përparësitë e të privilegjuarve mund të shpërndahen me kalimin e kohës tek ata në vështirësi. Mirëpo të pretendosh se disa janë varfanjakë, ndërsa të tjerët të begatë, është njëlloj si të pretendosh se në botë ka edhe policë, edhe kriminelë. Kështu është; veçse kjo mbulon të vërtetën se ka policë për shkak se ka kriminelë…

Marrë nga: Terry Eagleton – Why Marx Was Right

Përktheu: Arlind Qori

Advertisements

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni / Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni / Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni / Ndryshoje )

Foto Google+

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google+. Dilni / Ndryshoje )

Po lidhet me %s

Të dhëna

Ky zë është postuar më Korrik 17, 2013 nga te Esse, Përkthim dhe etiketuar me , , , .
Këtë e pëlqejnë %d blogues: